
Fotoja e publikuar sot në rrjetet sociale e një nëne që gjobitej përse shiste spinaq, përpos revoltës të ngjall një trishtim të pakufi. Ajo foto flet më shumë se aq…
Është një shuplakë ndaj gjithë shoqërisë. Jemi ne ata që nuk reagojmë ndaj padrejtësive, jemi apatikë ndaj asaj që shkel vulnerablit dhe keq reagojmë kur këmbanat bien për ne dhe askush nuk reagon.
Para se të shihja këtë foto më kish neveritur ditën një foto ku shfaqej deputeti Kokëdhima duke nxjerrë gishtin e mesit dhe deputetja krah tij qeshte e ngazëllyer… Më shumë se pêr xhestin vulgar të Koços, neveri ndjeva për eksitimin e deputetes manekinë. Meqë ishte dhe prag 8 marsi dhe u fol për kuota se di pse më kapi një qeshje prej të çmendure… Ja pra çfarë prodhojnë kuotat, arlekino qesharakë. Na e mbushët parlamentin me gra-numra; bandidë; injorantë….prandaj ky vend do prodhojë dhe vulgaritetin e Koços që mbulon grabitjen ndaj këtij vendi dhe plagën e gjobitjes së një të moshuare të varfër që mbijèton në llumin e kësaj shoqërie frikacake e hipokrite….
Po po….frikacake e hipokrite…pa shtyllë kurrizore…
Sa nga ata deputetë e deputete që kanë qenë pjesë e shoqërisë civile e kanë ngritur ndonjëherë zërin kundra reformave që prekin shtresat vulnerabël?
Sa nga ata deputetë apo deputete që çirreshin për lirinë e fjalês dhe mbrojtjen e dinjitetit patën guximin të dênojnë gjestin prej turbulenti që Rama bëri ndaj Blushit? A ka dinjitet një deputet që lejohen të dhunohet e përçudnohet kolegu për mendim ndryshe?
Sa nga ata opozitarë që çirren për dhunën e Ramës në PS, patën guximin të dënojnë dhunën që Sekretari i Përgjithshëm i PD drejtoi ndaj gazetarit Çika? U dhunua media…
Nuk është reagim të sulmosh kundërshtarët. Reagim është të distancohesh e të dënosh çdo fenomen që beson se është i dënueshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë, pavarësisht nga kush vepron.
Shoqëria jonë ka nevojë për njerëz të vërtetë e guximtarë, mbi të gjitha për njerëz të lirë e që besojnë në vlera…
Vetëm kështu nuk do ta nisim ditën me vulgaritetin e Koços e s’do ti ngrysim mbrëmiet me keqardhjen për dhunimin që po i bëhet shqiptarëve e Shqipërisë!!!
