Nderimi dhe respekti i qeverisë për Nadir Çaushollin, pronar i kompanisë “Omega Farm”, ka arritur kulmin aq sa edhe vetë ministri i Financave, Shkëlqim Cani i ka dërguar një letër ku e falënderon dhe e cilëson si modelin e ndershëm të sipërmarrjes së lirë.

“Një model i ndershëm dhe i rregullt i sipërmarrjes” e cilëson ministri Shkëlqim Cani presidentin e kompaninë Omega Farma, në një letër ku i shpreh mirënjohjen e tij, në përfundim të aksionit kundër informalitetit.

Ministri Cani e ka dërguar me 17 nëntor të këtij viti, babait të të arrestuarit, tashmë me detyrë e administratorit të kompanisë së djalit, “Omega Farm”.

“Përmes kësaj letre dëshiroj t’iu shpreh mirënjohjen e sinqertë për promovimin që i bëni modelit të ndershëm dhe të rregullt të sipërmarrjes në Shqipëri.

Lufta që qeveria jonë i ka shpallur informalitetit, nuk synon vetëm mbledhjen e më shumë kontributeve dhe të ardhurave, por, në radhë të parë, kërkon të krijojë kushtet e konkurrencës së ndershme, ku të gjithë sipërmarrësit trajtohen në mënyrë të barabartë përpara rregullave dhe ligjit.”

letra-per-lajminKur letra mbërriti në këtë kompani, “Modeli i ndershëm” ishte në qelitë e paraburgimit. Letra e Shkëlqim Canit u dërgua 18 ditë pas arrestimit. Çausholli u arrestua si pjesë e një skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme.

2.2 milionë euro te vjedhura nga shteti nuk mjaftuan që ministri i Financave, Shkëlqim Cani ta përjashtonte OMEGA Farmën nga bizneset e ndershme që duhen falënderuar.

 “Unë dëshiroj jo vetëm t’iu falënderoj për kontributin që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni përmes taksave që paguani, por edhe t’ju inkurajoj që të vazhdoni të respektoni institucionet shtetërore.

Unë jam besimplotë se vetëm duke luftuar informalitetin pa kompromis, ne do të arrijmë të nxisim edhe më shumë zhvillimin ekonomik e do të krijojmë sëbashku një mjedis sa më të përshtatshëm për të bërë biznes.”

Nadir Çausholli u arrestua më 31 tetor të këtij viti, pasi nga hetimet disa mujore ka rezultuar se nëpërmjet kompanisë së tij “Omega farma” ka arritur të përfitoi me anë të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit” me pasoja të rënda, rreth 2.2 milionë euro nga fondi i ilaçeve të rimburësueshme. Për këtë skemë mashtrimi, ai ndodhet në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” për dy akuza.

Nuk dihet kur u njoftua Çausholli për lëvdatat dhe mirënjohjen e Shkëlqim Canit, por burime nga gjykata thanë se letra e ministrit, fatmirësisht nuk përbën provë në sallën e gjyqit.

Pak kohë më parë, u publikuan në media dokumentet sipas te cilave, Nadir Çausholli vazhdonte të përfitonte nga tederat e Ministrisë së Shëndetësisë, pavarësisht se ai ishte i izoluar nga qelitë e paraburgimit