Udhëheqësi revolucionar i së majtës shqiptare shpalli dje fitoren në zgjedhjet e 21 qershorit edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe madje edhe ndaj Zotit. “Deri 10 vjet më parë 98% e shqiptarëve besonin tek SHBA, BE dhe Zoti. Sot nuk është më kështu”, tha ai. Zgjedhjet nuk paskan qenë thjesht një garë vetëm mes pushtetit dhe opozitës armike. Paska humbur jo vetem PD, por bashkë me të edhe besimi i qytetarëve tek SHBA dhe BE me 21 qershor. Pyetja që shtrohet nga Rama sot nuk është më nëse e pranon opozita humbjen, por nëse vetë Zoti, SHBA dhe BE e pranojnë humbjen nga djalli i dalë nga shishja?!
Rama nuk i referohet asnjë sondazhi apo statistike për të përligjur ato që thotë. Por, çfarë rëndësie kanë sot shifrat. E rëndësishme në vendet me regjime hibride, sikurse konsiderohet sot Shqipëria nga prestigjiozja “Freedom House”, nuk është të lexosh mendimin e qytetarëve, por të dëgjosh atë çfarë thotë udhëheqësi i partisë.
Nëse deri dje shqiptarët besonin tek SHBA dhe BE, pas 21 qershorit Rama po na thotë se, shqiptarët besojnë tek Republika e tij Popullore Socialiste e Bandave.
Flet për humbje të besimit tek SHBA dhe BE në një kohë që anijet dhe avionët të mbushur me shqiptarë po njohin eksodin më të madh që nga vitet ‘90-‘91 duke kërkuar strehim në dyert e vendeve të BE, apo shpëtim tek lotaria amerikane. A është kjo mungesë dashurie ndaj BE dhe SHBA, apo urrejtje dhe revoltë e hapur ndaj regjimit të Ramës dhe ideologjisë bolshevike të armiqve të jashtëm?
Hakmarrja e Ramës nuk është vetëm me njerëzit e lirë të këtij vendi, të cilët i mposhti me blerjen e votës dhe paratë e mafias. Urrejtja e tij është e vjetër dhe patologjike dhe e shtyn të marrë pozat e dikurshme të një Haxhi Qamili të kohëve moderne në kërkim të babës.
Fitoren po kërkon ta shesë si një karshillëk të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për të vetmen arsye se ata nuk janë të gatshëm që të pranojnë një regjim kriminal në Shqipëri dhe kanë nisur izolimin e së keqes. Ndaj i biri i të atit na servir sot postulatet e bunkerëve të dikurshëm të komunizmit se: armiqtë na kanë në grykë të pushkës, por ne i kemi në grykë të topit.
Delirimi është një sëmundje prej të cilës nuk vuan pacienti. E vuan familja dhe shoqëria. Është e keqja e të zotit thonë shkodranët.
Sërish, ata dhe ne. Shqipëria këtej dhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian në anën tjetër. Zoti andej dhe djalli sërish këtej. Fantazmat e së shkuarës janë zgjuar dhe djalli ka dalë nga shishja. Mbi gërmadhat e së vjetrës ka lindur bota e re. Himni i saj nuk është ai i internacionales, por ai i revolucionit që marshon, duke shtypur liritë dhe të drejtat qytetare.
Modeli putinian i oligarkisë shqiptare është një sfidë që kërkon alternativa të forta dhe mentalitet të ri për t’u luftuar. Skifterët apo pëllumbat nuk mund të jenë më dilemë.
Nuk është një model që rrëzohet nga burokratët e zyrave. Nuk është një model që mund të bjerë vetë nga konsumimi i pushtetit, përkundrazi vetëm sa forcohet nga metodat e terrorit. Nuk është një sistem që i njeh institucionet, por që i kap dhe instrumentalizon për të goditur armiqtë e brendshëm. Sa më shumë kohë i lihet, aq më shumë e kalcifikon të keqen.
Për t’u përballur me të duhen burra dhe gra të vendosur, të motivuar dhe përkushtuar. Ata që besojnë se me ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të mund të ngrenë sistemin e vrarë të votës në këtë vend, janë amatoreskë. Kurrë dhe në asnjë vend institucioni i votës nuk është rivendosur përveçse me revolucione.
Ata që besojnë se mund të ketë një dekriminalizim me ligje dhe negociata me vetë të inkriminuarit ushqejnë iluzione, sepse krimi nuk pastrohet me kozmetikë. Opozita duhet të fitojë kohën. Nëse ajo rrjedh, edhe nervi i rezistencës qytetare ndrydhet.
Kërcënimet e Ramës në drejtim të Bashkimit Europian janë të ngjashme me ato të Gedafit. Edhe Gedafi kur pa fundin, sikurse edhe Rama sot, kërcënoi Europën kur ndaj tij nisi izolimi ndërkombëtar dhe rënia nga pushteti. Gedafi deklaronte atëherë se në rast se ai do të sulmohej, atëherë Italia do të pushtohej nga terroristët dhe emigrantët.
Është një gjuhë prej terroristi kjo e Ramës që kërkon t’i imponohet Bashkimit Europian me sjelljen e një pengmarrësi të lirive të qytetarëve në këmbim të sigurisë së pushtetit të tij kriminal.
Prej kohësh Rama investohet politikisht në shumëfishimin e këtij rreziku imagjinar që mund t’i kanoset Europës nga Shqipëria nëse ai nuk do të jetë në pushtet. Në fakt, ai e sheh këtë lëvizje politike, si gurin e fundit për t’u mbyllur gojën komunitetit ndërkombëtar ndaj manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, blerjes së votave dhe instalimit të regjimit kriminal.
Vrasja e oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha vazhdon të jetë e mbështjellë me shumë mister. Eshtë pohuar nga ministri i Brendshëm për implikim të struktuarave të policisë në këtë vrasje. Atëherë pyetja që shtrohet është se përse mediat e Ramës e shfaqën menjëherë këtë vrasje të lidhur me një skenar të anëtarëve të terroristëve të ISIS, në një kohë që Tahiri thotë se po hetohen për vrasjen edhe policë të tij? A kemi një skenar të pastër politik në vrasjen e Ibrahim Bashës që i shkon për shtat edhe kërcënimeve të djeshme të Ramës ndaj BE-së?
Bledi Kasmi.