Kategori
Uncategorized

11 trafikantët e prostitutave dhe drogës që u bënë kryebashkiakë

 

 

Të paktën 11 kryetarë të rinj të Bashkive të Ramës dhe Metës rezultojnë të jenë trafikantë droge dhe prostitutash. Vijnë nga bota e krimit për të drejtuar të gjithë së bashku një komunitet prej më shumë se gjysëm milioni njerëz.

Ky është modeli që ka ofruar Rama dhe Meta në zgjedhjet e 21 qershorit. Por, ata nuk janë të vetmit. Në të gjithë elementët e inkrminuar janë shumë më tepër dhe janë thuajse në pjesën më të madhe të bashkive të vendit.

Krahas elementëve kriminalë në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmorri asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës, si ajo e Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnjë dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës dhe Hoxhës në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë, banda e Suel Çelës në Elbasan etj.

I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku, u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve, por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë, me të cilët është parë dhe në ambiente publike.

Velina e Ramës

Velina e Ramës që pritet të marrë Bashkinë e Tiranës është një hajdut i denoncuar dhe i provuar së fundmi edhe nga Gjykata. Ky ka vjedhur para të shqiptarëve së bashku me vëllanë e tij për aq kohë sa drejtoi Ministrinë e Punës dhe tani pret të vjedhë Tiranën. Por lidhjet e tij me mafian janë shumë herë më të forta dhe mjafton të kujtojmë lidhjen e bashkëshortes së tij me trafikantin e prostitutave dhe një prej krerëve të pastrimit të parave në rajon, Dzanashvilin.

Gjushi i Durrësit

Një tjetër kryebashkiak i lidhur kokë e këmbë me krimin është ai i Durrësit, i cili pasi bleu votat do të vijojë të qëndrojë në krye të Bashkisë së këtij qyteti për ta rrënuar atë përfundimisht. Dako në sajë të korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe konfliktit të pastër të interesit të shndërrimit të Bashkisë në një betoniere të ndërmarrjes së tij, zotëron afro 11 milionë euro pasuri, ndaj të cilat ka deklaruar vetëm 10% të saj. Në fushatën e zgjedhjeve të 21 qershorit, ai shoqërohet nga trafikantë dhe vrasës, të cilët janë fotografuar në takimet e këtij individi.

Lala i mafias

Qazim Sejdini përmes terrorit dhe të shtënave me breshëri automatiku në zyrat elektorale të PD dhe blerjes masive të votave nuk do të largohet nga Bashkia. Mafia e ka siguruar për ta pasur aty aleatin vet. Askush nuk do të hapë gojën për aferat korruptive të Lalës dhe as për klientelizmin dhe nepotizmin në Bashkinë e Elbasanit, sepse Lala ja ka bërë të qartë mediave dhe gazetarëve se në rast se ata do të flasin, atëherë i pret ndëshkimi, të paktën heqja nga vendi i punës.

Roshi i Kavajës

I dënuar me 5 vite burg në Zvicër për trafikun e kokainës dhe i shpallur njeri i pa dëshëruar në Holandë, Ervini i Kavajës është njeri i përzgjedhur nga Rama për të drejtuar Bashkinë e këtij qyteti për të dytin mandat të siguruar nga blerja masive e votave me paratë e pista të drogës. Ai po ashtu është dënuar me burgim për tentativë vrasje, ku ka plagosur një tjetër bashkëqytetar nga Kavaja.

Gjatë viteve 1997-2000 ka kryer dënimin me burg për trafik droge në Zvicër. Ai deklaron nëpër qytet se ka një pasuri që i kalon 4 milionë eurot dhe me paratë e fituara nga trafiku i drogës, ka ngritur në qendër të qytetit të Kavajës edhe një hotel.

Po PS në këtë qytet nuk ka trafikant droge Kryetarin e Bashkisë, por edhe Kryetarin e PS.

