Kategori
Uncategorized

Metastazat vdekjeprurëse të mafies, që “rilindja” instaloi në pushtet.

foto e Urim Gjata

Të gjithë duan të largohen. Se janë nën trysninë e mafies familjarë në pushtet, një lloj shteti që deri tani nuk ishte parë. Duke lënë pa mend në kokë të gjithë. Ata që e pësuan dhe ata që e ngritën dhe e ndërtuan. Në rajonin verilindor, fluksi i largimeve drejt Gjermanisë nuk ka të ndalur. Sepse shumica udhëtojnë përmes aeroportit të Prishtinës. Lëvizjen e shqiptarëve në doganën e Morinit askush nuk mund ta ndalë. Do të ishte një superparadoks, në kushtet kur disa me nder me thënë politikanë bëjnë fjalë për bashkim të dy shteteve shqipfolës.

Largohen sepse ndihen të mashtruar. Paradoksalisht këta me nder me thënë politikanë u lodhën duke thënë se janë mashtruar nga mashtrues që duan të fitojnë në kurriz të tyre. Asnjë prej tyre nuk thotë ashiqare: po ikin se i kemi mashtruar ne. Ne, politikanët e këtij vendi jemi shkaktarët e zbrazjes së plotë të trojeve shqiptare.

Në Shqipëri asgjë nuk ecën me ritmet e kohës. Se mashtrimi, dihet nga të gjithë, është vepër penale. Kjo dihet nga të gjithë nënshtetasit. Vetëm ky me ndër me thënë shteti ynë nuk e di. Dhe heziton t’i përdorë ligjet ndaj mashtruesve. Sepse mashtrues janë të gjithë ato që kanë në dorë instrumentet ligjore, që tashmë nuk prekin pikërisht mafien që po fuqizohet nga dita në ditë. Në këto kushte në këtë vendin tonë, asgjë nuk është nën ritmin e kohës. I matshëm është vetëm hendeku që po krijohet nga dita në ditë mes të pasurve e të varfërve. Një hendek që tashmë thuajse është i pamatshëm. Ky hendek ka ngritur në maja edhe konfliktin mes dy shtresave, një konflikt që rrezikohet të shpërthejë nëse nuk merren masa të shpejta për të minimizuar faktorët që e kanë krijuar e që njihen nga të gjithë. Sepse, askënd nuk e lë të qetë fakti se hendeku u krijua nga vjedhësit dhe jo përmes pasurimit nga puna. Ndikim negative në rritjen e konfliktit në radhë të parë po japin organet e drejtësisë, të kësaj me ndër me thënë drejtësie që shikon vetëm pasurimin e saj, pasi e di se ka mbetur në dorë të padrejtësisë. Ndaj përderisa ligji prek vetëm të varfrit dhe jo maskarenjtë, të gjithë mendojnë si e përpiqen të ikin. Aq sa nga rajoni verilindor po ikin edhe pleq. Dhe jo në zonën fushore, por drejt Gjermanisë.

foto e Urim Gjata

Tashmë vlerësohet si një budallallëk me brirë, çfarë po përpiqen të bëjnë ditët e fundit mashtruesit e pushtetit kur thonë: “hapni sytë o njerëz se po ju mashtrojnë”. Përgjigjja e kuksianëve është: E dimë se jemi të mashtruar e ndoshta na kthejnë, por po e provojmë një herë. Ne e dimë dhe i njohim saktësisht mashtruesit. Jeni ju që së fundmi keni ngritur një pushtet idioto – familjar, duke ushtruar presion që ne të tjerët të largohemi e t’u lëmë të lirë ju të bëni çfarë të doni me këtë vend. Të paktën ca ditë nuk do t’u kemi ndër sy ju o mashtrues e maskarenj që u duket se keni në dorë edhe jetën tonë”.

