Kategori
Uncategorized

MPJ çeke: Dy turistët viktima të krimit të organizuar në Shqipëri.

Krimi i organizuar në Shqipëri vrau dy turistët çekë.

Ky është konstatimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë, pasqyruar në njoftimin për shtyp të publikuar rreth ngjarjes që ka shokuar opinionin publik jo vetëm në Çeki e Shqipëri, por edhe më gjerë. Duke informuar qytetarët çekë rreth ngjarjes tragjike të së premtes që kaloi ku dy turistë çekë u vranë barbarisht në zonën e Dukagjinit, Ministria e Jashtme çeke u bën thirrje qytetarëve të saj që janë duke zhvilluar pushimet në Shqipëri të kenë kujdes maksimal.
“Sipas informatave nga ambasada e Çekisë në Tiranë, vizitorët dhe turistët janë viktima të krimit të organizuar.

Standardi i jetesës së një pjese të madhe të popullsisë është mjaft i ulët, është e këshillueshme për të ndjekur masat e zakonshme”, thekson MPJ çeke.
Ministria e Jashtme porosit qytetarët e saj që vizitojnë vendin tonë të shmangin kalim e natës në tenda apo parkingje, jashtë kampit. Kujdes, sipas saj, duhet të ushtrohet edhe kur lëvizin në zonat malore përgjatë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi. “Edhe pse në kufirin Kosovë-Shqipëri përfundoi çminimi i territorit të minuar gjatë konfliktit më 1998-1999, ministria ende rekomandon kujdes kur lëvizni në këtë fushë”.
Zëdhënësja e Ministrisë, Michaela Lagronova, ka bërë të ditur për mediat çeke se hetimet po zhvillohen në Shqipëri për ngjarjen e rëndë.
“Rasti është duke u hetuar si një krim, një burrë dhe një grua u vranë. U gjetën mbrëmë në makinën e tyre në veri të Shqipërisë pranë qytetit të Shkodrës, i cila tërheq shumë turistë”.
Zyrtarja e Ministrisë Jashtme çeke ka bërë të ditur se Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeç janë nga zona perëndimore e Çekisë dhe se familjarët e tyre janë njoftuar për ngjarjen.
Kujdes, sipas saj duhet të ushtrohet edhe kur lëvizin në zonat malore përgjatë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi.
Ndërsa ambasadorja çeke në Tiranë, Radka Calabkova ka thënë për mediat çeke se turistët ishin viktimë e një krimi të dhunshëm, ndërsa ka qetësuar të gjithë turistët e tjerë çekë për sigurinë në Shqipëri.
“Policia shqiptare po heton çështjen dhe ne po marrin informacion gradual prej tyre”thuhet në reagimin e ambasadës.

Mediat e huaja: Horror në malet e Shqipërisë

Mediat e huaja kanë pasqyruar gjerësisht vrasjen tragjike të dy turistëve çekë në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje horror. “Në malet e Shqipërisë u grabitën dhe u vranë dy turistë çekë”. Ky është titulli që të gjitha mediat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato çeke e kanë pasqyruar lajmin e vrasjes së turistëve në Dukagjin. Prestigjiozja britanike “Daily mail” shkruan se dy turistë çekë u vranë në malet e Shqipërisë, ndërsa autorët për të fshehur krimin e kanë rrokullisur makinën që ngjarja të dukej si aksident. Edhe “Reuters” dhe “Euronews” pasqyrojnë ngjarjen duke shkruar se dy turistë çekë u vranë në malet e Shqipërisë. Më tej theksojnë se brenda në makinë u gjet edhe një automatik. Ndërsa duke iu referuar burimeve të policisë shqiptare shkruajnë se një prej autorëve mund të ketë qenë në makinë me turistët. Një media çeke duke iu referuar “Reuters” shkruan: Në malet shqiptare dy turistë çekë u sulmuan dhe u vranë nga persona të panjohur dhe më pas sulmuesit hodhën makinën e tyre në një humnerë. Dy turistët çekë Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeç u vranë mbrëmjen e së premtes në fshatin Prekal të Dukagjinit. Në portalin informativ të Çekisë, “Blesk.cz”, shkruhet se si dy turistët nga ky vend kishin shkuar për turizëm në veri të Shqipërisë, por u gjetën në veturën e tyre të vrarë dhe të grabitur. Duke cituar mediat nga Shqipëria, ky portal çek tregon se si persona ende të panjohur, kanë shtënë me armë ndaj të rinjve çekë. Bëhet e ditur se këta dy turistë janë nga rajoni i Pilsenit të Çekisë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Çekisë, Michaela Lagronova ka thënë për këtë agjenci lajmesh se konsulli i tyre në Tiranë, ka udhëtuar për në vendin e krimit, për t’u informuar nga afër lidhur me situatën.

Shoqata e Turizmit: Qeveria të marrë masa

Shoqata shqiptare e Turizmit (ATA) ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Dukagjin, ku humbën jetën dy turistë çekë. Përmes një njoftimi për mediat, ATA i ka bërë thirrje qeverisë të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla që dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë si vend turistik. Vrasja e dy turistëve çekë vlerësohet si një ngjarje tronditëse dhe një nga më të rëndat për turizmin shqiptar ndër vite. Shoqata shqiptare e Turizmit u shpreh ngushëllimet familjarëve të çiftit çek që humbën jetën duke vizituar vendin tonë. Më tej, Shoqata e Turizmit, i bën thirrje qeverisë të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla. “Së pari ATA ngushëllon familjen dhe miqtë e dy të rinjve shtetas të Republikës çeke që humbën jetën duke vizituar vendin tonë! Kjo ngjarje tronditëse është nga më të rëndat për turizmin shqiptar ndër vite. Krimi nuk ka vrarë thjesht 2 të rinj, 2 turistë, por i ka dhënë një goditje të fortë turizmit shqiptar dhe punës sonë e të gjithë kolegëve tanë ndër vite. ATA i kërkon për të disatën herë qeverisë që të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla që dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë si vend turistik”, thuhet në reagimin e ATA-¬s.

Lini një koment