Kategori
Uncategorized

Demokracia, si “historia” e nuses kur rri gjatë mbi kalë!

Demokracia, si “historia" e nuses kur rri gjatë mbi kalë!

 

Batutat kanë rëndësinë e tyre të madhe në jetë.
Janë të frytshme, kur vërtetë duan të tregojnë dhe ndreqin diçka që prish punë.
Një nga ato batuta dhe të thëna që të bëjnë dhe të qeshësh, por kryesisht të bindesh për një gabim e përdorur gjerësisht në Shkodër “u dhi nusja n’kalë” dhe duhet kuptuar mbi kalë! Përdoret kryesisht kur është një eveniment i pritur, i madh, dhe që përfundon për një arsye apo tjetër jo mirë?! Pra e kanë fjalën për një “dasëm” që sigurisht është gëzim i madh, dhe që prishet kur vjen nusja dhe kuptohet se është “dhj..rë e shkreta” mbi kalë! Mundet, dhe sigurisht ka ndodhur që nusja e shkretë të jetë menderosur gjatë udhëtimit të gjatë mbi kalë. E para, se udhëtimi ka zgjatur orë dhe mbase ditë, por dhe në rrugë pa rrugë e nusja e re ka qenë e shoqëruar nga burra dhe pleq kryesisht si krushq-familjarë që nuk njihte shumicën.
Fatkeqja nuse, në ditën më të bukur të saj, ka qenë e mbuluar dhe mbi kalë, e nuk ka mundur as t’ju thotë “më ulni se kam nevoja për të kryer”? Kështu që ka duruar dhe ka duruar gjithë atë udhëtim të gjatë, nuk ka folur, është stërmunduar deri sa dikur është…! E kuptoni vetë se çfarë dua të them! Turpi e “marrja” ka plasur kur ka arritur dhe nuk ka mundur të mbulojë këtë “delikt” i shkaktuar nga vonesa mbi kalë dhe nga ceremoniali apo rituali “kafaz mbyllur” dhe pse me qëllim të mirë sipas tyre!
Në të vërtetë shprehja “u dhje nusja në kalë” do të qëllojë mbi prishjen e diçkaje të mirë të pritshme dhe të kërkuar, por që për një arsye apo një tjetër, sidomos nga koha e gjatë e pritjes – prishet si rast.
Është për të qeshur, por në vitin 1967-të kur PPSH-ja donte të bënte “emancipimin e gruas dhe vajzave” dhe të largonte “mbeturinat” dërgonte një letër aparateve të partisë ku ju kërkonte zëvendësimin e zakoneve prapanike me të reja. Një prej tyre ishte dhe se të mos shpenzohesh kot dhe shumë e përlumë sipas zakoneve dhe “nusja kur ishte larg mund të merresh dhe me kuaj, por tashmë me taksi”?!
Më e qarta dhe “më e bukura” për ne, është tranzicioni ynë i gjatë, rruga e vështirë drejt demokracisë. Sigurisht që na ka ndodhur pak a shumë si nusja në udhëtimin e saj të gjatë mbi kalë?!
Ne nuk duhet të bënin asgjë më speciale dhe të saktë për tu afruar në demokraci përveç faktit që të zbatonim ligje dhe të alternonim pushtetin me rregulla dhe ligje, duke pasur shumicën në pushtet dhe pakicën në opozitë?! Por nusja jonë, apo “demokracia”, ka 25-së vite që është mbi kalë, dhe nuk ka burrë që po e çon në destinacion normalisht. E sorollasin e sorollasin sa jo është e “dhj..rë” e shkreta, por ka përfunduar së qëni – nuse?!
Sot po e interpretojnë gabim edhe si shoqëri, e sulmojnë dhe e shajnë se “i vjen era rrezikes së gjorë”. Kujtojnë se e ka fajin ajo?!
E sollën të dhëndri të lodhur, të këputur, gjysëm të vdekur prej rrugës së gjatë, ritualeve folklorike idiote shqiptare, saqë mirë që është akoma gjallë. Gjithë asaj vajze të bukur dhe të shëndetshme, i doli shpirti në këtë rrugëtim prej aventure malesh, brinjash e monopatesh pa fund. E shoqëruan të shkretën nuse-demokraci disa modele folklorikësh dhe përfituesish si kumbarë, familjarë, krushqi, kushërinj si kodoshë dhe pizevengë lagjesh, që ziheshin me njëri tjetrin se kush di rrugën më të shkurtë dhe më të mirë?!
E nusja e shkretë duronte e duronte mbi kalë e mbuluar dhe me samar në vend të shalës së kalit e cila ja shkatërroi brinjët të gjorës.
E rrëzuan duke kaluar kanale dhe rrëpira, sidomos në vitin 1997, sa u bë copë e ngrata. U zunë për të se kush do ta çonte më mirë dhe më shëndoshë, dhe nga rrahja masive me njëri tjetrin, një pjesë të madhe të hunjve e gurëve të hedhur, i hëngri dhe ajo vetë.
Çfarë nuk provoi rrezikja nuse-demokraci, në këtë rrugë të gjatë, për ta sjellë në derë të burrit? Tani askush nuk e pret dhe nuk e konsideron pothuaj një mrekulli, është e grisur dhe e bërë pis nga rrëzimet, e pa ndërruar dhe e “dhj..rë” se as fliste dot, dhe as u kujtua kush për të.
Sigurisht është për të ardhur keq për një nuse kaq të bukur dhe të mirë, por në dorë të palo shoqëruesve të tillë. Nuk ke se çfarë ti bësh, paska qenë fati i saj i keq dhe paska rënë si në shoqërues “zoti na ruajt” dhe e pritur në një vend shumë larg, ku nuk ka rrugë makine, as fusha të buta për të kaluar, por monopate të rrezikshme, të një natyre të egër edhe pse të bukur me kohë me diell. Po, paska qenë nuse pa fat demokracia për vendin ku atë e çojnë me kalë, në një rrugë të gjatë. Të vjen keq, dhe për dy apo tre krushq dhe familjarë, që dinë ta trajtojnë, ta çojnë shpejt dhe mirë nusen në destinacion. Por jo vetëm që janë pak, por akoma më keq, nuk i beson kush kur kanë mendimin se nuk është e domosdoshme të niset me kalë kjo nuse, e mbuluar dhe me rrugë pa rrugë, në monopatet e rrugës më të vështirë. Jo, nuk i dëgjon, dhe as ka për ti dëgjuar edhe për disa kohë të tillë krushq-familjarë, në këtë vënd folklorik.

Lini një koment