
Etiketimet e ambasadorit amerikan për qeverinë dhe Parlamentin shqiptar nuk janë të panjohura, ndërsa është shfaqur haptazi në mbështetje të kauzës së opozitës për dekriminalizimin e politikës. Lu është artikuluar qartë kur ka identifikuar përgjegjësit e gjendjes së rëndë që kalon Shqipëria prej korrupsionit dhe krimit të organizuar. Konstatimi i ambasadorit amerikan është aktualisht shqetësimi më madhor që ka çdo familje shqiptare që nuk ushqehet dot as me bukë thatë, ankthi i qindra mijëra të papunëve dhe të pambrojturve nga shteti, depresioni i qindra mijëra emigrantëve ose azilantëve që po ikin nga sytë këmbët, revolta e mijëra e mijëra studentëve të kërcënuar ligjërisht dhe financiarisht me largim nga shkolla, protesta e mijëra e mijëra biznesmenëve që vuajnë përditë terrorin shtetëror, zemërimi i mijëra e mijëra fshatarëve (fermerëve) që rrihen barbarisht me shkopinj dhe shqelma, pasi nuk janë pajisur me kasë fiskale, pakënaqësia e mijëra e mijëra të tjerëve që nuk shohin rrugëdalje, shpresë dhe forcë për të duruar më këtë regjim represiv, korruptiv dhe kriminal.
Kryeministri Edi Rama na ka kërcënuar publikisht me burg kurdo që do të flasim për lidhjet e tij të provuara me vrasës të dënuar dhe krimin e organizuar, kriminalizimin e qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve, transferimin e 200 milionë eurove të korrupsionit në parajsat fiskale, varësinë e tij ndaj kokainës, shpërdorimeve me koncesione, tendera dhe fondet publike. Kryeministri na ka kërcënuar me burg edhe kur të flasim për plantacionet e drogës së Tahirit apo shërbimet me makinë dhe celular që ai kryen për grupet e rrezikshme mafioze, kur të flasim për korrupsionin e Beqajt, Gjiknurit, Kodhelit, Ahmetajt dhe të emëruarve të Metës. Na ka kërcënuar me burg edhe kur të flasim për vrasësit që ka futur në Parlament, për vrasësit që ka vënë në krye të bashkive dhe në këshilla. Edhe Meta është dakord që burgjet e Ramës të hapen sa herë që i duhet mbrojtje atij nga akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin.
Sipas ligjit të Ramës, na mbeten edhe pak ditë liri. Për pak ditë ligji kalon në Parlament dhe burgjet do të jenë të hapura për familjet e shqetësuara për bukën e gojës, për të papunët në ankth, për emigantët a azilantët e depresuar, për studentët e revoltuar, për biznesmenët protestues, për fshatarët (fermerët) e rrahur. Ambasadori amerikan foli tani dhe foli qartë. Shqiptarët duhet të veprojnë tani dhe të vendosur. Tani është koha për t’i shporrur ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminelë. Gjithçka që vjen prej kësaj mazhorance është mjerimi, burgu dhe fundi ynë. T’ua kthejmë me të njëjtën monedhë!
Arsen Kruja
Dyndje nga azilkërkuesit shqiptarë

Azilkërkuesit shqiptarë që refuzohen nga Gjermania, i kanë kthyer sytë drejt Hollandës. Fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë ka zënë faqet e para të gazetës më të madhe holandeze “De Telegraaf”. Në reportazhin kushtuar shqiptarëve shkruhet se numri i tyre po rritet, pasi azilkërkuesit që refuzohen në Gjermani mbërrijnë në Holandë. Arsyeja kryesore pse shqiptarët duan të ikin nga vendi i tyre është gjendja e rënduar ekonomike, thekson “De Telegraaf”. Gazeta më e madhe holandeze “De Telegraaf” i ka kushtuar reportazhin e saj kryesor çështjes së azilkërkuesve shqiptarë. Në një shkrim të gjatë të publikuar në dy faqet e para, gazetari Alexander Bakker denoncon ardhjen e shqiptarëve. Sipas “De Telegraaf”, në Holandë ka një fluks shqiptarësh shumë herë më të lartë, kjo pasi në këtë vend mbërrijnë një pjesë e azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar nga Gjermania. Gazeta rendit arsyet kryesore pse shqiptarët largohen, që kanë të bëjnë me përkëqesimin e gjendjes ekonomike në vend vitet e fundit. Gjithashtu, në ikjen e shqiptarëve nga vendi i tyre, sipas “De Telegraaf”, ka ndikuar edhe mospërkrahja me ndihmë ekonomike