Kategori
Uncategorized

Partia e Persekutorëve me Ramën kryetar dhe krimet e komunizmit

Albanian's leader of the opposition Socialist Party Edi Rama speaks during a protest in Tirana

Pse Edi Rama nuk na tregoi historinë e bashkëpunimit të tij me revistën e Sigurimit të Shtetit, “Në shërbim të popullit”?

Në Shqipëri qeveria e “rilindjes” (komuniste), ka gjetur për mënyrë qeverisje aktrimin e përditshëm. Në krye të këtij veprimi qëndron kryeministri, ndërsa në mënyrë të shëmtuar këtë e imitojnë ministrat dhe ministreshat e tij. Sikurse mund ta dimë tashmë, çdo ditë, kryeministri jep shfaqje teatrale në funksion të përmbushjes së orës së punës. Siç edhe ka thënë një njohës i vjetër i tij në një deklaratë publike, e vetmja gjë që Rama nuk bën është detyra e kryeministrit, ose ndryshe “punët e zyrës”. Një aktivitet bëhet në selinë e Këshillit të Ministrave, i lyer ky sipas shijeve me ngjyra të ndezura të kryetarit të tij dhe një në ndonjë hotel apo vend tjetër. Si kudo, janë kamerat e televizioneve që presin fjalimin programatik që do mbajë kryeministri. Aktivitetet e këtij lloji, që për një drejtues qeverie nuk janë gjë tjetër veçse propagandë boshe dhe humbje kohe, jepen deri në çastin që flet kryeministri. Pastaj ndërpriten sepse nuk ka më rëndësi çfarë thuhet. Ditën e djeshme, kryeministri Rama zhvilloi shfaqjen teatrale të radhës. Kjo fjalë iu përkushtua çështjes së “hapjes së dosjeve”. Pikësëpari, folën zyrtarët e administratës së tij. Një i quajtur drejtor instituti e filloi me sulmin se “për 8 vjet qeveria paraardhëse” dha kaq milionë euro dhe këta tani po bëjnë hatanë. Ky drejtor i vogël nuk e di se ligji për dëmshpërblimin ka dalë në fund të vitit 2007, ka nisur aplikimin (dhe shqyrtimin e kërkesave) gjatë gjithë vitit 2008 dhe në vitin 2009 ka nisur procesi i pagesave. Kur në të vërtetë kanë qenë vetëm 4 vjet kohë nga dëmshpërblimi, drejtori i Ramës i bën 8 vjet këto. Ndërsa punën përgatitore ky drejtor dhe ustai i tij Veliaj, nuk e llogarisin fare. Mirë Veliaj se aq di për këtë punë, por ky drejtori i institutit ç’ka që nuk do ta kuptojë këtë gjë.

Aktrimi i radhës

Kryeministri Edi Rama foli në përgjithësi për “anën e errët të Sigurimit të Shtetit”. Nuk foli për asnjë çast për ndonjë gjë konkrete. Nuk foli fare për oficerët e Sigurimit, veçse u ankua se ky i fundit paska vepruar pa ligj. Se çfarë ligji kërkonte Rama nga regjimi që e kishte shpallur luftën e klasave parim kushtetues, ec e merre vesh. Mirëpo, Rama la pa rrëfyer për të pranishmit bashkëpunimin e tij me revistën e Sigurimit të Shtetit, “Në shërbim të popullit”. Miqtë gjermanë do dëgjonin gjëra të paimagjinueshme nëse piktori (ose karikaturisti) vullnetar i revistës “Në shërbim të popullit” dhe sportisti i klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo” na rrëfente diçka nga jeta e tij. Përvoja personale e kohës kur ishte student instituti e kryeministrit Edi Rama do të ishte një rrëfim shumë interesant për subjektet që ndiqnin ligjëratën e tij. Mirëpo ky rrëfim si dhe rrëfime të tjera, nuk u dëgjuan e nuk u panë.

