Kategori
Uncategorized

Hebrenjtë me “atdhe rezervë”, Shqipërinë.

Mosa (Moshe) Mandil, Gavra, and Refik Veseli  ne Tirane ne  29.12. 1945(1)

Hebrenjtë – miq në tokën e shqiponjave

Hebrenjtë janë kombi dhe populli që për shekuj me radhë kanë shkruar histori suksesi dhe që meritojnë nderimin e kombeve. Kontakti ndërmjet shqiptarëve dhe izraeliteve fillon shekuj më parë, që në mesjetë, kur rreth 3000 hebrenj romaniotë të skllavëruar në shekullin e parë vijnë në brigjet ilirike, në zonën e Vlorës që shënon kontaktin e parë mes dy popujve. Në vitin 1666 u vendosën në Shqipëri rreth 2500 hebrenj së bashkë me prijësin e tyre Sabbatai Zevi-n. Sabbata Zevi më 1666 u dëbua nga Osmanët drejt tokave shqiptare. Historianët thonë se kjo është e dokumentuar edhe në varret me emrin e tij, në kështjellën e “Balshës” në Ulqin, në Vlorë, në Uznovë të Beratit si dhe në Fterrë të Sarandës dhe quheshin hebrenjtë sabatazevit. Hebrenjtë e prijësit Zevit krijuan edhe sektin e besimit “Donme” dhe u kthyen në besimin Bektashinj. Në vitet 1929-1931 ishte rregjistrimi i parë zyrtar që mbretëria shqiptare njohu komunintetin e parë hebre prej 200 hebrenj. Në vitet 1930-1933 ambasadori amerikan në Tiranë, Herman Bernstein ishte arkitekti i një marrëveshje në bashkëpunim me ambasadorin shqiptar në Uashington, Faik Konica për vendosjen e 500 familjeve hebreje të ardhura nga Europa Qendrore. Bazuar në dokumente të kohës vetëm në Kosovë para Luftës II Botërore kishte rreth 600 hebrenj, të cilët shpëtuan duke u zhvendosur në disa qytete të Shqipërisë Qendrore. Po të analizojmë disa nga qytetet kryesore shqiptare në jetën e tyre kanë miqësi të lashtë me popullin e mençur hebraik. Kështu Vlora dhe vlonjatët kanë një miqësi pothuaj 600 vjeçare sepse zanafilla dhe gjurmët historike e kësaj miqësie i kapërcejnë shekujt. Në kujtesën qytetare nuk është vetëm monumenti i kulturës të emërtuar ”Rruga e hebrejve“, por edhe përshtypje e mbresa për banorë fisnikë që ishin komunitet i konsoliduar hebrejsh, që u bënë pjesë e jetës së qytetit të Vlorës, deri në fillim të viteve 1990. Faktet historike dhe dokomentat e shkruara flasin për viktimizimin e një populli pa faj. Hebrenjtë gjetën tek shqiptarët mburojën e tyre në Luftën e Dytë Botërore. Pavarësisht distancës gjeografike fatet historike gjithmonë i afrojnë popujt. Lidhja e Kombeve e shikonte Shqipërinë një “atdhe rezervë” për hebrenjtë, që pas LIB. Në LIIB Shqipëria do të kthehej në një shtëpi e sigurt e hebrenjve. Ata nuk erdhën në Shqipëri rastësisht. Para më shumë se tetë dekadash ka pasur bisedime dy e shumëpalëshe me qeverinë shqiptare. Qëndrimi ndaj hebrenjve është miqësor nga nivelet më të larta të shtetit deri tek populli i thjeshtë. Është fakt se mbreti, Mbretëresha Geraldinë, Princeshat, funksionarët e lartë të administratës së tij kanë shfaqur haptazi sjellje dashamirëse ndaj hebrenjëve; i kishin marrë deri në oborrin e tyre si specialist mjekë, inxhinierë, reporter etj. Por hebrenjtë bashkëjetuan gjatë me shqiptarët në shumë qytete të Shqipërisë edhe gjatë periudhës së izolimit shqiptar gjysëmshekullor. Fakt është se nga janari deri në maj të vitit 1991 në mënyrë të organizuar 300 hebrenj janë larguar nga Shqipëria për një jetë të re në Izrael.

