TIRANE-
Deputetja e Partisë Demokratike e Qarkut të Kukësit, Mimoza Hajdarmataj në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” akuzon ma-zhorancën e majtë se po qeveris me paragjykime krahinore. Sipas saj qeveria me politikat e saj fiskale po penalizon Veriun e në veçanti Tropojën duke mos u akorduar fonde e duke i zhytyr në mjerim ekonomik.
Zonja Hajdarmataj Ju jeni deputetja e parë nga Tropoja në historinë parlamentare. A besojnë tropojanët tek gratë në politikë dhe çfarë do të thotë ky status për ju?
Të qënurit deputete pavarësisht korodinatave gjeografike të prejardhjes është përgjegjësi dhe prestigj sepse ti përfaqëson një trevë të tërë prej mijëra njerëzish. Sigurisht që kësaj përgjegjësie i vishet dhe e veçanta që ti shënohesh si e para femër në Kuvend për të përfaqësuar, mbrojtur dhe për t’i dhënë zë një krahine, që i ka dhënë shumë emër dhe dinjitet historisë së kombi tonë. Tropoja ka nxjerrë kreshnikë, trima të mendjes dhe pushkës, gra dhe burra të urtë e largpamës dhe sigurisht memoria historike e Shqipërisë në liri dhe demokraci lidhet dhe me ideatorin e arritjeve historike, birin e Tropojës, Sali Berishën dhe te pavdekshmin “Tribunin e Lirisë”, Azem Hajdarin. Kam qenë dhe mbetem me një lidhje shumë të fortë me Tropojën, jo vetëm për faktin se kam lindur, jam rritur dhe punuar dhe një pjesë të jetës sime atje, por dhe se karriera ime është përqëndruar në dimensione të ndryshme me jetën e kësaj krahine. Përfshirja në politikë nuk ishte thjesht një ambicie personale por një angazhim dhe detyrim më shumë për të dhënë kontributet dhe rezultatete mia për zhvillimin e Tropojës. Unë nuk i ndaj dot burrat dhe gratë në mbështetjen që më japin pasi Tropoja është një krahine ku të drejtat e të dy gjinive zbatohen dhe respektohen me shumë etikë dhe janë një shembull për t’u ndjekur dhe nga krahinat e tjera. Por unë do të përpiqem edhe më shumë që gratë nënat dhe vajzat e Tropojës të jenë edhe më të integruara dhe me status më solid si në familje ashtu edhe në profesione të ndryshme si në Bajram Curri, edhe në të gjithë Shqipërinë.
Cilat janë problemet që ka sot Tropoja dhe që ju i trajtoni në Kuvend?
Varfëria dhe papunësia, e çfarë është më e keqja mungesa e shpresës, si në të gjithë vendin janë plagët më të rënda sociale, që vuan më shumë Tropoja. Si deputete përpiqem që në çdo mbledhje të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe në seancë plenare të ngrej zërin për mangësitë dhe hallet e shumta të kësaj krahine, të cilat përkojnë dhe me hallet e të gjithë Shqipërisë. Aktualisht bashkia e Tropojës dhe ujësjellësi po përfundojnë zgjidhjen e furnizimit me ujë i cili u bë një gangrenë e madhe për shkak të thatësirës që solli uljen e prurjeve në burimin që furnizonte ujësjellësin. Pati përpjekje dhe punë shumë të madhe nga punonjësit, por çështja mbetet e pazgjidhur pasi menaxhimi i furnizimit me ujë kërkon ndërhyrjen e qeverisë qendore me vendosjen e matësave. Nuk pati asnjë reagim nga qeveria, kryeministri për kërkesat që i bëri kryetari i bashkisë, Besnik Dusha për këtë çështje. Ndërkohë një fenomen shumë i rëndë është pamundësia e qindra familjeve në nevojë dhe pikë të hallit për të paguar faturat apo kamatëvonesat. Dihet që kompensimi është i papërfllshëm dhe shpesh herë një e drejtë e mohuar. Ka një shpërfillje totale dhe arrogancë ne heqjen masive të ndihmës ekonomike duke ulur kështu në maksimum mundësinë për pagesa, shto këtu papunësine e lartë dhe mbytjen e biznesit të vogël që mezi arrijnë të mbajnë familjet si rezultat i taksave të larta dhe gjobave arbitrare. Çdo javë që unë takoj banorë në Bajram Curri përballem me histori dramatike, ku familjeve me të sëmurë, me të moshuar në mjerim total u priten dritat me javë të tëra. Kjo errësirë fizike nuk ka kurrësesi mundësi të vlerësohet si vendosje e shtetit ligjor, sepse shtet ligjor nuk do të thotë të persekutosh të varfrit, por të zbatosh të drejtat dhe ligjin për mundësi punësimi dhe shërbimi dhe në të kundërt për lehtësira për familjet në nevojë.
Do të ketë bashkëpunim mes qeverisë dhe bashkisë për zbatimin e reformës së re territoriale?
