Kategori
Uncategorized

Beteja pa kthim me oligarkët në vjeshtë

 

Kryetari i PD Basha paralajmëroi nisjen e betejës pa kthim kundër oligarkëve nga vjeshta deri në triumfin e plotë në rrëzimin e bandës kriminale në pushtet me pranverën shqiptare.

“Le të bëhemi gati që fuqia e zërit të kësaj shumice të oshëtijë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim, pa kthim deri në pranverën shqiptare të mposhtjes së oligarkisë dhe regjimit të krimit e korrupsionit dhe rivendosjen e themeleve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh Basha në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD. Basha u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të bëhen pjesë e kësaj beteje.
“Të thirrur në këtë betejë janë jo vetëm demokratët dhe opozitarët, por të gjithë ata që ndajnë me ne dhe besojnë si ne në vlerat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të gjithë shqiptarët që pavarësisht bindjeve politike nuk mund e nuk do të pranojnë kurrë inkriminimin e pushtetit. E pra në këtë këndvështrim ne jemi shumica. Madje shumica dërrmuese. Në Parlament le të kumbojë zëri juaj si përfaqësues të kësaj shumice”, u shpreh Basha.
Basha e ka konsideruar të patolerueshëm krimin elektoral të zgjedhjeve të 21 qershorit, ndërsa paralajmëroi se ka një mbështetje të plotë të partnerëve amerikanë dhe atyre të Bashkimit Europian në të gjitha përballjet e opozitës.
“Për këtë arsye Rama-Meta goditën dhe zhbënë standardet demokratike zgjedhore. Çdo ditë dalin në dritë fakte të reja që u shtohen fakteve dhe shqetësimeve të shprehura tashmë në raportin kritik paraprak të OSBE/ODIHR. Këto janë zgjedhje që morën ndërkombëtarisht damkën e blerjes masive të votës, të blerjes dhe sekuestrimit të kartave të indetitetit, duke u hequr ‘de fakto’ shtetasve të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.
Këto janë zgjedhje ku numri mesatar i zgjedhësve në bashkitë e fituara mes një mali me pengesa nga opozita është afro 48 mijë për kryetar bashkie, krahasuar me afro 18 mijë për kryetar bashkie si mesatare në bashkitë e fituara nga dyshja Rama-Meta, produkt i qëllimshëm nga qeveria për të siguruar paraprakisht, pa shkuar akoma në zgjedhje, një avantazh elektoral përmes hartës së re të ndarjes administrative, të denoncuar prej nesh si hartë e fitores në tavolinë me salamandra elektorale”, u shpreh Basha.
Në betejën ndaj oligarkëve, shqiptarët do të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Për Bashën beteja e opozitës për zgjedhjet e lira, kundër krimit dhe korrupsionit gjigant mafioz është një luftë frontale që do të bëjë opozita.
“Ne kemi shpallur luftë frontale me këto fenomene shkatërrimtare dhe nuk do të ndalemi deri në fund. Bashkë me qytetarët shqiptarë, me mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë amerikanë dhe europianë do t’ia dalim t’i mundim. Para se regjimi i krimit dhe korrupsionit të ulë në gjunjë Shqipërinë”, u shpreh Basha.

Çmontim instrumenteve të shkatërrimit të zgjedhjeve

Basha deklaroi dje se i ka bërë thirrje organizmave ndërkombëtarë për të koordinuar hapat në çmontimin e instrumenteve kriminalë të shkatërrimit të zgjedhjeve. Kryetari i PD ka paralajmëruar se nuk mund të zhvillohen zgjedhje të tjera në rast se nuk çmontohet krimi elektoral i 21 qershorit.
“Për problemin madhor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kam kërkuar nga miqtë tanë që në bazë të raporteve fillestare dhe përfundimtare të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës të rikthejmë në vëmendje të institucioneve europiane domosdoshmërinë për të vepruar si në rrafshin legjislativ dhe institucional, edhe në rrafshin politik për të rikthyer standardet zgjedhore që u shkatërruan nga kjo dyshe, nga kjo mazhorancë më 21 qershor. Askush nuk duhet të ketë më as më të voglin iluzion se në Shqipëri mund të mbahen të tjera zgjedhje pa çmontuar më parë instrumentet e kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve të 21 qershorit.
Nuk ka zgjedhje të lira pa prerë burimin e parave që hidhen për blerjen e votës. Nuk ka shtet normal me krimin, korrupsionin dhe kontrabandën në sistem”, u shpreh Basha. Këto janë zgjedhje të kapura që me rezultatin e manipuluar në shumë fragmente të procesit dhe territorit, dhanë për grupe të tëra shoqërore mesazhin e përkeqësimit dhe vrasjes së mëtejshme të shpresës.

Vjedhja e shfrenuar po rrit në ekstrem varfërinë

Kryetari i PD ka denoncuar rritjen e varfërisë në vend për shkak se nuk mund të flitet për rishpërndarje të të ardhurave përderisa këto para nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por përfundojnë në xhepat e qeveritarëve.
“Do të heqin nga buxheti investime në rrugë e shkolla, spitale e çerdhe, sepse paratë me të cilat do të ndërtoheshin janë vjedhur. Do të heqin nga buxheti kompensimin e shtresave në nevojë, dëmshpërblimin e pronarëve dhe të përndjekurve, sepse paratë me të cilat do të paguheshin ata, janë vjedhur.
150 milionë dollarët që ju vodhën shqiptarëve në tatime dhe dogana nuk do të mund të hyjnë në arkën e shqiptarëve. Nuk do të kthehen në shkolla, rrugë, rroga, ndihmë ekonomike, kompensim për të përndjekurit dhe pronarët, rritje pensionesh, rimbursim ilaçesh”, tha Basha.
Basha deklaroi se me paratë që mungojnë nga arka e shtetit po venë pasuri marramendëse pushtetarët e korruptuar dhe në krye të kësaj bande është Rama dhe Meta.
“Rritën taksat dhe tarifat. Rritën akcizat. Dhe çfarë ndodhi: u rritën çmimet. U rrit varfëria. U rrit mjerimi dhe papunësia. Nga ana tjetër, po falimenton masivisht biznesi i vogël dhe po tkurret ai i mesëm dhe i madh. Investimet e huaja afër zeros. Kredia për investime të brendshme në pikiatë.
Rritën taksat akcizat dhe tatimet dhe çfarë po ndodh. Të ardhurat bien. Sepse është rritur kontrabanda, evazioni dhe korrupsioni. Me këto para po vënë pasuri përrallore qeveritarët dhe klientët e tyre. Po kapen institucionet. Po blihen zgjedhjet.
Këto janë betejat e mëdha të ekonomisë dhe demokracisë. Nuk ka ekonomi pa konkurrencë të ndershme. Kontrabanda dhe evazioni janë armiqtë e konkurrencës së ndershme. Nuk ka rritje pensionesh dhe pagash me hajdutërinë në sistem”, u shpreh Basha.

Lini një koment