Në oborrin mbretëror të shqiptarëve

Historia mbretërore shqiptare vjen në ditët e sotme si rezultat i fotografit hebreo-gjerman Wilhelm Weitzmann (Vaisman), i cili hyri në Shqipëri si reporter dhe pastaj u bë fotograf zyrtar i oborrit të mbretit Zog I, që ka lënë një trashëgimi të pasur të aktivitetit të kësaj periudhe të historisë së shqiptarëve. Gjithashtu mjeku i Geraldinës, Overnofski ishte qytetar hebre sikurse edhe tetë specialist të tjerë të oborrit Mbreteror shqiptar. Nga të dhënat e arkivit doplomatik shqiptar rezulton se Mbretëria shqiptare dhe qeveria e Austrisë në vitin 1930 hoqi vizat me marrëveshje dypalëshe. Kjo u shfrytëzua nga qytetarët hebrenj që të vinin nga Austria në Shqipëri. Statistikat flasin se në nëntë vjet, 1930 – 1939, numri i hebrenjve me emra e dokumenta të rregullta, pa përfshire ketu ata që ishin me dokumneta me emra të ndryshëm ishte rreth 1200 vetë. Në vitin 1926, Shqipëria duke qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve u bë mbështetëse e fuqishme e planeve të Lidhjes për çështjen e hebrenjve. Kishte edhe plane ambicioze të investimeve me mbështetjen e lobit hebre siç ishte: “bonifikimi i fushës së Myzeqesë dhe të ultësirës midis Lezhës e Shkodrës, për të mundësuar vendosjen e një komuniteti me fshatra hebrenj; disiplimi i prurjeve të lumit Buna dhe Drinit, ngritja e një hidrocentrali në Bushat; hapja e tokave të reja etj. Ishte një ndër më ambiciet dhe projektet më modern dhe më progresive për kohën. Figura shumë të njohura dhe personalitete hebrenj erdhën në Shqipëri si pajisja me pasaportë Shqiptare e fizikantit Albert Ajnshtajn, i cili ka përdorur mundësinë e pajisjes me një dokument shqiptar për të shkuar në ShBA. Për këtë ka një dëshmi nga Mbretëresha Geraldinë që ka treguar për vizitën sekrete të Ajnshtajnit në Shqipëri përgjatë 48 orëve si dhe takimin e tij me Mbretin. Kalimi i Ajshtajnit në Shqipëri është konfirmuar nga ish-drejtori i asaj kohe i Institutit të Fizikës, Skënder Koja, i cili e kishte takuar atë, nga punonjësi i bankës Ajet Bega etj. Por edhe figura të tjera si: Stanisllav Zhubert, që njihet si babai i Gjeologjisë, i cili erdhi në vitin 1929 dhe zbuloi pellgun naftëmbajtës të Patos–Marinëz-Kuçovës. Një figurë e dashur e albanologjisë është padyshim është shkencëtari hebre Norbet Jokli, por edhe Milan Shuflai, i cili ka ka ardhur në vendin tonë në vitin 1930. Milan Shuflai ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Shqiptar të asaj kohe në gjuhën shqipe. Mbreti i kërkoi të bënte “ Aktet e diplomat” dhe “Historinë e Shqipërisë”. Fakt është se ai e pranoi kërkesën e mbretit kundrejt një honorari 75000 franga ari. Por Shuflai u vra një muaj pas marrëveshjes dhe u botuan vetëm vëllimi “Akte e diploma”, ndërsa “Biologjia e fisit shqiptar” mbeti e papërfunduar.

