Nga Petrit Palushi
Bash në Ditën e Shëngjergjit, 48 vjet ma parë (të shtunën e 6 majit 1967), e kthejnë mbrapsht Havzi Nelën familjarisht, dhe më pas do dënohej me 15 vjet burgim, ndërsa e shoqja me 10 vjet.
Në mesnatën e 26 prillit të 1967-s, mësuesi antikonformist Havzi Nela u arratis familjarisht në Kosovë (ish-Jugosllavi). Në kufi, ai la letrën e famshme, që tashmë është bërë pjesë e historisë. Fati i Havzi Nelës është fati i njeriut në diktaturë, është fati i njeriut të nëpërkëmbur deri në skajshmëri, por njëkohësisht është modeli i njeriut që reagoi vazhdimisht ndaj një bote të pajisur me çmos gjërash të rënda dhe tinzare. H. Nela qe dritëpamës; nuk kishte dëshirë të jetonte me sot me nesër. I pajisur me frymën e rebelit, qe njëkohësisht me atë dritëpamje, shumica e të cilëve rretherrotull tij nuk mundën ta rroknin. Ai mund të bënte një jetë relativisht të qetë, të përgjumtë, siç mund të bëhet jeta e kësillojtë në pellgun e vakët të nënshtrimit e të ecjes këmbadoras, por vizioni që kishte s’mund ta lejonte kurrsesi. Ai e kishte të qartë se herdokurdo, madje në një kohë t’afërt, ajo botë e mbrapshtë do të merrte fund.
Para arratisjes
Fati nuk qe përplasë krejt rastësishëm me të, me një fjalë kundërshtia e tij në prill të 67-s, në Shishtavec, refuzimi dhe reagimi ndaj tri kërkesave rrënuese të partisë-shtet, nuk qe rastësi a diçka e atypëratyshme.
Qysh në shkollë të mesme (për mësuesi) tek ai u shfaqën kundërshtitë e para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës; gradualisht nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i formësonte dhe po i ngrinte dita-ditës në sistem.
Realiteti i ashpër i kohës forcoi tek ai ndjenjën e kundërshtisë ndaj regjimit, derisa erdhi përplasja e madhe e prillit të 67-s.
Mësuesi H. Nela në vitin 1967 kish reaguar haptas dhe bindshëm ndaj tri kërkesave të pushtetarëve, si futja në kooperativën bujqësore, prishja e kishave dhe xhamive, ndërrimi i veshjes:
“…Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë. Mungon edhe fjala e lirë dhe shtypi i lirë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut… ”
Kish nisur herezia kolektive e prishjes së kishave dhe xhamive në gjithë Shqipërinë; mësuesi H. Nela kërkoi të mos prishej struktura shpirtërore dhe ekonomike e njerëzve dhe mu për atë, fjalët e tij shkaktuan një trazim në krejt mjedisin e indroktinuar, por dhe një lëvizje të ethshme të hallkave të pushtetit për të mbytur atë lloj drite që po përpiqej të dilte nga mesi i errësirës. Reagimi i tij qe një refuzim i plotë ndaj kërkesave të pushtetit të diktaturës; reagimi i tij qe njëkohësisht kundërshtimi më i hapur që i bëhej ideve dhe praktikave të partisë-shtet. Kësisoj, ai kërkonte të kthente përmbys atë program të tillë fatal për zhvillimin e vendit. Por, këtu do të niste edhe drama e H. Nelës, do të nisnin vuajtjet që do të sosnin vetëm në natën e mbytjes së tij. Pra, është krejt e natyrshme të thuhet se qysh n’atë kohë, ai po kërkonte të kthehej përmbys programi i marrëzishëm të partisë-shtet, të ngrihej kundër ideve të zeza të fjalimit të diktatorit Hoxha për revolucionin kulturor. Ndërsa, sot, në një sistem demokratik, shumë kohë mbasi ai është ndarë dhunshëm nga jeta, lehtësisht mund të shihet përpjekja ngulmuese e tij e asokohshme që vendi të mos futej nën atë shkretinë të revolucionit kulturor. Në Shqipëri tashmë është rikthyer e drejta e besimit dhe e pronës private; ndërkaq, kooperativat bujqësore janë shkatërruar, dhe veshja është krejt në shijen e vetë individit.
