Ish deputeti i Partisë Demokratike, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike në Lushnje ka kritikuar ish-pushtetarët demokratë në periudhën 2005-2013 se kanë përgjegjësinë kryesore për humbjen e zgjedhjeve të 2013 dhe 2015.
Në një intervistë për gazetën ‘Sot’, Murrizi i ka konsideruar këta ish-pushtetarë të PD “bastardë” dhe “hajdutë”.
“Për ish-pushtetarët e PD, në vitet 2005-2013, dhe më gjatë, për disa që u strehuan në bashki si vemje që janë, absolutisht kanë përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2013, sepse PD nuk i humbi ato zgjedhje se nuk mbajti premtimet elektorale si mazhoranca e sotme, por se pushtetarë bastardë, ordinerë, hajdutë, mosmirënjohës e megalomanë harruan se kush i kishte sjellë në ato karrige dhe nuk vlerësuan kontributin e asnjërit demokrat të thejshtë, që kishte qëndruar në opozitë prej 8 vitesh, ndër më të egrat në Europën ish-komuniste, por menduan se kishin zbritur nga qielli edhe pse një pjesë jo e vogël e tyre kishin ndikuar drejtpërdrejt ose indirekt për rrëzimin e PD nga pushteti.
Z. Berisha, duke dashur të zgjerojë bazën e mbështetësve, solli në karrige edhe plehra që nuk i votojnë as familjarët e tyre, njerëz pa mbështetje, pa personalitet, të pafytyrë dhe të paskrupullt, vemje që edhe sot falë aftësisë së tyre të pistë, që ngjiten pas opingës, vegjetojnë në zyrat e PD si monstra dhe krimba parazit, që veç dëm i bëjnë PD-së, pavarësisht funksionit fals që mbajnë për hatë të ekuilibrave, që me demek ruhen”, thotë ai për gazetën Sot.
