
Ndërkohë që drama greke vazhdon, pasanikët janë sulur mbi Greqi për të blerë ishuj me çmime të lira. Pas aktorit të njohur Johnny Depp, Spiegel raporton se edhe miliarderi i njohur amerikan, Warren Buffett, ka dalë për pazar në Greqi. Qëllimi i njërit prej njerëzve më të pasur në botë është që të blejë prona të patundshme. Sipas Spiegel, ai e ka blerë tashmë një ishull për 15 milionë euro. Bëhet fjalë për ishullin Agios Thomas. Ishulli është 40 minuta larg Athinës me taksi ujore. Sipas Spiegel, pas krizës, çmimet e ishujve grekë kanë rënë në mënyrë drastike. Revista shkruan se për 1.6 milionë euro mund të blesh një mini-ishull. Por kaq kushton një banesë në disa prej qyteteve të mëdha në botë. Ndërkohë pasanikët rusë janë vërsulur po ashtu për të blerë ishuj. Në vitin 2013, vajza e oligarkut rus Dimitri Ribolovlev bleu ishullin Skorpios për 158 milionë dollarë.