Kategori
Uncategorized

LIGJI I DOSJEVE:Kush ka me shume spiune, qeveria,apo opozita!?

Nga  Gjergj Thanasi…

Tashmë ligji Veliaj për hapjen e dosjeve ka hyrë në fuqi, madje ka filluar edhe puna praktike me aktet nënligjore, rekrutimin e burimeve njerëzore etj për zbatimin e këtij ligji. Ish ministri Veliaj duke e besuar legjendën urbane, që PD-ja ka në elitën drejtuese të saj shumë më tepër ish spiunë Sigurimi se PS-ja, urdhëroi vartësit të punonin me zell për hartimin e projektligjit në fjalë, duke shpresuar të nxirrte përfitime politike nga zbatimi i ligjit. Fatkeqësisht legjenda urbane nuk është e vërtetë. Hapja e dosjeve dëmton më shumë PS-në dhe aleatët e saj (LSI-në) sesa PD-në. Ish ministri Veliaj njëlloj si Sanco Pancoja i penës së Servantesit, nga zelli i madh për t’i shërbyer “ustait” të vet jo Don Kishotit, por Kryeministrit Rama, i ka hapur këtij të fundit telashe pa fund me ligjin e hapjes së dosjeve. Këtë konstatim tonin do ta detajojmë në vazhdim.

Ligji për dosjet vërtet prek ish ministra të Berishës, vërtet prek deputetë aktualë të PD-së, por përgjithsisht të prekurit nga ky ligj në PD ose janë limonë të shtrydhur, të cilët Berisha dhe familja e tij nuk i ka fare problem t’i hedhë në kosh, ose janë të ashtuquajturat zëra kritikë, kundra trashëgimtarit të Berishës në PD-së. Të tillë zëra kundra artikuluar nga ish spiunë e spiune, që e bezdisin Berishën me zukatjet e tyre në parlament apo studio televizive, normalisht do të dilnin jashtë poltikës nga ligji i dosjeve. Në këtë rast ligji “Veliaj”, jo vetëm nuk do ta dëmtonte Berishën, por do t’i bënte nder duke ia pastruar oborrin e selisë së SHQUP-it nga gjithfarë hithrash e ferrash.

Për të provuar që ligji më shumë bën zarar majtas se djathtas mund të sjellim edhe shembullin e dosjes hetimore të të ndjerit Kadri Hazbiu. Në të ka materiale (pyetje dëshmitaresh si psh. sekretarja Eli, ish zv/ministri i punëve të brendshme Rexhep Kolli, apo një sigurims me mbiemrin Banushi, ish spiun i OVRA-s italiane), ka të dhëna jo plotësisht konkluzive për mundësinë që ministri Kadri Hazbiu të ketë pasur dy fëmijë ilegjitimë. Njëri prej tyre sipas indicieve është një ish ministër i Berishës aktualisht deputet “blu” dhe tjetri kanakari i rradhës i Kryeministrit Rama. Në këtë rast kush dëmtohet nga publikimi i pasazheve të dosjes hetimore të Kadri Hazbiut?!  Vallë Berisha, që nuk e ka dashur kurrë, që e ka urryer e është përpjekur t’i bëjë gropën ish ministrit të vet, apo Kryeministri Rama, që një mëngjes sapo të hapë sytë mund të mësojë nga emisioni “Koha për tu zgjuar”, se bashkëpunëtorin e vet e ka kopil në kuptimin fiziologjik jo figurative të fjalës? A nuk dëmtohet pakëz reputacioni i Rilindasve të Ramës, që na rezultojnë kopilë të ministrave të diktaturës komuniste?

Monopoli i dosejve tashmë është oligopol

Rama me mendjelehtësi mund të përpiqet t’i evitojë telashet e mësipërme  duke bërë hapje selektive të dosjve, por dosjet vecanërisht pjesë të tyre, që mund të përdoren për shantash, që mund të dëmtojnë mazhorancën deri në rikompozim kabineti,nuk janë vetëm në duart e Ramës, por edhe të Berishës. Të tilla dosje pjesërisht janë edhe në duart të personave të tjerë. Besoj se Berisha për shkak të emërimeve të sakta të njerëzve mjaft të aftë në arkivat e dosjeve (si të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe të SHIK-ut) ka më shumë materiale, më pikante e më të mirë sistemuara se c’mund të gjejnë të emëruarit e Ramsë si fjala vien e biri i dashnorit të Shane Mudës.

Njëlloj si në një lojë shahu, sapo Rama t’i hajë Berishës një ushtar d.m.th. një deputet “blu” ish spiun Sigurimi, do të humbi një “torrë” d.m.th. një ministreshë në kabinet. Nëse Rama do t’i plagosë një “kalë” Berishës duke përdorur dosjet, menjëherë katër, pesë “gomerë apo kërricë” të Ramës do të shkojnë po për lesh bubi me bërjen publike të materialeve pikante nga këto dosje për to apo për familjarë të tyre. Në këtë kontekst i kujtojmë Kryeministrit Rama se si ambasada serbe në Tiranë e bëri memec një deputet socialist, që herë pas here në parlament e nëpër gazeta gërricej me trafiqet e armëve serbe apo të trafikantëve serbë të armëve, që vepronin në Shqipëri. Serbët thjesht i treguan “bilbil gjyzarit” deputet rozë foto të shkurt-marsit  të vitit 1956, ku e ëma e tij bënte kollotumba në dhomat e Hotel Dajtit me Rexhep Xhijën, diplomatin spiun të Legatës Jugosllave në Tiranë.