nga shteti dhe mosofrimi i vendeve të punës. Numri i azilkërkuesve shqiptarë është rritur në një mënyrë drastike vitin e kaluar në Holandë. Ekziston frika se numri i azilkërkuesve do të rritet, pasi një pjesë e tyre nuk pranon të rikthehen në Shqipëri dhe pas refuzimit të tyre në Gjermani nisen drejt Holandës. Gazeta thekson se një kërkesë e tillë mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, por rregullat e Dublinit përcaktojnë që vetëm një vend vendos për kërkesën e azilit. Nëse kjo kërkesë refuzohet, edhe një kërkesë e dytë në një vend tjetër do të refuzohet automatikisht. Duke llogaritur edhe emigrantët e larguar nga Kosova janë rreth 80 mijë shqiptarë që kërkojnë të qëndrojnë në Gjermani deri tani, duke ia kaluar edhe sirianëve. Propaganda dhe dëbimet e organizuara që kanë bërë autoritetet gjermane për shqiptarët gjatë muajit të fundit, duket se nuk kanë ndikuar fare në vendimin e shqiptarëve për të lënë gjithnjë e më masivisht vendin për të kërkuar një zgjidhje përfundimtare për veten dhe familjet e tyre. Emigrimi është shpresa e fundit që ata kanë për të rregulluar diçka në jetën e tyre.
Finlanda, 670 azilantë shqiptarë më 2015
Finlanda vazhdon të tërheqë një numër të konsiderueshëm të aplikantëve shqiptarë për azil politik. Autoritetet e emigracionit në Helsinki raportuan statistikat e këtij viti, ku shqiptarët mbeten vendi i katërt me numrin më të madh të azilkërkuesve. Nga janari deri në shtator numërohen 670 qytetarë shqiptarë që kanë udhëtuar drejt kornes veriore të Europës, për të kërkuan mbrojtje për veten dhe familjet e tyre. Shtatori ka patur një rënie krahasuar me gushtin, por sërish mbetet një prej muajve me numrin më të madh të aplikantëve për azil politik. Vendet skandinave kanë qenë një destinacion kryesor për shqiptarët gjatë këtij viti. Prania e një komuniteti shqiptar të organizuar në Suedi ka tërhequr edhe numrin më të madh të azilkërkuesve.
100 mijë azilantë nga Shqipëria në Gjermani
Pas pretendimeve që ngriti Rama se azilantët shqiptarë nuk vijnë nga Shqipëria, por nga komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe Itali, autoritetet gjermane kanë bërë kujdes kësaj radhe të evidentojnë edhe ata shqiptarë që kanë ardhur nga vende të tjera. Në total numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në Gjermani gjatë vitit 2015 shkon në 66 311 vetë, shumë më tepër se Afganistani dhe Iraku, që janë të përfshira në luftëra prej më shumë se një dekade. Eksodi i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë vazhdon pothuajse në të njëjtat ritme prej më shumë se një viti. Ekspertë të emigracionit vlerësojnë se janë mbi 100 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin gjatë dy viteve të qeverisjes së koalicionit të majtë të udhëhequr nga Edi Rama. Një pjesë kanë lënë vendin, pasi kanë përfituar nga proceset e bashkimit me anëtarët e familjeve që kanë emigruar më herët, por më shumë se 90 mijë kanë emigruar për herë të parë. Në Europë, Gjermania ka njohur fluksin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Në intervistat që kanë dhënë për autoritetet e huaja të emigracionit, azilkërkuesit shqiptarë janë shprehur se veç situatës së rëndë ekonomike, mungesa e rendit dhe e sigurisë për jetën përbëjnë një prej arsyeve madhore që ata detyrohen të braktisin masivisht vendin. Kriminalizimi i Parlamentit dhe institucioneve të tjera të shtetit, pas ardhjes së të majtëve në pushtet kanë bërë që policia dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese të vihen nën kontrollin e pushtetarëve të korruptuar dhe partnerë të mafias. Kultivimi masiv dhe trafikimi i drogave gjatë kësaj periudhe kanë fuqizuar ndjeshëm grupet kriminale, por edhe ndezur luftën mes tyre, duke mbjellë terror në shumicën e qyteteve shqiptare. Statistikat e publikuara nga autoritetet gjermane tregojnë se, numri më i madh i azilkërkuesve kanë kombësi shqiptare.
.