Tashmë në rajonin e shpopulluar verilindor të gjithë mendjen e kanë për të ikur që të mos i ngjajnë ujit të ndenjur. “Pa lëvizur nuk mund të arrijmë ndonjë gjë për fëmijët tanë. Se jeta jonë po kalon mes vuajtjesh”,- thonë kuksianët. Ndaj të gjithë duan të arratisen, t’u shpëtojnë metastazave vdekjeprurëse të mafies që “rilindja” e ka bërë të plotfuqishme. Tashmë në Kukës thonë: Burrat kanë ikur, ose po ikin këtu kanë mbetur dhe nuk lëvizin vetëm horrat. Horra që shesin gjithçka, shesin toka, biznese, shesin çdo vlerë tjetër njerëzore të mbetur të këtij vendi. Aq sa në ndërmarrjen e pyjeve, inxhinieri specialist i vjetër i pyjeve hiqet nga puna dhe zëvendësohet me një punonjës militant me 7 klasë. Në arsim, vetë Ministria e Arsimit thotë se janë 236 vende të lira ku japin mësim mësues pa arsim, ndërsa edhe 29 fituesit e testit të 6 dhjetorit lihen pa punë. Idiotizma të tilla kjo lloj mafia i ka me shumicë sa është e kotë t’i numërosh.

Tashmë gjithçka është zhvendosur në kontrollin e zgjedhjeve të 21 qershorit. “Rilindja” e di se çfarë po gatuan me këto zgjedhje. Ndaj edhe ka kandiduar dy ish-drejtues të lartë të PD-së nën flamurin e saj. Është zgjedhja më e çuditshme, e paregjistruar ndonjëherë më parë. Ka çuditur, por edhe nevrikosur ata zgjedhës që kanë mbetur pa ikur. Ata pak i ka lënë të çuditur edhe vetë PD-ja që gjithsesi e di se fitoren e ka të garantuar. I ka çuditur të paikurit, kur shohin se kandidati i saj vjen nga Tirana dhe i panjohur për komunitetin. Bile është nga një fshat i deputetit socialist, deputet që mbahet si regjistratori i pushtetit familjar në rajonin verilindor. Kuksianët thonë: nuk ka njeri tjetër veç nga Shtiqni? Jo pak prej kuksianëve thonë: derisa është kështu, deri në qershor, nuk kemi pse të qendrojmë. Të ikim sa më pare, përderisa partitë nuk duan t’ia dinë për ne, por na sjellin nga Honoluluja vetëm ushtarë besnikë të tyre.

foto e Urim Gjata

Paradoksalisht më shumë se programet e kandidatëve, kuksianët pyesin: nga është kandidati. Sepse në masë të madhe drejtuesit janë nga Shtiqni (fshati i deputetit socialist). Kjo ka sjellë që bicjanët të thonë: jemi braktisur nga e majta, se të braktisur kemi qenë edhe nga e djathta. Ndërsa banorët e Gorës, tashmë të larguar me shumicë, thonë: Të majtës nuk i besojmë as një sekondë. Sa erdhi në pushtet thuajse na i largoi të gjithë bijtë tanë nga puna.

Mund të duket paradoks, por situata në rajonin verilindor e tillë është. Largime masive nga puna dhe vendosjen në vendet e liruara të pjesëtarëve të familjes, familje që për kontrollin e emërimeve të reja ka ngritur edhe G-5, një nga krijesat më idiote të “rilindjes”, një grup që kontrollon çdo lloj emërimi dhe që i jep llogari vetëm deputetit me të cilin takohet në një prej lokaleve në autostradë, rreth 2 kilometra larg qytetit të Kukësit. Gjithçka njihet nga opinion, të cilit i mbytet çdo zë proteste. Një mafia e gjithëpushtetshme në krye të punëve.

Dhe mafia kënaqet kur i tregohet se fshatrat e qyteti po shpopullohen me shpejtësi. Nxjerr vetëm me një gjysmë zëri: mos u largoni.

Lini një koment