Kategori
Uncategorized

5 misteret e Kadri Hazbiut: Nga banda e Xhevdet Mustafës tek ekzekutimi me vdekje.

Cilat janë të fshehtat e njeriut që drejtoi për 25 vjet Ministrinë e Brendshme

Kadri Hazbiu ne gjyqin kunder tij

Misteret e jetës së Kadri Hazbiut, ministrit të Brendshëm më jetëgjatë të Shqipërisë.

Ish-ministri i Brendshëm, njeriu që luftoi për vite me radhë bandat diversante dhe grupet e ndryshme të spiunazhit, pati një fund tragjik vetëm pak kohë pas vrasjes të Mehmet Shehut.

I cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeministrit shqiptar, Kadri Hazbiu u vu nën shënjestrën e anëtarëve të Byrosë Politike. Si shkak për kryqëzimin e ministrit shërbeu zbarkimi në muajin shtator të vitit 1982 e ashtuquajtura “banda e Xhevdet Mustafës”.

Historia e bandës së Xhevdet Mustafës

Tre muaj para se banda e Xhevdet Mustafës të zbarkonte në Shqipëri, organet e ushtrisë dhe policia kufitare ishte vënë në alarm të plotë. E gjitha kjo pas një informacioni se një bandë shumë e rrezikshme do zbarkonte në bregdetin shqiptar. Madje, organet e Sigurimit kishin përcaktuar edhe vendin se nga ku mund të zbarkonte banda, e cila, sipas tyre, kishte si detyrë të eliminonte krerët më të lartë të vendit. Por organet kufitare u habitën shumë që në bregdet zbarkoi jo një bandë e madhe, por vetëm tre persona. Banda u nis nga brigjet përtej Adriatikut me skafin që e drejtonin dy italianë dhe mbërriti në Divjakë rreth orës 01.00 të datës 25 shtator të vitit 1982. Skafi kthehet për në Itali, ndërsa tre pjesëtarët e grupit, Xhevdet Mustafa, arratisur nga Shqipëria në vitin 1964, me banim në Amerikë, i martuar me dy fëmijë, që ishte kapua dhe atentatori i tij, Halit Bajrami dhe Sabaudin Haznedari, arratisur në vitin 1951, tentuan të hynin në thellësi. Por përpara tyre ishte kënetë dhe kështu, ata u detyruan të kalojnë natën në bregdetin e Divjakës. Në mesditë të po asaj dite, në breg u duk një motoskaf nga i cili zbritën dy punonjës të policisë lokale, veshur me uniforma dhe njëri me rroba banje. Zëvendësshefi i Policisë së Divjakës, Remzi Brixhi, dhe një punonjës i po kësaj policie u vranë nga Xhevdet Mustafa. Ndërsa ky i fundit, vendosi t’ia falte jetën policit të tretë që e mori si peshkatar. Sokrat Biti, që bëri nga e keqja shoqëruesin e Xhevdet Mustafës, drejtoi lëvizjen e tyre deri në Rrogozhinë, në stacionin e trenit. Koincidencë e mirë ishte fakti se ishte ndërruar ora, dhe kjo kishte shkaktuar kaos te pjesëtarët e bandës, të cilët ishin të mirinformuar për oraret e lëvizjes së mjeteve të transportit. Grupi terrorist u diktua nga një shitëse byrekësh në stacionin e trenit, ku këta kishin shkuar të merrnin diçka për të ngrënë. Shenjë e parë dalluese për shitësen, që këta njerëz nuk ishin shqiptarë, ishte pse ata e flisnin shumë trashë gjuhën shqipe. Nuk ranë pak në sy edhe veshja e Xhevdet Mustafës, me atlete “Adidas”, që s´ekzistonin në vendin tonë. Shitësja njoftoi policinë. Operativi, pas shenjës së gruas, shkoi menjëherë te Halit Bajrami, të cilit i kërkoi dokumentet. Ky i dorëzoi pistoletën dhe e vuri në dijeni për rrezikun që paraqiste personi që ishte brenda në stacionin e trenit, Xhevdet Mustafa.

Ndërkohë, Sabaudin Haznedari, kur pa se ata po bisedonin me njëri-tjetrin zuri pozicion në një bunker nga ku hapi zjarr, por u asgjësua brenda një kohe shumë të shkurtër nga forcat vullnetare. Xhevdet Mustafa, me një makinë të tipit “Zuk”, që e gjeti në hyrje të stacionit të trenit, bëri një copë rrugë drejt Lushnjës dhe më pas me dy makina të tjera mbërriti në fshatin Zhamë. Ai duke parë që nuk kishte rrugë shpëtimi hyri në një nga shtëpitë e këtij fshati dhe, pasi vrau kryefamiljarin, mori peng gruan dhe fëmijët e tij. Por pas disa orësh, i rrethuar nga forcat e Sigurimit ai do të vritej nga një e shtënë snajperi, në një operacion të drejtuar nga Kadri Hazbiu, Hekuran Isai dhe Muho Asllani. Por banda e Xhevdet Mustafës do të tërhiqte pas vetes Kadri Hazbiun.

