
Për disa ditë me radhë shkruam se Serbia është ajo që po ndihmon dhe madje mund të jetë përgjegjësja kryesore për shfaqjen e islamit radikal në Kosovë dhe tani të ISIS-it. Madje tani Serbia po kënaqet kur po sheh frytet e shërbimeve të saja inteligjente në territorin e Kosovës.
Arrestimet e pesë shqiptarëve, eprorët e të cilëve nuk mund të mos jenë të tjerë veçse oficerë të shërbimeve inteligjente serbe, i kanë dhënë jehonë mediat në Serbi, duke propaganduar se ja, Kosova është vatra e re e ISIS-it, dhe bile prej nga po projektohet të sulmohet Serbia.
Pra, serbët e dinin se në Kosovë do të krijohet ISIS-i, atëherë kur nuk kishte fare, e dinin se do të arrestoheshin, dhe tash e dinë se prej tyre do të sulmohen.
Dhe nuk kanë se si të mos e dinë, sepse e gjitha po rrjedh sipas skenarit serb. Financuan për vite të tëra së bashku me arab dhe shërbime të tjera, zhvillimin e një fryme radikale islamike që as nuk ekzistonte në Kosovë, përveç disa celulave të vogla, që i kishte krijuar Serbia millosheviçiane, për ti përdorur për kohët e reja, pas ndarjes së Kosovës – pavarësimit.
Pastaj këto celula radikale u rritën dhe u shtuan pabesueshëm e vrullshëm, meshkuj dhe gra që vraponin nëse jo pas pornofilmave, sigurisht duke zbuluar çdo hir të tyre, njerëz që nuk kishin lexuar kurrë më shumë se një libër shqip, dhe që për pak para filluan të lexonin kuranin, të vishnin pantallona të shkurtra dhe gratë të mbuloheshin, pavarësisht triumviratit me djallin që kishin pasur, tash po kalonin në një djallëzi të re.
Kështu që shumë shpejt, gjërat shkuan në një rrjedhë të papritur për ne, të hutuar pas vlerave të ëndërruar që do të ofronte për ne bashkësia ndërkombëtare, e cila Kosovën do ta kthente në parajsë, meqë për neve kishte hyrë në luftë me Serbinë, nuk do mend se më lirë do ti kushtonte paqja të na ndihmonte, që ne të ishim njerëzit më të lumtur të botës, ani pse as punonim, dhe as po nguteshim ta krijonim shtetin, dhe pas krijimit të tij ta forconim shtetin ligjor dhe demokracinë.
Kështu që në këtë kaos, duke pasur Kosova shërbime ilegale katastrofale inteligjente si SHIK-u, pjesëtarë të cilit me shumë gjasa do të ktheheshin edhe në informator të Serbisë, dhe kështu që do të kishin në dispozicion paratë e veta dhe më të shumtat të arabëve, dhe ndihmën inteligjente të ndonjë vendi mik europerëndimor, dhe ngadalë, por sigurt do të krijonin mbështetje të fuqishme për të krijuar skenarin, fatkeqësinë dhe tragjiken e të cilit tash po e ndjejmë.
Tash kur ndodhën pesë arrestimet në liqenin e Badovcit, u lëshuan trumbetat serbe, Kosova ka celula ISIS-i, nga Kosova do të sulmohemi. Pra, ajo që kishim paralajmëruar se këto celula po krijohen nga Serbia, për “t’i demonstruar botës se Kosova është vendi më i rrezikshëm në Europë, dhe çerdhe e ekstremizmit radikal islamik”, po ndodhin.
Esenca e të gjithë këtyre thirrjeve tona ishte se shqiptarët para se të integrohen në këto grupe radikale islamike duhet ta dinë se nuk po i shërbejnë islamit, por para së gjithash djallit serb për ti shkatërruar shtetet shqiptare dhe gjithë shqiptarinë! I. M.