Kategori
Uncategorized

Kastriot Myftaraj: Veliaj, nga “balona” e “Mjaft-it” tek sponosorizimi i Soros për trashëgiminë e PS.

 

kastriot myftaraj

 

“Pa mbështetjen e Sorosit, Erion Veliaj sot do të shiste vërtet fiq në rrugë. Si në rastin e zëvendësimit të Nanos nga Rama, zëvendësim i këtij të fundit nga Veliaj pritet të ndodhë kur PS të humbë në zgjedhjet parlamentare dhe të dalë në opozitë”

Cili është mendimi juaj për karrierën e Erjon Veliajt, duke nisur nga angazhimet e tij të para tek “Mjaft” e deri tani me marrjen e detyrës së kryebashkiakut?

Lëvizja “Mjaft” u konceptua si një balonë që do të shërbente për ta ngritur anonimin Erion Veliaj në lartësitë e njohjes publike, që të gjithë të shikonin te ai një figurë publike. Qëllimi përfundimtar ishte që Erion Veliaj të ngrihej në lartësitë e qiellit të politikës shqiptare, si një lider i ri me frymë perëndimore. Kjo “balonë” u fry me një kosto të lartë. Vërtet që në dukje këtë kosto e përballuan ambasadat kryesore perëndimore, fondacionet perëndimore dhe veçanërisht ai i Sorosit, por vetëm në dukje ama. Sepse në fakt e gjithë kostoja prej shumë miliona euro dhe dollarë e fryrjes së “balonës” iu faturua shqiptarëve si asistencë teknike për shoqërinë civile në vendin tonë. Erion Veliaj e ndjen se ka një të metë të madhe, ai ka një gap, nëse shprehem në termat që i pëlqen të përdorë ai, apo një hendek, madje një greminë, midis detyrës që ka marrë përsipër dhe përvojës në punë, në çfarëdolloj pune, që duhet të ketë një njeri që merr përsipër detyra të tilla shumë serioze si qeverisja e një qyteti si Tirana bashkë me rrethinat e tij. Që nga përvoja e dyshimtë për t’ u besuar e shitësit 14 vjeçar të fiqve, e deri te marrja e postit të ministrit si e para punë e njohur që ka bërë, ka një greminë që nuk mund të mbushet me aktivitetin e Erionit për shoqërinë civile. Dhe kur një njeri që ka rekorde të tilla merr një detyrë shumë serioze siç është qeverisja e një qyteti me shumë probleme, nga ai nuk mund të presim veçse që t’ i krijojë qytetit probleme nga më të çuditshmet. Koha do ta tregojë këtë gjë. Sigurisht që ai do të përpiqet që këto problem t’ i mbulojë metodën e krijimit të fasadave të çdo lloji në qytet. Fasadë pastërtie, në një zonë të vogël të kufizuar të qytetit, fasadë gjelbërimi, fasadë hapësirash publike ku luajnë fëmijët në kënde lojërash etj.  Sigurisht që Erion Veliaj ka një vision për Tiranën, por pyetja është se cila është kostoja që do të paguajnë qytetarët e Tiranës për vizionin e tij dhe sa përqind e qytetarëve të Tiranës përfitojnë nga realizimi i vizionit të tij. Ne nuk kemi nevojë për një kryebashkiak me një vizion nga i cili përfiton një popullsi elitare urbane, ndërsa koston e paguan më së shumti pjesa tjetër e popullsisë të territorit të bashkisë. Kjo do të thotë që ta qeverisësh qytetin me mendësinë e balonës së fryrë, ku disa pak kanë vend në koshin e balonës, ndërsa të tjerët shikojnë nga poshtë. Në fakt Veliaj nuk di metodë tjetër.

Pak kohë më parë në një intervistë televizive, kryebashkiaku i Tiranës e cilësoi George Sorosin, si një burrë të respektuar e ndërsa tha se ndihej krenar që e cilësonin si “njeriun e tij”. Si i komentoni këto deklarata?

Sigurisht që Erion Veliaj ka shumë arsye për t’ i qenë mirënjohës Sorosit sepse i detyrohet atij për karrierën që ka bërë në shoqërinë civile dhe në politikë. Pa mbështetjen e Sorosit Erion Veliaj sot do të shiste vërtet fiq në rrugë. Fondacioni “Soros” në Shqipëri gjatë më shumë se 20 vjetëve që ekziston ka qenë në shërbim të dy njerëzve, Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të karrierës politike të tyre. Në një vend të vogël si Shqipëria kjo mbështetje financiare, diplomatike, mediatike etj., do të thotë se ai që e ka atë ka një superioritet të madh ndaj rivalëve politikë. Si dhe përse Soros e mbështet Veliajn kjo kërkon një analizë që nuk mund të bëhet në formatin e intervistës.

