Kategori
Uncategorized

Sejfulla Malëshova/ Njeriu që harresa e fisnikëron edhe me shumë

14UTclrJsfBfolSPcJ4hw6odiFP5U1Ha_FC3FJlQaQo

Në 115 vjetorin e lindjes së Sejfulla Malëshovës/ Njeriu që harresa e fisnikëron edhe me shumë

Agim Dade

Sejfulla Malëshova u lind më 19 korrik të vitit 1900 në fshatin Limar të Malëshovës së Përmetit. U nda nga jeta në Fier, më 11 qershor të vitit 1971, në moshën 71-vjeçare, i internuar dhe i braktisur, i lënë plotësisht në harresë. Ai do të binte viktimë e luftës absurde të klasave.

Kush ishte Prof. Sejfulla Malëshova?

Mësimet e para i mori në vendlindje, në Malëshovë, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në Kolegjin Shën Mitër Korona të Italisë, ku ka dhënë mësim edhe i madhi Jeronim de Rada. Pastaj vazhdoi universitetin në Romë, Fakultetin e Mjekësisë, për të përfunduar në Moskë, ku mbaroi për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. Nisur nga rezultatet e shkëlqyera që siguroi, u mbajt pedagog. Pak më vonë u organizua një konkurs për vendin e dekanit të filozofisë, ku u ftuan studentët e shkëlqyer të pesë viteve të fundit nga shumë kombe të botës. I bëjnë ftesë edhe Sejfullait për të konkurruar, ndër gati 150 konkurrentë.

Në mbarim të konkursit doli shpallja: Vendin e Dekanit të Filozofisë e fiton djaloshi nga Shqipëria, Sejfulla Malëshova. Kjo ishte një dhuratë dhe nder që i jepej Atdheut të tij të dashur, Shqipërisë.

Që në të ritë e tij, Sejfulla Malëshova u përfshi dhe u aktivizua gjerësisht në rrethet atdhetare, ku u dallua për shpirtin e tij të zjarrtë atdhetar; pjesëmarrës aktiv në lëvizjen për drejtësi e përparim shoqëror. Ai, vazhdimisht, do të ishte në krahun e vegjëlisë. Edhe pse fare i ri në moshë, u bë një emër shumë i njohur në rrethet patriotike dhe politike të kohës. Krijoi dhe mbajti lidhje të pandërprera me intelektualët më në zë të vendit. Sejfulla Malëshova që kur ishte në bankat e kolegjit, si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës shquhen aq shumë sa dy mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës shqipe, dy nga figurat më të mëdha politike të Rilindjes sonë, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët e konsiderojnë Lame Kodrën (emri letrar i Sejfullait) si dishepullin e tyre me vlerë, si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet shqiptare, si në Itali ashtu edhe ato të Federatës “Vatra” në Amerikë, dëshmojnë për punët, për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat e kulluara të patriotizmit të Sejfulla Malëshovës. Nisur nga përgatitja që kishte, doemos, edhe nga aftësitë që zotëronte, ish-kryeministri i vitit 1924, Fan Noli, e mori në kabinetin e tij qeveritar si kryesekretar të Kryeministrisë.

Së bashku me Avni Rustemin, si dhe me intelektualë të tjerë përparimtarë të asaj kohe, Sejfulla Malëshova luftoi për një Shqipëri demokratike të vegjëlisë. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve dhe të agallarëve, të feudalëve, e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Atëherë, ishte vetëm 23 vjeç. Fjala dhe pena e tij qenë trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe.

Demokrati antizogist

Sejfulla Malëshova, duke punuar dhe luftuar për Shqipëri dhe për popull, zgjedh rrugën e tij, formon bindjen dhe besimin e tij se vetëm populli, me forcat e veta, duke mobilizuar e organizuar të gjitha energjitë e tij, materiale dhe morale, do të sigurojë një Shqipëri të pavarur dhe demokratike.

Në dhjetor të vitit 1924, siç dihet edhe nga historia, Ahmet Zogu, i ndihmuar nga forcat serbe dhe ato bjellogardiste, rrëzoi me dhunë qeverinë e Fan Nolit. Në këto kushte, me qindra patriotë, me qindra demokratë shqiptarë, morën rrugën e arratisë dhe atë të mërgimit. Në mes tyre është edhe Sejfulla Malëshova. Ishte një largim i detyruar, mbasi mund ta pësonin, siç e pësuan shumë të tjerë, që i vrau Zogu në netët pa besë.