Ora e fundit e mësimdhënies
Alarmi përfshiu strukturat e partisë e të shtetit të kohës. (N’atë kohë, verbëria kolektive po përfshinte ngadalë-ngadalë njerëzit dhe një gjë e tillë po kthehej në një ritual të përditshëm). Një alarm i tillë u shtri edhe në shkollën ku punonte mësuesi H. Nela, në Topojan, disa ditë mbas mbledhjes në Shishtavec.
Do ditë më vonë, në hetuesi, ai nis të shpjegojë atë klimë të ftohtë dhe të ashpër që u krijua përreth tij, si dhe dhembjen e madhe se qe i detyruar të largohej nga shkolla:
“… me datë 26. 4. 1967, mbasi bana 3 orë mësim në orën e leximit, në klasën e VI-të, duke i ba komentin vjershës “Shko dallandyshe” të Filip Shirokës, përnjiherë jam emocionue tepër dhe desh më shpërtheu vaj. E ndërpreva komentin dhe librin ia dhashë nji nxanësi, ndërsa vetë po shëtitsha në klasë për të mos kuptue nxanësit…” (Dosja gjyqësore 9912/1 A.)
Nuk e di se në ç’strofë të vjershës prekëse të Shirokës pati mbërritë gjatë komentit letrar mësuesi H. Nela, por ia vlen të besosh se kjo poezi që po komentonte në orën e fundit të mësimit, dhe për të mos u parë më me shkollën gjithmonë e jetë, duhet të ketë lënë përjetime të mëdha në shpirtin e tij. Edhe pak orë dhe do të bëhej gati të largohej nga vendi i tij i lindjes, por dhe të arratisej nga ai mjedis mbytës që po i kthehej në pezmatim të vazhdueshëm dhe njëkohësisht t’i shpëtonte arrestimit që ndihej se s’do të vononte.
Letra në kufi
Po atë natë, së bashku me bashkëshorten, duke marrë me vete një çantë me libra dhe me krijimet e deriatëhershme në poezi e prozë, nisen të kalojnë kufirin, të ecnin dhe të ecnin, dhe me synim për kah një vendi të lirë, siç ishte Austria, të qëndronin disa vite atje dhe më në fund të kalonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
N’atë natë të vonë të 26 prillit të vitit l967, gjatë kalimit të kufirit, Havzi Nela shënoi në një fletë blloku vargjet e mëposhtme:
“Lamtumirë, Atdhe i dashun,
Po të la, po zemërplasun”.
Fletën e bllokut e vendosi në një degë lajthie dhe njësiti i kufirit, në ndjekje të gjurmëve, gjeti edhe letrën me fjalët e sipërcituara.
Kalimet e kufirit kanë qenë të rrezikshme, thuajse të pamundura. Rojat shqiptare të kufirit, më tepër vëzhgonin kush përpiqej të largohej nga Shqipëria, sesa atë që mund të shkelte kufirin e të futej në Shqipëri; të shkoje drejt kufirit atëherë do të thoshte të shkoje drejt vdekjes i sigurtë. Në anën tjetër, në rast se njeriu shpëtonte, do të thoshte se përjashtimi përforconte rregullin.
Në ikjen apo arratisjen spektakolare të tij, ka një lloj fisnikërie të ndritshme: ai gjeti kohë të jepte një kumt (pikërisht kur edhe koha fizike mungonte se në çdo moment mund t’i shkonte kryet), se po linte vendin e tij përmes një trazimi të madh shpirtëror. Prandaj lamtumira e tij qe një lamtumirë e përvajshme. Në largimin e tij gjithashtu ka një lloj dëshmie se vendi po kthehej në pezmatim të vazhdueshëm për banorët e tij dhe largimi prej tij mund të ish një shpëtim, një lirim prej së keqes. Njëkohësisht, ai po largohej me dhembjen që po i bëhej varr sepse diktatura tashmë po lëshonte hijen ndëshkuese mbi banorët e vendit të vet: izolimin, ankthin, torturën e vazhdueshme shpirtërore dhe fizike, indoktrinimin, etj. Ndoshta një ikje e përkohshme, një ikje me riardhje më të shpejtë, në rastin më të mundshëm, sidomos me kthimin kryeposhtë të atij regjimi që po rrënonte vendin. Por fati qe fort i mbrapshtë.