Ditën e djeshme shfaqja ishte gjoja për të ashtuquajturin “proces të hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit”. Rama as nuk tha se cila është gjendja e rrjetit arkivor të vendit, as sa dosje pretendon se “do të hapë” e as gjëra të tjera të këtij lloji. Minimalisht, në raste të tilla, mund të thuhet se Rama nuk njeh gjendjen (si dhe për shumë çështje të tjera). Kjo jo pa arsye. Në program e tij qeverisës nuk ekzistojnë fjalët “arkiva” e “biblioteka”. E si mundet pra ai të ketë vizion e të jetë i qasur me çështje të tilla që as i ka të qarta për çfarë bëhet fjalë. Rama aktroi edhe dje. Nuk shkëlqeu si ndonjë herë tjetër. Ndoshta kërbishtja e mundonte më shumë se shfaqja paraardhëse apo ndoshta kujtime të vjetra e mundonin. Këtë ec e gjeje. Askush nuk po i kërkonte çështjen e firmës së Kristaq Ramës kundër Havzi Nelës apo Bujar Jazexhiut. Askush nuk po i kujtonte punët e “Bllokut” me emrin e shokut Spiro. Askush nuk po i përmendte emrin e Teutës. Pse nuk ishte i qetë pra Edi Rama?

Revista e Sigurimit

Ministria e Punëve të Brendshme e pat frymëzuar piktorin e ri Edi Rama. Disa gjëra mund t’i kujtohen sot p.sh. Ishte ditë nëntori 1983. Studenti Edi Rama ishte tej mase i gëzuar. Ai ngjiste shkallët e redaksisë së revistës “Në shërbim të popullit” – organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai mbante në duar vizatimin e tij që lustronte shkrimin e një autori mbi një ngjarje me diversantë të quajtur “Shokë lufte”.

Ishte vetëm 19 vjeç e gjysmë kur kishte nisur të mallëngjehej tej mase nga tregimet me punëtorë operativë, diversantë, shkelës kufiri, armiq të klasës, etj. Përditë ai dëgjonte nga babai i tij që ishte dhe deputet për fitoret e lavdishme të Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj legjendar, shokut Enver. “Duhet të kontribuoj edhe unë, kudo që të jem” – thoshte ai vazhdimisht. Këto tregime sa vinin e i forconin urrejtjen ndaj armikut të klasës, për të cilin edhe ai ndjehej i sigurt se duhej goditur.

Dhe kështu djaloshi problematik i Institutit të Lartë të Arteve, përveç punëve të tjera, nisi të bëjë vizatime për heroin e heshtur, për punëtorin e palodhur operativ, diversantët, etj.

Tregimi i botuar në revistën e MPB-së nën ilustrator, ishte një rast tipik i urrejtjes ndaj të huajve të kategorizuar si “imperialistë”, ku në radhë të parë ishin amerikanët. Sipas tregimit “imperialistët amerikanë” kishin përgatitur “diversantët shqiptarë” të cilët i kishin hedhur në një shtet kufitar me Shqipërinë. “Mersin F.” Në tregim quhej “asi i shërbimit të huaj”. Tregimi nis me “shpjegimin në hetuesi” të një “diversanti” e vazhdon me hollësi të tjera, sipas mendimit tonë të panevojshme për t’u përsëritur. Edi Rama është entuziazmuar nga kjo. Ka marrë lapsin (apo penelin) dhe ka hedhur në kartë dy pjesëtarë të forcave të ndjekjes që ndiqnin “diversantët” që dërgonte “imperializmi amerikan”. Përballë figurave të vrazhda të dy ndjekësve, qëndronin “hijet e zeza” të “diversantëve” të dërguar nga amerikanët që paraqiteshin më të zinj se nata pasi ato donin të prishnin “parajsën socialiste”.

Rama ishte një prej pinjollëve të atyre që ndërtuan “Shqipërinë e re”, e ndërtuar e gjitha nga fillimi me premtimin për të qenë gjithnjë e tyre, trashëguar brez pas brezi, për të ruajtur “gjithnjë të kuqe” Shqipërinë socialiste.

Ky sportist i klubit sportiv të Ministrisë së Punëve të Brendshme i bërë pedagog sapo kishte mbaruar shkollën e lartë, pa u provuar për asnjë aftësi të tij, ishte dhe s’kishte si të mos ishte mik apo më shumë se mik i familjes Hoxha, e cila më shumë se kurrë kishte marrë pamjen e një familje mafioze ku politika, biznesi, kriminaliteti ishin pleksur e lidhur fort në mënyrën më të çuditshme që do të mund të mendohet ndonjëherë. Dhe Rama e kishte kuptuar se nuk mund të pretendonte kurrfarë miqësie pa lidhjen me familjen e diktatorit Hoxha, lidhje që u bë më e thellë në vitin 1990 disa javë para se të shpërthenin demonstrata në qytetin Studenti.

