
Elementë të inkriminuar të mazhorancës kanë nxitur masivisht mbjelljen e kanabisit në të gjithë territorin e vendit, duke patur garancinë me vete se askush nuk do t’ua shkatërrojë plantacionet. Në harkun kohor të dy muajve, Policia e Shtetit ka korrur mbi 1 milion rrënjë kanabis dhe shifrat që jep mbi sasi më të vogla të sekuestruara janë të gjitha të falsifikuara. Ish-Kryeministri Berisha publikoi shifra të frikshme dje në Parlament, sipas të cilave të mbjellat me kanabis në vend janë rritur deri në 300 herë më shumë se në Lazarat. Berisha bëri të ditur se sasia prej 1 milion rrënjësh kanabis përbën një sipërfaqe shumë të vogël të të gjithë terrenit që është përfshirë masivisht nga mbjellja e kanabisit, ku persona të inkriminuar me mbështetjen e qeverisë vijojnë aktivitetin e tyre kriminal të prodhimit, kultivimit dhe trafikut të drogës. “Çështja tjetër serioze që dua të shtrojë këtu është kanabis. Dua të informoj shqiptarët se agjencitë partnere njoftojnë se Policia e Shtetit shqiptar gjatë këtyre dy-tri muajve ka korrur deri tani mbi 1 milion rrënjë kanabis dhe shifrat që jep policia janë të gjitha të falsifikuara. I ka të regjistruara. Shqipëria është zhytur në kanabis si kurrë në historinë e saj. Kjo që është korrur, as 1/30 e sipërfaqes së mbjellë nuk është. Elementë të inkriminuar të mazhorancës kanë nxitur masivisht mbjelljen e kanabisit duke dhënë garanci se s’do ua prekë njeri. Ju garantoj që ka një sipërfaqe edhe 200-300 herë më të madhe se në Lazarat”, tha Berisha. “Por ajo që është më e hidhura, është se njeriu më i fuqishëm i PS-së pas Edi Ramës, Koço Kokëdhima, i cili ju peshon në kandar ju këtu të gjithëve sa jeni, provojeni një herë se sa ju vlen para Koços vetja juaj. Koço Kokëdhima bën fushatë publike nga jugu në veri për legalizimin e kanabisit. Keni me dhjetëra shkrime e emisione për përpjekjet e Koço kanabisit për të legalizuar kanabisin.

A e kuptoni ju që çdo fshatar që sheh se njeriu më i fuqishëm pas kryetarit të PS është avokati kryesor i kanabisit, kjo është licencë de fakto për mbjelljen e kanabisit. Mirëpo pasojat janë shumë të rënda. Sepse policia mbi bazën e detyrës që ka përpiqet, bën luftë me mullinjtë e erës, sot kanabisi është bërë pantotemit, i gjithkund i mbjellshëm. Veçanërisht në zonat më të thella malore, se në fushë është më vështirë. Shqipëria 80% është zonë malore. Pra, jo vetëm që është mbjellë, jo vetëm që është kultivuar, jo vetëm që po pritet dhe po shitet, por po inkurajohet mbjellja e mëtejshme e saj. Kush i paguan këto shpenzime? Këto shpenzime i paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Kush paguan reputacionin që i merret Shqipërisë? Çdo shqiptar e paguan. Siç e keni nisur absolutisht do e bëni Shqipërinë si Jemeni. Në Jemen, vendi i kafes së cilësisë më të lartë, i zhduku plantacionet dhe mbjellin jo kanabis, por një lloj tjetër bime që përtypet dhe që i ka kushtuar atij kombi më shumë se çdo gjë tjetër, në të gjitha aspektet. Kanabizimi i vendit është një fatalitet i vërtetë, se mbillet për t’u shitur, bie ndesh me ligjin, mbillet për t’u përdorur dhe hajt ta provojmë një herë. Dhe hajde hiqi t’i addicted pastaj. Dhe kjo është një politikë zyrtare dhe kjo e shpallur jo nga Kryeministri, por sivllau i tij Kokëdhima. Cili ministër pretendon se ka forcën e Kokëdhimës këtu? Asnjëri. Koço peshon qeverinë ore. Juve ai (Rama) s’ju ka për gjë ç’është e vërteta. Unë mendoj se me kanabisin do t’i krijohet vendit një ndëshkim i madh dhe i ri. U bë një operacion që u përshëndet nga të gjitha palët, për zhdukjen e plantacioneve në Lazarat”, tha Berisha.