Njëlloj si ish-deputeti i mjerë me nënën qeflie edhe “hyzmeqarët” ministra, deputetë, gjeneralë, drejtorë e ambasadorë të Ramës me publikimin e materialeve të ndryshme të dosjeve nga opozita e Berishës do të shndërrohen në gazin e botës, duke i shkaktuar dëme të parparueshme imazhit të Rilindjes së Ramës. Hapja e dosjeve do ta ngrejë stekën e shantazhit por edhe  të degjenerimit publik të spiunëve në një stad mjaft më të lartë se sot. Spiunëve prej kohësh nuk u bën përshtypje tu përmendësh pseudonimet, sepse thjesht u ka plasur cipa. Nëse spiunëve u boton faksimile të spiunllëqeve të tyre me emra konkretë, me spiunllëqe konrete, atëhere ato i shndërron menjëherë në pengje të tuat, apo i djeg si figura publike. Tipik ishte rasti i Prec Zogajt, që as nuk skuqej e as nuk zverrdhej, kur përmendej “Cifetlia” në parlament e në gazeta, por kur deputetja Mesila Doda përmendi gjatë emisionit të Fevziut emrat e disa prej të spiunuarve nga “Ciftelia” madje që në kohën, kur “Ciftelia” ishte ushtar, intelektuali i ekuilibruar dhe tolerant, poeti Zogaj u bë bishë e filloi kërcënimet me libër shtëpie. Ca kohë pas këtij episodi “Ciftelia,” që egërsisht sulmonte bajlozin e zi Sali dhe lavdëronte Shpëtimtarin e Shqipërisë, piktorin Rama, e ndërroi melodinë duke sulmuar Kryeministrin Rama si autoritar, të dështuar etj. Shkurt puna: Dallëndyshe-Cifteli ktheje ndryshe se përndryshe të doli dosja e spiunllëqeve në pazar. Konkluzioni: spiunëve të kampit të Ramës edhe të Berishës xhanëm po t’u përmendësh apo tu botosh episode konkrete të spiunllëqeve të tyre i zvetënon dhe i neutralizon njëkohësisht duke i degjeneruar politikisht.

Rasti studimor “HOLTA”

Që ligji Veliaj për hapjen e dosjeve është një autogol spektakolar në portën e Kryeministrit Rama ilustrohet më së miri me rastin studimor (Case study) HOLTA. Rama për nevojat e tij klienteliste, kërkon që ta heqë pensionistin Neritan Ceka nga posti i Ambasadorit të Shqipërisë në Itali. Rezistenca e Presidentit Nishani për të mos firmosur cemërim-emërimin e Ramës e detyroi Kryeministrin të presë Ligjin Veliaj për ta shkarkuar Cekën për shkak të qenies së tij spiun Sigurimi. Fakt ky, që është provuar me një sërë dokumentash si psh. deklarata e bashkëpunimit e Neritan  Cekës me Sigurimin me material detyrues (historia e reperteve arkeologjike të varreve të Selcës në Mokër), shënimi si BP (spiun Sigurimi) i Cekës në kartelën e tij në Degën e vizave, kur do dilte jashtë shtetit për në Gjermani, faksimilja e informacionit me shkrim të Neritanit për vizitën në shesh gërmimin në Apolloni të një familje franceze me dy automjete thuajse 50 vjet më parë etj. Kur Neritani ish-ministër i punëve të brendshme nuk arriti dot të zhdukte cdo gjurmë të dosjes së spiunllëqeve të veta, mos t’u gënjejë mendja spiunëve të tjerë se ata vetë apo ustallarët e tyre ua kanë zhdukur dosjet!

Kjo histori me spiunë shndërrohet në një parodi të pagëlltitshme si supë spitali, kur Rama spiunin e Sigurimit Ceka ka ndërmend ta zëvendësojë me bashkëshorten e spiunit të Sigurimit me pseudonimin “HOLTA”. Sapo ky emërim të hyjë në fuqi, normalisht Berisha do bëjë publike dosjen e Holtës duke ia djegur Ramës së ngratë emërimin pa marrë ende agrementin nga Farnesina italiane.

