Nga Bledian Koka *
Vizita e shefi t të diplomacisë shqiptarë në Greqi, Ditmir Bushati ishte një vizitë që kaloi ashtu si edhe shumë vizita të tjera të tij, në hije dhe pa bujë. Dhe do të ketë qenë ky fakti që të gjithëve ne na shpëtoi fakti që në takimet politike, Ditmir Bushati takoi liderin e ri të të djathtëve grekë, Kyryakos Mistotakis dhe nuk kishte asnjë takim me kreun e simotrës së PS-së në Greqi, SIRIZA, Aleksis Tsipras. Bushati takoi edhe presidentin e djathtë, Prokopios Pavlopoulos (ish-Nea Demokracia) dhe natyrisht me homologun e tij me shefin e diplomacisë, Nikos Kotzias të SIRIZA-s. Por në mënyrë krejt të habitshme dhe ende pas asnjë shpjegim, ai nuk pati një takim me kryeministrin dhe liderin e SIRIZA-s, Aleksis Tsipras. Nëse Shqipëria do të përjetonte një moment më të qetë në raport me qeverinë dhe situatën ekonomike të prodhuara nga ato që Rama i quan reforma, e sigurt do të ishte se dështimi më i madh i qeverisë aktuale do të ishte diplomacia. Jo sepse një shqiptar nuk takoi një grek, por se ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk pritet nga kryeministri i Greqisë. Pikërisht kur Bushati ka 3 ditë që shet mend se ai shkoi atje me një “shportë me 3 propozime”, Tsiprasi nuk e qasi aspak, ndërsa shefi i diplomacisë së Shqipërisë bënte xhiro boshe nëpër zyrat shtetërore greke të sheshin “Sintagma”. Raportet mes Greqisë dhe Shqipërisë plus-minus kanë të njëjtën valencë që nga viti 1990 e deri në ditët e sotme. Ne kemi 25 vite që biem dakord të mos jemi dakord për të njëjtat gjëra. Ne biem dakord që s’jemi në luftë, edhe pse Athina mban ende në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ne biem dakord që s’jemi dakord se për Shqipërinë, çështja Çame ekziston, ndërsa për Greqinë kjo tokë quhet thjesht Epiri i Veriut. Ne biem dakord të mos jemi dakord që minoriteti grek në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat sipas konventave ndërkombëtare, e ndoshta diç më shumë, ndërsa për grekët këto të drejta në Shqipëri shkelen nga mëngjesi në darkë. Siç duken bathët, këto çështje kështu kanë qenë, kështu janë e kështu do të jenë. Por, ama në raportin politik mes Shqipërisë dhe Greqisë ka një hendek të ri, jo mes popujsh, por mes liderësh. Jo mes shqiptarit dhe grekut, por mes Ramës dhe Taiprasit. Dhe për këtë arsye, vizita e të majtit shqiptar Bushati në Greqi kulmoi me takimin që ai pati me të djathin grek Mitsotakis. Dhe për këtë arsye, Bushati nuk kishte guximin që shportat e tij të mbushura me halle shqiptarësh si çështja Çame, ngritja e komisioneve të përbashkëta dhe kufiri detar t’ia thoshte homologut të tij Kotzias në sy. I vetmi vend ku ministri Bushati i artikuloi hapur këto çështje ishte në një aktivitet të lodhur, organizuar nga Fondacioni grek për Politikën e Jashtme dhe Evropiane. E gjitha kjo ishte një vizitë që nuk zgjidhi asnjë nga këto tri probleme. Vizita tregoi se Bushati ashtu si shefi i vet, te të pushtetshmit dërgon buqeta (thonë se Rama i dërgonte të tilla Nanos në spitalin e Athinës), ndërsa te të dobëtit si fjala vjen ndonjë fondacion, çon shporta me probleme. Probleme që mbajnë erë nëpër Athinë dhe nëpër Tiranë për shkak të diplomatëve sterilë që shkojnë e vijnë kot sa andej këtej, me taksat tona. Probleme edhe se pse Edi Rama e anuloi vitin e kaluar vizitën e kryeministrit të grek, Alksis Tsipras në Tiranë. E bëri si një dhuratë për Merkelin, e cila nuk po arrinte ta bindte “mistrecin” e majtë të Athinës të firmoste marrëveshjen e osteritetit, që i propozonte Europa Greqisë. E si një shqiptar tipik oportunist, Rama i vuri shkelmi fqinjit mullixhi për një grusht miell nga vjehrra, që nuk erdhi kurrë. E si të mos mjaftojë kjo, gjatë kësaj periudhe ka edhe gojë të tallet herë pas here edhe me Tsiprasin, duke e quajtur vizionin e tij “e majta romantike”, thjesht për një sulm më shumë ndaj Ben Blushit. Por sot, kur edhe njëherë Tsipras pak nga pak, ka të gjithë simpatinë e Europës për mënyrën sesi po e përballon krizën e emigrantëve, Rama të vetmin vend ku po mundohet të lartësojë figurën e tij ka statutin e ri të PS-së. Sot kur edhe njëherë, Greqia e Tsiprasit po ngrihet ekonomikisht mbi hirin e saj, Shqipëria e Edi Ramës po fundoset aty, mu në bollëkun e vet. Sot edhe njëherë si përherë, greku më i varfër i Tsiprasit është shqiptari më i kamur i shtresë së mesme të Edi Ramës. Sepse sot, kur dy vjet pasi erdhi në pushtet, Tsiprasi nuk i uli mëngët e përveshura për të shpëtuar Greqinë, Edi Rama ka hedhur supeve me kohë kostumet e tij mijëra eurosh ‘Zegna’ që të mos shohë katandinë e Shqipërisë.
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Shtype (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Share on Pocket (Hapet në një dritare të re) Pocket
- Ndajeni me të tjerë në Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Ndajeni me të tjerët në Tumblr (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Ndajeni me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Ndajeni me të tjerët përmes WhatsApp-i (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Email a link to a friend (Hapet në një dritare të re) Email
- Më
