Nga: MIMOZA KOÇIU*
Mua me zor nuk më mori njeri në punë. Kisha trefi shin e pagës aty ku isha dhe erdha këtu me një ideal, për të thënë që ky vend bëhet”, tha të shtunën Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, në një dalje publike para mediave. Fatkeqësisht, ky shpërthim idealizmi i kontrastoi fort me arrogancën e tonit, gjestikulacionin e tepruar dhe pamjen prej aksionisteje socialiste që nuk ka kohë as të kurojë pamjen e vet. Pa paragjykuar aspak “idealin” e drejtoreshës, operacioni kundër informalitetit është një aksion i domosdoshëm, edhe pse me dy vjet vonesë. Ndërsa “sakrifica” e saj dhe e shumë kolegëve të saj në politikë, që si profesionistë a biznesmenë të provuar, vendosën t’i përkushtohen “idealit” të së ardhmes së këtij vendi, më nëpërmendi dorëheqjen para një viti të një deputeti konservator, nënsekretari i Jashtëm në Britaninë e Madhe, Mark Simmonds. Dorëheqja bëri bujë për arsyen e shpallur të deputetit: paga prej afro 90 mijë sterlinash në vit, nuk i mjaftonte që të mbante familjen në një qytet si Londra. Debati vazhdoi me përllogaritjet e vetë konservatorëve anglezë, sipas të cilëve, për të hyrë në parlament shpenzimet e fushatës së një kandidati shkonin në rreth 35 mijë sterlina dhe se si humbësit ngeleshin me një vrimë të madhe në xhep.
Pa pretenduar krahasim me vendin e Manja Kartës, për shkak të distancës me vite dritë që në kulturën politike, nuk mund të mos parafytyrosh edhe distancën pasurore me politikanët tanë, të vënë teksa mbajnë poste publike. Edhe ata na e mbushin mendjen t’i votojmë se artikulohen si idealistë race, e sidomos kërkojnë më shumë se një mundësi për të përmbushur idealet e ëndërruara. Se përse u duhet më shumë se një mundësi, mjafton të shohësh shifrat e tyre pasurore në një memo konfidenciale të OSBE-së, që rrodhi të premten e kaluar në media, mbi politikanët e lartë dhe deputetët biznesmenë të kësaj legjislature.
A ishin surprizë ato që shkruheshin në atë dokument zyre të para një viti, me burime të hapura? Shumica e tyre qarkullojnë lirshëm në korridoret e politikës e medias, madje edhe në tryezat e kafeve të shoferëve e shoqëruesve të tyre. Madje, duhet thënë se burimet e memos së OSBE-së ishin të varfra në raport me sasinë e informacionit, që në shumicën e rasteve, protagonistët e qarkullojnë vetë për njëri-tjetrin si pjesë e luftës për influencë politike a ekonomike.
Por të përthithur siç jemi prej muajsh tashmë nga tema e dekriminalizimit, që për momentin duket ka në fokus personat me rekorde kriminale që mbajnë poste të larta publike e vendimmarrëse, kemi ngelur duke numëruar firot që po pëson mazhoranca, sidomos grupi parlamentar i Partisë Socialiste, nga individët me të kaluar të errët. Justifikimi i deritanishëm se elementë të fortë i duheshin Edi Ramës për të “ruajtur” votat dhe ardhur në pushtet, përveç skepticizmit të shëndetshëm, se janë ca si shumë të fortë si në parlament, ashtu edhe në listat e pritjes së Rilindjes, i shtohet vërtetimi i aludimeve të deritanishme, përmes shifrave që përmenden në memon e OSBE-së. Aty flitet për udhëheqës politikë e deputetë, që kanë pasuri me shumë zero edhe për t’u numëruar. 500 mijë euro, 800 mijë euro, 5 milionë euro, 15 milionë euro, 30 milionë euro, 50 milionë euro, 100 milionë euro dhe 200 milionë euro, që shkruhet se është pasuria e kryeministrit Rama.