Në akt-akuzë…
Në Aktakuzën kundër tij dhe bashkëshortes së vet shënohej se “Me datën 6 maj 1967, pala jugosllave jashtë vullnetit të tyre i dorëzoi në postbllokun e postës kufitare Morin.” (Aktakuzë e dënimit të parë (Dosje nr. 28)
(Dënimet qenë jashtëzakonisht të rënda: H. Nela me 15 vjet heqje të lirisë dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e vet me 10 vjet heqje të lirisë).
Ndërkaq, sipas një dëshmie të një bashkëvuajtësi me të (P. Doçi), jetësohet një dëshmi e vetë H. Nelës për atë kohë:
“Edhe unë kam mjaft kujtime nga Prizreni, madje mjaft të hidhura. Kur kalova kufirin, policia serbe më çoi në Prizren. Më caktuan një hotel. Më merrnin në pyetje disa herë në ditë ose hiç. Pas disa ditësh më thanë: “Do të shërbesh civil në polici, do të paguhesh fort mirë, po qe nevoja do të dalësh edhe përtej, në anën tjetër të kufirit, për të kryer detyra të posaçme. E kupton?”. Unë u trondita nga këto fjalë, por si e mblodha veten, iu përgjigja: “Jam mësues e poet, ky është parim jete për mua! Nuk më shkon për shtati detyra e policit”. “Parimi i jetës mund të kthehet edhe në parim vdekjeje”, foli ai zymtë e me ironi. “Dua të kaloj diku në Perëndim”, i fola me një zë si lutës. “Këtu është Lindje e nuk ka vend për Perëndim”, foli ai dhe më vështroi egër. Të nesërmen më dorëzuan në postën e kufirit”. (Fjala në litar” (Shkrime për Havzi Nelën), Tiranë 2005, f.123)
Dënimi i parë
Si për ironi, i njëjti prokuror në gjyqin kundër Havzi Nelës në vitin 1967, në dënimin e parë të tij, do t’ish pjesëmarrës edhe në gjyqin kundër poetit V. Zhiti më 1980. V. Zhiti do të dënohej mu n’atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më fatal në qershor të 1988-s (pra, në qytetin e ndërtuar për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i Vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mungesa e përnjëmendtë e refleksionit politik, historik e kulturor mbi të shkuarën, solli atë që asnjë mendje e kthjellët të mos kujtohej sadopak, që salla ku u dënua H. Nela për herë të fundit, në të cilën qe dënuar disa vite më parë edhe poeti V. Zhiti, apo dhe u dënuan edhe shumë të tjerë për arsye politike, të mbahej si një sallë muze, si një kujtesë e përhershme për një realitet dramatik.
Dëshmi e Ismail Didës
“Havzi Nela me bashkëshorten e vet dhe unë me familjen time (babën dhe nanën), dhe dajën tim, Kamber Sulë Petku me familje, u arratisëm. Por, të dyja palët veç e veç, dhe ma vonë e morëm vesh se kishte qenë e njëjta natë.
Ka qenë nata e 26 prillit (1967) kur jemi arratisë.
Nuk patëm fat me vazhdue jetën nëpër botë të lirë, se na kapën e na kanë mbajtë do ditë në Prizren. (Më vonë Havziu më ka tregue se kur qe arratisë, e kishte pasë në plan të shkonte në Austri me krye studime të tjera e mbasandej me vazhdue rrugën për n’Amerikë).
Na kanë kthye Ditën e Shëngjergjit, me 6 maj 1967; e mbaj mend fort mirë, ka qenë ditë e shtunë.
Na kanë nisë për në Kukës dhe kemi qenë në dy makina autoburg: Unë, Havziu, gruaja e Havziut, dhe gruaja e Kamberit në nji makinë, ndërsa Kamberi me fëmijët e vet, nana dhe baba im në makinën tjetër. Nuk ishim të lidhun, vetëm se na shoqëronin dy policë, nji serb dhe nji shqiptar. Polici shqiptar e kishte emnin Din, po mbiemnin nuk munda me ia mësue.
