Kategori
Uncategorized

Gruaja e gazetarit të Koços, prokurorja që fali Tahirin.

Prokurorja që pushoi çështjen e Tahirit, në lidhje me akuzat e ngritura prej tij si i implikuar në trafikun e drogës nga shefi i antitrafikut, Dritan Zagani është bashkëshortja e gazetarit të Koço Kokëdhimës. Nën presionin e Koço Kokëdhimës, prokurorja e çështjes ka injoruar faktet dhe provat që implikojnë në mënyrë të pamohueshme Saimir Tahirin duke pushuar çështjen. Ish-Kryeministri Berisha postoi dje në rrjetin social Facebook, reagimin e një qytetari, i cili denoncon presionin që ushtruan mbi gazetarin e Koço Kokëdhimës, burrin e prokurores që hetoi akuzat e shefit të antitrafikut të Qarkut të Fierit, Zagani, për implikimin në trafiqe të Saimir Tahirit nga vetë Edi Rama, por dhe Mili i partisë. “O Doktor, të jap një lajm të freskët. Burri i prokurores së Fierit që pushoi hetimin për Saje qorrin është gazetar te Koço i partisë. Verifikoje dhe do të shohësh presionin që i është bërë burrit të prokurores nga ana e Edvin Ramës dhe Emiljano Shullazit”, thuhet në denoncimin e qytetarit. Nga ana e tij, Berisha thekson se lidhjet e Saimir Tahirit me trafikun e drogës janë të forta. “Natyrisht nuk marr përsipër vërtetësinë e lidhjeve të gazetarit të Koço Kokëdhimës me prokuroren e çështjes, që u bë famoze për hetimin e saj qesharak. Por me këtë rast theksoj se, me hetimin e saj tragjikomik, pa pyetur asnjëherë Zaganin, të cilin në vend që ta merrnin dëshmitar të mbrojtur të drejtësisë, e shpallën kriminel në kërkim ndërkombëtar, vetëm e vetëm që të mos e pyesnin dhe mbyllnin hetimin në favor të Saje qorrit, ajo faktoi për çdo shqiptar implikimin kokë e këmbë të Saje qorrit, Habilajve të tij që menaxhonin trafiqet me makinën dhe skafin e ministrit të trafiqeve. Vetëm në sistemin TIMS rezulton se, makina e Saje qorrit, “shitur” Habilajve, ka kaluar dhjetëra herë kufirin, po kështu dhe skafi i tij “Venus” ka çarë me dhjetëra herë detin me ngarkesat e drogës së kushëririt të Saje qorri!” shprehet Berisha në reagimin e tij. Prokuroria e Fierit ka pushuar të premten hetimet ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës. Hetimet ndaj Tahirit nisën pas deklaratave të bëra nga ish-oficeri i Antidrogës në Policinë e Fierit, Dritan Zagani, por në fakt ato u mbyllën nga karteli i drogës Tahiri. Në denoncimet e tij, ish¬-oficeri i Antidrogës, akuzoi për përfshirje në trafikun e drogës të ministrit Tahiri me të afërmit e tij. Ish-oficeri i policisë Dritan Zagani, akuzoi rreth dy muaj më parë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se kishte lidhje me trafikantë të drogës. “Ky grup pas zgjedhjeve u bë shumë i pushtetshëm në Vlorë. Dhe kam mësuar se këta ishin lidhje farefisnore e z. Saimir Tahiri, aktualisht ministër i Brendshëm. Kur isha shef i Hetimit të Kufirit në Vlorë, unë kam pasur informacion dhe të skeduar, një mjet gomone, jo shumë i madh, që përdorej nga ish-deputeti i asaj kohe, deputeti sot ministër i Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin e mirëmbanin dhe përdornin këta të tre personazhe. Përdorej për pushime xhiro në bregdet në mungesë të pronarit e mirëmbanin këta persona, mjeti ishte në emrin e zotit Tahiri. Këta perosna ishin A. H, M. H, L.H, nga Vlora këto ishin kontigjent i trafikut të drogës, që kur unë punoja në Vlorë vite e vite përpara”, deklaroi Zagani në një intervistë.

