Nga Avenir Peka. Ish ZV/ Minister i brendeshem.
Dy artikuj të botuar ditët e fundit në median britanike dhe atë italiane në lidhje me drogën dhe armët e Shqipërisë me organizata terroriste, ishin një goditje e fortë për reputacionin e vendit tonë. Artikujt ishin të pavërtetë, dashakeqës dhe tendencioze. Qeveria shqiptare reagoi nëpërmjet ministrit të Brendshëm, i cili u shkruajti dy redaksive, dy gisht letër, që ngjanin sikur kërkonte t’i vinte në sedër redaksitë respektive. Në tërë këtë histori, duket se qeverisë socialiste i ka rënë në fytyrë pështyma që ka hedhur lart, sa ishin në opozite.
Te kthehemi në retrospektivë.
Në vitet 2009-2012 shërbimet partnere europiane gjykonin se vlera e hashashit të trafikuar nga Shqipëria me çmim fundor në rrugët e Europës shkonte diku midis 350 dhe 500 milionë Euro në vit. Një shifër tërësisht e ekzagjeruar. Kuptohet, sipas këtij vlerësimi, që banoret e Lazaratit dhe disa zonave të tjera kultivuese fitonin vetëm një fraksion të vogël të kësaj shume. Pjesën e madhe e merrnin grupet kriminale.
Fakti se kjo shifër ishte tejet e ekzagjeruar, provohej edhe me mospërputhjet e vlerësimeve të agjencive të ndryshme. Në të njëjtën kohë, sipas vlerësimeve të agjencive ligj-zbatuese europiane, vlera e drogës së fortë të trafikuar nëpërmjet Ballkanit, nga Afganistani dhe vende të tjera ishte rreth 450 milionë dollarë në muaj, pra përafërsisht 5 miliardë dollarë në vit.
Sa i përket drogave të forta, rajoni ynë nuk është vend prodhimi, por vetëm transiti. Nuk e di sa e vërtetë është kjo shifër, por di që po sipas këtyre agjencive, territori i Shqipërisë ishte veçse periferik në linjat e këtij trafiku. Ky sukses i Shqipërisë kryesisht i atribuohej “Moratoriumit të mjeteve lundruese” të miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2006. Në këto rrethana, opozita socialiste në përpjekje për të përbaltur qeverinë shqiptare, në daljet e saj publike fiksoi vlerën e hashashit të trafikuar nga Shqipëria, lexo:
Lazarati, në rreth 5 miliardë euro. Unë nuk e di se nga e kishte gjetur opozita socialiste këtë shifër, por duket se ajo është ngulitur mire në mendjen e gazetarëve të huaj. Shifra e përmendur nga Daily Mirror është 4 miliardë Pound, e përafërt me shifrën 5 miliardë Euro të opozitës së atëhershme.
Për të vazhduar me tej. Gjatë operacionit të vitit 2014 kundër fshatit të Lazaratit, me gjasë për të justifikuar ndërhyrjen e armatosur të policisë dhe përfshirjen e paligjshme dhe anti-kushtetuese të Forcave të Armatosura në këtë operacion, ministri i Brendshëm u bënte thirrje ‘terroristëve’ të dorëzoheshin.
Nuk e di se si, por në media dolën edhe pamjet e një flamuri të ISIS i gjetur në Lazarat. Ky flamur u gjet nga policia dhe gjeti rrugën deri në ekranet e televizioneve tona. Me dashje apo pa dashje, policia shqiptare krijoi përshtypjen se në Lazarat nuk po luftohej vetëm kundër drogës, por se kriminelët ishin të lidhur edhe me grupe terroriste, në këtë rast ISIS.
Dy elementët e këtij raportimi pra, shifra prej 4 miliardë pound hashash nga Lazarati dhe lidhja e fshatit me ISIS e kanë burimin tek opozita e djeshme dhe qeveria e sotme. Prandaj, unë jam tërësisht dakord me Ministrin e Brendshëm kur i cilëson këto shkrime ‘si të pavërteta’. Jam po ashtu dakord kur thotë se “gazetarë anonime vijnë këtu me referenca te gabuara vendase”.
Veçse në këtë rast, “referenca e gabuar vendase” është vetë ai, dhe qeveria e ish-opozita e tij.
Kërcënimi i islamit radikal në Shqipëri është më i vogli nga të gjitha vendet e rajonit për shume arsye, dhe në përmasa të tilla që e bën situatën tërësisht të menaxhueshme. Pretendimi se 1000 shqiptarë i janë vërsulur Italisë me urdhër të ISIS është një gënjeshtër e trashë.
I ashtuquajturi Shtetit Islamik është më shumë se një organizatë tipike terroriste. Ajo është një strukturë kriminale që shkon përtej tipologjisë së një organizate terroriste. Me një kontroll tokësor të konsiderueshëm, struktura shtetërore, administrate, spitale, shkolla dhe shërbime publike, ISIS është përpjekur të krijojë struktura shtetërore, dhe ta shpallë territorin nën kontroll si Kalifat.
Numri i shqiptarëve që i janë bashkuar asaj vërtitet rreth 100. Një pjesë e madhe e tyre janë kthyer në Shqipëri duke mos gjetur atë që kërkonin. Disa janë tipare dalluese sa i përket shqiptarëve të rekrutuarve nga Shqipëria. Se pari, ata vijnë nga disa qytete nga Shqipëria e Mesme. Së dyti, varfëria duket se është motivi kryesor që këta individë i janë bashkangjitur asaj. Dhe së treti, ata në masë të madhe nuk janë përfshirë në operacione luftarake, por janë angazhuar kryesisht në prapavijë dhe shërbime mbështetëse.
Në këtë sfond, dalin disa pyetje që kërkojnë trajtim nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët. A është i mundur bashkëpunimi midis grupeve kriminale dhe organizatave terroriste? Përgjigja e thjeshtë është PO. Sepse, organizatat kriminale nuk kanë ideologji. Ideologjia e tyre është paraja.
Nga ana tjetër, organizatat terroriste janë të detyruara të përfshihen në bashkëpunim me organizatat kriminale për të siguruar burimet e nevojshme financiare. Si rrjedhojë, bashkëpunimi midis organizatave kriminale dhe atyre terroriste ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë.
A është ky rasti i Shqipërisë?
Nuk mund ta them me siguri, por jam i prirur të mos e besoj. A është trafiku i drogës burim të ardhurash për organizatat terroriste? Përgjigja është Po. Ka ndodhur me Talebanët në Afganistan, por edhe me organizata të tjera terroriste.
Duke ju rikthyer çështjes së artikujve, hipoteza se ato mund të jenë nxitur nga qarqe dashakeqe ndaj Shqipërisë është vërtetë shqetësuese, dhe qeveria duhet të punojë fort në këtë drejtim.
Së pari, duke i bindur se ‘referencat vendase janë të pavërteta’. Dhe së dyti duke marrë masat që ky kërcënim të mbahet nën kontroll. Çështja e terrorizmit nuk është vetëm çështje e Ministrisë së Brendshme, apo e SHISH.
Qeveria shqiptare duhet të ketë një angazhim shumë dimensional, që fillon me parandalimin e rekrutimit deri tek ndëshkimi.
*Autori është, ish-zëvendësministër i Brendshëm
