
Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje nga salla e Parlamentit se vetëm një revolucion demokratik do të mund të shpëtonte vendin nga klika kriminale në pushtet që sot po qeveris vendin. Ai tha se nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët do të ngrihen kundër klikës së krimit në pushtet për të rrëzuar dyshen Rama-Meta. Duke kujtuar 2 korrikun e vitit ‘90, Berisha tha se është koha për një apel të fuqishëm ndaj shqiptarëve për të kuptuar se zgjidhja duhet të vijë nga vetë qytetarët. “Mos mendoni se ky vend do të ecë përpara, kurrë në këtë mënyrë. Sot është 2 korriku, është dita e heronjve të ambasadave. Ata që thyen murin e Berlinit në Tiranë, ata ishin mosha juaj, por e bënë atë për lirinë, e bënë atë që ju të votonit të lirë, kurse sot bijtë e etërve të tyre po bëjnë të njëjtën gjë me votën tuaj. Koha për një apel të fuqishëm; mos prisni kurrë të vijë kush të zgjidhë këtë punë. Në një analizë të gjatë të të gjithë faktorëve të udhëhequr nga mazhoranca që çuan në krimin elektoral të prishjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen për të marrë në dorë fatet e vendit e për të rrëzuar krimin nga pushteti. Ish-Kryeministri theksoi rëndësinë e ndërhyrjes ndërkombëtare gjithashtu në betejën e shqiptarëve kundër krimit që sot po qeveris vendin. “Duhet një ndërhyrje ndërkombëtare për të shpëtuar nga krimi dhe kriminelët, nga ngritja e krimit dhe kriminelëve kurse Edi Rama sfidon trupin diplomatik, miqtë tanë dhe u tha s’ka asnjë. Po pse e them unë këtu? E them vetëm për një arsye të dashur qytetarë, se nëse ju s’merrni në dorë këtë problem, absolutisht kabineti tjetër, në përbërje të tij do të jetë Shullazi, në përbërje të tij do të jetë kryekontrabandisti më i madh, qeveria do të ketë kriminelët më të damkosur të rajonit, sepse ata do t’i shpëlajë Edi Rama, do të thotë se nuk janë. Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët shqiptarë, ngrihuni, se pa një revolucion demokratik nuk ka kurrë zgjidhje, se vetëm një revolucion mund t’u tregojë vendin kësaj klike që vendos krimin në piedestal e që ngarkoi bandat në qeveri për të shtypur, për t’u terrorizuar, për t’u tallur ju”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se ajo çfarë mbizotëroi në këto zgjedhje ishte terrori i bandave të krimit. “Çfarë spikati në këto zgjedhje. Këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në këto 23 vjet, u udhëhoqën nga bota e krimit. Edi Rama, kreu i meduzës së krimit shtetëror, emëroi në Kavajë, në Krujë dhe në bashki të tjera, me dhjetëra e dhjetëra kriminelë të damkosur për drogë, prostitucion, vrasje si këshilltarë bashkie, si kryetar bashkie. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Fytyra e këtyre zgjedhjeve ishte faqja e zezë e krimit. Ky është funeral i zgjedhjeve. Çfarëdo që të thuash këtu shembujt janë të pafund. Por unë kam zgjedhur këtu për ta lexuar, jo raportin e PD, nuk kam zgjedhur as ditarin tim të zgjedhjeve, kam zgjedhur vetëm një zë të pavarur të shoqërisë civile. Për të paraqitur këtu faktet e pakundërshtueshme të këtij grupi të rinjsh, të sponsorizuar nga ambasada amerikane dhe në mos gaboj edhe nga dikush tjetër, për të bindur se çfarë janë betimet që bëtë ju këtu dhe krenaria juaj. Ky është një netuork që quhet ‘Za Lart’, (Raise Vioce). Dhe unë në respekt të tyre, sepse unë e kam dyfish raportin tim, PD e ka trefish raportin e saj, por unë mendova të paraqes para shqiptarëve ato të dhëna, të cilat janë më të pavarura se gjithë të tjerat, të paraqes një punë të përgjegjshme të një grupi të rinjsh që u kërcënuan, por nuk u mposhtën, që bënë gjithçka për të mbrojtur votën e shqiptarëve dhe dua t’i falënderoj shumë për këtë akt. Së fundi, do ta mbyll edhe një herë me një vlerësim të madh për të gjithë ata që më 2 korrik, 25 vjet më parë bënë aktin e madh të trimërisë dhe u përballën në rrugët e Tiranës me regjimin gjakatar. Ka 25 vite dhe shumë prej tyre sot nuk dihet se ku janë, por në Shqipëri ka mbetur merita dhe mirënjohja e pakufishme ndaj tyre për aktin e madh. Ka mbetur frymëzimi, që uroj sot të frymëzojë shqiptarët të ngrihen kundër kësaj klike që u ka rrëmbyer atyre gjënë më të çmuar të jetës, përveç familjes, u ka rrëmbyer votën e lirë. Unë kam bindjen se në këtë mënyrë nuk është e largët dita kur ju të rrokulliseni siç e meritoni! Sepse po hymë këtu në këtë sallë për një funeral, po hymë në këtë sallë në seancën e funeralit të votës së lirë, në funeralin e zgjedhjeve, që një klikë i shkatërroi ato në mënyrën më përfundimtare, në mënyrën më të papërgjegjshme. Ajo preku dhe rrënoi, me të gjithë mekanizmat e shtetit mafioz, e mafies shtetërore, e krimin shtetëror çdo parim të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Jam i vetëdijshëm, se krenarëve që i dhanë dhe goditjen e fundit demokracisë kjo nuk u pëlqen”, tha Berisha.
