Mund të quhet fare mirë një aferë megaskandaloze ajo që ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ditët e fundit që ishte për vizitë në Majami, duke dhënë për 1 Euro bazën e Pashalimanit.

Gjatë vizitës së fundit në SHBA, kryeministri ka arritur një marrëveshje me biznesmenin shqiptar Sal Rusi që jeton në Nju Xhersi, një kushëri jo i largët i Nexhmije Hoxhës, i cili në SHBA është i hetuar për afera të dyshimta.

Edhe vizita e kryeministrit Edi Rama në Majami besohet se ka qenë e paguar nga biznesmeni shqiptar, ndërsa shkuesi për këtë aferë skandaloze e ka bërë Martin Vulaj, një avokat shqiptar që jeton në Nju Jork.

Por çfarë do të bëhet kjo bazë?

Pasha Limani mësohet se do të kthehet në një qendër për çmontimin e anijeve nga e gjithë bota me qëllim që të dërgohen më pas për skrap. E nëse do të bëhet kjo atëherë deputeti i Vlorës, kryeministri Edi Rama do ta kthejë Gjirin e Vlorës në gjirin e skrapit, duke e shkatërruar njëherë e mirë bregdetin e Vlorës.

Kjo ashtu siç aktualisht është duke ndodhur me “lungo maren”, projekti i nisur për të bërë një shëtitore në anë të detit, por që fakt deri më tani ka shkatërruar zonën që njihej me emrin “plazhi i marinës”.

Marrëveshja e kryeministrit Rama me Sal Rusin është arritur ende pa u bërë zyrtarisht shpallja publike e tenderit për dhënien me qira të bazës së Pasha Limanit, veprim që do të ndodhë në datën 1 Shkurt dhe vendimi i shpalljes së fituesit do të bëhet në datën 1 Mars.

Por shpallja e datës për dhënien me qira dhe shpallja e fituesit do të jetë një formalitet, sepse marrëveshja për bazën e Pasha Limanit duket se është mbyllur nga negociatat private dhe të fshehta të kryeministrit Edi Rama në SHBA.