Në këtë rast nuk do kemi vetëm një djegje ambasadoreshe por edhe një degjenerim publik të Rilindjes së Ramës, e cila nga populli do të përfytyrohet si progres, sepse spiunët e Sigurimit do të zëvendësohen nga bashkëshortet e spiunëve të Sigurimit. Prestigji i Shqipërisë do të goditet rëndë  në Italinë fqinje, mike e partnere speciale. Normalisht në të tilla raste për ta goditur sa më fort Ramën si firmosës të emërimit të ambasadoreshë, do botohen hollësi të dosjes Holta si fjala vjen dëshmia në hetuesi në vitin 1982 për grupin armiqësor të Fiqirete Shehut (gjegjësisht të birit Bashkim Shehut), spiunllëqe të ndryshme për anëtarë e kandidatë të Byrosë Politike të BRPSH-së etj. Vërtet sigurimsi Visar ka kohë që ka vdekur nga kanceri në fyt, por në dosjen e tij të punës gjen materiale me vlerë për tu përdorur pas 30 e kusur vjetësh në luftën politike. Gjithsesi rasti studimor “Holta” ia vlen të trajtohet në një artikull më vete të shoqëruar me faksimilet e 4-5 spiunllëqeve të tija si edhe të deklaratës së bashkëpunimit të Holtës me Sigurimin e ShtetitDosjet dhe goditjet e aleatëve

Hapja e dosjve mund të godasë edhe ndonjë aleat pa peshë të Berishës. Punë e madhe nuk bëhet qameti, që i biri faturinos, që në demokracii ka lyer duart me miell të bardhë, me barut të zi e me gjak të kuq, në diktaturë na paska qënë ca spiun Sigurimi. Fundi i fundit fakulteti i “urithëve”dihet se ka qenë plot me Notarë me Corape, Naftëtarë në Zarfa Poste, Plepa të Gjatë apo Patate Shtiqni.

Në rastin e aleatëve të Ramës hapja e dosjeve automatikisht con në rikompozim të qeverisë (cabinet reshuffling). Nëse dosja e Kungullit del mbi ujë duke marrë me vete profesorin kastravec bujqësor apo përkthyes shoqëruesin, një zot e di se cfarë ngjet me Qeverinë Rama apo edhe me stabilitetin e Shqipërisë.

Kriza qeveritare

Le të imagjinojmë në vjeshtën e ardhshme Ramën duke publikuar në mediat pranë tij spiunllëqet e Alfons Ballshës te Fabrika e qelqit Kavajë apo në Komitetin e rinisë. Le të imagjinojmë Ramën duke publikuar shkresa të Sigurimit për pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit (para vitit 1990) të një deputeteje të PD-së për të shkuar bashkë me burrin në Itali “për nevojat tona” sic shkruhet në shkresë. Le të botohet edhe Lista e pasagjerëve e Tragetit Tiepolo me emrin e deputetes në të. Le të publikohet edhe spiunllëku i pastrueses së komitetit për deputeten vajzë të re, që hyri në zyrën e shokut Sulë për të kërkuar një të drejtë studimi. Pak rëndësi ka për Berishën se kjo limonja e shtrydhur u dekonspirua si spiune Sigurimi. Për të ka rëndësi, që mileti i Arnautllëkut të tallet me të birin e shokut Sulë, që u bë vezir rilindas me një ferman a irade të Sadrazem Zografit Ramë!

Kjo puna e dosjve, nëse përdoret me marifet nga Berisha, mund ta cojë Kabinetin Rama në një krizë të vazhdueshme qeveritare. Le të përfytyrojmë për një cast se nga botimi i pasazheve të dosjes hetimore të ish-ministrit Kico Ngjela, një anëtar(e) e Kabinetit Rama do dorëhiqet se e ëma do shndërrohet në barsaletë në Tiranë e në gjithë Shqipërinë. Menjëherë Rama do ta zëvendësojë me një taze-aleat. Berisha, sapo aleati të bëjë betimin si ministër, do i botojë shënimin, që gjendet në një shkresë të Degës së  vizave, që ministri na paska qenë rekrutuar spiun, që para se të shkonte në Itali për specializim. Më pas mund të botohen edhe ca spiunllëqe të tijat në Itali, ndonjë  vijë sjellje e sigurimsit diplomat në “Via Asmara”, që në kohën e Pirro Bitajt, para se ministri ynë i shtatorit të ardhshëm të shkonte për specializim.

Kabineti Rama do hyjë në krizë të vazhdueshme. Një herë në dy-tre javë do plasë skandali për kungullin spiun, për kastravecin bujqësor gjithashtu spiun,apo  për anëtarin e Kabinetit Rama, që ndër të tjera ka spiunuarnë edhe Elisabetën me të shoqin Jean Paul Champseix etj. etj. Shqiptarët do të zbaviten me estradën qeveritare, sepse cdo dy tre javë do japë dorëheqjen nga një ministër i Qeverisë Rilindëse. Nëse kësaj estrade ministrore do t’i shtojmë edhe materiale nga të dosjeve për prindër, vëllezër e motra të ministrave e ministreshave, nëse do shtojmë edhe dekonspirim pasazhesh të tëra nga dosjet e të tjerëve spiunë në rrangje më të ulta të administratës Rama, atëhere me të vërtet ligji Veliaj për dosjet do të shndërrohet në një autogol spektakolar në portën e Kryeminsitrit Rama. Ditët në vazhdim me siguri do të karakterizohen jo vetëm nga temperatura të larta të motit por edhe të politikës. Zjarrmia e dosjeve me siguri do rrisë temeraturën e politikës shqiptare.

Lini një koment