Shqipëria – vendi i shpëtimit të hebrenjve në LIIB

Në Gadishullin ballkanik u përhap lajmi shpresëdhënës se Shqipëria është vendi i shpëtimit të hebrejve nga vdekja. Kjo solli drejt vendit tonë prurje hebrenjsh nga Austria, Greqia, Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania etj. Shqipëria jo vetëm i strehoi por edhe respektoi zakonet, festat e hebrenjve. Fakt domethënës është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cënuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin, nuk u grabitën, nuk iu mor pasuria, nuk u prekën nga ndonjë ligj qeveritar antihebre. Shqipëria u bë atdheu i dytë për hebrenjtë e përndjekur, ku një pjesë qëndruan aty deri sa mbaroi Lufta II Botërore. Nga listat e integruara hollësisht disa studiues shqiptarë si Sinani dhe Kotani dokumentojnë përkatësisht në publikimet e tyre në Shqipëri dhe jo vetëm, listën me 2265 hebrenj të shpëtuar në Shqipëri; por saktësimet e anëtarëve të familjeve hebraike në këto lista, del se në Shqipëri u shpëtuan deri në fund të Luftës II Botërore të paktën 3240 hebrenj. Fakt është se në kohë të ndryshme dhe të pavarur nga njeri-tjetri autorë seriozë kanë konkluduar përmes analizës se, “100 për qind e hebrenjëve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta”. Arkivat flasin për korrespondenca, lutje, statistika, raporte, qarkore, formularë, lista tip, njoftime, vendime, lista emërore familjarësh, shkresa, telegrame etj., që flasin të gjitha për aktivitetin e hebrenjëve në Shqipëri. Në këtë lëvizje njerëzore e shkresore ishin përfshirë gjithë strukturat e shtetit shqiptar. Kjo dokumentohet nga fondet dokumentare në Arkivin qendror të shtetit shqiptar si: Fondi dokumentar i Drejtorisë së Përgjithshme të policisë; i Komandës së Përgjithëshme të Xhandarmërisë; i “Komandës Ushtarake”; i Mëkëmbësisë së Përgjithshme në Shqipëri”; i Bashkive e Prefektuarave etj. Qytetet shqiptare si Berati, Elbasani, Kruja, Kavaja, Shijaku, Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra, Gjirokastra etj., u bënë streha e sigurt e hebrenjve. Shqipëria dhe Danimarka ishin raste të rralla që nuk lejuan që të prekej asnjë hebre. Është fakt historik se qeveria shqiptare nuk dorzoi listat e hebrenjëve me faktin se ata ishin shqiptarizuar, ishin “tretur” në gjirin e shqiptarëve. Shteti shqiptar e trajtoi problemin e hebrenjve si çështje të brendshme, për të cilat flasin dokumentat arkivore. Nuk ka shqiptar që nuk është njohur dhe nuk ka mbështetur qytetarët hebrenj gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk u dorëzuan tek gjermanët. Për këtë dëshmon edhe ngjarja e verës së vitit 1944, kur pushtuesit nazistë realizuan internimin masiv të rreth 800 burrave, qytetarë të Vlorës, 600 prej të cilëve u ekzekutuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani e gjetkë. Fakt është se në rradhët dhe listat e të internuarve, nuk ishte dhe nuk përfshihej asnjë qytetar me origjinë hebraike. Por gjurmët e shpëtimit gjenden në qytete e fshatra në Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Deçan, Pejë, Gjakovë, Shkodër, Tiranë, Berat, Krujë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Librazhd, Korçë, Dibër, Burrel, Fier, Lushnjë, Vlorë, Delvinë, Përmet, Gjinokastër, etj. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare se e dinin kush nga europianët dinin dhe donin me zemër t’i hapnin derën mikut. Çështja e shpëtimit të tërë hebrenjve në Shqipëri është bërë e njohur dhe nga institucioni “Yad Vashem” (“Yad Vashem-i” është autoritetit qendror i përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit, me seli në Jerusalem), që deri më tani ka dokumentuar dhe njohur zyrtarisht 70 shqiptarë si “fisnikë” të shpëtimit të hebrenjve gjatë holokaustit.

