Kategori
Uncategorized

Lu: Ministrat e korruptuar të përgjigjen për krimet e tyre

Është puna e çdo opozite të kritikojë qeverinë

“Njerëzit në Shqipëri janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime nga dekriminalizimi i Parlamentit deri tek reforma gjyqësore, tek transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave”. Kështu e nis prezantimin në Facebook, ambasadori amerikan, Donald Lu. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu ftoi dje qytetarët të bisedojnë me të virtualisht ndërsa iu përgjigj pyetjeve të tyre. Lu ka deklaruar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit ndërsa ka theksuar se zyrtarët e ministrat e korruptuar duhet të vihen para përgjegjësisë dhe të përgjigjen për krimet e tyre. “Ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje të reja-për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është puna e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga Parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë” ka theksuar Lu. Nga ana tjetër ai ka theksuar se korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. “Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëz normalë. Njerëz normalë që votojnë. Njerëz normalë që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla. Njerëz normalë që punojnë në OJQ-të, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët të kontrollojnë nismën antikorrupsion” shprehet ambasadori amerikan. Një ditë pasi ambasadori amerikan, Donald Lu u përcolli gjyqtarëve shqiptarë mesazhin se cilido prej tyre që ka bërë korrupsion do të shkojë në burg, mesazhi i radhës iu adresua popullit shqiptar. Lu u tha shqip se duhet të jenë vetë shqiptarët ata që duhet të ndëshkojnë politikanët, ministrat, gjyqtarët dhe çdo zyrtar i lartë që bën korrupsion.
– I nderuar Ambasador, ju po flisni me emra konkretë dhe po konstatoni realitetin e hidhur shqiptar, por pyetja ime është se si mund të shkojmë nga konstatimi te veprimi? Sepse t’iu kërkosh të korruptuarve të dënojnë veten e vet është problem i madh, kush do të jetë ajo formulë magjike që t’i japë goditjen e fortë që ta rrëzojë këtë strukturë kriminale që ekziston në Shqipëri?
Pyetje shumë e mirë. Ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje të reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është puna e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga Parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë.
– Përshëndetje zoti Lu. Ne shqiptarët nuk duam korrupsion. Por jemi të detyruar të paguajmë, i tillë është sistemi që ka ngritur politika hajdute për 25 vite në Shqipëri. Korrupsioni në të është si ajsbergu që i duket vetëm pjesa sipër. Por problemi është më i madh nga sa e mendojmë ne. Pyetja ime është: A mund ta shkulin pemën e korrupsionit ata që e mbollën? Kjo pemë për ta sjell pushtet, fuqi, pasuri në kurriz të shqiptarëve të ndershëm.
Korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëz normalë. Njerëz normalë që votojnë. Njerëz normalë që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla. Njerëz normalë që punojnë në OJQ-të, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët të kontrollojnë nismën antikorrupsion.

– Mirë zotnia do të përgjigjet po korrupsionin kush do ta luftojë në këtë vend?
Ti do ta luftosh! Dhe tre milionë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kjo nuk është një luftë për të huajt apo politikanët. Kjo duhet të jetë një luftë e qytetarëve të rregullt.

– Zoti Ambasador, Amerika ka sjellë demokracinë në shumë vende të botës, përse këtu në Shqipëri Amerika është indiferente për korrupsionin e lartë nga vetë deputetët e Shqipërisë dhe ju heshtni dhe populli shqiptar vuan nga skamja dhe varfëria, a është kjo demokracia që ne shqiptarët kemi kërkuar? Faleminderit dhe pres përgjigje, me respekt Ardian Elezi, Gramsh, Shqipëri.
Shtetet e Bashkuara sigurisht promovojnë demokracinë duke zhvilluar OJQ-të, partitë politike dhe mediat. Ne gjithashtu inkurajojmë vendet për t’u marrë seriozisht me korrupsionin e nivelit të lartë. Në Shqipëri, ne kemi punuar me të dyja palët, qeverinë dhe opozitën për të hequr anëtarët e Parlamentit dhe kandidatët për kryetarë të komunave apo bashkive me rekorde në arrestime dhe dënime penale. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të rezultojë në largimin e shumë prej këtyre politikanëve me precedentë penalë.