Por edhe në emigracion, në Itali, Austri, Francë dhe në kuadrin e Kominternit, Sejfulla Malëshova luajti një rol me shumë rëndësi me fjalët e tij, me shkrimet dhe punën e tij.

Agim Dade

Revolucionar i paepur

Që nga Moska, kryeqyteti i madh i botës socialiste, Sejfulla Malëshova shkruan, mediton, inspiron, punon për Shqipërinë e re dhe për popullin shqiptar. Me eksperiencën e madhe, të fituar në Moskë, ndriçohet gjithë aktiviteti politik i Sejfulla Malëshovës. Aty mësoi “Materializmin Historik” se si duhet luftuar më mirë për liri, për demokraci dhe për atdhe. Filozofia revolucionare bëhet një armë lufte në kokën e Lame Kodrës, poetit rebel; ajo e lidh për vdekje me të ardhmen dhe me përpjekjet vigane të popullit shqiptar për liri. Për të realizuar këtë aspiratë, Sejfulla Malëshova kryen edhe studime të larta politiko -ushtarake. Ai mbrojti disa grada shkencore, duke qenë bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, ku dha edhe leksione filozofie. Në Moskë, Sejfulla Malëshova mbajti pranë vetes shumë patriotë shqiptarë.

Më 1938 emigroi në Perëndim, fillimisht në Paris. Gjatë qëndrimit në Paris dhe në Lion, u njoh me shumë emigrantë politikë dhe ekonomikë, u miqësua me ta, sidomos me dr. Ymer Dishnicën, vëllezërit Gogo dhe Kozma Nushi, Ali Kelmendin, Qeriba Derrin, Halim Xhelon, Abaz Shehun dhe shumë patriotë e atdhedashës. Në Francë Sejfullai bashkëpunoi me shtypin që botonin emigrantët. Nga tribuna e shqiptarëve të Francës, që nga “Sazani”, Sejfulla Malëshova hedh parullën e bashkimit të popullit shqiptar në luftën kundër rrezikut të një okupacioni ushtarak nga ana e Italisë fashiste. Këtë kushtrim ai e hodhi veçanërisht me vjershën e tij “Vlora” po në atë vit, 1938. Sejfulla Malëshova i shkroi vjershat e tij rne pseudonimin Lame Kodra e që u bë i njohur nga të gjithë. Shkrimet dhe fjala e Sejfulla Malëshovës në atë kohë qenë busull lufte për lirinë dhe pavarësinë shqiptare, gjithë emigrantët e “Federatës së shqiptarëve të Francës”, e çmonin se ç’vlerë dhe rëndësi kishte fjala dhe shkrimet e Sejfulla Malëshovës në atë kohë. Që gazeta “Sazani” dhe “Federata e shqiptarëve të Frances” hodhën parullat e Luftës sonë Antifashiste nacionalçlirimtare, kjo i dedikohet, në radhë të parë, Sejfulla Malëshovës, zotësisë dhe inteligjencies së tij politike. “Që nga viti 1938 e deri në vitin 1943, Sejfulla Malëshova mund të quhet pa frikë lider i pakontestueshëm i përpjekjes sonë në emigracion dhe inspiratori i drejtpërdrejtë i luftës sonë”, – shprehej dr. Ymer Dishnica, shok lufte dhe ideali me Sejfulla Malëshovën si në emigration edhe gjatë luftës për çlirimin e Shqipërisë.