A besoni se Erjon Veliaj është katapultuar deri më tani në jetën politike nga mbështetja e Soros?

Nuk besoj se ka ndonjë njeri që nuk e ka kuptuar se nëse Edi Rama, njeriu i Sorosit nuk do të ishte bërë kryetar i Partisë Socialiste, Erion Veliaj nuk do ta shikonte në ëndërr që të bënte në këtë parti atë karrierë përrallore që ka bërë dhe të cilën nuk kanë mundur dot ta bëjnë shumë njerëz të cilët kanë kontribuar shumë në këtë parti. Dhe këtë gjë Edi Rama nuk e ka bërë se e simpatizon Erion Veliajn, por se këtë gjë ia ka kërkuar Sorosi.

Cili është mendimi juaj lidhur me “pëshpërimat” brenda selisë së PS-së se Veliaj do jetë pasardhësi i Ramës?

Në fakt kështu është skenari i Sorosit, që Veliaj të zëvendësojë Ramën në krye të PS-së. Kur Soros ndihmoi Ramën që të hyjë në politikë, ai përgatiti dhe Erion si princin trashëgimtar, si të thuash. Unë këtë gjë e kam thënë me zë dhe figurë, dua të them në televizion, që pesë vjet më parë. Edhe sot i qëndroj këtij parashikimi. Sinqerisht, nuk e quaj si ndonjë parashikim të madh që kam bërë.

Mendoni se në të ardhmen mund të ketë rivalitet mes kryeministrit aktual dhe kryebashkiakut të Tiranës pikërisht për aspiratat e mundshme për kryetar PS-je. Sa besoni se mund të ripërsëritet skenari si në rastin Nano-Rama?

Sa kohë që Rama është në krye të partisë dhe në pushtet, Erion Veliaj nuk do të bëjë asnjë lëvizje kundër tij, sepse kjo është e panevojshme. Veliaj kujdeset më tepër që të luftojë kundër rivalëve të tij të mundshëm në parti dhe këtu vihet re një rivalitet i qartë mes tij dhe Saimir Tahirit. Rama i nxit këto rivalitete për t’ i mbajtur më mirë nën kontroll vartësit e tij. Është një gjë logjike që Rama të ketë një pasardhës. Këtë e di edhe vetë Rama. Pyetja është se kur do të ndodhë ky zëvendësim në krye të partisë. Kuptohet se ashtu si në rastin e zëvendësimit të Nanos nga Rama, ky zëvendësim pritet të ndodhë atëherë kur PS të humbë në zgjedhjet parlamentare dhe të dalë në opozitë. Nëse kjo gjë do të ndodhë në 2017, 2021, apo 2025 këtë gjë do ta tregojë koha. Nuk besoj se do të ndodhë shpejt. A do të jetë Erion Veliaj ai që do ta zëvendësojë Ramën kur të vijë ky moment? Nëse Erion Veliaj do të jetë kryetar i bashkisë së Tiranës në atë kohë, do të ketë një bazë fuqie për të mbështetur këtë aspiratë të tij, ashtu si Rama në 2005. Nëse jo do ta ketë shumë më të vështirë.

Besoni se në rast të një konflikti Rama-Veliaj, kryebashkiaku aktual mund të nisë bashkëpunimin me kritizierin kryesor aktual në PS, Ben Blushi?

Konflikt Rama-Veliaj mund të ketë vetëm nëse sherrin e nis Rama, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë sa kohë që Veliaj nuk lëviz kundër tij. Dhe Veliaj nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë, siç shpjegova më lart. Bashkëpunim Veliaj-Blushi nuk mund të ketë në asnjë rrethanë sepse të dy aspirojnë kreun e partisë. As Veliaj nuk ka ndërmend të ndihmojë Blushin që të bëhet kryetar i partisë dhe as Blushi nuk ka ndërmend ta ndihmojë Veliajn për të arritur këtë objektiv. Bisedoi: G. Saliu

One reply on “Kastriot Myftaraj: Veliaj, nga “balona” e “Mjaft-it” tek sponosorizimi i Soros për trashëgiminë e PS.”

Lini një koment