Holokausti dhe 42 ligjet antihebraike

Viktimizimi i hebrenjve lidhet me holokaustin, që është fjala (“Holokaust”) me prejardhje nga greqishtja e vjetër dhe që do të thotë “sakrifikim me zjarr për nder të hyjnive”. Ndërsa “Shoah” lidhet me gjuhën hebraike dhe do të thotë “Katastrofë njerëzore”. Kjo gjetje e ka zanafillën tek katastrofa më të madhe njerëzore të shekullit të 20-të dhe ndoshta e të gjitha kohrave. Doktrina naziste gjermane bazohej mbi parimin racor të luftës së racave, që ishte në thelb doktrinë e terrorit masiv. Terrori si luftë racash vuri në shinjestër përndjekjen dhe asgjësimin e hebrenjve duke kërkuar të bëjnë “zgjidhjen finale” për çështjen hebraike nga ana e Hitlerianëve. Zanafilla e “Shoah” nis në vitin 1933, që njihet edhe si viti i “42 ligjeve antihebraike”. Fakt është se gjatë vitit 1933, qeveria gjermane nxori 42 ligje kundër hebrenjve, që iu kufizonin të drejtat qytetare, të punës, të arsimimit dhe urdhëruan largimin nga tërë punët shtetërore përfshirë shkollat e universitetet. Gjatë vitit 1934, qeveria gjermane hodhi në veprim 19 ligje të tjerë drejtpërsëdrejti kundër hebrenjve. Gjatë vitit 1935 u shtuan edhe 29 ligje të tjerë kundër hebrenjve, përfshirë edhe ndalimin e martesave midis hebrenjve dhe jo-hebrenjve edhe zhvlerësimin e qytetarisë gjermane për hebrenjtë dhe ato me origjinë të tillë. Gjatë viteve 1936-1937 u shtuan edhe 46 ligje kundra hebrenjve. Më 12 mars 1938, sipas burimeve arkivore Austria bashkohet me Gjermanë dhe kështu edhe 185.000 hebrenj austriakë bien nën regjimin nazist. Nga Nata e Xhamave të Thyer të 10 nëntorit 1938 e deri në janar 1945 u viktimizuan në kampet e shfarrosjes më shumë se 7 milionë hebrenj dhe 11 milionë njerëz të tjerë nga kombësitë europiane. E pashembullt në historinë e njerëzimit. Filozofia e nazizmit kishte në thelb krimin. Nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryen krime të përbindëshme ndaj njerëzimit, megjithëse e propagandonin veten si përfaqësues të një race që mishëronte vyrtytet më të larta të njerëzimit, dhe që do të ndërtonte “një rend të ri”, të quajtur “model-Evropian”. Fati tragjik i rreth 7 milionë hebrenjve në LIIB u përcaktua nga teoria çnjerëzore e demoracës, nga doktrina naziste e “zhdukjes përfundimtare”. Shfarosja masive për herë të parë u kthye në industri. Në prag të 70 vjetorit të fitores mbi fashizmin të gjithë fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore kanë dëshmorët e tyre për çlirimin e njerëzimit prej epidemisë nazifashiste, por nga ana tjetër, 7 milionë hebrenj të shfarosur, të këtij kombi të martirizuar mbeten edhe sot e kësaj dite thjesht viktima. Të flasësh për krimin nazist të LIIB s’mjaftojnë konferenca e simpoziume; kjo temë s’do shterrojë kurrë sepse është apel dhe kujtesë për ndërgjegjen e kombeve, që eksperimentet në kampet Aushviciane nga më çnjerëzoret mos të përsëriten më.

Hermann Neubacher, pavarësia shqiptare dhe hebrenjtë

Shteti shqiptar e trajtoi problemin e hebrenjve si çështje të brendshme, për të cilat flasin dokumentat arkivore. Relacionet e fshehta që bëjnë fjalë për mundësinë që Shqipëria të kthehej në një farë “atdheu të dytë” për hebrenjtë, për të cilët nuk ka pasur kurrë kuota për numrin e hebrenjve që do të pranonin. Bazuar në të dhënat dokumentare të historianëve, të kanadezit Bernd Fisher, ish-ambasadorit amerikan me origjinë hebre Herman Bernstein, Sir Martin Gilbert, Ariel Schieb, Neoel Malcolm, A. H. Sarner, J. Goldfarb, të Profesor Shaban Sinanit, etj., vërtetohet “neutraliteti relative” shqiptar. Italianët e treguan indiferentë në Shqipëri për antihebraizmin; ndërsa gjermanët me përfaqësuesin më të lartë në Shqipëri Neubacher këmbënguli në një shpallje të re të pavarësisë së Shqipërisë dhe përhapi devizën se, “Gjermania respektonte pavarësinë shqiptare në të gjithë trojet etnike shqiptare”. Hermann Neubacher kishte dalë me platformën e kategorive të reja në ligjin ndërkombëtar që lidheshin pikërisht me “neutralitetin relativ” dhe “sovranitetin relativ”, cka solli edhe proceverbalin e bisedimeve Von Thadden-Myler të 17 tetorit 1943, ku thuhej se, “kishte nxjerrë mësime nga përvojat në Kopenhagë”. Ja si përshkruhet nga studiuesi Shaban Sinani, qëndrimi i Mylerit në takim: “..e kupton mjaft mirë qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas së cilës, një veprim de fakto kundër hebrenjve në Shqipëri, pa pëlqimin e qeverisë së vendit, apo pa dijeninë e saj, do të konsiderohej fyes për këtë të fundit dhe do të shkaktonte ndërlikime të rënda në vend. Prandaj për qëndrimin ndaj hebrenjve në Shqipëri do të pranohet propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe do të lejohen veprime vetëm pas rikëshillimit me këtë të fundit, në një moment të përshtatshëm, duke dëgjuar edhe një herë mendimin e përfaqësuesit të saj, pasi të ketë kontaktuar e këshilluar përsëri mendimin e qeverisë së Shqipërisë”.

