Kategori
Uncategorized

“Wall Street Journal”: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, problem serioz për Shqipërinë.

“Shqipëria duhet të merret seriozisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të ngrejë një sistem të pavarur gjyqësor”. Ky është apeli që bën prestigjiozja “Wall Street Journal”, e cila bashkë me Fondacionin amerikan Heritage në partneritet me Institutin e Adriatikut për Politika Publike botuan indeksin për liritë ekonomike. Natasha Srdoc, kryetare e Institutit të Adriatikut për Politika Publike, e cilëson krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri si një problem serioz që kërcënon ekonominë e vendit, si dhe standardet e jetës së qytetarëve.
Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka përmirësuar me 0,2 pikë rezultatet e saj të përgjithshme. Në klasifikimin botëror Shqipëria ka gjithsej 65.9 pikë dhe ngjitet sivjet në vendin e 59-të nga vendi i 63-të që kishte vitin e kaluar. Në klasifikimin europian kalon në vendin e 27-të nga vendi i 29-të që kishte një vit më parë.
Duke komentuar treguesit e mësipërm, Natasha Srdoc, kryetare e Institutit të Adriatikut për Politika Publike, thotë ekskluzivisht për “DW”: “Me këtë klasifikim Shqipëria konsiderohet një vend me liri ekononike jo të plotë në Indeksin e Lirisë Ekonomike 2016. Progresi i saj është në sajë të pikëve të larta në lirinë fiskale, monetare dhe tregtare, që janë më të lartat, rreth 80 pikë. Me politikat e investimeve, ku Shqipëria është më e hapur se mesatarja globale dhe me sektorin bankar relativisht të qëndrueshëm, pikët e Shqipërisë për lirinë e investimeve dhe lirinë financiare janë 80, shifër që klasifikon atë në një vend kryesisht me liri në këto dy fusha”.

Rritja e vakët ekonomike e penguar nga borxhi i lartë publik dhe korrupsioni

Trendi pozitiv i Shqipërisë lidhur me lirinë ekonomike vjen si rezultat i një hapjeje në rritje për investime, shoqëruar me fleksibilitet në 10 vitet e fundit, theksohet në analizën që Indeksi për Lirinë Ekonomike 2016, i kushton Shqipërisë. Ndonëse shteti vazhdon të kontrollojë ndërmarrjet kyçe, sidomos në sektorin energjetik, ekonomia në Shqipëri është në duar të privatëve. Reformat strukturore kanë përfshirë privatizimin e bankave, zbatimin e taksave konkurruese dhe modernizimin e mjedisit rregullor. Shqipëria merr investime të konsiderueshme direkte për të financuar zhvillimin e burimeve të naftës dhe gazit natyror, por transporti dhe infrastruktura e energjisë mbeten larg standardeve europiane. Ekonomia zotërohet nga bujqësia, ku është punësuar pothuajse gjysma e fuqisë punëtore në vend, si edhe nga shërbimet dhe turizmi. Rritja ekonomike është e vakët, e penguar nga borxhi i lartë publik që ka arritur 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), si edhe nga korrupsioni, analizon Indeksi i sivjetëm për Lirinë Ekonomike në Shqipëri.

Askush mbi ligjin

Parakusht i domosdoshëm për plotësimin e këtyre masave mbetet zbatimi i ligjit. Shqipëria ka një legjislacion që i është adaptuar atij të BE, por që në rastin më të mirë zbatohet i cunguar dhe në rastin më të keq nuk zbatohet fare. “Asnjë individ nuk është mbi ligjin. Në të gjitha masat që identifikon Indeksi për Lirinë Ekonomike 2016, ligji zbatohet njëlloj për të gjithë. Asnjë individ, asnjë organizatë, asnjë pronar apo kompani nuk duhet të favorizohet, asnjë interes i posaçëm nuk duhet lejuar. Korrupsioni duhet dënuar ashpër”, komenton Natasha Srdoc, masat që duhet të ndërmarrë Shqipëria, të identifikuara në Indeksin për Lirinë Ekonomike 2016, të sapopublikuar.

Lini një koment