Enver Hoxha dhe Kadri Hazbiu, 1966

Dyshimet nëse banda e Mustafës ishte ideuar nga Kadri Hazbiu apo nga dikush tjetër

Mjaftoi vetëm një thirrje e Xhevdet Mustafës për të takuar Kadri Hazbiun, në momentin kur ishte i rrethuar nga forcat e Sigurimit, dhe një lumë akuzash u ngritën më pas mbi ish-ministrin e Brendshëm. Me 8 tetor 1982, pas një mbledhje të Byrosë Politike, Kadri Hazbiu u shpall armik i popullit, poliagjent dhe anëtar i grupit të Mehmet Shehut. Mbi të u hodhën edhe akuzat për zbarkimin e bandës së Xhevdet Mustafës. Sipas burimeve të asaj kohe, ai u akuzua se kishte organizuar zbarkimin dhe ardhjen e bandës së Xhevdet Mustafës për të eliminuar udhëheqësit e lartë të asaj kohe, ndërmjet tyre dhe vetë Enver Hoxhën. Si fakte për të vërtetuar këtë akuzë organet e Sigurimit përdorën si anëtarin e bandës Halit Bajramin, po edhe kërkesën e Xhevdet Mustafës për të takuar Hazbiun, pak para se të ekzekutohej. Por nuk mungojnë edhe faktet që hidhnin idenë se “banda” e Xhevdet Mustafës ishte fundi i kombinacionit për arrestimin e Kadri Hazbiut.

Pse dyshohej se banda shërbeu për të eliminuar Kadri Hazbiun

“Banda” erdhi në kohën kur ministër i Punëve të Brendshme ishte Hekuran Isaj. Madje, vlen të theksohet fakti se në këtë kohë ishin hequr forcat e gatshme nga bregdeti shqiptar. Dihej saktë edhe vendi i zbarkimit. Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari dhe Halit Bajrami u nisëm me skaf nga Pulja e Italisë dhe zbarkuan në Divjakë të Lushnjës. Xhevdet Mustafa e kuptoi se ardhja e tij ishte një kurth i pastër, ndaj edhe e vrau policin që i doli para, e kërkoi të largohej, por u godit nga forcat rezerviste dhe u detyrua të strehohet në një shtëpi në afërsi të Rrogozhinës. Enver Hoxha dërgoi Kadri Hazbiun për të ndihmuar Hekuran Isajn në eliminimin e “bandës”. U krijua legjenda sikur Xhevdet Mustafa, ndërsa ishte i rrethuar, kërkoi të takonte Kadri Hazbiun. Një tjetër anëtar i këtij grupi, Halit Bajrami, u dorëzua në postën e policisë, ku ishin prezent Kadri Hazbiu dhe Hekuran Isaj. Dy pjesëtarët e tjerë të grupit u vranë. Kështu, ardhja e “bandës” së Xhevdet Mustafës ishte një kurth për ta përdorur si material në gjyq kundër Kadri Hazbiut. Eliminimi i Haznedarit dhe i Xhevdetit ishte i qëllimshëm, për faktin se të dy këta mund të tregonin se ishin përgatitur për të ardhur në Shqipëri. Ekspertë të Sigurimit të Shtetit kanë deklaruar se ardhja e “bandës” së Xhevdet Mustafës ishte përgatitur nga zbulimi shqiptar dhe për përgatitjen e saj janë dërguar në Itali dy kuadro kryesorë, drejtues të zbulimit. Duke i bërë analizë ardhjes së kësaj bande, krijohet bindja e një plani shumë djallëzor, i studiuar mirë deri në hollësi. Banda e Xhevdet Mustafës ishte fundi i kombinacionit për arrestimin e Kadri Hazbiut, ish-ministrit të hekurt me të cilin shpesh ishte mburrur edhe Enver Hoxha.

Enver Hoxha duke dekoruar Kadri Hazbiun

Marrëdhëniet me Enverin dhe kërkesat e mistershme për dorëheqje

Deri në momentin para se ish-kryeministri Mehmet Shehu të vritej, marrëdhëniet e Kadri Hazbiut me Enver Hoxhën ishin shumë të mira. Ish-ministri i Brendshëm ishte në pozita shumë solide dhe gjithnjë vlerësohej për punën dhe arritjet e Sigurimit të Shtetit. Por pas vrasjes së Mehmet Shehut gjithçka u përmbys dhe vërejtjet filluan të bien lumë mbi ish-ministrin e Brendshëm. Por ende edhe sot nuk janë zbardhur dy kërkesat për të dhënë dorëheqjen të ish-ministrit të Brendshëm.

