
Nga Entela Resuli…
Ehsan Bidi ka tre vite që jeton në Shqipëri. Ai është 38 vjeç. Kur shkeli për herë të parë në këtë vend, në vitin 2013 qyteti i parë ku u vendos ishte Elbasani.
Për disa kohë ai ka qenë pjesë e organizatës së muxhahedinëve, por tashmë është i shkëputur prej saj. Qeveria e quan pjesë të organizatës ndërsa organizata spiun të qeverisë së Iranit.
38-vjeçari me profesion inxhinier mekanik, jetoi për disa muaj në qendër të Shqipërisë (Elbasan) dhe më pas u zhvendos në Lushnje.
Prej më shumë se një viti ai jeton në kryeqytet në një zonë periferike, në një banesë me qira.
Ne e takuam Ehsanin pranë lagjes ku ai banon dhe bëmë një bisedë më të, jo vetëm për jetesën këtu, por mësuam më shumë nga ai për atdheun e tij Iranin, arsyet e ardhjes në Shqipëri dhe çfarë mendon ai për situatën e muxhahedinëve që pritet të vijnë në Shqipëri.
“Pas shumë përpjekjesh erdha në Shqipëri. Në fillim u mendua që unë do të shkoja pas shokëve të mi këtu, por organizata shkroi një artikull për mua duke pohuar se unë jam spiun i qeverisë iraniane. UNCHR pati frikë për jetën time dhe më dërgoi në Elbasan për të jetuar atje. Qëndrova 3-4 muaj atje. Organizata nuk më lejonte që unë të takohesha me shokët, madje u dha urdhër dhe të tjerëve që mos të kontaktonin me mua. Pas disa muajsh më dërguan në Lushnje, dhe pas disa kohësh qëndrimi atje, erdha në Tiranë’-tregon Ehsani për Dita-n. Më poshtë, intervista e tij.
Çfarë ka ndodhur me ju dhe familjen tuaj në Iran?
Irani është nën diktaturë. E gjithë familja ime ka qenë mbështetëse e organizatës së muxhahedinëve. Një nga dajallarët e mi është varur nga regjimi iranian. Kjo ka lënë shenja në familjen time, pasi edhe dy dajallarë të tjerë u arrestuan dhe më pas u varën. Që nga ajo kohë unë që u bëra pjesë e organizatës së muxhahedinëve, por tashmë jam i shkëputur. U bashkova me organizatën, pasi në të njëjtën formë do të përfundoja edhe unë, si të afërmit dhe nëna ime.
Ju momentalisht jeni në Shqipëri, por a janë shtuar problemet familjes suaj për shkak të largimit tuaj nga Irani?
Nëna ime ka dy vite që ka vdekur. Vetëm babanë dhe motrën kam. Me ta bëj biseda të vazhdueshme me anë të internetit. Ata janë shumë të lumtur që unë kam ardhur në Shqipëri. Më parë kanë patur probleme, ndërsa tani, jo. Kur ata (qeveria e Iranit) e kuptuan që unë u bashkova me organizatën e muxhahedinëve, arrestuan prindërit, por edhe motrën time. Qysh nga momenti kur unë kam deklaruar që jam shkëputur nga organizata, nuk i kanë ngacmuar më. Por jam i bindur që komunikimet në telefon janë të kontrolluara.
Ju keni dalë kundra regjimit të Iranit për shkak të përndjekjes që i është bërë familjes suaj, apo ju vetë nuk e doni diktaturën?
Kushtet e dajallarëve të mi kanë lenë shenjë. Por mënyra e jetesës, mungesa e lirisë dhe varjeve që bëhen atje, të gjitha këto kanë ndikuar te reagimi im. Unë kam qenë 12 vjeç kur kam parë katër varje. Kam kaluar tortura. Fillimisht jam rrahur, vetëm se kam dal me të dashurën time në rrugë. E gjithë familja ime ka qenë nën presionin e regjimit. Nëna ime nuk shkonte dot të shihte nënën dhe motrat e saj. Vetë diktatura që paraqiste qeveria iraniane bëri që unë të kaloja në krahun politik.
E dini ju që edhe Shqipëria ka kaluar gati 50 vite diktaturë?
Ju nuk keni patur një udhëheqës shpirtëror siç e kemi ne. Në Iran është një diktaturë fetare. Kur diktatura është fetare dhe ideologjike është shumë e vështirë për ta rrëzuar. Janë disa vende të tjera që e kanë sjell këtë lloj pushteti në Iran dhe janë ata që vendosin se kur mund të largohet ky pushtet. Edhe sikur miliona njerëz të derdhin gjak aty, përsëri diktatura nuk bie, nëse nuk duan këto shtete. Nuk jam i sigurt, por besoj për 10 apo 20 vitet e ardhshme është e vështirë të ndodh kjo lloj ngjarjeje.