Piksëpari nga informacioni që unë kam kjo qeveri me ministrinë e Planifikimit të Territorit e kanë përjashtuar Tropojën dhe disa bashki te Veriut nga projekti ndërkombëtar për rregullimin dhe planifikimin të qendrave në këto bashki. A thua të jetë një shpërfillje e rastësishme politike apo se këto bashki që drejtohen nga të djathtët nuk mund të përbëjnë burim për abuzim dhe korrupsion të këtyre pushtetarëve Përsa i përket bashkëpunimit me ekzekutivin, përgjigja teknike e kësaj çështjeje i përket kryetarit të zgjedhur dhe këshillit bashkiak. Ajo çka mund të them politikisht është se Rama me qeverisjen e tij këta dy vjet ka diskriminuar dhe shpërfillur në mënyrë arbitrare problemet sociale të Tropojës që janë problemet jo vetëm të këtij komuniteti por të gjithë Shqipërisë nga Jugu në Veri. Përshembull marrim rastin e pamundësisë së pagesave të dritave në kohë reale. Ministria përkatëse por dhe qeveria në tërësi po çon drejt flijimit të jetëve kryefamiljarë sepse nuk kanë me çfarë të ushqehen dhe jo më të paguajnë faturat. Para dy ditësh në “Facebook”-un tim kam edituar një video ku jepen imazhet nga shtëpia e një familje tejet të varfër e cila figuron debitore në vlera mbi 3 milion lekë. Kërkesa e tyre për ndihmë është mundësia e shlyerjes me më shumë se 12 këste, përndryshe ata do ta harrojnë se si ndriçon llampa në shtëpinë e tyre. A thua po kërkojnë shumë nga qeveria e cila jep 34 mijë lekë ndihmë sociale, por ju kërkon 250 mijë lekë këst mujor? Kjo ka bërë që shumë familje dhe nga fshatrat e Tropojës të marrin rrugën me shumë sakrifica të emigrimit, që Rama e mohon pa ndrojë. Ose në rastin e sektorit të shëndetësisë kur ministri Beqja erdhi në Tropojë dhe pasi bëri show-n e radhës në ekrane me telemjeksinë apo me aparatura moderne dera e dhomës ku janë strehuar nuk është hapur sot e asaj dite e jo t’u kenë ardhur në ndihmë popullatës për ndonjë lehtësi në shërbimin mjekësor atje. Kësaj i thonë të tallesh me hallexhinjtë dhe nevojtarët. Për të kaluar tek një sektor po aq strategjik që është zhvillimi i turizmit. Rama dhe qeveria e kanë përqëndruar të gjithë vëmendjen e kompanive të tyre të interesave klanore në Bregdetin e Jugut dhe nuk kanë investuar asnjë lek në Alpe edhe pse Thethi dhe Valbona janë perlat e turizmit malor të Shqipërisë dhe më tej në Rajon.
Pra ju po thoni se po qeveriset me paragjykime krahinore?
Jam e bindur që ky kryeministër dhe kjo qeveri është pushteti i dhunës mbi bazën e ndasive krahinore, sepse në thelb filozofia e supermacisë dhe e imponimit të mentaliteteve të një komuniteti mbi një tjetër, është në themel të sistemeve dikatoriale. Të gjitha sjelljet e kësaj qeverie me Tropojën dhe Veriun, duke mos lëvruar asnjë fond dhe duke mos parashikuar asnjë projekt në ngritjen e infrastrukturës dhe shërbime publike, kanë vetëm një shpjegim “mllef dhe urrejtje”. Të majtët qysh në gjenezë e kanë patur fobi Veriun dhe për më tepër Tropojën qëndrestare të antikomunizmit.
A keni një qëndrim për dekriminalizimin e Parlamentit dhe vënien në shënjestër në përgjithësi të deputetëve të Veriut nga Rama?
Është një temë që duhet të shqëtësojë çdo shqiptar pavarësisht bindjeve partiake, Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i përfaqësimit të sovranit në një sistem demokratik parlamentar. Duke abstraguar nga fakti i të qënurit deputete, revoltohem që në parlamentin e vendit tim, njerëz me të kaluar kriminale të marrin vendime për interesat e mia si qytetare, familjes dhe fëmijëve të mi apo të gjithë shoqërisë sonë. Është një çështje ku duhet të kontribuojnë të gjithë me mendimet dhe të qënurit aktivë pasi Parlamenti është vendi ku vendoset e tashmja dhe merr rrugë e ardhmja e shoqërisë sonë. Në BE nuk hyhet me krim dhe korrupsion qeveritar, por me shtet dhe ligje, që janë në dobi të qytetarëve. Përsa i përket identitetit të deputetëve, krimi nuk çlirohet nga pesha e tij nëse vjen nga Jugu ose nga Veriu. Të vish në pushtet nëpërmjet të fortëve, e bën këtë se je mbështetës dhe favorizues interesash kriminale të atyre personave dhe jo të vendlindjeve të tyre.