Ferdinand VELIU
Shqipëria ndodhet sot në ditën e saj më të vështirë. Po të pyesësh qytetarët ata të thonë se, problemi kryesor mbetet rënia e nivelit të jetesës që konsiston në rritjen tej mase të çmimeve të produkteve bazë në jetën e përditshme si edhe shtimit të një armate të frikshme të papunësh, që ka prekur rreth 80% të të rinjve. Realisht ky është një problem, por jo më i rëndësishmi. Sot, Shqipëria është e drejtuar nga mafia, e cila i ka shtrirë tentakulat e saj në çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore, ku në shumë raste janë lakuar apo kanë dalë emra shumë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar në trafik droge, apo në krime të shëmtuara me pasojë humbje jetësh. Në fakt, këto kanë qenë të pritshme, sepse ky krah mafioz i dha suportin financiar prej dhjetëra miliona euro Kryeministrit aktual Edi Rama në fitimin e zgjedhjeve në qershor 2013. Por haraçi i mëpasshëm ka qenë më i madh. Ata i diktuan Edi Ramës njerëzit e tyre, të cilët në numër të konsiderueshëm u bënë deputetë të Parlamentit dhe pse disa prej tyre nuk kishin as arsimimin fillestar apo ishin akuzuar dhe dënuar në shtete të ndryshme europiane për vepra të rënda penale si vrasje, grabitje, prostitucion, trafik droge, armëmbajtje pa leje etj., ndërsa pjesa tjetër u kompesua me poste mjaft të larta në qeveri apo në nivele të dyta dhe të treta.
Kapja e institucioneve nga ky grupim i rrezikshëm kriminal bëri, që në kohë rekord të zhbëheshin reforma dhe standarde që deri diku kishin prodhuar një klimë bashkpunimi në realizimin e reformave euroatllantike, çdo sektor i jetës publike pësoi rënie galopante që reflektoi një rënie drastike të nivelit të jetesës, çka solli në vitin e fundit një eksod masiv të popullsisë drejt vendeve të BE. Në vëndin e vogël ballkanik është bërë e zakonshme që pas çdo krimi të bujshëm apo trafiku droge të lakohet ministri i Brendshëm, ku në telefonat e vrasësve, apo të vrarëve, apo të spiunëve të vrasësve të gjenden thirrjet apo mesazhet e tij.
Në krahun tjetër, deputetë të Parlamentit ose më saktë të mazhorancës qeverisëse qëllojnë me armë qytetarët që nuk u binden kërcënimve të tyre për largim nga biznesi. Ajo që të bën përshtypje është indiferenca e Kryeministrit, i cili dhe pse ja akuzojnë me fakte vartësit nuk ndërrmer asnjë lloj hapi, çka të lë të kuptosh se ai është urdhëruesi apo meduza.Në shumë raste, ai ka marrë rolin e gjyqtarit, prokurorit dhe organeve hetuese, duke paracaktuar rezultatin e hetimit. Sot, Shqipëria është në udhëkryq. Reformat dhe investimet janë ndalur. Mbi 1.000.000.000 (miliardë) euro janë zhdukur pa lënë gjurmë në shëndetësi, në buxhet, investime që nuk janë kryer. Çdo ditë qeveria u dhuron anonimëve me konçesion pjesë të rëndësishme të pasurisë kombëtare, duke kryer vërtet akte tradhëtie, të cilat po e kthejnë vendin në një vasal të mafias.
Ditët shtojnë numrin e viktimave, si pasojë e këtyre politikave absurde ekonomike, vetvrasje prej dëshpërimit të humbjes se vëndit të punës, viktima nga i ftohti, apo nga depresioni i mos përballimit të jetesës. Mafia tashmë është në terrenin e vet, ajo i mbyll gojën dhunshëm opozitës ose gjen brenda saj bashkëpunëtorë, duke konsoliduar pushtetin dhe rekrutuar elementë të dobët. Ajo ka kapur gati të gjithë median, duke e shndërruar fjalën e lirë në një zëdhënëse të krimit, duke dezinformuar sistematikisht opinionin publik dhe fshehur ngjarje të rënda.
Ndaj atyre gazetarëve që kanë tentuar të kryejnë misionin e tyre është përdorur dhuna deri në kërcënime fizike. Pushteti i saj ka shtrirë dorën tashmë edhe në sistemin e drejtësisë si hallka e fundit që do t’u sigurojë mbrojtje dhe pushtet absolut oligarkëve të mafias. Gjatë vitit 2015 u raportuan qindra milionë euro humbje në dogana, dhjetëra milionë të humbura në arbitrazhe, 600 milionë euro iu falën Kompanisë ÇEZ, borxhi publik kap shifrën e frikshme 70%. Ekonomia shqiptare tashmë është në krizë drejt një falimenti total dhe viti 2016 do të jetë një sprovë tepër e vështirë, e cila do të vendosë mbijetesën e shtetit apo nxjerrjen e tij në ankand. Përsa kohë që mafia do të dominojë jetën politike dhe ekonomike të shqiptarëve, Shqipëria do të ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm, ku liria dhe të drejtat njerëzore do të humbasin edhe si nocion!