Në ballë të luftës për liri

Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939 nga fashistët italianë. Luftën e lavdishme të popullit shqiptar kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, Sejfulla Malëshova, si bir i popullit që ishte, e çmoi drejt me bashkimin e luftës sonë me koalicionin e madh antifashist, të udhëhequr nga Fuqitë e Mëdha: Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Bashkimi me këtë koalicion ishte i domosdoshëm, sepse kështu sigurohej pavarësia e popullit tonë, si një popull i vogël që jemi, dhe, për më tepër, mes fqinjëve shovinistë. Duke ndjekur nga larg atdheut luftën që po bënte për çlirim, biri i Malëshovës atdhetare nuk mund të qëndronte indiferent. Ai kthehet në Shqipëri dhe lidhet me këtë luftë heroike. Madje, pa takuar nënën dhe motrën e vetme, të cilat kishin pritur prej 20 vjetësh. Por i takoi më vonë, ilegalisht (kjo edhe për masa sigurie, sepse armiku e gjurmonte). Kthimi i tij në Shqipëri, pas 20 viteve, ishte veprim i një patrioti të madh, që e donte me shpirt popullin e tij. Pati edhe emigrantë të tjerë, por që nuk u bënë merak për fatet e popullit e të atdheut; këta pseudopatriotë qëndronin kafeneve të Europës, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Sapo erdhi në Shqipëri, Sejfulla Malëshova nuk shkoi salloneve ku bëhej “politika e madhe prej baballarëve të kombit” dhe në bashkëpunim me nëpunësit fashistë. Pa as më të voglin hezitim, Sejfulla Malëshova shkoi atje ku kërciste pushka partizane, në male, ku bijtë e thjeshtë të popullit luftonin me vetëmohim dhe heroizëm për çlirimin e atdheut.

Nisur nga përgatitja e tij politike dhe intelektuale e një niveli të lartë, si dhe nga kontributi që kishte dhënë deri në atë kohë në dobi të atdheut të vet, Sejfulla Malëshova zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. U bë menjëherë njëri nga kuadrot e lartë dhe të shquar të luftës. Veprimtaria e tij politike dhe organizative kontribuoi në zgjerimin dhe intensifikimin e luftës kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Fjala e mençur dhe shkrimet me frymë patriotike, si dhe vjershat e tij, u bënë burim frymëzimi për zemrat e fshatarëve, të punëtorëve dhe të rinisë së Shqipërisë liridashëse. “Në vjershat e Lame Kodrës shprehet fuqishëm aspirata shekullore për lirinë e popullit tonë. S’ka gëzim më të madh për një poet kur shikon se krijimet e tij ndezin zemrat e një populli për liri. Ai jetën e tij ia ka kushtuar popullit dhe ka sakrifikuar çdo gjë, që historinë ta bëjë vetë populli dhe jo rrethet e ngushta të të “zgjedhurve”, – është shprehur Dr. Selaudin Toto.

(Vijon nesër)

Nesër do të lexoni:

Pjesëmarrja e Sejfulla Malëshovës në luftë dhe vizioni i tij për Shqipërinë demokratike

Pikëpamjet për ekonominë dhe kulturën, përjashtimi nga partia dhe vitet e internimit në Ballsh e Fier

Një portret nga Nafiz Bezhani për personalitetin e shquar dhe pyetja: Pse u la në hije Sejfulla Malëshova?

Testamenti i Faik Konicës

vEXYJCUjqaJ6opEV2KH16gPBTSfYpsZgb1fELeITdvo“Të nderuar zotërinj! Ndrroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më kini kuptuar më qart në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, në se ti Imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptar nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuar Noli dhe ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.” Boston 1942.

Nasho Jorgaqi

Një episod nga internimi në Ballsh i Sejfulla Malëshovës

NSLnUfiklZoyDmXET4EivM6LTga8x5oe9it4b0OCJ7I…Sejfullai punonte magazinier në një degë të Ndërmarrjes Fruta-Zarzavate dhe banonte në një shtëpi-barake në fund të qytetit-fshat. Qe bërë, sipas tij njeriu më i çuditshëm i Ballshit. S’bënte gjë tjetër veç punë e shtëpi dhe shëtiste i vetëm rrugëve të pashtruara të qytetit të vogël. Rrallë shkonte ndonjëherë e lozte shah në një klub. Ndonjëherë dhe e provokonin. Kështu, tregonin se një fshatar i kish shkuar në punë e i kish thënë se “Dua të më bësh një samar për gomarin”. “Po kush të dërgoi”, e kish pyetur Sejfullai. Fshatari ia kish bërë me dorë nga tre veta që prisnin larg magazinës. Ai i kish vështruar dhe i qe përgjigjur. ”Unë bëj samar për ata që të dërguan ty dhe jo për gomarin tënd”.

