A ËSHTË DASHAMIR SHEHI NJË PENG I EDI RA
Të dielën, gazeta “Shekulli” në pronësi të deputetit rilindës Koço Kokëdhima hapej me një intervistë të deputetit demokrat Dashamir Shehi.
Ky i fundit jepte në intervistë mesazhin eksplicit se nuk do të respektonte asnjë vendim të PD-së për bojkot dhe se në çdo rast do të ishte në parlament.
Shprehej z.Shehi në intervistë:
Sigurisht që do të jem në Parlament, pavarësisht se çfarë vendos PD-ja. Por deri të enjten e ardhshme mendoj se dhe opozita do të reflektojë dhe do të kthehet në Parlament për të vijuar përballjen. Unë i kam bërë të ditur PD-së qëndrimet e mia për këtë çështje dhe besoj se edhe mund të takohem me zotin Basha deri të enjten për t’i bërë të ditur qëndrimin tim.”
Ky është një qëndrim që mund ta kenë dhe shumë deputetë të tjerë në PD.
E megjithatë z.Shehi është deri më sot, zëri më i avancuar, më i artikuluar publikisht kundër tezës së bojkotit, tezë e hedhur nga Berisha një javë më parë.
Përtej lojës politike, disa zhvillime të ndodhura së fundmi, sugjerojnë se z.Shehi mund të jetë nën presion nga mazhoranca aktuale e rilindjes për shkak të disa verifikimeve që kanë nisur në institucionin që drejton bashkëshortja e tij, znj. Enkeleda Shehi.
Zonja Shehi është kryetare e AMF-së (Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare), një ent shtetëror që luan rol kyç në kontrollin e tregut dhe të kompanive të sigurimeve.
Të mërkurën e datës 2 Mars, zonja Shehi u thirr në Komisionin e Ekonomisë në një seancë sqaruese me dyer të mbyllura. Ajo replikoi me kryetarin e këtij komisioni, z.Erion Braçe dhe pati debate të ashpra me anëtarin e komisionit Anastas Angeli gjatë seancës.
Aq sa Angjelit i’u desh t’i kujtonte kryetares së AMF-së se ku ishte dhe se duhej të korrektonte tonin e zërit dhe mënyrën si u përgjigjej anëtarëve të komisionit.
Arsyeja që znj.Shehi ishte thirrur në Komisionin e Ekonomisë lidhej me disa zhvillime të ndodhura në institucionin që ajo drejton që prej Dhjetorit 2015.
Dhjetori ishte një muaj ‘i nxehtë’ për AMF-në, sepse Kontrolli i Lartë i Shtetit kopsiti një raport që e bënte përgjegjës këtë institucion për neglizhencë dhe tolerime antiligjore ndaj kompanive të Sigurimeve.
Fabula është e thjeshtë, kompanitë e Sigurimit duhet çdo vit të derdhin detyrime garancie për atë që quhet Fondi i Sigurimeve, AMF-ja rezultonte se kishte zbutur detyrimet e këtyre kompanive dhe kishte trukuar skemën mbledhjes së detyrimeve të prapambetura që kishin kompanitë private. Detyrimet e kompanive private të sigurimit ishin rreth 13 milionë euro, por AMF-ja ishte mjaftuar me vetëm 5 milionë euro të mbledhura për Fondin.
Institucioni i AMF-së u përball dhe me një raport kritik nga Banka Botërore pikërisht për këtë çështje.
Presionin e krijuar nga raporti i KLSH-së, znj. Enkeleda Shehi duket se e zgjidhi në një mënyrë origjinale. Ajo vendosi të shkarkonte nga detyra drejtoreshën Lyela Rama.
Lyela Rama drejtonte hallkën e AMF-së që përllogariste dhe certifikonte detyrimet e kompanive të Sigurimit për Fondin garantues.
Ajo kishte njoftuar në kohë dhe zyrtarisht bordin e AMF-së për detyrimet e prapambetura të kompanive të sigurimit, e me sa duket, nën presionin e raportit të KLSH-së, Bordi dhe drejtoresha Shehi, vendosën ta ‘bënin shembull’.
Shkarkimi i Lyela Ramës solli një efekt zinxhir, të paktën 5 punonjës së AMF-së dhanë dorëheqjen në mënyrë demonstrative në fund të Dhjetorit, si reagim ndaj shkarkimit të Lyela Ramës.
Mungesa e të ardhurave në Fondin Kompensues, favorizimi i kompanive të sigurimit, kritikat e Bankës Botërore, raporti i KLSH-së, shkarkimi i drejtoreshës Rama dhe furtuna që ndodhi brenda institucionit pas Dhjetorit 2015, duket se sollën rrethana të sikletshme për drejtoreshën Shehi.
Ajo u thirr të mërkurën në Komisionin e Ekonomisë për të sqaruar pikërisht këtë situatë, ndërsa komisioni ka dhe autoritetin për të iniciuar dhe procedurën e shkarkimit të zonjës Shehi.
Pikërisht kjo pozitë delikate e znj.Shehi në këto momente, duket se është faktori që ndikon më së shumti protagonizmin publik të bashkëshortit të saj, deputetit demokrat Dashamir Shehi, i cili është zëri i parë që po përpiqet të relativizojë dhe të neutralizojë sinjalet për një përshkallëzim të aksionit opozitar ndaj qeverisë rilindëse.

