Emërimi i tij bëhet në të njëjtën ditë kur Parlamenti voton ligjin për dekriminalizimin.
Mesazhi i Ramës është i qartë, një sfidë e hapur për partnerët e Shqipërisë, SHBA dhe BE.
Kjo është edhe një thikë pas shpine për kontributin e ambasadorit amerikan në miratimin e ligjit për dekriminalizimin.
Pyetja që shtrohet është apo po dekriminalizohemi apo po kriminalizohemi më shumë?
Kriminelë, vrasës, trafikantë, tutorë, persona me rekorde kriminale kanë gjetur një tjetër strehë, duke hequr dorë nga funksionet publike, duke u transferuar si drejtues te Partia Socialiste e Edi Ramës, por jo e socialistëve të vërtetë.
Këtë e dëshmon së fundmi kryetari i Partisë Socialiste Shkodër, Martin Cubi, i cili në 2009 ka vrarë një person, kohë kur ushtronte funksionin e kryetarit të Komunës Pult, Shkodër.
Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj tha se edhe megjithë marrëveshjen e arritur për dekriminalizimin, Edi Rama po vazhdon paktin me krimin, duke inkriminuar të gjitha hapësirat që nuk i mbulon dot ligji.
Alibeaj akuzoi se, Rama ka emëruar në krye të Partisë Socialiste në Shkodër, një bandit të njohur, një autor vrasje, duke treguar se marrëveshja e tij me krimin nuk ndalet.
“Edi Rama ia ka besuar Partinë Socialiste në këtë zonë, Martin Cubit, i cili kur ishte kryetar komune, më 27 prill të vitit 2009, ka vrarë një shtetas.
Ky person problematik, njihet nga të gjithë për aktivitetin kriminal dhe për rrezikshmërinë shoqërore që paraqet. Kjo është një e vërtetë e hidhur, që tregon se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi.
Pakti me krimin, është i vetmi që ka mbajtur deri tani, pasi ka shkelur çdo kontratë e çdo premtim me qytetarët e vendit.
Kjo është skema që Edi Rama po aplikon me gjithë banditët dhe trafikantët e tij që dekriminalizimi do t’i largojë nga postet publike”, u shpreh Alibeaj.
Kriminelët po gjejnë strehë tek partia e Ramës, për të dhënë kontributin e tyre kriminal në zgjedhjet që po vijnë, por sipas tij kjo nuk do të lejohet nga PD dhe populli, i cili është ngritur në këmbë kundër kësaj qeverie të inkriminuar dhe të korruptuar të ngritur nga Edi Rama dhe kriminelët e tij. “Sfida që i bën Edi Rama dekriminalizimit, kërkesës dhe nevojës urgjente për t’u ndarë nga sundimi i krimit, është e sigurtë që do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët, të majtë e të djathtë, pa dallim”, tha Alibeaj.
Reagimi
Pas akuzës së Enkelejd Alibeaj nga selia blu reagoi PS, e cila ngriti pretendimet se kryetari i PS Shkodër, Martin Cubi është i pafajshëm dhe vrasja e kryer nga ai është cilësuar vetëmbrojtje.
Por për të vërtetuar të kundërtën e Ramës dhe të partisë së tij dhe për të informuar mbarë opinionin publik, PD i drejtoi tre pyetje Edi Ramës, të cilat nisin me arsyetimin pse Rama zgjodhi pikërisht Cubin, në krye të PS së Shkodrës dhe jo një figurë me integritet. Po ashtu, PD thekson se dy vëllezërit e tij, njëri i vdekur, kanë vrarë njerëz, ndërsa për vrasjen për shkaqe të vetëmbrojtjes PD pyeti se sa i ka kushtuar ky vendim 70 apo 80 mijë euro.
“Meqë e mbron deri në fund Cubin e tij në Shkodër, ka 3 pyetje për zotin Rama.
Përse zgjodhe t’i përfaqësosh socialistët e ndershëm të Shkodrës me një person të mirënjohur si problematik e që ka kryer me dorën e tij një vrasje, ndërsa ai mund të ishte një mjek, një inxhinier, një jurist, profesor, një mësues, apo një person me integritet që këtij qyteti nuk i mungojnë?
A keni dijeni se vëllai i madh i Cubit që i keni besuar partinë në Shkodër, ka vrarë një sportist në këtë qytet, dhe vëllai i vogël ka vrarë dhe e kanë vrarë? Meqë e keni kaq përzemër Cubin, a mund t’i thoni publikut zoti Rama, me çfarë shume e bleu ai pafajësinë pas vrasjes, me 70 mijë apo me 80 mijë euro?”.
Sipas PD, Edi Rama ka marrë në mbrojtje me fanatizëm jo vetëm Cubin e tij, autorin e një vrasje, por të gjithë kriminelët e tjerë të njohur sot për shqiptarët, që sot janë drejtuesit e PS në rrethe, duke i shpëtuar kështu ligjit për dekriminalizimin.
“Ajo çfarë po dëshmon Edi Rama, edhe pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin, është një inkriminim i ri, kësaj radhe i partisë, të cilën po e mbush me banditë e trafikantë për t’i ndërsyer nesër kundër Partinë Socialiste të Kurbinit, Prengajve, Partinë Socialiste të Krujës, Bushit, e kështu me radhë”, bëhet e ditur nga PD. Partia Demokratike thekson se në kontrast të plotë me këtë inkriminim masiv të Ramës, PD jo vetëm dha shembuj para zgjedhjeve të fundit lokale, por ka ngritur prej tre muajsh në selinë e saj, komisionin e integritetit të figurave që drejtohet nga doktor Halim Kosova.
Përse e zgjodhi Rama, Martin Cubin?
-Përse zgjodhe t’i përfaqësosh socialistët e ndershëm të Shkodrës me një person të mirënjohur si problematik e që ka kryer me dorën e tij një vrasje, ndërsa ai mund të ishte një mjek, një inxhinier, një jurist, profesor, një mësues, apo një person me integritet që këtij qyteti nuk i mungojnë?
-A keni dijeni se vëllai i madh i Cubit që i keni besuar partinë në Shkodër ka vrarë një sportist në këtë qytet, dhe vëllai i vogël ka vrarë dhe e kanë vrarë?
-Meqë e keni kaq përzemër Cubin, a mund t’i thoni publikut zoti Rama, me çfarë shume e bleu ai pafajësinë pas vrasjes, me 70 mijë apo me 80 mijë euro?