Banda e Shullazit, tmerri i bizneseve sepse ka mbështetjen e Saje qorrit

Banda e Emiljano Shullazit është shndërruar në tmerrin e bizneseve në Tiranë. Duke patur mbështetjen e plotë të Saimir Tahirit, Emiljano Shullazi është shndërruar në gjobëvënës ndaj bizneseve. Me dhjetëra biznese detyrohen të paguajnë “gjobat” ndaj bandës së Shullazit në të kundërt ata përballen me dhunë e kërcënime mafioze. Ndërkohë po dje, ish-Kryeministri Berisha publikoi reagimin e një qytetari, i cili denonconte terrorin që ushtrohet në dogana pas kërcënimeve të Ramës për fshesë të hekurt të partisë në rast se nuk realizojnë planin. “Dihet se doganat, për shkak të kontrabandës qeveritare, shkatërrimit masiv të bizneseve, u zhdukën si të ardhura 320 milionë euro. Piktori dështak do të mbushë gropën e falimentimit të tij me supergjoba dhe falimentim të sigurt të bizneseve”, shkruan Berisha në reagimin e tij. “Nëse keni mundësi, ju lutem ngrijeni shqetësimin për doganat, të cilat pas kërcënimeve të zotit Rama, për arritje plani, po bëjnë terror me bizneset, duke vënë gjoba marramendëse. Biznesi ndodhet në vështirësi. Biznesi fason, siç e dini, vepron me autorizime të veçanta të regjimeve doganore. Prandaj, gjatë vitit 2014 janë importuar lëndë të para, të cilat kanë pasur taksë doganore dhe në rastin kur këto mallra hyjnë pa çertifikatë eur.1 (çertifikatë origjine) duhet të dalin pa çertifikatë që të mos paguajnë këtë taksë dhe e anasjellta. Mirëpo, për gati 1 vit ndoshta dhe më shumë, importet pa çertifikatë eur.1, në eksport janë pajisur me çertifikatë, degët doganore nuk janë interesuar për këtë problem, pavarësisht se biznesi figuronte debitor gjatë gjithë kohës, nuk kanë paralajmëruar as tërhequr vëmendje as njoftuar e as kërkuar për shlyerjen e këtyre detyrimeve në kohë reale. Sot biznesi përballet para këtij fakti: vendime gjobash, të cilat janë hartuar në këtë mënyrë: jeni debitorë për një shumë të caktuar parash, si detyrim principal dhe një gjobë 3-fishin e këtij detyrimi principal. Për shembull: 800.000 lekë detyrim dhe 2.400.000 lekë, pra një total prej 3.200.000 lekësh të reja për t’u paguar. Nuk jemi të qartë sesi do të vazhdohet me ekzekutimin e këtyre vendimeve. Shpresoj të jem shprehur qartë”, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Nishani çon në Kushtetuese ligjin për pronat

Presidenti Nishani ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pronat, ligj të cilin ai ia ktheu Kuvendit, e që Kuvendi më pas e rrëzoi.  Në vijim të votimit të datës 21 janar 2016 nga Kuvendi i Shqipërisë të dekretit për “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit nr. 133/2015 ‘Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave’”, kreu i shtetit shqiptar informon opinionin publik se: “Presidenti i Republikës ka mirëpritur dhe njohur angazhimin legjitim të qeverisë shqiptare për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për të eliminuar me ligj dhe në praktikë të zvarritjeve burokratike dhe për të sjellë barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë. Në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në respektim të jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke shpresuar në një debat më serioz, profesional dhe të kujdesshëm rreth këtij ligji, Presidenti vendosi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit nr. 133/2015, me vlerësimin se: Ligji, në tërësinë e tij, cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Presidenti i Republikës konsideron se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ka impakt të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e përparimit të vendit, çka e reflekton qartë edhe përcaktimi i saj si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Bazuar në sa më sipër, kreu i shtetit informon opinionin publik mbi vendimin e tij për të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë.

Veliaj mburret me punët e Bashës

Ish nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo përmes një deklarate për mediat denoncoi dje Erion Veliaj për mashtrimet publike në lidhje me disa nga projektet që ai shpall si nisma të tij, në një kohë ato që kanë qenë projekte të realizuara apo të iniciuara nga bashkia e mëparshme.
“Kryemashtruesi i Bashkisë se Tiranës vazhdon të mburret me punët e të tjerëve sepse për vete s’ka asgje për të treguar përveç pazarit për rritjen e çmimit të biletave dhe konçesionit për parkun Rinia. Është aq i pacipë në genjeshtrat e tij sa një projekt që është drejt fundit e shet si punë të tij. Këtë bëri sot me varrezat e Tufinës kur i vetmi kontribut i tij ishte bllokimi i shpronësimit dhe buxhetit për këtë projekt për 7 muaj derisa u zhbllokua me vendim gjykate. Ftoj sot të gjithe mediat ato që ende besoj tek misioni i tyre i informimit të vërtetë të qytetarëve dhe s’janë peng i Veliajt ti referohen kronikave të shtatorit 2014 kur kanë pasqyruar nisjen e punimeve për realizimin e projektit të rehabilitimi dhe ndërtimit të varrezave murale në Sharrë dhe Tufinë. Projekti për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës ishte një investim prej 3 milionë dollarësh i Bashkisë së Tiranës drejtuar nga Lulzim Basha. Është realizuar rehabilitimi, sistemimi ndriçimi gjelbërimi, shtrimi i rrugëve të brendshme, rrethimi i jashtëm, dhe është mundësuar një sipërfaqe për shërbimet e fundit, për familjet gjithashtu. Projektet për të dy varrezat mundësojnë zgjerimin me një sipërfaqe afër 10 mijë metër katror në  varrezat e Tufinës, dhe 15 mijë metër katror në Sharrë.
Projekti parashikonte edhe varrezë murale. Pra Veliaj vazhdon të bëjë të vetmen punë që di të mashtrojë qytetarët siç bëri  kur u betua dhe përbetua se nuk do ta rriste çmimin e biletës por as 24 orë më pas pasi siguroi rryshfetin e dëshiruar rriti çmimin e biletës për qytetarët e Tiranës” ëhstë shprehur Bozdo.

Kontratat e Mega Farma, jo në pronësi të Nadirit të Omega

Gazeta “RD” saktëson se në artikullin e datës 22 Janar 2014, me titull: “Hajduti Beqe, 237 kontrata në një ditë për Nadirin e burgosur”, gabimisht është përmendur emri i pronarit të kompanisë “Omega  Farma”, Nadir Çausholli, e cila nuk ka lidhje me kompaninë “Mega Farma”, e cila ka fituar kontratat e tenderit të vaksinave nga Ministria e Shëndetësisë.

Lini një koment