Persekutimi i pamerituar i një atdhetari të madh

Para disa ditësh erdhi në redaksinë e DITA-s një burrë me pamje fisnike, me flokët krejt të bardhë dhe me një zë të ngrohtë na tha: “Mund të ma botoni këtë shkrim për Sejfulla Malëshovën? E di që është i vonuar, por për Sejfullain nuk është asnjëherë vonë. Ai kishte ditëlindjen para ndonjë muaji dhe… askush nuk u kujtua të thoshte një fjalë e të shkruante për të…”

Ky ishte Agim Dade, mik dhe i afërt me Sejfulla Malëshovën. Po më shumë se afërsia miqësore me Lame Kodrën, ai ndjente njëlloj detyrimi për ta përkujtuar atë si një personalitet që i përket të gjithë shqiptarëve, jo vetëm rrethit të ngushtë familjar.

Më 19 korrik të këtij viti u mbushën 115 vjet nga lindja e një prej figurave më të spikatura të historisë dhe kulurës shqiptare të Shekullit XX, Sejfulla Malëshovës. Absurde, por e vërtetë: asnjë aktivitet kulturor nuk u zhvillua me këtë rast, asnjë shkrim në gazeta, asnjë fjalë nderimi e mirënjohjeje për këtë njeri të madh që i dha aq shumë kulturës sonë. Gjithsesi, nuk ka asgjë për t’u çuditur. Kështu ndodhi këtë vit edhe me dy figura të tjera të mëdha, miq të Sejfullait, Faik Konicën dhe Fan Nolin. Faiku kishte 140 vjetorin e lindjes, ndërsa Noli kishte 50 vjetorin e vdekjes. Asnjë aktivitet nga Ministria e Kulturës për dy gjigandët e kulturës sonë. Shkroi Moikom Zeqo në ‘DITA’, por… kaq ishte pak për ta. Të njëjtin fat ndoqi dhe ky përvjetor i lindjes së Sejfulla Malëshova. Të jetë thjesht mungesë vëmendjeje, një harresë e paqëllimshme? Jo. Më shumë kjo harresë të kujton vazhdimin e persekucionit të pamerituar ndaj një atdhetari të madh…

Agim Dade sjell këtu dhe kujtimet dhe vlerësimin e avokat Nafiz Bezhanit të 24 viteve më parë. Për këtë, Agimi më tha shkoqur:

E botoj këtë artikull, në përkujtim të 115 vjetorit të Sejfulla Malëshovës jo pa qëllim. Po të ishte gjallë i ndjeri avokat Bezhani, do të shikonte se pikërisht ato organe shtetërore si Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, u takon ta ngrenë në piedestalin që i takon prof. Sejfulla Malëshovën, ministrin e parë të Kulturës, në pushtetin e ri demokratik. Por po vazhdon të lihet në hije kjo figurë e madhe patriotike dhe e kulturës së kombit shqiptar. Me këtë shkrim dua t’u kujtoj titullarëve të këtyre institucioneve se lënia në harresë dhe pa një organizim përkujtimor, nuk i nderon. Me keqardhje vihet re se janë bërë për figura që nuk e kanë merituar. Tek Sejfulla Malëshova jetonte një histori fisnike, një histori e vërtetë dhe e denjë për krenarinë e kombit tonë, për historinë dhe lumturinë e tij. /Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

SI E DUA SHQIPËRINË*

S’kam çiflig e s’kam pallate,
S ’kam dyqan me katër kate
Por e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Per një shkarpë e për një gur,
Për kasollen mi Selishte
Për dy ara në Zallishte,
Për një lopë e një gomar,
Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar,

Unë e dua Shqipërinë
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisat gjethe-shumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë.
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
N’ ato ferra e në ato hije
Këngë malli e dashurie.

Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhëmshëruar.

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça në Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmëndë dhe me shatë,
Mbjell e korr me diell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë
Ku nallbani e samarxhiu,
Kërrusen ditë e kërrusen natë,
Që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur e varela,
Këmbë-zbathur, bythë çjerrë
Punon vetë për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e në Janinë,
Ku një popull derë-zi
Heq e vuan robëri,
Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë
Si një revolucionar.

/Lame Kodra

*Kjo poezi është shkruar më 1939 dhe botuar në vitin 1941 në gazetën “Liria” në Amerikë. Ribotuar në “Vjersha” (1945, 1946) dhe në organe të ndryshme të shtypit.

Agim Dade.

Lini një koment