Ato shifra, janë vërtet marramendëse për një vend kaq të vogël e të varfër, që edhe me këtë ekonomi të deformuar tregu, mbeten të pajustifikueshme. Dokumenti jep shembuj se deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e kanë blerë me shuma të frikshme mandatin që kanë.
Ato shifra janë ilustrimi më i mirë se përse janë shtuar kaq shumë biznesmenët në parlamentin e Shqipërisë dhe se si shtohen pandalur të ardhurat e atyre që kanë vetëm poste publike, pa qenë biznesmenë formalë.
Konkluzioni duket i thjeshtë, jo aq i panjohur, por i konfirmuar nga ai dokument i prodhuar në zyra ndërkombëtare: postet publike në këtë vend janë nxjerrë në shitje dhe, duke pasur parasysh praninë e personazheve të tillë, që pikë të fortë në jetëshkrim kanë milionat në euro, si në parlament, qeverisjen vendore e atë qendrore, kupton fare lehtë se klientë të kujt janë. E tingëllon jo thjesht cinik, por makabër patosi televiziv për luftë kundër korrupsionit, apo siç është trendi më i fundit, kundër evazionit apo vjedhjes, për të huazuar kryeministrin. Pa dyshim që, politikanët tanë kanë një kurajë shumë të madhe, për të shkelur mbi veten, e vënë maskën e moralistit, teksa janë autorët e një situatë të tillë.
Pyetja që nuk duhet të tingëllojë absurde për realitetin tonë është: përse një njeri me probleme me drejtësinë, të shlyera ose jo, qenka i papranueshëm, ndërsa ai që bën pazar me të, duke i ofruar një vend deputeti, kryetari a drejtori kundrejt pagesës, qenka burrë më i mirë? Duke u krahasuar nivelin formal të edukimit, i bie që i dyti, ai që ia shet ofruesit më të mirë vullnetin e qytetarëve që i besojnë, është më i keqi, sepse kryen korrupsion të pastër politik. Dhe, për më tepër, mbetet më i rrezikshmi, sepse ai ka në dorë fuqinë vendimmarrëse dhe vullnetin politik për të ndryshuar një situatë, që vetë e ndihmon veç të lulëzojë. Dhe nuk e kanë fare problem që të shtojnë pa kurrfarë mase qoftë edhe thjesht njerëzore, të tillë “klientë”, që nuk arrijnë as të artikulojnë një mendim, edhe kur ky u parapërgatitet me shkrim. Mjaft që të enjten parlamentare të ngrenë kartonin siç u kërkohet, ose për postet e tjera, të firmosin pa hezituar atë që u është urdhëruar.
“Transparency International”, organizata që mat nivelin e korrupsionit në botë e që na renditi vitin e fundit në vendin e 110-të, nga 175 vende të monitoruara, e përcakton korrupsionin si “një nga sfidat më të mëdha të botës moderne. Korrupsioni minon qeverisjen e mirë, deformon thellësisht politikat publike, çon në mosndarjen e burimeve të të ardhurave, dëmton sektorin privat e zhvillimin e tij dhe dëmton sidomos të varfrit”.
Ky definicion duket si i hartuar duke pasur parasysh këtë vend, ku postet publike, aty ku projektohet e ardhmja e vendit, me sa duket janë kthyer në biznes fitimprurës. Me këtë panoramë, sa besim mund të kihet te ky sistem, te këta vendimmarrës? Pyetja është retorike, por e vlefshme vetëm për zhgënjimin e radhës të profesionistëve që punojnë fort, në mënyrë të pavarur apo në sektorin privat, e që këto lloj shifrash pasurore mund t’i lexojnë vetëm nëpër dokumente të tilla, duke u përpjekur mundimshëm të mos çuditen, se si posti publik mund të shpërdorohet në këtë masë, kaq hapur e kaq paturpësisht, pa të hyrë gjemb në këmbë.
Kategori