Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu në takimin e parë konsultativ për reformën në drejtësi ka folur hapur për “penguesit” e kësaj reforme. Lu tha se kësaj reforme i tremben ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët e korruptuar.
“Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi? Unë e di kush, ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë, dhe prokurorët që marrin paratë tuaja kur nuk e ndjekin penalisht dikë”, tha ambasadori amerikan.
Lu përshëndeti angazhimin e opozitës me ekspertët e saj në hartimin e ligjeve të reja si dhe i kthehu përgjigje një gjykatësi që ai nuk preferoi ta identifikonte me emër.
Duke bërë të qartë se SHBA mbështesin të gjitha propozimet për reformën në drejtësi, kjo reformë tha Lu do të largojë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë dhe do të krijojë shansin e parë për krijimin e një sistemi të pavarur nga ryshfeti, njerëzit e fuqishëm dhe krimi i organizuar.
Pjesë nga fjala e Donald Lu:
Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?
Unë e di kush, ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë, dhe prokurorët që marrin paratë tuaja kur nuk e ndjekin penalisht dikë.
Për shkak se Shqipëria është një demokraci e mirëfilltë duhet të ketë dialog të hapur dhe të sinqertë për të diskutuar nëse rekomandimet e ekspertëve janë reformat e duhura.
Jam inkurajuar se javën e kaluar, 7 ekspertë të zgjedhur nga opozita u angazhuan të punojnë për hartimin e ligjeve të reja.
Të dëgjojmë me vëmendje diskutimet dhe sugjerimet konstruktive për këtë reformë.
SHBA mbështesin plotësisht propozimet aktuale.
Kemi marrë pjesë në secilin propozim për ndryshimet kushtetuese.
Kjo është një reformë rrënjësore që do të marrë hapa për largimin e gjykatësve dhe prokurorëve të paaftë dhe të korruptuar.
Një gjykatës tha se vinte në dyshim se ndryshimet kushtetuese do të kompromentonin pavarësinë e gjyqësorit. Asnjë edhe një shqiptari vetëm nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur.
Jo i pavarur nga ryshfeti, telefonimit të drejtësisë, ku persona të rëndësishëm telefonojnë gjyqtarët për udhëzime si dhe jo i pavarur nga krimi i organizuar.
Kjo reformë do t’i japë Shqipërisë shansi e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë për herë të parë të pavarur.
Vlahutin: BE nuk do heqe dore nga reforma ne drejtesi
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin tha se është e ndërgjegjshme për frikën e shqiptare se reforma në drejtësi mund të dështojë, por ajo shprehu me forcë bindjen se Bashkimi Evropian nuk do të tërhiqet pas për të vijuar me këtë proces kyç për integrimin e vendit ton. Ajo thotë se ka grupe të cilave u intereson një sistem i korruptuar gjyqësor, por theksoi edhe një herë se “të heqësh dorë nuk është pjesë e politikave të BE”
“Dëgjoj shpesh që na thonë “Mos hiqni dorë”! Është e qartë për ne se ka frikë që kjo reformë mund të dështojë, mos të jetë e thellë, për arsye të grupeve të interesave që kanë interes të vazhdojë ky sistem i dështuar. Të heqësh dorë nuk është pjesë e politikave tona, qytetarët e Shqipërisë kanë thënë me zë të lartë se duan një demokraci me shtet të së drejtës me të drejta si në BE. Është e drejta juaj t’ja bëni atyre të qartë që ju zgjidhni që kërkoni reformë të plotë radikale dhe gjithëpërfshirëse. Pse duhet të ketë ndryshime? Ne këtë e dimë të gjithë “, u shpreh kreu i prezencës së Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Vlahutin tha se reforma do të “filtrojë” gjyqtarët dhe prokurorët e pakorruptuar që meritojnë të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë, dhe të vendosë se kush duhet të largohet.
“Një sistem drejtësie që funksionon e merr të mirëqenë që vetëm gjyqtar të pakorruptuar janë pjesë e këtij sistemi. Sistemi i drejtësisë duhet të kalojë në një proces transparent i të parit se kush janë gjyqtarët dhe prokurorët që meritojnë të qëndrojnë në këtë sistem. Por duhet vendosur edhe kush duhet të largohet. Duhet të përfitojnë vetëm më të mirët”, theksoi ambasadorja Romana Vlahutin.
A duhet të jetë reforma politike apo vetëm e ekspertëve të nivelit të lartë? Vlahutin argumenton se përsa kohë politika shqiptare ka shprehur vullnetin për ta çuar para këtë proces, BE e merr të mirëqenë se do të ketë besimin e tyre dhe nuk do të devijohet nga marrëveshja e komisionit të Posaçëm për këtë reformë apo rekomandimet e Komisionit të Venezias. Sipas saj, reforma në drejtësi duhet të kalojë përmes një procesi transparent dhe me përfshirjen e të gjithë aktorëve.
“Me kohën kjo reformë do të duhet të votohet në parlament dhe jo nga ekspertët apo ambasada. Në të gjithë takimet politikanët na thonë që i japin mbështetjen kësaj reformë kritike për zhvillimin e Shqipërisë. Megjithëse ka mbështetje politike për këtë reformë ne e marrim të mirëqenë që ata do të respektojnë marrëveshjen e arritur në komisionin e posaçëm dhe rekomandimet e Komisionit të Venezias. Duhet debat i hapur, dhe argumentet duhet të qëndrojnë brenda standardeve evropiane. Përmbajtja e standardeve të BE-së nuk mund të negociohet për këdo që do të bëhet shtet anëtar”, – u shpreh Vlahutin.