Çfarë dosjesh do “hapë” Rama

Miqve gjermanë, Edi Rama, nga padija e tij, nuk u rrëfen një të vërtetë të madhe: Në Shqipëri nuk ka dosje. Çdo stërhollim muhabeti apo etje për të rruar ndonjë fond e për të harxhuar para kot së koti është vetëm spekulim e asgjë tjetër. Dokumentacioni i personave të ndjekur është asgjësuar me dy urdhra të ish ministrit të punëve të brendshme, Hekuran Isai, përkatësisht në datat 15 dhjetor 1990 dhe 18 shkurt 1991. Në këtë mënyrë, personat që sot jetojnë dhe që kanë qenë ndjekur nga Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1990, nuk do kenë mundësi të njohin të kaluarën e tyre apo mënyrën informative sepse nuk ka asnjë material të tillë. Këtë fakt, Rama nuk ua thotë dot personave të interesuar pasi në këtë mënyrë bie gjithë kjo farsë që sapo ka nisur të vërë në zbatim.

Rama, “Dajti” dhe “Korabi”

Takimin e djeshëm të Ramës e ndoqi edhe një dekor njerëzish që thirrur vetëm për fresk. Në këtë takim kishte vetëm 3 persona që kanë qenë ndjekur nga Sigurimit i Shtetit, por që dosja e tyre është djegur. Po ashtu në takim për të dëgjuar rreth “hapjes së dosjeve” ishin në sallë edhe dy ish bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, përkatësisht “Dajti” dhe “Korabi”. Me siguri ata do të jenë mallëngjyer nga fjala e kryeministrit Rama. Në të tilla takime të zhvilluara nuk kanë munguar mendimet “konstruktive” të ish bashkëpunëtorëve dhe punëtorëve të Sigurimit.

Por pas fjalës historike të kryeministrit, (që ngjasonte me fjalimin e kumandarit të 6 shkurtit 1967), teksa ky pinte nga një gotë me miqtë në salla të tjera, pati një sherr që kryeministri nuk pati rastin ta përjetojë.

Oficerët e Sigurimit te partia e Ramës

Nën drejtimin Ramës, qeverisja “rilindëse” e tij dha një kontribut themelor në restaurimin e enverizmit. Jo rastësisht kjo parti është në aleancë me disa parti komuniste. Jo rastësisht portreti i Enverit valëvitet sa herë ka aktivitete. Jo pa qëllim, u mbajt me temena të madhe përkujtimi i një kongresi banditësh dhe kriminelësh si ai i Përmetit të vitit 1944. Asgjë nuk është pa qëllim. Kriminelët dhe enveristët kanë fole të sigurt Partinë Socialiste. Por edhe kur ata kanë vdekur apo janë në pension, kanë fëmijët e tyre. P.sh. djali i kujt është drejtori i kabinetit të ministres Mileta Harito? Fiks është djali i ish drejtorit të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. mund të vazhdonim me detaje në të gjitha ministritë. Mjaftistët apo g99-shat, nuk janë gjë tjetër veçse bij të nomenklaturës së lartë komuniste dhe të Sigurimit të Shtetit. Por po vazhdojmë me nivele të tjera.

Në Policinë e Shtetit, Rama riktheu një numër të madh oficerësh të Sigurimit të Shtetit. Vazhdoi në degë të tjera të shtetit, në ushtri, në dogana, tatime, etj. Sot praktikisht ushtria e oficerëve të Sigurimit është pothuaj e gjitha në administratë. Sa për kujtesë po i themi Ramës se p.sh. se emërimi i parë i Saimir Tahirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ishte emërimi i një punëtori operativ fshati në krye të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë ministri. Po ashtu në Partinë Socialiste vegjetojnë si në shtëpi të tyren gjithë trupi i hetuesve, gjyqtarëve e prokurorëve të proceseve politike. Edhe kur dalin në pension ata janë aktivistët më të zjarrtë dhe shpirti i kësaj partie. Për këtë arsye, Partia Socialiste është partia e persekutorëve.

Për ta mbyllur për sot, ia vlen të themi vetëm kaq: kreu i partisë së persekutorëve, ai që është në radhët e tyre, po premton të vendosë drejtësi.

Lini një koment