Gjatë udhëtimit, Havziu u tha policëve: “Po na ktheni prapë, o të poshtër! Ka me pa Zoti n’ju se nuk e dini ku po na ktheni!”. Grueja e Havzi Nelës ishte fort e hijshme, sikur me e pasë qëndisë Zoti me dorë. Ajo nuk e hapte gojën, po rrinte fort e mërzitun. Ishte e re, as 18 vjeçe. E pyeta për emnin dhe më tha se e quanin Lavdije. Rruga asokohe ishte kah Drini i Bardhë e në Kukës të Vjetër, kurse Dogana qe në breg të Drinit. Havziu kishte me veti nji thes me libra, thesi qe në ngjyrë të bojkaftë (Më vonë ai më ka tregue se në atë thes ka pasë libra të ndryshëm dhe disa fletore me vjersha). Iu drejtue policit shqiptar (Dinit):
– Të paktën ma bëj nji nder: mbaje kët thes me libra se po ma gjetën më pushkatojnë në vend.
Polici i tha:
– Thesin nuk po ta dorëzojmë, po nuk e di a mundem me ta ruejtë.
Mbas kësaj, Havziu i tha Lavdijes:
– Ti duhet me thanë që më ka marrë burri me zor me veti.
Por ajo nisi të qante dhe i tha:
– Pse folë kështu? Ku kanë me ra kambët e tua aty ka me ra kryet tem.
Në pikën kufitare na ka marrë policia e Kukësit.
Dënimet na janë dhanë në Gjykatën në Kukësin e Vjetër. Gjyqet janë zhvillue të ndame, por di që ka pasë autopolantë përjashta sallës.
Në birucë, Lavdija dhe nana ime kanë qenë bashkë. Mbas do kohe, me autoburg na nisën për Tiranë ku tre javë kemi qëndrue në nji burg të vjetër. Kur po na shpërndanin, na u krijue nji mundësi takimi me familjarët tanë që ishin në burg. Mbaj mend mirë se Havzi Nela i tha nanës time: “Amanet Lavdijen!”, kurse nana ime i tha atij: “Amanet Ismailin!”. Babën tim (Hasan Mustafë Dida) e mbajtën në Kukës, e patën dënue me pushkatim, por ma vonë ia falën jetën. (Suplement te libri “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, Tiranë, 2008)
Dëshmi e Njazi Bashës (ish-koleg)
“Havzi Nela qe shumë i hollë kah mendja, por dhe njeri i butë, shumë njerëzor, si mund të them ai nuk e shkelte as edhe nji mizë.
Ka qenë njeri besnik, po t’ia thoshje nji fjalë toka e kalbte e nuk ta nxirrte, ndërsa po të kishte besim te tjetri, shprehej pa kurrfarë droje.
E kam njoftë mirë dhe kam pasë shoqni të sinqertë me të.
Unë kam punue me Havziun tre vjet në Shishtavec dhe tre vjet në Topojan.
Me 20 prill të 67-s në Shishtavec u zhvillue nji aktiv i zgjeruem ku merrnin pjesë kuadro të zonës, mësues, etj. Qe ajo kohë kur Partia e Punës i mëshonte propagandës se feja qe nji e keqe e madhe për popullin, se duheshin prishë kishat e xhamijat, se duhej të kryhej kolektivizimi i bujqësisë, etj.
Në atë aktiv, kam qenë i pranishëm dhe i vetmi që reagoi kundër atyne masave, që kah e drejta ishin masa jo në të mirë të popullit, qe Havzi Nela.
Aty i pranishëm qe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, M. Doçi. Ai u nxi në fytyrë dhe Havziut i tha e çfarë s’i tha. Po Havziu nuk bindej që nuk bindej.
Në krye të dy a tri ditëve, a katër, nuk jam shumë i saktë, në Topojan u zhvillue mbledhja e këshillit pedagogjik të shkollës (sepse aty punonte Havziu), e cila mbikqyrej nga organizata bazë e partisë.
Havziu mori shumë kritika. Mësuesit e thjeshtë e kritikuen ma pak, ndërsa anëtarët e partisë nuk ndaleshin në kritika. Në fund Havziu nuk bani autokritikë, po tha: “Unë kam mendimin tim dhe mendoj se kam të drejtë”. Ai s’e mbante në kurriz të keqen. Qe njeri i drejtë dhe guximtar. Shkurt, ai nuk e donte atë sistem dhe s’u pajtue asnjiherë me të.
