Kategori
Uncategorized

Berisha-ndërkombëtarëve: Mos legjitimoni zgjedhjet.

Harta Rama-Meta, 45 bashki me 840 mijë vota, PD me 671 mijë, 15 bashki

Përmes ndarjes së re territoriale, me të cilën Rama dhe Metën futën vendin në zgjedhjet e 21 qershorit shënohet një diskriminim i pashembullt i votës së qytetarëve, kjo pasi ndarja administrative e kalkuluar për qëllime elektorale nuk përkthen siç duhet votën e qytetarëve, duke minimizuar rëndësinë e saj e duke e llogaritur sipas interesave elektorale.

Për ta sqaruar me shifra këtë pazar elektoral që PS dhe LSI bënë duke miratuar reformën territoriale, rezulton se koalicioni i majtë, i cili mori 840 mijë vota për kandidatët e tij fitoi 45 bashki, ndërkohë që koalicioni i djathtë që mori 671 mijë vota për kandidatët e tij fitoi vetëm 15 bashki. Diferenca mes votave të fituara nga dy koalicionet dukshëm nuk justifikon numrin e bashkive të fituara nga e majta, duke treguar qartazi se si Rama dhe Meta përmes ndarjes territoriale kanë deformuar vullnetin e qytetarëve.

 

Sipas kësaj përllogaritjeje, rezulton se kandidatët e opozitës kanë fituar me mesatarisht 48 mijë vota për kandidat, kundrejt mesatarisht vetëm 17 mijë votave për një kandidat fitues të mazhorancës. Ish-Kryeministri Berisha përmes një komenti dje në Facebook, deklaroi se një nga aspektet në antidemokratike të zgjedhjeve të 21 qershorit ishte ndarja e pabarabartë elektorale. “Kjo ishte farsa zgjedhore më diskriminuese, më e pabarabartë në tërë historinë e vendit. 1 votë e popullit opozitar vlente vetëm 30% të një vote për qeverinë! Njëri nga aspektet më të shëmtuara dhe më antidemokratike të zgjedhjeve të 21 qershorit ishte pabarazia dhe diskriminimi ekstrem i fuqisë elektorale të votës së dhënë për kandidatët e opozitës krahasuar me fuqinë elektorale të një vote të dhënë për kandidatët e qeverisë. Kështu, në sajë të pseudoreformës territoriale, që në të vërtetë faktohet katërcipërisht si elektorale dhe gerrymandering të saj, është arritur që kandidatët e opozitës të fitojnë me mesatarisht 48 mijë vota për kandidat, kundrejt mesatarisht vetëm 17 mijë vota për një kandidat fitues të mazhorancës”, shprehet Berisha. Ish-Kryeministri argumenton më tej se, “Me këtë mekanizëm antidemokratik të diskriminimit të fuqisë elektorale të votës së qytetarëve shqiptarë në varësi nga preferencat politike, klika në pushtet dënoi votën e popullit opozitar për të patur tre herë më pak fuqi zgjedhëse se sa votat e mbështetësve të qeverisë. Prandaj dhe me gjithsej 840 mijë vota për kandidatët, koalicioni i qeverisë ka sot 45 kryetarë bashkie apo 300%, apo tre herë më shumë kryetarë të bashkive se sa opozita, e cila ka me 671 mijë vota gjithsej 15 kryetarë bashkie apo tre herë më pak se sa qeveria, ndërkohë që diferenca në vota në përqindje për kandidatët opozitë/qeveri është gjithsej vetëm 11% më shumë për koalicionin qeverisës”.

Berisha-ndërkombëtarëve: Mos legjitimoni zgjedhjet.
Ish-Kryeministri Berisha ka përsëritur dje thirrjen ndaj ndërkombëtarëve për të mos legjitimuar zgjedhjet e 21 qershorit, duke theksuar se pazaret me ndarjen elektorale ashtu si dhe manipulimi masiv i procesit zgjedhor i bëjnë këto zgjedhje më jo demokratiket në historinë e vendit. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mos pranojnë poshtërimin e votës së tyre. “Edhe një herë thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është: mos legjitimoni zgjedhjet e 21 qershorit, ato janë zgjedhjet më të padrejta, më të pabarabarta, më të shëmtuara në historinë e këtij vendi. Unë këtu paraqita vetëm një aspekt, mjerisht, në tërësi të injoruar të këtyre zgjedhjeve që dëshmon se këto zgjedhje janë shumë më të pabarbarta se zgjedhjet e vitit 1991. I bëj thirrje popullit opozitar të mos pajtohet kurrë me këtë diskriminim poshtërues për të, që i ndan shqiptarët për fuqinë zgjedhëse të votës në qytetarë të dorës së parë, ata që mbështesin qeverinë dhe qytetarë të dorës jo të dytë, por të tretë, ata që mbështesin opozitën, vota e të cilëve kushton vetëm sa 30% e votës së një mbështetësi të qeverisë”, shkruan Berisha në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.