Replika me Sterkajn: Do përfundosh aty ku e meriton
Gjatë fjalës së tij dje në Parlament, ish-Kryeministri replikoi edhe me deputetin socialist, Paulin Sterkaj, i cili po ndërhynte herë pas here nga vendi. Duke i kujtuar atij incidentin e rëndë që shkaktoi gjatë numërimit të votave në Malësinë e Madhe ku Sterkaj i vendosi pistoletën në kokë kreut të PD së Malësisë së Madhe. “Shko qëllo me revole njerëzit në qendra votimi, mos ki merak se këtu jemi, se për atë je. Ka parë ky Parlament shumë si ty po të gjithë kanë përfunduar aty ku meritoni. Ta dish mirë ti”, iu drejtua Berisha Sterkajt.
Fushata e terrorit, presioneve dhe kërcënimeve ndaj qytetarëve për të mos votuar kandidatët e PD u shtri në të gjithë vendin. Rama i kërcënoi publikisht zgjedhësit duke u thënë se nëse votonin kandidatët e djathtë do të mbeteshin pa investime, pa drita, pa ujë. Ish-Kryeministri denoncoi këtë mekanizëm, duke e cilësuar atë si ndëshkim mesjetar ndaj qytetarëve. “Në këto zgjedhje si kurrë ndonjëherë në një vend të lirë, pluralist, njerëzit e opozitës u sulmuan me ndëshkime mesjetare, do të mbeteni pa ujë, do të mbeteni pa drita, do të mbeteni pa investime po votuat kandidatët e opozitës, a thua se buxheti i shtetit ishte buxhet familjar i Partisë Socialiste dhe jo buxheti i taksapaguesve shqiptarë, pavarësisht nga forcat politike që i përkasin. Ky është mekanizmi dhe dilni këtu krenarë. Kjo është ndërgjegjja juaj? Që t’i thoni popullit opozitar se do t’u lëmë pa ujë e pa drita po nuk votuat kandidatët e qeverisë”, u shpreh Berisha.
Blerja masive e votave nga paratë e drogës, krimit e prostitucionit
Banda në pushtet mobilizoi të gjitha grupet e organizuara kriminale, të cilat me paratë e drogës e prostitucionit blenë masivisht votat e shqiptarëve duke tjetërsuar vullnetin e tyre e duke deformuar në mënyrën më skandaloze procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij. Duke e cilësuar fushatën e 21 qershorit si fushatën më të pabarabartë në histori, Berisha u ndal tek shumat marramendëse të parave që dyshja Rama-Meta shpërndau përmes bandave të saj për të blerë votat e qytetarëve. “Mbi zgjedhësit shqiptarë vërshuan lumenjtë e drogës, paratë e drogës, të prostitucionit, të kontrabandës dhe evazionit fiskal si kurrë më parë, si kurrë ndonjëherë, vetëm në dy ditë, në fushatën e Tiranës, kandidati i mazhorancës së krimit ka shpenzuar për reklama televizive më shumë se të gjitha shpenzimet e të gjithë fushatës elektorale nga kandidati i Partisë Demokratike dhe i opozitës. Nga buronin këto para që shndërroheshin në reklama televizive, që mbushnin rrugë, shtylla, salla, pallate, nga dolën këto? Pra, lumenjtë e parave të krimit, të evazionit, të kontrabandës, vërshuan mbi zgjedhësit shqiptarë. Dy ditë kushtuan më shumë se sa dy muaj të një kandidati tjetër. Në këto zgjedhje si kurrë në histori, aparati shtetëror dhe institucionet nga kreu i qeverisë tek i fundit u moblizuan, më keq se në zgjedhjet e 1991, në luftë kundër opozitës”, tha Berisha. Ai tha se në mënyrë skandaloze qeveria vuri në funksion të fushatës elektorale dhe kandidatëve të saj të gjitha asetet shtetërore dhe institucionet. “Reparte ushtarake të forcave speciale u ngopën me flamuj të rreckosur të banditëve të krimit, shkollat, spitalet, të gjitha institucionet, jo vetëm njerëzit, por edhe infrastruktura e tyre, u vunë në funksion të mazhorancës së krimit. Ata, të cilët pretendojnë se këto ishin zgjedhjet më të mira, dy gjëra do t’u them. Së pari, historia e vëzhgimit të zgjedhjeve ka problemet e saja në Shqipëri. Në zgjedhjet e 2001 u larguan duke thënë më të mirat, por u kap tjetri dhe u fotografua tek merrte nga Fatos Klosi çantën me para, në ‘Princ Park’, i ngelën në fyt paratë e marra. Dokumentet e opozitës përmbysën gjithçka, ua mbetën në fyt paratë e marra. Prandaj u them që të mos u mbetet në fyt, ruani gjakftohtësinë, shihni dokumentet, mos u bëj avokat. Nuk kam dëgjuar asnjë të thotë ato që thoni ju, por nëse e thotë, i them ka dokumente opozita”, u shpreh Berisha.