Gentian Daja, është i besuari i Ramës në krye të Partisë Socialiste në këtë qytet. Përveçse drejtimin e PS së Kavajës, Rama i ka besuar Dajës edhe një tjetër post të rëndësishëm, Drejtorinë Rajonale të Tiranës për shërbimin e Transportit Rrugor. Gentian Daja është një person me precedent të fortë penal. Ai është dënuar në Kazerta të Italisë për trafik droge dhe po me të njëjtën akuzë, ai është dënuar edhe në Frankfurt të Gjermanisë. Njeriu i duhur për të drejtuar PS në Kavajë.

Artur Bushi

Do të jetë një tjetër Kryebashkiak që ka blerë mandatin e deputetit me paratë e mafias dhe bandat e armatosura që kanë terrorizuar banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës. Bushi rezulton i arrestuar nga policia italaine si pjesë e një organizate të trafikut të drogës nga Holanda në Itali.

Por, historia kriminale e Bushit nuk është vetëm ajo e trafikut të drogës, por edhe trafikut të prostitucionit, për të cilën ai është dënuar në Itali me një emër tjetër, të cilën gazeta do ta bëjë publik në ditët e ardhshme.

Bardhi i Kurbinit

Artur Bardhit i është dhënë nga bibat e KQZ, mandati në tavolinë. Ai as ka garuar fare, sepse rivalit të tij i është hequr e drejta e kandidimit. Artur Bardhi është një tjetër emër nga banda e të inkriminuarve të Ramës, të cilët do të drejtojnë bashkitë. Ai ka precedentë penalë të arrestimit në Itali për trafikun e drogës dhe konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar në rajon. Ai është mbështetur personalisht nga Rama dhe elementë të tjerë të inkriminuar të zonës, të cilët edhe pse nuk ka pasur garë kanë manipuluar të gjithë procesin farsë të Kurbinit.

Kokoneshi i Divjakës

Është denoncuar publikisht nga ish-drejtuesi i PS të këtij qyteti se ka qenë një trafikant prostitutash në Itali. Ai ka rrëfyer të gjithë historinë se si Kokoneshi mbante prostitutat dhe se si fitimet vetëm për njërën prej tyre arrinin deri në 60 milionë lireta në Itali gjatë kohës që ende nuk kishte hyrë euro në qarkullim. Pikërisht ky trafikant prostitutash do të drejtojë sot Divjakën në lidhje të ngushtë me bandën e Lushjës dhe vrasës e trafikantë droge që u duhet kjo pikë për të nisur ngarkesat e hashashit.

Tërmeti i fitores publicitare

Nuk e ka përzgjedhur Rama kot. Ai nuk ka asnjë klasë shkollë. Edhe filloren kanë dyshime nëse e ka mbaruar. I vetmi fakultet i tij që ka bindur Ramën që ta kandidojë është ai i trafikut të drogës. Është një nga njerëzit e monitoruar për shumë kohë nga policitë e vendeve fqinje dhe pjesë e të inkriminuarve që do t’u duheshin bashkive pas 21 qershorit.

Qaja në Devoll

Ka ndryshuar dy herë emrin që të heqë njollat e së kaluarës të krimeve të kryera në Greqi. Kryesisht ka kryer trafikimin e drogës. Ai nuk mundi që të fitojë, por ishte në garë deri në momentin e fundit për të marrë bashkinë dhe për t’iu bashkëngjitur bandës kriminale Rama-Meta për të drejtuar pushtetin vendor pas 21 qershorit.

Ndoni në Këlcyrë

Njihet po ashtu për lidhjet me trafikun e drogës. Ka precedent penalë në vendet fqinje dhe nuk mund të shkelë në disa vende të Europës, pasi arrestohet nga policitë e atyre vendeve. Ai nuk e fitoi Bashkinë e Këlcyrës, por e grabiti, duke manipuluar rezultatin përmes mbushjes së kutive të votimit, të cilat u çertifikuan nga dy bibat e KQZ-së.

Hasalla i Peqinit

Ky është një tjetër emër i botës së krimit i përzgjedhur me kujdes nga tutori i këtij në këtë qytet, me të cilin ka edhe lidhje familjare. Ka precedentë penale dhe kjo ka qenë arsyeja që është kandiduar nga Rama për të drejtuar Peqinin.

 

Lini një koment