Si e ndau Rama dhe Meta hartën për të fituar bashkitë
Ndarja absurde e territorit që zvogëlon rëndësinë e votës. Numri i organeve të qeverisjes vendore në qarqet
e jugut të vendit është më i lartë se në ato të qendrës apo të veriut të vendit pavarësisht numrit të popullsisë
Absurditeti më i madh i reformës territoriale të hartuar nga Rama-Meta qëndron në ndarjen e pabarabartë të qeverisjes vendore. Edhe pse rindarja është bërë me të njëjtat kritere në të gjithë Shqipërinë, numri i organeve të qeverisjes vendore në qarqet e jugut të vendit është më i lartë se në ato të qendrës apo të veriut të vendit. Kështu, në jug të Shqipërisë do të funksionojnë 31 kryetarë dhe 31 këshilla bashkie, ndërsa qendra dhe veriu i Shqipërisë do të kenë së bashku 30 kryetarë dhe 30 këshilla bashkie. Po kështu, Qarku i Tiranës do të ketë 5 njësi, ai i Durrësit vetëm 3, ndërsa ai i Gjirokastrës do të ketë 7 të tilla, edhe pse shumë më i vogël si popullsi se Durrësi dhe shumë herë më i vogël se Qarku i Tiranës. Kjo sjell një pabarazi të madhe jo vetëm në raport me kryetarët e bashkive, por mbi të gjitha në raport me këshillat dhe raportin këshilltar/banorë midis këtyre këshillave. Bazuar në formulën e parashikuar nga Ligji 8652/2000 për numrin e këshilltarëve në bazë të popullsisë, raporti është plotësisht i deformuar. Kjo cenon rëndë barazinë e përfaqësimit, për rrjedhojë peshën e votës. Pra, është thyer parimi kushtetues i barazisë së votës. Kështu, në bashkitë e vogla, një këshilltar do të përfaqësojë më pak banorë sesa në njësi të mëdha si Durrësi, Elbasani, Shkodra, etj., dhe shumë herë më pak se një këshilltar i Bashkisë së Tiranës. Kështu vota për këshillin bashkiak e një zgjedhësi në Tiranë ka vlerë disa herë më të vogël se vota e një zgjedhësi në Roskovec. Nga ana tjetër, Durrësi dhe bashki të tjera të reja, bazuar në kriterin kushtetues të shtetasve dhe jo të Censusit 2011, e kanë kaluar fashën e parafundit prej 100.000–200.000 banorësh, të cilës i përket një këshill me 45 anëtarë. Pra, qytetarët e Durrësit janë të nënpërfaqësuar në raport me qytetarët e njësive që janë pak mbi 100.000 banorë dhe kanë po ashtu si Durrësi 45 këshilltarë për t’i përfaqësuar. Nga ana tjetër, banorët e bashkisë së re të Tiranës, përveç një shtrirjeje shumë të madhe gjeografike që cenon subsidiaritetin, janë edhe më shumë të nënpërfaqësuar, sepse numri 55 i anëtarëve të këshillit është krejtësisht jopërfaqësues për popullsinë e madhe të Bashkisë së re të Tiranës, sidomos në krahasim me njësitë e tjera. Kjo është një formë e dukshme dhe e rëndë e gjeometrisë aktive zgjedhore dhe cenon rëndë parimin e barazisë së votës. Po kështu, ndarja e miratuar me ligjin e ri ka aplikuar edhe fenomenin tjetër negativ, atë të “gerrymandering”. Shembull flagrant për këtë është Bashkia e Shkodrës. Në të njëjtën situatë është edhe Bashkia e re e Tiranës. Territori i saj është shtrirë duke përmbledhur sa më shumë njësi të favorshme për mazhorancën në pushtet, përfshirë ish-Komunën e Shëngjergjit pas malit të Dajtit në mënyrë që të sigurohet një rezultat i qëndrueshëm zgjedhor në favor të mazhorancës parlamentare që ka miratuar këtë ligj. Për më tepër, bashkisë së re i është bashkuar edhe ish-Komuna e Zall-Herrit. Kjo komunë nuk ka lidhje tokësore të drejtpërdrejtë me Bashkinë aktuale të Tiranës dhe mund të bashkohet me to vetëm nëpërmjet Bashkisë së Kamzës, Komunës së Paskuqanit ose asaj të Dajtit. Nga analiza e materialeve të përdorura për miratimin e ligjit të ri të ndarjes territoriale-administrative, rezulton se kriteri i përdorur për rishikimin e kufijve, përcaktimin e kritereve demografike dhe ekonomike të eficencës së njësive të reja të vetëqeverisjes, është përdorur kriteri i popullsisë rezidente të përpunuar nga legjislacioni për Censusin e popullsisë të vitit 2011. Ky kriter është plotësisht në kundërshtim me Kushtetutën. Të gjithë shqiptarët, nga Veriu në Jug të vendit kundërshtuan prej muajsh të tërë hartën elektorale Rama-Meta.

Lini një koment