
Prestigjiozja franceze Le Monde zbardh aferat e Ramës me Tony Blair. Këshilltari i Kryeministrit shqiptar, Toni Bler është vënë sërish në qendër të vëmendjes së shtypit perëndimor si një njeri që ka fituar imazhin e atij që ndihmon regjimet e diktatorëve satrapë, në këmbim të shumave marramendëse të parave. Po këtë herë është një investigim i gazetës së referencës në Francë. “Le Monde” zbardh shumëçka nga skema se si funksionon makina e parave Bler. Madje aty përmendet edhe Shqipëria si një nga vendet ku burri bën lobingun dhe gruaja me kompaninë e saj merr paratë. Kaq thotë “Le Monde”. Si është përfshirë këtu kompania Omnia Strategy e Cheri Blair dhe se si është ndjekur fiks e njëjta skemë e dhënies së parave si në shtetet autoritare si Kazakhstani, Raboni apo Ruanda. Por fillimisht le të shohin seç shkruan “Le Monde” në këto pasazhe të përzgjedhura nga Lapsi.al. “Kush nga qiraxhinjtë e 19 Downing Street ka mundur të bjerë nga maja e piramidës në humnerë? Askush tjetër veçse Toni Blerit, popullariteti i të cilit shkonte në 70% në vitin 2003, ndërsa sot është politikani që britanikët dashurojnë më shumë…ta urrejnë”. Sipas shkrimit të “Le Monde” (me autorë: Beniamin Barthe dhe Philipphe Bernard) ikona e Kryeministrit të ri dhe me kurajo i ka lënë vendin Imazhit të zvogëluar të një njeriu që i shërben satrapëve më të madhej të planetit, duke përdorur portofolin e tij të adresave për të plotësuar pasionin më të fundit: paranë. Dhe këtu është pika më e rëndësishme që na intereson edhe ne shqipëtarëve. E përditshmja e referencës franceze shkruan: “Edhe funksionet publike për të cilat ai nuk pranon të paguhet, nxisin neveri ndaj figurës së tij”. Në qendër janë abuzimet. Pak kohë më parë, gazeta britanike “Daily Mail”, raportoi se një grup ish-ambasadorësh britanikë kishin kërkuar shkarkimin e tij si i dërguari special për Lindjen e Mesme me pretendimin se ai ngatërronte biznesin me diplomacinë. Një arsye tjetër ishte se, vetëm se Bler i kushton kontribuuesve britanikë plot 125 000 mijë stërlina (178 000 euro), sepse ai duhet të ruhet ende nga një armatë me 12 badigardë. “Le Monde” jep një shembull tipik se si ky ish-Kryeministër përdor lidhjet e tij për të bërë biznes. Fjala është për kompaninë telefonike “Watenya” në vitin 2007. Kjo kompani kishte marrë një licensë nga autoritetet e Ramallahut për të ushtruar aktivitetin e saj në territoret palestineze. Por, ushtria izraelite refuzonte t’i jepte frekuencat. U deshën afro dy vjet e gjysmë lobim i fortë nga Bler, që ajo ta arrinte këtë. Por, ajo që u morr vesh më pas qe e çuditshme. Financuesja kryesore e kompanisë telefonike qe banka JPMorgan. Po e njëjta bankë që e paguante Toni Blerin me 2 milionë stërlina në vit si këshilltar. Por, ajo që nënvizon “Le Monde” është se çifti që Bler krijon me gruan e tij Cherie, 60 vjeç, është një makinë e vërtetë parash. Në një libër të dalë në Londër, Blair Inc me autor John Blake pretendohet se pasuria e dyshes Bler shkon në 85 milionë euro. Pikërisht për këtë ish-Kryeministri refuzoi të bëhej pjesëtar i Dhomës së Lordëve vetëm që të mos publikonte pasurinë e tij. Dhe një pjesë e kësaj pasurie është bërë sipas “Le Monde”, duke pasur si klientë shefa shtetesh aspak demokratë si kongolezi Joseph Kabila, ruandezi Pol Kagame, Alpha Conde i i Guinesë dhe Nursulltan Nazarbaievi, që vazhdon të jetë president i Kazakistanit që prej vitit 1990. Madje, Bler është përdorur edhe në një spot promovues të Kazakhstanit, ku nën sfondin e një dielli që ngrihet dhe të një harpe, ai përgëzon performancat ekonomike të këtij shteti autokratik. Duke përfituar 7 milionë stërlina në vit, ai e këshillon diktatorin në komunikim. Por le të kthehemi sërish tek gruaje e tij, Cheri, e cila sipas burimeve të Lapsi.al tashmë ka marrë një shumë të mirë parash nga buxheti i shtetit shqiptar.
