Kategori
Uncategorized

Në emër të kujt po kërcënon Meta?

 

Bledi KASMI

Një kërcënim publik ka mbërritur në zyrat e shtetit nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë. Njeriu që do të duhet të ishte i fundit në kërcënime për sigurinë kombëtare dhe i pari në mbrojtje të saj ka bërë të kundërtën. Letra bëhet edhe më e rëndë, pasi ajo nuk është një plumb i postuar me zarf nga ndonjë individ me rekorde kriminale. Ajo është zyrtare. Me emër e mbiemër nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho.
Është e kuptueshme që baba Taku nuk ka këllqe për kërcënime të tilla të drejtpërdrejta, aq më tepër tani që i është rënduar edhe prostata dhe pastrueset e Kuvendit e presin me uturak sa herë bëhen mbledhjet e komisionit që drejton. Braho në atë letër është Ilir Meta. Po vetë Meta në emër të kujt po kërcënon?
A kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një presion të hapur drejtuar politikës që të tërhiqet nga hetimi i aferës në CEZ, apo kemi të bëjmë me një mesazh politik që kalon caqet e forcës që përfaqëson Meta dhe duhet kërkuar aty ku fijet e politikës lidhen me ato të mafies rajonale?
Nëse do të ishte thjesht dhe vetëm një mesazh politik, kjo nuk kishte nevojë që të adresohej zyrtarisht dhe në formën e presionit e të kërcënimit. Gjithkush nga aktorët politikë të sotëm e di forcën e LSI në Parlament, e di numrin e deputetëve dhe mund ta mendojë kahjen e votës së tyre.
Në rast se bëhet fjalë për një mobilizim militantesk për të kundërshtuar hetimin e aferës së CEZ, gjë e cila po lihet të kuptohet nga pasuesit e Metës, atëherë kjo është pesë me hiç, të cilën as vetë Meta nuk e beson se do të ndodhë. Votuesit e LSI janë klonuar në mënyrë të tillë pragmatiste që militantizmi i tyre nis dhe mbaron tek paga e vendit të punës apo përfitimet korruptive.
Nga mënyra se si ka reaguar dje Braho, më pas Manjani dhe më herët edhe shkrues të tjerë të Metës, të cilët po kërcënojnë se në rast se i shkohet deri në fund hetimit të aferës së CEZ, atëherë vendi do të destabilizohet, kjo lë të kuptosh se këtu po punohet për një skenar tjetër, atë të aktivizimit të miliona dollarëve të parave të krimit që janë pastruar pikërisht për të siguruar sot edhe mbijetesën politike të individëve që janë peng i këtyre lidhjeve.
Në këtë pikë duhet ndalur. Duhet lexuar mirë dosja e Kastriot Ismailiajt. Duhet parë mirë se çfarë ka përfaqësuar përgjatë këtyre viteve ky personash, duhet lexuar se në emër të kujt ka bërë biznes, kush kanë qenë ortakët e tij dhe çfarë përfaqësojnë ato jo vetëm brenda vendit, por edhe tek fijet e mafias rajonale.
Duhet bërë një skaner në të gjithë kompleksitetin e vet të asaj çfarë ka përfaqësuar Ismailaj gjatë këtyre 20 viteve, pasi aty janë emra të batakçinjve politikë të së shkuarës së errët, të cilët kanë djegur dhe kanë kryer masakra në këtë rajon. Ismailaj ka pastruar para mafiozësh, por edhe para individësh të shërbimeve sekrete të lidhur me kasapët e Ballkanit.
Milionat e pista të pastrimit të parave të Ismailjat, nuk kanë pasur si qëllim vetëm përfitimet ekonomike, por edhe kurorëzimin e krushqive politike që sollën të majtën në pushtet përmes blerjes masive të votave. Me ato para të pista janë blerë parti politike. Me ato para janë financuar aleanca politike për t’i shërbyer politikave të krerëve të këtyre rrjeteve të pastrimit të parave që kanë edhe koperturën e vet politike.
Sipas raportit të fundit të Institutit të Bazelit, një ndër organizatat më prestigjioze në studimin që i bën pastrimit të parave në indeksin e saj për vitin 2015 thotë se, Shqipëria është sot një nga 5 vendet kryesore në Europë, ku bëhet pastrimi më i madh i parave të mafias, krimit të organizuar, drogës dhe trafiqeve. Sot, Shqipëria ka ngjitur 15 vende për keq në këtë botë të errët të krimit krahasuar me dy vite më parë.
Pak kush i ka kushtuar vëmendje këtij raporti, por ajo çfarë duhet kuptuar prej tij është se vendi është kthyer sot në një parajsë të mafias, e cila blen deputetë, blen qeveritarë, por blen edhe parti politike. Për të mbrojtur këtë parajsë dhe për të mos e lëshuar pushtetin që i garanton asaj imunitet, kjo mafia është e gatshme që të nisë të veprojë me mënyrat e veta dhe të shpallë se mund të sjellë edhe destabilitet.

Lini një koment