– Përshëndetje z. Ambasador Lu! Ju përgëzoj pa masë për fjalimet pa dorashka dhe përplasjen në fytyrë të realitetit që Ju i bëni politikës dhe politikanëve shqiptarë. Në lidhje me korrupsionin unë mendoj se një nga mënyrat për ta luftuar atë është rritja e rrogave për të gjitha ato pozicione që janë më shumë të ekspozuar ndaj korrupsionit. Pyetja ime konsiston: A mendoni se me këto politikanë që kemi ne, do të arrjimë ta luftojmë korrupsionin dhe të anëtarësohemi në BE në 5 vitet e ardhshme apo jo? Faleminderit!
Kjo është një pyetje e mirë. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtarë të BE-së kështu që unë nuk e di se sa e mundshme është që Shqipëria do të futet në BE së shpejti. Ajo që unë di është se BE-ja është serioze në lidhje me kërkesat që Shqipëria të bëjë progres kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore përpara fillimit të negociatave. Dhe po, ju keni të drejtë se pagesa me rroga të arsyeshme është një pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit.

– Zoti Ambasador, në shtetet në gjendje lufte shpesh shpërnguljet janë shumë të mëdha. Shqipëria nuk është në luftë mirëpo të larguarit janë kaq shumë njësoj si në luftë. Çfarë mendimi keni për këtë fenomen? Dhe e dyta nëse ju keni informacione të klasifikuara dhe unë besoj se keni për politikanë, gjykatës apo biznesmenë me ndikim, të cilët kanë vjedhur apo vrarë për t’u pasuruar a do t’i publikoni ato në nder të shqiptarëve pas bërjes së reformës në drejtësi?
Përshëndetje Flori, pyetje e mirë. Unë e di se shqiptarët janë të zgjuar. Unë jam i sigurt se ata mund të kuptojnë se cilët janë zyrtarët e korruptuar dhe kriminalë. Ata janë ato ose ata që nuk e bëjnë punën e tyre. Ata nuk e mbështesin reformën dhe ata nuk kanë arritur asgjë në pozicionet e tyre. Ata janë ata ose ato, të cilët kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë tuaja.

– Z. Ambasador Lu! Ju përgëzoj për mësimin e gjuhës shqipe, në lidhje me luftën kundër korrupsionit: a mendoni se duhet një sistem i integruar dixhital në të gjitha institucionet që t’u vihet në shërbim qytetarëve për të ulur nivelin e korrupsionit në Shqipëri? Zoti ju bekoftë Ju dhe SHBA-në.
Lazer, sugjerimi juaj është i shkëlqyer. Jam dakord me ju, qasja online ndaj informacionit dhe shërbimeve është një nga mënyrat më të mira për të luftuar korrupsionin në nivelin kur qytetarët e zakonshëm kërkojnë shërbime zyrtare. Ekziston një nismë, e mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Ministria shqiptare për Teknologjinë dhe Inovacionin, e cila quhet Open Government Partnership (Partneritet i Qeverisjes së Hapur) dhe që përpiqet të përhapë këtë teknologji midis qeverisë kombëtare dhe vendore.

– Z. Ambasador përshëndetje! Edhe 15 vite dhe të dy periudhat ajo komuniste dhe e demokracisë hibride barazohen. Sigurisht periudhat nuk mund të krahasohen për avantazhet dhe disavantazhet me njëra-tjetrën, por desha të di a kanë konkurrentë politikanët tanë diku në vende të tjera lidhur me mënyrën se si bëjnë korrupsion? A do të ishte e mirë një lëvizje e shoqërisë civile ajo që mund të merrej me publikimet e pronave të politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend të përfituara prej korrupsionit?
Xhev, faleminderit për sugjerimin tuaj. Është normale në shumë demokraci, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që pasuritë e ministrave dhe parlamentarëve të bëhen publike çdo vit. Ne e kemi sugjeruar këtë si një nga mënyrat më të rëndësishme me anë të së cilës partitë politike dhe politikanët mund të përmirësojnë transparencën në Shqipëri.