Në vend ka nisur prodhimi dhe kultivimi i opiumit
Krahas mbjelljes masive të kanabisit në të gjithë territorin, Berisha bëri të ditur dje se paralelisht me këtë në vend ka nisur edhe mbjellja e opiumit, një tjetër drogë e rëndë, destinacioni i të cilës është trafikimi drejt vendeve të Europës. “Shqipëria është zhytur në kanabis dhe ju jap fjalën se keni për të parë kur të vijë lulëkuqja. Opiumi ka filluar të mbillet nëpër oborre. Do t’i shihni mirë fushat ju nëse vazhdoni kështu. Kanë filluar ta mbjellin në oborre edhe një herë po ju them, se këto laboratoret që gjenden për të nxjerrë vajin e tyre, për të nxjerrë esencën e tyre, nuk kanë ndonjë komplikim apo ndonjë aparaturë të komplikuar. Jo. Ndaj dhe jam këtu për ta dënuar me ashpërsinë më të madhe, për t’u bërë thirrje qytetarëve të mos mbjellin pavarësisht se nxiteni, sepse Edi Rama dhe Koço Kokëdhima nuk ofrojnë gjë tjetër veç drogën, marijuanën, kanabisin dhe pastaj vijnë problemet më madhore për veten, fëmijët, për familjet, për vendin”, tha ish-Kryeministri.

Skandali me marrëveshjen e “RapiScan”, drejtoresha e Ramës doli mbi shtetin
“Ajo që është e turpshme në këtë kontratë është fakti se e ka bllokuar një drejtoreshë, një marrëveshje të votuar në Parlament. Bllokon një marrëveshje, e cila vetëm me këtë akt, pra që ishte e votuar në Parlament, e bënte Shqipërinë palë humbëse në çdo gjykatë, në çdo arbitrazh”
Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament skandalin e qeverisë me marrëveshjen me kompaninë “RapiScan”, duke theksuar manovrat e qeverisë për të larguar në fillim kompaninë e skanimit. Ai theksoi se është e turpshme që e gjithë kjo kontratë u mbajt peng nga drejtoresha e Ramës, e cila doli mbi shtetin dhe ligjet. “Marrëveshja që sillet sot, ka një histori. Kjo është një marrëveshje e votuar këtu në Parlament dhe absolutisht që ka patur një qëllim më kryesor, pa diskutim me një kosto, ka patur qëllim sigurinë kombëtare, që t’i bëjmë portet tona porte të standardeve më të sigurta. Dhe nëpërmjet skanimit të bëjmë gjithçka për të luftuar kontrabandën, trafikun, trafiqet e armëve, drogës, të cilat kalojnë në çdo port. Pra, t’u japim porteve në vendin tonë një çertifikatë të merituar sigurie. Një qeveri që vjen mbrapa si rregull zbaton kontratat, por edhe kur i shqyrton e bën brenda rregullave. Ajo që është e turpshme në këtë kontratë është fakti se e ka bllokuar një drejtoreshë, një marrëveshje të votuar në Parlament. Bllokon një marrëveshje, e cila vetëm me këtë akt, pra që ishte e votuar në Parlament, e bënte Shqipërinë palë humbëse në çdo gjykatë, në çdo arbitrazh. Po cila ishte humbja? Disa qindra milionë euro. Ndaj dhe unë nuk do të ndalem në detaje dhe në problematikën e saj, por në këtë mënyrë vepron vetëm një shtet zuzar, një qeveri zuzare dhe jo një shtet ligji, një shtet ligjor. Fare mirë, nëse nuk e do marrëveshjen hajde ktheje në Parlament, hidhe poshtë dhe i thuaj kompanisë se ky është qëndrimi im. Por që një drejtoreshë të dalë mbi shtetin, mbi ligjin, kjo ndodh vetëm me ju”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.
Arben Shahini