Duhej
të ishte një akt i natyrshëm dhe i pakontestueshëm emërimi i socialistëve në vend të militantëve të Partisë Demokratike. Por socialistët në masën 80 për qind vijojnë të enden rrugëve, ndërsa në vend të tyre vegjetojnë në administratë një rreth i gjerë që nuk ka lidhje me PS. Por edhe ata pak persona që janë emëruar, janë shumica njerëz të afërm të ministrave, deputetëve, drejtorëve, apo zyrtarëve të tjerë të nivelit të lartë. Që kur qeveria “Rama” mori pushtetin, ka pasur me dhjetëra debate dhe akuza për emërime nepotike në administratë. Demokratët kanë akuzuar ministra e deputetë se kanë futur familjarë në shumë institucione. Nga ana tjetër, këta të fundit janë kundërpërgjigjur se dhe PD ka bërë batërdinë kur ishte në qeveri.
Situata
Gazeta “Sot” ka hartuar një listë me një pjesë të madhe të emërimeve nepotike në administratë. Shumë prej emrave të mëposhtëm janë denoncuar në media, ndërsa shumë të tjerë kanë kaluar pa vëmendje. Por si është situata? Shumë ministra të qeverisë “Rama” sapo morën pushtetin gjëja e parë që bënë ishte emërimi në poste të larta drejtuese të familjarëve dhe të afërmve të tyre. Në këtë mënyrë, kunati i ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, është emëruar Drejtor i Investimeve në OSHE, ndërsa vëllai i kunatit të ministrit u emërua shef sektori tek Privatizimet. Gjithashtu, vëllai i ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, u emërua këshilltar në Ministrinë e Financave. Djali i dajës së ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, u emërua drejtor i kompanisë shtetërore ushtarake të import-eksportit (MEICO). Po ashtu edhe deputetë kanë ndërhyrë për të bërë emërime. Ish-punonjës të kompanive të Koço Kokëdhimës dhe bashkëpunëtorë të tij u emëruan në poste drejtuese në Albpetrol.
Emërime në rrethe
Batërdia më e madhe e emërimeve gjatë këtyre dy viteve ka qenë në rrethe. Në dogana, drejtori tatimesh, apo institucione të ndryshme janë emëruar persona që nuk kanë pasur profesionin e duhur, por që për shkak të lidhjeve dhe mbështetjeve politike kanë marrë poste të rëndësishme. Në doganën e Tiranës, u emërua Eranda Cuci, kunata e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në po të njëjtin institucion u emërua Safo Dauti, kunata e ish-ministrit të Marrëdhënieve me Parlamentin, Ilirian Celibashi. Në krye të OSHE në Kavajë u emërua Saimir Roshi, vëllai i kryebashkiakut Elvis Roshi. Nga ana tjetër një batërdi emërimesh është bërë në arsim. Me dhjetëra mësues janë emëruar në shumë shkolla të vendit, disa dhe pa arsim përkatës, falë ndërhyrjeve të deputetëve, për shkak të mbështetjes që ata u ofruan gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit.
Njohjet
Mjaft ish-punonjës të Bashkisë së Tiranës janë rikthyer në punë. Shumë prej tyre kanë marrë poste drejtuese në institucione kyçe të vendit. Ogerta Manastirli, drejtoresha e QSUT, ka qenë drejtoreshë e Shërbimit të Strehimit në Bashkinë e Tiranës, kur në krye të saj ishte Edi Rama. Belinda Balluku, ish-shefja e zyrës së marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës kur ajo drejtohej nga Edi Rama, u emërua drejtoreshë e ALBCONTROLL. Emërime nepotike ka pasur dhe në diplomaci. Demokratët kanë akuzuar shpesh ministrin Ditmir Bushati për të tilla emërime. Një rast ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Odeta Barbullushi, e cila është kushërirë e parë e Bushatit. Emërime nepolitike ka pasur dhe në shumë sektorë të tjerë. Kliti Topalli