Që qeveria shqiptare e konsideron veten si më reformatoren në Ballkan kjo nuk është më e panjohur për askënd. Por teksa ajo është e zënë duke shpenzuar paratë e qytetarëve për të lavdëruar veten në suplementin e revistës The Economist, nën justifikim se po thith investimet e huaja, kompanitë shqiptare po shpërngulen të investojnë në Maqedoni.
Agjencia maqedonase e lajmeve, MINA njoftoi se në parkun industrial të Petrovecit po investojnë kompani nga të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Shqipërinë.http://macedoniaonline.eu/content/view/28712/2/
Sipas kësaj agjencie deri më tani në Zonën Industriale të Petrovecit, janë shpërngulur 127 kompani prej të cilave 7 janë të huaja.
Edhe pse nuk i ka bërë të njohur emrat e kompanive, MINA thotë se ato vijnë nga Shqipëria, Italia, Sllovenia, Turqia, Austria, Bullgaria dhe Greqia. Bashkia e Petrovecit njoftoi se vetëm javën e fundit në zonën industriale janë afruar 6 kompani të reja, të cilat do të hapin 200 vende pune. Aktualisht në këtë zonë janë duke u ndërtuar 20 fabrika dhe pritet që gjatë këtij vitit të fillojë ndërtimi edhe për 30 të tjera.
Promocion agresiv
Qeveria e Shkupit ka qenë shumë agresive në promovimin e Maqedonisë në sytë e investitorëve të huaj. Të gjithë u ka rënë rasti të shohin në CNN, BBC apo Euronews reklamat e qeverisë maqedonase për të tërhequr investitorët e huaj. Por ndryshe nga qeveria shqiptare, që paguan 300 mijë euro për të lavdëruar veten në suplementet e “The Economist”, se ajo është qeveria më reformatore në Ballkan, reklamat e qeverisë Maqedonase në televizonet e njohura botërore vënë në pah klimën pozitive të biznesit apo mundësitë që ofron Maqedonia për investitorët e huaj. Reklamimi agresiv që Shkupi i ka bërë jo qeverisë, por Maqedonisë ka dhënë rezultate të drejtpërdrejta.
Maqedonia lider
Vetëm pak ditë më parë prodhuesi i makinave luksoze, Aston Martin deklaroi se po konsideron Maqedoninë si një nga vendet më të mundshme për të ndërtuar fabrikën e tij të re. Por ky është vetëm rasti i fundit që një emër i njohur ndërkombëtarisht investon në Maqedoni.
Në vitin 2009, gjiganti britanik Johnson Matthey ndërtoi një fabrikë në lindje të Shkupit duke hapur 200 vende pune. Po kështu Termocentrali i ri i kompanisë italiane Diatek filloi aktivitetin e tij në zonën e Shkupit, ku janë punësuar 250 persona. në tetor të vitit të kaluar kompania gjermane Marquardt çeli në Maqedoni fabrikën me 600 punonjës për prodhimin e pjesëve mekanike, ndërsa ‘Key Safety Systems’ një kompani amerikane nisi punën në fabrikën e ndërtuar rishtas në Kërçovë, me 1 mijë punonjës.
Investime në teknologji
Falë politikave agresive Maqedonia po shndërrohet gjithmonë e më shumë në liderin rajonal për investimet e huaja dhe këto nuk janë thjesht kapitale që investojnë në pasuri natyrore, por janë investime të teknologjisë së lartë. Fqinji ynë lindor është duke përmirësuar me shpejtësi teknologjinë e saj. Kjo do të krijojë avantazhe në ekonominë maqedonase duke rritur produktivitetin përballë konkurrentëve të saj rajonal, përfshirë Shqipërinë, e cila vazhdon të thithë investime vetëm në pasuritë natyrore.