– Z. Ambasador, 25 vite demokraci kanë kaluar, mendoni që shqiptarët sot janë më mirë se në vitet e komunizmit dhe doja të dija që politika shqiptare do të ketë edhe ajo gjykimin e saj në gjykatë për rastet e shumta që ka, doja të citoja që Shqipëria me shqiptarët nuk bëhet. Faleminderit!
Gramoz, mendoj që shumë njerëz e bëjnë këtë pyetje. Kam lexuar një studim së fundmi sipas të cilit Shqipëria dhe një nga vendet balltike ishin të vetmet vende ish-komuniste që kanë të ardhura më të larta tani krahasuar me vitin 1991, kur komunizmi u rrëzua në pjesën më të madhe të Europës. Unë nuk kam jetuar kurrë në një vend komunist, por nga historitë që më kanë treguar miqtë e mi shqiptarë, të cilët kanë jetuar nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, nuk mund të ketë krahasim me kohën e komunizmit. Cilado qofshin sfidat dhe vështirësitë e kohëve të sotme, ju keni sigurinë se çdo shqiptar sot gëzon liritë dhe privilegjet themelore, të cilat në kohën e komunizmit as nuk i kishin ëndërruar.

– Zoti Ambasador, shqiptarët kanë shumë besim tek ty, por kur të shohim se me cilin do ta bëni dhe uleni në tryezë për reformën në drejtësi të lë shumë për të dëshiruar, nuk mundet të bëhet reformë me Trajën, Rakipin dhe të tjerë. Ato janë figura shumë të korruptuara në Shqipëri, nuk mundet të bëni reformën, të hiqen ca të korruptuar dhe të vendosen disa më të korruptuar si Traja e Rakipi, nuk është zgjidhje kjo. Po nuk ndryshuan Kodin Penal që është si paçavure, arna-arna nuk ka zgjidhje. Të bëhet një kod i ri i një shteti perëndimor, që korrupsioni mos të dënohet me muaj, po të bëhet siç e keni ju në Amerikë që e dënoni njëzet vjet, atëherë do të shihni do të guxojë njeri të bëjë korrupsion. Një njeri i thjeshtë kapet duke vjedhur një mijë ose dhjetë milionë lekë ose duke bërë një punë tjetër kundër ligjit dënohet dhjetë vjet ose më shumë, kurse kur organet shtetërore vjedhin një ose dhjetë ose njëqind miliardë lekë ato janë shumë të nderuar dhe të respektuar se edhe po u kapën nuk bëjnë më shumë se një vit burg, se në burg rrinë të varfërit dhe viktimat kështu është në Shqipëri, zoti ambasador Lu.
Është e vërtetë që dënimi për korrupsion në Shtetet e Bashkuara është shumë i ashpër. Unë mendoj që shqiptarët duhet të kenë shpresa që reforma në drejtësi është e mundur. Sot ka një dialog publik të vërtetë. Ju po merrni ndihmë nga miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Kini besim. Ndryshimi po vjen.