Si ndiheni në Shqipëri, ndiheni i sigurt?
Deri tani, me ndihmën e policisë dhe me ndihmën që na ka dhënë Ministria e Brendshme këtu, ndihem disi i sigurt, edhe pse, herë pas here, ndjej një lloj frike që mund të ndodh diçka. Është organizata, e cila luan një lloj politike që mua më bllokojnë nga të gjitha anët.
Sipas meje organizata e muxhahedinëve është më diktaturë se sa vetë qeveria iraniane. Përpara 8 muajsh, organizata ka firmosur një peticion që unë të dëbohesha nga Shqipëria. Jam përpjekur që të evitoja largimin tim nga këtu.
Dmth ju keni kundër edhe organizatën, dhe qeverinë e Iranit… Kë urren më shumë në këto momente?
Organizatën e muxhahedinëve. Janë më të rrezikshëm se sa qeveria iraniane. Kam qenë mbështetës i tyre, kam jetuar me ta, dhe kam parë tortura të tmerrshme që janë bërë nga këta. Shokët e mi janë vrarë nga këta. Pafytyrësia e tyre nuk njeh kufij. Nuk kam problemet me vetë muxhahedinët , por me drejtuesit e tyre, ata janë njerëz si unë, ndërsa drejtuesit janë problematikë. Janë bërë shumë padrejtësi në emër të lirisë dhe demokracisë.
Çfarë mendon për muxhahedinët e tjerë do të vijnë në Shqipëri…?
Kam dëgjuar që rreth 2 mijë persona të tjerë do të vijnë. Ishte marrëveshja që këta do të shkonin në Rumani, por për në Rumani u mbyll nga presioni i qeverisë së Irakut.
Këta persona tani do vijnë në Shqipëri. Këtyre dy mijë personave që do të vijnë nuk u duhet dhënë shumë liri… E rëndësishme është që të mos u jepet mundësia e aktiviteteve që kanë bërë në Irak. Të jeni të sigurt që organizata e muxhahedinëve nuk është opozita e Iranit. Ata po përpiqen që të mblidhen të gjithë në Shqipëri. Nëse 2 mijë persona vijnë këtu dhe nuk mbahen nën kontroll, Shqipëria ka humbur. Imagjinoni, do bëhen 3 mijë njerëz këtu, gati një qytet.
Ju shqiptarët, jeni njerëz shumë të mirë dhe mikpritës, por ju nuk i njihni qëllimet e tyre. Ju kujtoni se ata janë thjeshtë kundër Iranit? Nuk e dini që poshtë fytyrës njerëzore të tyre janë fshehur disa ujqër.
Pse duhet t’ju besojmë ju për këto që thoni?
Me mua nuk keni punë, mos më besoni. Jemi në shekullin e XXI dhe ekzistojnë forma të tjera për ta kuptuar, veprimet dhe aktivitetet e organizatës mund t’i shihni në vendet e Evropës dhe Arabi.
Gjatë qëndrimit dhe jetesës këtu, keni njohur shqiptarë, si ju duken njerëzit?
Janë popull shumë i mirë, të ngrohtë, janë njerëz të pastër dhe i respektoj shumë. Kur isha në Lushnjë, mora lajmin që nëna ime vdiq dhe një shqiptar qau, bashkë me mua. Kjo gjë më emocionoi. Deri tani nuk kam patur të keqe nga Shqipëria, sa herë që marrin vesh që jam i huaj, më ndihmojnë. Të keqen më të madhe e kam parë nga drejtuesi i organizatës së muxhahedinëve.
Organizatës suaj nuk i lejohen martesat. Ju vetë duke qenë se jeni përjashtuar, keni krijuar lidhje në Shqipëri?
Unë me një vajzë shqiptare do martohesha pa e menduar gjatë. Kam patur një të dashur në Lushnje, dhe për shkaqe që nuk varen nga ne, u ndamë. Gratë shqiptare përveç bukurisë fizike që kanë, janë edhe shumë besnike. Bukuria ikën, por besnikëria mbetet.
Besoni ju në Zot?
Pa diskutim. Mos të kishte qenë Zoti unë nuk do të kisha arritur deri këtu. Me ndihmën e tij ia kam dal. Por nuk jam ai fanatiku që mund të mendoni. Kam shumë respekt për njeriun dhe më pas për fenë e tij.