Rekordi me 25 vjet në krye të Ministrisë së Brendshme mundet të mos ishte i tillë, nëse Partia e Punës dhe Enveri nuk do të ishin dakord me dy momente jo pak të rëndësishme në jetën e Kadri Hazbiut. Përgjatë karrierës së tij, pushtetar dhe partiak, njeriu i hekurt i ka kërkuar dy herë me shkrim Enver Hoxhës dorëheqjen. E para ka ndodhur në vitin 1959 dhe e dyta në vitin 1966. Në të dy momentet, ishte ministër i Brendshëm. Por cila ishte arsyeja e një tërheqje të tillë? Në fakt këto dy dorëheqje nuk lidheshin me ndonjë problem personal, apo përplasje me ndonjë personazh nga kasta e asaj kohe. Ishte thjeshtë një reflektim i Kadriut lidhur me brezat. Duket qartë që Kadriu i ka motivuar këto dorëheqje me lirimin e postit që ai mbante me një kuadër më të ri në moshë”. Kadriu është shprehur se “është koha t’ua lemë stafetën brezave të rinj”. “Një zëvendësim mund t’iu bënte mirë të gjithëve”, ka shkruar ai gati me të njëjtat fjalë në të dy kërkesat. Por, nuk ishte e thënë që idealizmi i Kadriut të realizohej. Kushedi pastaj si i është dukur kjo Enver Hoxhës. Ndoshta një tërheqje e Hazbiut do të thoshte që efekti domino mund të kapte edhe vetë Hoxhën. Kështu që ato dy dorëheqje jo vetëm që nuk u morën parasysh, por u mohuan të ishin bërë edhe në atë të famshmin plenum kur Hoxha e akuzoi Kadriun se ka dashur të merrte pushtetin.

Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu

Por kujt i nevojitej eliminimi i Kadri Hazbiut, dhe pse Enveri nuk kishte pranuar autokritikat e tij

Sipas burimeve të asaj kohe, personit që i shërbente më shumë eliminimi i Kadri Hazbiut, ishte Ramiz Alia. Pasi një eliminim i ish-ministrit do t’i hapte rrugën Alisë për të zënë vendin e kreut të shtetit. Një enigmë që akoma nuk është zbardhur, është se pse Enver Hoxha, megjithëse Kadri Hazbiu kërkoi disa herë falje dhe bëri edhe disa autokritika, ai nuk i pranoi ato. Ende nuk dihen se çfarë kërkonte më shumë Enveri nga njeriu që për vite me radhë e kishte lavdëruar shumë dhe e kishte quajtur si një nga njerëzit më besnikë të Partisë dhe atij vetë.

Jetëshkrimi

Emri: Kadri

Mbiemri: Hazbiu

Atësia: Hazbi

Ditëlindja: 15 korrik 1922

Vendlindja: Mavrovë, Vlorë

Arsimi: Shkolla Tregtare në Vlorë, shkolla e lartë e Sigurimit në Moskë, BRSS.

Gjendja familjare: I martuar me pesë fëmijë

Gjuhët e huaja: Italisht, rusisht

Aktiviteti në Luftë: Komisar i Çetës Plakë, në formacionet e Brigadës V-të Sulmuese, u plagos dy herë

Karriera: 1945, shef i Sigurimit të Ushtrisë me gradën kolonel;

1950-1954, zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme; 1954-1979, ministër i Brendshëm; 1979-1982, ministër i Mbrojtjes, deputet në të gjitha legjislaturat e atij sistemi.

Aktiviteti partiak: Komunist në vitin 1942; anëtar i Komitetit Qendror, 1950; kandidat i Byrosë Politike, 1960; anëtar i Byrosë Politike, 1971-1982.

Gradat dhe dekoratat: Kolonel, gjeneral leitenant në radhët e Forcave të Ministrisë së Brendshme, dekoruar 13 herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Eliminimi: Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga ministër i Mbrojtjes, 13 tetor 1982 përjashtohet nga partia në plenumin e Komitetit Qendror. 15 tetor 1982, arrestohet; 10 shtator 1983, ekzekutohet.

Reprezaljet ndaj familjes: 15 tetor 1982, e gjithë familja internohen në Kurbnesh, 1989 vritet djali, Agroni, ish-futbollist i “Dinamos”, vdes në burg vëllai i Kadriut, Hasani, i dënuar për agjitacion e propagandë, në vitin 1991; vdes pas një internimi të vështirë gruaja, Hedija; 4 nëntor 1995, gjenden eshtrat në afërsi të Selitës.

Lini një koment