Kur u zhvillue gjyqi kundër tij, më thirrën si dëshmitar.
Në Kukës, qe hera e parë që po zhvillohej nji gjyq i haptë. Nji gjyq edukativ, mu te Shtëpia e Kulturës. Kur kam ra atë ditë në Kukës, i kam pa njerëzit si në rresht qyshprej bustit të Skënderbeut para Komitetit Ekzekutiv, e deri përpara gjimnazit, te kafja e deri te ndërtesa e Komitetit të Partisë. Në sallën e gjyqit u futa si tue qeshë, sepse nuk po shkoja me rrejtë, por me kallzue të vërtetën për Havzi Nelën. Në sallë qenë njerëz të caktuem dhe jo me hy çdokush.
Gjatë fjalës time unë thashë: “Shoku Havzi” dhe jo “I pandehuni Havzi”. Thashë gjithashtu: “Ka qenë mësues i mirë, shumë i zellshëm, i ditun, me diapazon”. Kur flisja unë, shumë mësues ngriheshin e më kundërshtonin me fjalë nga ma t’ashprat. Gjykatës qe Rr. Qenami, ndërsa prokuror A. Gashi. Kur mësuesit që ishin në sallë më sulmonin me fjalët ma t’ashpra, gjykatësi Rr. Qenami sikur i ndali pak, ndoshta se me të kisha qenë shok konvikti në shkollë të mesme.
– Nuk asht ky i akuzuem, – u tha atyne, – por Havzi Nela.
Mbasi mbarova fjalën time, u ula në nji karrike në rresht të parë dhe disa herë ia hidhja sytë shokut tim që ndodhej në bankën e të akuzuemit. Më vinte me plasë por çfarë me ba!
Havziu e kallëzoi vetin se qe shumë i bindun në ato që thoshte. Dhe koha e tregoi se ai kishte pasë plot të drejtë. Po, më kujtohet gjithashtu se kur gjyqtari e pyeti bashkëshorten e Havziut, Lavdijen, se përse kishte pranue të arratisej dhe të tradhtonte atdheun, ajo iu përgjigj:
– Jo me kalue kufinin, por me shkue edhe mbrapa diellit sikur të më kishte thënë Havziu, unë do ta ndiqja!
Në këtë kohë kam vu re se trupi gjykues e uli kryet; kur kam kthye kryet mbasandej kah njerëzit në sallë, vuna re se shumë prej tyne u çelën në fytyrë. Havziun e dënuen me 15 vjet burgim dhe jeta e tij mori nji dënim mbas dënimi. Pak kohë mbas gjyqit, më kanë transferue prej Topojani në Fan. Aty kam gjetë edhe dy mësues të Bicajve (Kreshnik Hoxhën dhe Ymer Bajraktarin). Më kujtohet se kur erdhi nji herë në Fan nji instruktor i Komitetit të Partisë (A. Kërxhaliu), i tha drejtorit të shkollës ku unë jepja mësim: “Njazi Bashën e kemi pru në Fan se ka qenë avokat i Havzi Nelës”.
Havziu u lirue prej burgu në vitin 1986, e mbaj mend mirë se duheshin edhe si nja dhjetë ditë me ardhë Viti i Ri. Me folë kah del shpirti, u kënaqa tepër. Më gëzoi zemra ku s’shkon.
Qysh në 76-n më kishin pushue nga puna për arsye biografie (xhaxhain tim, Hysni Bashën, e kishin pushkatue partizanët në 44-n) dhe prej atëherë e deri në 88-n punova murator.
N’ato ditë që doli nga burgu, Havziu erdhi në Novosej dhe na takoi disa shokëve. Qe dobësue shumë, flokët i kishte të qethuna, po i kishte po ato sy që i shkëlqenin si dikur pa u futë në burg.
– O Njazi Basha, – më tha, – nuk paske ndryshim prej meje. Unë me flokë të qethuna, ti me flokë të shkurta, unë i tretun, por edhe ti qenke lakue. Të paska vra fort jeta!
Mbas do muejsh, Havziun e internuen prap dhe në gusht të 88-s, e varën. (Suplement te libri “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, Tiranë, 2008).