– Pyetja ime është: Kur do të kemi drejtësinë reale dhe të pavarur në Shqipëri? Korrupsioni luftohet vetëm me ndëshkim dhe këtë e bëjnë vetëm prokurorët dhe gjykatat e pavarura. Faleminderit!
Dritan, institucionet e pavarura janë jetike për balancimin e pushtetit në çdo qeveri. Në të njëjtën kohë, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të Prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat.
– A mundeni ju të nxisni dhe përkrahni njerëzit që nuk nënshtrohen politikisht në mënyrë që ata minimalisht të krijojnë “polin e tretë”? Për mua korrupsioni fillon që në rekrutimin e pashmangshëm politik të profesionistëve në të gjitha fushat, a ndani ju të njëjtin mendim?
Anton, kjo është një ide interesante që të ketë një parti politike antikorrupsion. Unë mendoj se është puna e çdo opozite për të kritikuar qeverinë, kur ata kanë prova të korrupsionit. Në kushtet e një partie të veçantë të përqendruar në antikorrupsionin, mendimi im është se partitë politike duhet të jenë në favor të diçkaje, jo vetëm kundër diçkaje. Sa për rekrutimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme, unë besoj se nëse do të kishim më shumë njerëz të përditshëm në politikë (mësues, shoferë taksie, punëtorë të fabrikave, etj.) ne do të kishim më pak korrupsion në politikë. Unë jam në favor të rekrutimit të udhëheqësve nga njerëz nga të gjitha fushat.

– Le ta konsiderojmë si të përmbushur me sukses misionin e pastrimit të administratës nga të korruptuarit, thelbi i çështjes qëndron këtu: hoqëm ata, por me kë do t’i zëvendësojmë?
Gjergji, mos e humbni shpresën. Unë njoh shumë shqiptarë, të cilët janë të ndershëm dhe njerëz punëtorë. Për shembull, Shkolla e Magjistraturës prodhon të diplomuar të shkëlqyer që vazhdojnë për t’u bërë gjyqtarë dhe prokurorë. Unë jam i bindur se njerëz të ndershëm dhe të përgjegjshëm mund të gjenden për të udhëhequr Shqipërinë.

– Përshëndetje z. Ambasador, ju përgëzoj përzemërsisht për mundësinë e shprehjes që na jepni. Pyetja ime është: çfarë mund të bëjmë ne të rinjtë, për më shumë liri politike dhe drejtësi sociale? Në një vend si Shqipëria ku liria politike nuk ekziston dhe për pasojë lind korrupsioni, zhdrejtësia sociale, prodhimi i kriminalitetit etj.
Redon, unë besoj se gjëja më e mirë që nxënësit mund të bëjnë është që të kenë pritshmëri të mëdha – për udhëheqësit e tyre, komunitetet e tyre dhe veten e tyre. Jam shumë i lumtur kur takoj të rinj, sepse ata janë të padurueshëm për ndryshim. Ata duan që vendi i tyre të ketë të njëjtën ekonomi dhe politikë si në vendet më të zhvilluara të Europës. Dhe ata e duan këtë menjëherë. Ata kanë të drejtë dhe duke kërkuar këtë ata do ta çojnë Shqipërinë në një të ardhme më të mirë.

– Në Shqipëri dihet që korrupsioni ka shkuar në majat më të larta. Po njëkohësish dihet se nga ka ardhur, nga përtej kufijve të Shqipërisë. Por kam një pyetje, nëse më përgjigjet z. Lu apo një tjetër, kam shkruajtur disa herë, por s’kam marrë përgjigje. Po në administratën e ambasadës që punojnë shqiptarë, a ka korrupsion? Unë them se po. A e deklarojnë pasurinë punonjësit e Zyrës së Prokurimeve? Unë them që jo. A duhet që këta punonjës të deklarojnë pasurinë? Unë them se duhet.
Unë mendoj se ka korrupsion në administratë, në Parlament, në gjykata dhe në media. Pyetja e vërtetë është çfarë mund të bëjmë ne që të heqim personat e korruptuar dhe për të parandaluar personat e korruptuar të hyjnë në këto institucione? Deklarimi i pasurive është një mjet. Një tjetër është auditimi ndërkombëtar i institucioneve, partive politike, mediave dhe OJQ-ve. Së fundi, gazetaria e mirë investigative është një mjet i rëndësishëm për të zbuluar korrupsionin.