Aktivitetet e Cheri Blair për klientët e bashkëshortit
Cheri Blair ose Cheri Booth, me emrin e saj të vajzërisë, praktikon të njëjtat aktivitete si i shoqi (investime në miniera, në naftë në këshilla strategjike, për qeverisje dhe për siguri), shkruan gazeta. Por ajo nënvizon një gjë, që nuk mund ta anashkalojë interesin e lexuesit të Lapsi.al. Pasi tregon se si ajo i braktisi aktivitetet e saj në bamirësi për të hapur kompaninë e saj, Omnia Strategy, gazeta vë re edhe lidhjen mes këtij biznesi me atë të gruas le ta citojmë të plotë: “Klientët e saj i ngjajnë atyre të “Tonit”: drejtuesit e Kazakhstanit, Shqipërisë, Gabonit, Ruandës, Bahreinit dhe Maldiveve. Asnjë çudi, pra që aktivitetet e saj kryqëzohen me ato të të shoqit. Të njëjtat pretendime, të njëjtat tarifa astronomike, të njëjtat kundërthënie” shkruan “Le Monde”. Gazeta e mbyll investigimin e saj me një paragraf ironik që gjithashtu Lapsi.al po e sjell të plotë: “Pragmatizmi i ka çuar drejt ndihmës që i japin regjimeve më të urryera, “për t’i përmirësuar”, ose për t’i zhvatur sa më shumë para”.
Problemet me pronësinë po largojnë investitorët e huaj
Problemet me pronësinë po mbajnë peng zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe po largojnë investitorët. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se problemet me tokën pengojnë krijimin e marrëdhënieve të besueshme dhe kontratave afatgjata me investitorët. “Që nga momenti i regjistrimit, që nga momenti i kthimit, që nga momenti i pasigurisë që kanë njerëzit në Shqipëri për statusin e pronës. Në çdo moment ajo mund të goditet për arsye burokratike. Kjo ka bërë që në Shqipëri të mos ekzistojë kolaterali si kolateral për bankat dhe ai të jetë i pasigurtë. Mungon edhe burimi kryesor i investimeve të huaja në Shqipëri, e cila duhet të zgjidhet në mënyrë definitive jo për pronarët, por për nevojat emergjente që kanë shqiptarët”, shprehen ekspertët e ekonomisë. Ata shprehen gjithashtu me rezerva për formulën e re të kompensimit të ish-pronarëve, prezantuar dy ditë më parë nga qeveria. “Këtu kemi një diskriminim përsa i përket pronarëve, kundrejt atyre që kanë përdorur tokën, pasi pronarët e sotëm që e kanë marrë atë nëpërmjet procesit të legalizimit apo proceseve të tjera që e kanë mbrojtur pas viteve ‘90, kanë fituar një status pronësie që nuk i takon asaj periudhës së mëparshme dhe për këtë jo vetëm që nuk kanë paguar kompensimin e plotë të vlerës së tokës, por nuk kanë paguar as taksën që i takon të paguajë për rritjen e vlerës së tokës nga një tokë bujqësore në një tokë truall”, shprehen ata. Nga ana tjetër dyfishimi i pjesës më të madhe të taksave që kanë nisur të aplikohen që në fillim të këtij viti kanë dhënë një ndikim shumë të madh në parashikimet që bëjnë bizneset për zërin e shpenzimeve dhe më gjerë. Vetëm si rezultat i rritjes së taksave bizneset që operojnë në vendin tonë kanë ulur investimet vetëm e vetëm që të përballojnë efektet negative që dha rritja e taksave nga qeveria që në janar të këtij viti. Por, ata jo vetëm kanë ulur investimet, por nga ana tjetër janë detyruar t’i shmangen edhe formalitetit në shlyerjen e detyrimeve ndaj qeverisë. Një pjesë e madhe e kompanive kanë reduktuar personelin deri në 7% në këto 20 muaj, ndërkohë që shpenzimet për marketing janë. Shtrëngimi sipas grupeve të interesit do të vijojë të jetë edhe më i madh, madje drastik, nëse qeveria merr përsipër që të rrisë taksat për gjysmën e dytë të vitit. Të gjendur përballë një konsumi më të ulët si dhe rënies së likuiditeteve, menaxherët po shkurtojnë shpenzimet. Në bizneset e anketuara mësohet se janë prekur në përgjithësi shpenzimet për të gjithë sektorët, që nga prodhimi, teknologjia e marketing, etj. Reduktimi i shpenzimeve ka nisur që në fillim të 2014 dhe në planet e kompanive parashikohet të vazhdohet i njëjti plan edhe për vitin e ardhshëm. Gjithçka pritet të ndryshojë nëse do të mbërrijnë sinjale pozitive dhe biznesi do të rinisë të operojë në të njëjtën “gjallëri” të një viti më parë.