Kodi i besës shqiptare dhe dosja e “rezervuar” hebraike

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri mbeti temë “e rezervuar” deri vonë, për shkak të qëndrimit politik që Tirana zyrtare mbante kundër Izraelit, si “aleat i amerikanëve”, megjithëse qeveria e Enver Hoxhës e pati njohur ndër të parat në rrugë diplomatike formimin e shtetit të ri të hebrenjve që në vitin 1948. “Dosja hebraike”, u hap disi por e rezervuar dhe shumë kujdes, vetëm në fillimin e viteve 1980, kryesisht për të evokuar traditën shqiptare të mikpritjes dhe shpëtimit të të huajve në kohë rreziku. Shqiptarët, u bënë streha e një populli të zgjuar dhe me kulturë të lashtë. “Kodi i besës, i nderit, i mikpritjes”, nuk janë shkaqt e vetme e thelbësore të mbrojtjes së hebrenjve. Ishte kodi i zgjuarsisë dhe veprimit njerëzor të disa figurave historike shqiptare që me elasticitetin, civilizimin, zgjuarsinë dhe intuitën e tyre bënë që të ruhen e mbrohen hebrenjtë në Shqipëri. Fakt është se një komb i tërë, qeveria edhe populli, u vunë në mbrojtje të hebrenjve, që ishte përgjigjia shqiptare ndaj Holokaustit. Shqiptarët vepruan mbi bazën e Kodit moral të besës që ka qenë në vijimësi, vlera themelore, e njeriut që nënkupton ndihmën për tjetrin, qoftë edhe me koston e jetës tënde. Kjo vlerë e tejkalon edhe kulturën e arsimimin e nivelit të lartë, e të cilat nuk kishin arritur dot të çrrënjosnin mizorinë e brutalitetin.

Nuk është e rastit që të mbijetuar të Holokaustit nga vdekja e sigurt, falë mirësisë së të huajve e veçanërisht popullit shqiptar edhe pas më shumë se 7dekadash nga LIIB, janë mirënjohës për guximin, sakrificën dhe fisnikërinë e treguar duke e rrezikuar edhe jetën e tyre për të fshehur hebrenjtë sikurse thotë një maksimë e vjetër e popullit tonë “duke i fshehur edhe nën gjuhë”. Shqiptarët u treguan botës dhe europianëve se çfarë mund të jetë humanizmi në shkallën më siperore të tij. Dallimi midis kombeve të tjerë europianë është se shqiptarët e danezët, ishin dy vende që nuk dorëzuan asnjë hebre. Shqiptarët ofruan “tokën e premtuar” për hebrenjtë e përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Europianët dhe jo vetëm kishin dëgjuar për institucionin e “Besës shqiptare”, këtë akt nderi, më shumë se sa një fjalë, por e panë realisht në rastin e përndjekjeve të hebrenjve kur ofruan “bukë, kripë dhe zemër” dhe siguri, që përkthehej në atë që në shekuj ishte vërtetuar se “shtëpia është e mikut”. Por në Shqipëri, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se sa në fillim të saj. Arsyeja, besa, nderi dhe mikpritja shqiptare mposhtën artin e shkatërrimit dhe paqja triumfoi mbi mëritë e shekujve për drejtësi, paqe e miqësi midis popujve dhe kombeve.

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

Alma Golemi (Studente në SHBA

Lini një koment