– Zoti Ambasador, kur do të ketë drejtësi vendi ynë, Prokuroria, gjykata e korruptuar, shëndetësia nuk funksionon, arsimi i dobët, administrata jashtë funksionit, hipoteka e korruptuar, pronat kur do të jenë te pronari legjitim, 25 vjet zvarritje nëpër gjyqe, çdo institucion shtetëror është i korruptuar, gangrenë e shoqërisë shqiptare…
Aleksi, unë shpresoj që në vitin 2016, ju dhe çdo qytetar tjetër shqiptar, do të shihni zbatimin e reformës në drejtësi dhe nisje e ndryshimeve të vërteta. Do të duhet kohë për të larguar të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, por ndikimi shtrëngues i reformës kryesore do të nisë menjëherë. Menjëherë ju do të shihni gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë që do të kenë frikë nga pasojat e marrjes së ryshfetit. Unë shpresoj që ky ndryshim të vijë shumë shpejt.

– Ju përgëzoj për temën. Korrupsioni i politikës po varfëron taksapaguesin dhe po detyron qytetarët të emigrojnë pa kthim. Në këto 25 vite tranzicioni të pakuptimtë, shqiptarëve po ju zhvlerësohen pronat dhe jetesa. E vërtetë është, eksperimenti i 25 viteve i ka kthyer qytetarët në pikën 0.
Artan, faleminderit për komplimentin. Unë jam i gëzuar që ju e etiketoni veten tuaj si një pagues taksash. Patriotët e vërtetë i paguajnë taksat.

– Z. Ambasador, je njeri i shkëlqyeshëm, më pëlqejnë jashtëzakonisht ndërhyrjet e tua në politikën shqiptare, je shumë origjinal dhe i pakursyer, nderimet e mia, suksese në punën tuaj USA.
Doni, jeni shumë i sjellshëm. Ne jemi të kujdesshëm dhe nuk përmendim emra, përveçse në rastet kur jemi të sigurtë mbi aktivitetin kriminal apo dënimet e tyre. Ne e marrim seriozisht respektin që kanë shqiptarët për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi dhe pa kursyer askënd.

– Donald Lu, dua t’ju përgëzoj për kontributin tuaj në jetën politike e sociale shqiptare! Dhe gjithashtu për paanësinë që po tregon, duke denoncuar çdo parregullsi dhe çdo pseudopolitikan me një të shkuar kriminale! Zoti Lu, mua më duket e pamundur që një grup të korruptuarish, vjedhës e në disa raste edhe kriminelë pa bërë përgjithësime, mund të votojnë reformën në drejtësi, pa u sigurur që kjo reformë s’do të prekë interesat e tyre dhe vetë ata?!
Denis, ndryshimi vjen nga qytetarët. Një kolegu im nga Uashingtoni tha së fundmi, “Gjelat e detit asnjëherë nuk kanë të drejtën e zgjedhjes për Krishtlindje”. Me këtë, ai donte të thoshte se ne nuk mund të presim që zyrtarët apo gjykatësit e korruptuar të luftojnë korrupsionin. Me ndihmën e miqve tuaj ndërkombëtarë dhe me komunitetin aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, unë jam i sigurtë që qytetarët e thjeshtë do të mund të sjellin ndryshimin.

– Të lodhur, të rraskapitur e të zhgënjyer, por më tepër të penalizuar nga guri dhe arra që ata kanë në duar, forcën, ligjin dhe shtetin që është i rrëmbyer për të na rrëmbyer e varfëruar në emër të ligjit. Kush dhe si duhet të ngrejë zërin? Me forcën që na ka ngelur mënyra është si të shpëtojmë nga rrotat e rënda të trenit korrupsion, për t’u larguar e mos u kthyer më.
Pano, mos u dorëzo. Ndryshimi po vjen. Të heqësh dorë dhe të largohesh nga atdheu yt nuk është asnjëherë përgjigjja e duhur. Bashkohu me shoqërinë civile. Bëhu një gazetar i ndershëm. Bëj punë vullnetare për të mbështetur komunitetin tënd.

Lini një koment