Hije dyshimi dhe skandali rreth shkarkimit të befasishëm të kupolës së doganave, përjashtuar këtu drejtuesit e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilët janë imun ndaj çdo loje dhe furtune kryeministrore. Ndryshe nga sa u trumbetua se, shkarkimi i krerëve të doganave në të gjithë Shqipërinë erdhi pas dështimit në realizimin e të ardhurave në 10 mujorin e 2015 dhe thellimit të gropës në buxhet, e vërteta duket se është e kundërta. Pas reprezaljes në dogana fshihet nxitimi dhe paniku për të mbuluar gjurmët e kontrabandës së cigareve, gjurmë të cilat të çojnë drejtpërdrejt në kabinetin qeveritar. Në lojë mësohet se është sërish një anëtar i kabinetit qeveritar, i cili fshihet pas kontrabandës sistematike në dogana. Është ky ministër, për të cilin tashmë janë në dijeni kryeministri i vendit, ish-krerët dhe krerët aktualë të doganave, krimi ekonomik, autoritetet fqinje etj. Në rrethet politike dhe në botën e biznesit, ministri në fjalë quhet ndryshe edhe si ministri i kontrabandës së cigareve. Ka dyshime të forta se vala e shkarkimeve është diktuar pikërisht nga ky ministër, i cili e ka bindur kryeministrin për të bërë koka turku drejtuesit e doganave, për të mbuluar orkestruesin e vërtetë të kontrabandës së mallrave me akcizë, kryesisht cigareve. I gjithë rrethi i drejtuesve dhe zëvendësdrejtorëve duket se është bërë për të mjegulluar dhe sfumuar vetëm një shkarkim të rëndësishëm dhe vendimtar. Bëhet fjalë për Zamir Shtyllën, drejtorin e Departamentit Operativ Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ose siç quhet ndryshe Antikontrabanda. Të gjitha rrethanat, indiciet dhe konjukturat të çojnë në konkluzionin se shënjestra e vetme ka qenë Zamir Shtylla. Po kush është investuar kaq shumë për të larguar Zamir Shtyllën? Çfarë dinte Shtylla për ata që fshiheshin pas kontrabandës së cigareve? Zamir Shtylla është larguar vetëm se ra në gjurmët e ministrit kontrabandist. Ai u shkarkuar sepse nuk pranoi të mbulonte gjurmët e ministrit kontrabandist, përgjegjësi i vetëm për rrënimin e buxhetit. Ka zëra se Shtylla ka informuar edhe kryeministrin e vendit për skemën e kontrabandës dhe ministrin e implikuar. Dhe në vend që të bllokohej skema, është goditur vetë Zamir Shtylla.
Dy skemat e implikimit
Edhe sikur Edi Rama t’i ndryshojë tre herë në 24 orë drejtuesit e doganave, mosrealizimi i të ardhurave do të vijë vetëm duke u thelluar, për sa kohë ministri kontrabandist nuk ndalet. Dy janë mënyrat e përfshirjes së ministrit në kontrabandën e cigareve. Së pari, mbushja e magazinave me cigare para se të hynte në fuqi akciza e re në fillim të vitit 2015. Miliona euro i janë zhvatur buxhetit të shtetit me këtë skemë mafioze, e denoncuar publikisht edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Skema e dytë lidhe me kalimin e mauneve në doganë me mallra akcize të padeklaruara, kryesisht cigare. Ka fakte kokëforta, ka dëshmi publike dhe të dhëna nga doganat greke për maunet me cigare, të cilat kanë kaluar pa u deklaruar në Kapshticë dhe Kakavijë. Kush ka forcën për të kaluar maune të tilla, të cilat kanë rrënuar buxhetin e shqiptarëve? A mundet disa doganierë të rëndomtë ta ndërmarrin një veprim të tillë? A mundet që krerët e doganave të të ngrenë traun? Nuk ka dyshim se pas kontrabandës së cigareve fshihet një dorë e fortë, dora e ministrit në fjalë.
Bilanci i kontrabandës
Kontrabanda e mallrave me akcizë, kryesisht i cigareve, ka rrënuar buxhetin e shtetit për vitin 2015, ndërsa po u kushton shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë. Por sa është konkretisht kostoja e kontrabandës së mallrave me akcizë, kryesisht e cigares, e cila zë pjesën kryesore dhe më të madhe të të ardhurave nga doganat? Sipas të dhënave zyrtare, kontrabanda ka vijuar masivisht edhe gjatë muajve shtator-tetor të këtij viti, ndërsa gjasat janë se vazhdon edhe në këto momente. Për muajin shtator të vitit 2015, ishin planifikuar për t’u mbledhur në dogana nga mallrat me akcizë 4.4. miliardë lekë. Ndërkaq, të ardhurat për muajin shtator janë 3.5 miliardë lekë të mbledhura. Pra, mungojnë 1 miliard lekë ose 7 milionë euro. Në vitin 2014, për muajin shtator, janë mbledhur 4.4 miliardë lekë. Çfarë ka ndodhur vallë? A thua shqiptarët kanë lënë duhanin?!
Tetori, vijon kontrabanda
Një situatë më dramatike paraqitet për muajin tetor të vitit 2015, pra për muajin që sapo lamë pas. Për muajin tetor të vitit 2015, të ardhurat nga doganat, për mallrat me akcizë, janë 3.1 miliardë lekë. Për këtë muaj ishin planifikuar për t’u mbledhur 4.7. miliardë lekë. Kur në fund të muajve, realizimi i të ardhurave rritet, ka ndodhur e kundërta. Por sa para janë mbledhur në muajin tetor të vitit 2014? Në muajin tetor të vitit 2014 realizimi i të ardhurave është 4.8 miliardë lekë…..
Adriatik Doçi