
Kryetari i PD në Gjirokastër, Roland Bejko, ka ndezur një debat të gjerë online, pasi deklaroi se gjashtë ish-ministra të PD kanë votuar kundër Halim Kosovës në zgjedhjet lokale.
Ai madje thotë se një ish-ministër ka financuar fushatën e Rilindjes.
Ish- deputeti Jemin Gjana i kërkon Sejkos që të japë emra.
“Nuk do e lodhja gishtin se mendjen duket se pak ia vlen me e lodhë. Mirëpo kur hasesh në komentues që pasi i kane ba të gjitha rolet, dalin nga udha e japin leksione, nuk rri dot të lexoj pa thënë një mendim: Ej burra dhe gra, a ban me folë me emra e me çështje te prekura rast pas rasti, se kështu duke i pshurrur të gjithë mos ta mendojë askush veten të palagur. Po të ishin disa pak me vese dhe gjithë pjesa tjetër me virtyte, ne do ishim tjetërsoj sot pas 25 vitesh. Në vitet ‘91 dhe ‘92 e kam pasur rastin të marr leksione amerikanësh në Parlament. Ata ishin politikanë të moshuar, mbushur me eksperiencën e një vendi të lirë në kuptimin e plotë të fjalës. Na thonin: “sa vite keni qenë nën komunizëm, aq vite u duhet të dekomunistizoheni”. Ne na dukeshin fjalët e tyre jashtë realitetit. Po më vërtetohen ato fjalë dita- ditës”, shkruan Gjana.
Por në përgjigje të komentuesve, Bejko thotë se nuk jep emrat, pasi nuk është etike.
“Në respekt të shumë qytetarëve që më kërkojnë të jap emrat, madje edhe të gazetarëve që më kanë telefonuar lipset të sqaroj se:
Nuk e kam problem të përmend emrat, por më duket jo etike. Qëllimi i këtij statusi nuk është të bëj “fletërrufe” para opinionit publik për sjelljet dhe qëndrimet politike të dikujt në zgjedhjet e fundit lokale.
Qëllimi i këtij statusi është të them se në demokraci lëvizja nga njëri krah politik në tjetrin, mund të jetë “legjitime”, por ama jo ç’do gjë që është “legjitime” është me pa tjetër dhe morale.
Ky është synimi i statusit tim, pastaj sekush ka shembujt e vet, në nivel qëndror apo në atë lokal. Kjo pak rëndësi ka.
Dihet që individualizmi për të djathtën është shumë i rëndësishëm, por kur individualizmi kthehet si qëllim në vetvete në natyrën e individualizmit thellësisht materialist (i njohur si individualizmi etik), duke shkelur mbi çdo normë, rregull, parim, ligj, kod etik apo moral, me parimin se pas meje qameti u bëftë, ai mbaron së qeni një individualizëm që noton në liri, për të qenë më tej një monstër e korruptuar!
PD është forcë e qendrës së djathtë, dhe morali si parim dhe normë është dhe në mos është duhet të jetë ADN-ja egzistencialiste e saj.
Kur morali përdhoset në këtë mënyrë, ai krijon kosto të lartë elektorale. (Fitim Zekthi e ka trajtuar bukur këtë temë, sot te gazeta “Mapo”).
Edhe pse ky fenomen ishte më atipiku i këtyre zgjedhjeve, i kryer nga njerëz që duan të mbrojnë privilegjet e fituara para 2013-ës, nuk mund të them se humbja e lokaleve ndodhi vetëm për këtë arsye”.
