Tashmë flitet shumë për hapjen e dosjeve, por megjithë shfryrjen e pritshme të mërive, shumë persona do të mbeten të befasuar se nga kush janë spiunuar në atë periudhë. Deri vëllai vëllanë, i fejuari të fejuarën dhe familjen e saj, gruaja burrin… Madje në një familje durrsake, sipas oficerëve të shërbimeve, tre vëllezër raportonin njëri-tjetrin, dhe po të njëjtën gjë kishin bërë edhe gratë e tyre. Një informacion i kryqëzuar dhe i kontrolluar deri në qelizë të jetës së objekteve…
Po krahas tyre, në periudhën e fundit të regjimit, prag viteve ‘90, është vënë re një degradim i sistemit të denoncimeve të tyre. Madje duke iu referuar një shkrese të shërbimeve sekrete, në atë periudhë ka pasur edhe bashkëpunëtorë sigurimi që kishin shkelur vetë ligjet. Janë rreth 26 të tillë që janë marrë në analizë dhe ndëshkuar vetëm në portin e Durrësit.
Gjatë leximit të këtij dokumenti, shihet se Sigurimi ka vërejtur për faktin që në atë periudhë kishte shumë bashkëpunëtorë të paaftë që nuk gëzonin besimin e objekteve dhe kontingjenteve. Për këtë veçohet Porti, si qendër e rëndësishme e kontakteve me Perëndimin nëpërmjet mjeteve detare dhe kontakteve me detarët e huaj. Për këtë në shkresën e Sigurimit foton e së cilës po e botojmë, veçohen rastet e konstatuara në sektorin e I-rë dhe të II-të të Portit. Vetëm në zonën e një punëtori operativ gjatë vitit 1988, janë tërhequr 5 bashkëpunëtorë. Si shembull përmendet “Tulipani”, pasi në ngarkim të tij ka pasur të dhëna për propagandë dhe vese. “Mbrojtësi” u tërhoq më 17.11.1988, pasi ishte me 2 xhaxhallarë të arratisur, me të dhëna të dyshimta e të pavërtetuara, vëren dokumenti. Për bashkëpunëtorin “Bora”, kishte një të dhënë për arratisje etj.
E veçanta e këtij dokumenti është se ai tregon se si Sigurimi kishte të dhëna që në rrjetin sekret të bashkëpunëtorëve mbaheshin persona në ngarkim të të cilëve kishin dalë të dhëna për veprimtari armiqësore, tendencë arratisje, agjitacion dhe propagandë, takim me të huaj (16 të tillë), si dhe veprimtari keqbërëse 10 të tjerë, si rastet e bashkëpunëtorit “Ndershmëria”, “Çakmaku”, “Delfini”, “Peshkatari”, “Çiçavica”, “Gjoksi”, “Fortesa”, “Guximtari”. Duke u nisur nga ky degradim në sistem, kërkohet që rrjeti sekret informativ të spastrohej menjëherë nga bashkëpunëtorët e paaftë , të papërshtatshëm, gënjeshtarë si dhe ata që kishin rënë në pozita armiqësore e keqbërës…
SPIUNI GËNJESHTAR
Lidhur me degradimin dhe tendencën e agjentëve për të gënjyer e dezinformuar shërbimet në dëm të objekteve që kishin në përpunim, një ish oficer i shërbimeve sekrete në periudhën e regjimit socialist, Ilir Malindi, tregon një ngjarje interesante. Ngjarja ka 2 protagonistë nga fshati Potom i Skraparit, ku njëri prej tyre ishte bashkëpunëtor i Sigurimit prej 16 viteve. Si rezultat i të dhënave që ai u kishte dhënë organeve të Sigurimit, 5 persona kishin përfunduar në burg për krime kundër shtetit. Nga këta, vetëm njëri e kishte pranuar pjesërisht akuzën. Lidhur me rastin e fundit, agjenti kishte raportuar për një bashkëfshatar, se objekti “B”, kishte tendenca për t’u arratisur. Në fakt objekti “B”, ishte një fshatar i varfër që kishte 6 fëmijë dhe që të gjithë vuanin nga uria kronike. Sipas Malindit, pas 6 muajsh periudhë në përpunim paraprak “A”, në bazë të të dhënave që jepte agjenti, filloi përpunimi aktiv “2A” për të saktësuar të vërtetën. Për këtë u organizua një kombinacion për ta kapur në flagrancë në tentativën e dyshuar për arratisje, personin me 6 fëmijë. Për këtë arsye, pasi ishin mbushur rreth 90 faqe raporte agjenturore të bashkëpunëtorit që e kishte në përpunim, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, u la detyrë që kjo tentativë të verifikohej nëpërmjet teknikës operative të përgjimit (TOP). Në zbatim të këtij urdhri iu dha si detyrë që nëpërmjet një kombinimi agjenturor të Sigurimit, të shkonin objekti dhe bashkëpunëtori në Ersekë, në Ndërmarrjen e Grumbullimit, për tërheqjen e një sasie produktesh agroushqimore për Ndermarrjen Ushqimore të Skraparit. Bashkëpunëtorit iu dhanë me vete edhe 5000 lekë (shumë kjo mjaft e konsiderueshme për atë periudhë). Të nesërmen arritën në Ersekë. U akomoduan në hotel ku iu dhanë një dhomë mjaft komode me pamje nga qyteti. Po në të ishin instaluar ndërkohë mikrofona përgjimi statikë. Ishte pasdite. Të
nesërmen do të shkonin, sipas kombinacionit, në Ndërmarrjen e Grumbullimit. Gjatë natës, deri në orën 01.00 ata po bisedonin. Në dhomën tjetër oficerët e Sigurimit të TOP po ndiqnin bisedën me kufje në vesh dhe po e inçizonin. Bashkëpunëtori, i porositur nga Sigurimi filloi bisedën kundër regjimit komunist dhe i kërkoi që të arratiseshin. Arratisja ishte lehtësisht e realizueshme sipas tij në zonën e Leskovikut, në rajonin kufitar të njohur si “Sarandopor”. Atje në afërsi të llixhave termale, mund të kalohej kufiri pa problem. Propozimin objekti “B”, jo vetëm që nuk e pranoi, por e këshilloi agjentin që të hiqte dorë nga këto tendenca e të ndërronte mend, se ndryshe do të përfundonte në burg. Madje në një moment ai revoltohet dhe i thotë provokatorit që të heshtte se ndryshe do të shkonte që ta denonconte vetë në Degën e Punëve të Brendshme. Pas kësaj bashkëpunëtori i Sigurimit e mbyll bisedën në pritje të ditës së nesërme.
Fisnikëria e të dëmtuarit
Fundi i ngjarjes. I dëmtuari nuk bie në pozitën e agjentit. Ai me shumë fisnikëri nuk pranon ta denoncojë atë, pas analizës që bëjnë organet e Sigurimit për arratisjen që sajoi agjenti i tyre në dëm të tij. Malindi tregon se si ditën e nesërme. Në orën 10.00 siç ishte lënë nga oficerët që monitoronin situatën e këtij kombinacioni, agjenti si rastësisht u takua me “Shefin e Furnizimit të Grumbullimit”, i cili ishte realisht oficer. Ata e lanë objektin “B” që të priste në një lokal sa të bisedonin së bashku për materialin që do të tërhiqej. Ndërkohë që objekti u fut në një kafene, agjenti u tërhoq në një takim mbi rezultatet e bisedës që bënë në hotel. Ai bëri edhe raport me shkrim mbi tendencën e objektit për t’u arratisur. Oficeri i Sigurimit vërejti se bashkëpunëtori gënjeu si në bisedë, ashtu edhe në raport duke u thënë se “B”, ai ishte i gatshëm që të arratisej. Kjo bëri që Sigurimi i Shtetit dhe personalisht, ish kryetari i Degës së Punëve të Brendshme , të skandalizohet nga dezinformimi i informatorit që po merrte në qafë njerëz të pafajshëm. Për këtë pas analizës paraprake në Degë u bë dhe një analizë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Feçorr Shehut. Ky dënoi faktin e ndodhur dhe kërkoi që objekti, që nuk pranoi të arratisej, të bëhej bashkëpunëtor, ndërsa bashkëpunëtori të merrej në përpunim. Ndërkohë u la detyrë që për të 5 personat e dënuar nga denoncimet e bëra nga dezinformuesi, të rishikoheshin raportet agjenturore të bashkëpunëtorit, të cilat shkruheshin në vetën e tretë, që edhe në rast se binin në dorë të dikujt, të mos kuptohej se kush e kishte shkruar.
… Prokurori Rrapi Mino, sipas Malindit, u skandalizua për këtë fakt dhe la si detyrë që në rastin e krimeve kundër shtetit, të ketë jo më pak se dy burime informacioni. Duke përfshirë krimet politike të asaj periudhe, terrorizmin etj. Në përfundim të kësaj historie, fshatari i denoncuar, objekti “B”, nuk pranoi që të bëhej bashkëpunëtor dhe kjo ndikoi që të ndërpritet arresti ndaj agjentit “mashtrues” të Sigurimit. Një rast i rrallë fisnikërie që arriti ta tregojë pa u hakmarrë edhe kur kishte shkelur si të thuash, në teh të thikës prej mashtrimeve të spiunit rrenacak…
Mark Brunga.

