Lufta e Dytë Botërore riaktualizoi çështjen e Kosovës, e cila do të shndërrohej në një pikë objeksionesh për shqiptarët dhe do të ndikonte në shkallën e rezistencën e shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri. Kosova do të ishte një çështje e rëndësishme, rreth së cilës do të bëheshin diferencime e polarizime forcash, madje një problem që do ta përcaktonte orientimin e shtresave e të rrymave të ndryshme politike që ndikonin në zgjerimin apo ngushtimin e koalicionit antifashist apo fashist. Në ato rrethana, çështja e Kosovës u konceptua si një problem i rëndësishëm zgjidhjeje i vet shqiptarëve të Kosovës, i forcave politike dhe ushtarake të Shqipërisë së pushtuar, i forcave politike dhe ushtarake te Jugosllavisë, por edhe i vendimeve të Aleatëve të Mëdhenj. Por në mbarim të luftës, Kosova do të shndërrohet në një poligon të vërtetë të masakrave, ekzekutimeve, dhunimeve, burgosjeve individuale e kolektive, që mbështeteshin në urdhëresën e Shtabit Kryesor të Serbisë, i cili më 2 dhjetor 1944 kishte dhënë urdhër për spastrimin e vendit nga ‘“bandat shqiptare” dhe nga ‘“njësitet e armatosura prej tradhtarëve shqiptarë”.
Faktori jugosllav qoftë ai nacionalist apo komunist e shihte të ardhmen e Kosovës brenda shtetit jugosllav. Platformat ndryshonin në metodë dhe në praktikën e realizimit, ajo e Drazha Mihajloviçit kuptohet ishte më ekstreme. Për këto qëllime të përafërta si çetniket po ashtu edhe partizanët (1944), harmonizuan planet dhe projektet e tyre, kur me forcat e përbashkëta iu vërsulen Kosovës me synim e qëllim të vetëm, pastrimin e Kosovës gjoja nga elementi jo-sllavë, e duke pastruar atë etnikë shqiptar përmes hakmarrjes kolektive të tipit racial. Edhe Milladin Popoviçi, i njohur si “revolucionar e mik i madh i shqiptarëve”, për zgjidhjen e çështjes se Kosovës nuk i tejkalonte kornizat e përcaktuara nga Titoja, përmes metodave propaganduese perfide me synime të paskrupullta pushtimi. Më 30 nëntor 1944 të gjithë ndihmës komisaret politikë i udhëzonte qe përmes njësive ushtarake të fillojë spastrimi i Kosovës nga bandat reaksionare – ekzistenca e të cilave sipas tij paraqiste ‘“pengimin e luftës nacionalçlirimtare dhe forcimin e pushtetit popullor”. Situata e tillë e krijuar në Kosovë shkaktoi një indinjatë të thellë. Për t’i bërë ballë situatës së rëndë të krijuar në vend, në fund të dhjetorit 1944 u formua Brigada e Drenicës me komandant Shaban Palluzhën.
Drenica ka një të kaluar të lavdishme historike, që nga kohërat më të hershme e deri në ditët e sotme. Popullsia e kësaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive kundër pushtuesve të huaj, gjatë historisë ka dhënë një kontribut të veçantë, në historinë e popullit shqiptarë. Në Drenicë lindën e u zhvilluan lëvizje, ngjarje e luftëra të karakterit çlirimtar, nën udhëheqjen e personaliteteve e figurave të ndritura të asaj treve. E tillë është edhe Lufta e vitit 1945, pjesë përbërëse e historisë sonë kombëtare që kërkon një trajtim dhe qasje të gjithanshme.
Lufta e Drenicës e karakterizuar si luftë për çlirim kombëtar, bëri një kthesë të madhe dhe ndryshoi kursin e Lëvizjes sonë Kombëtare, duke qenë sfiduese për pushtuesin serbo – sllav, i cili popullsisë së Zonës së Drenicës i shkaktoi shumë vuajtje, burgime e keqtrajtime me metodat më makabre që ushtroi presion për kolonizim e sllavizim të saj. Në fund të vitit 1944 dhuna e terrori i ushtruar në Drenicë nga pushteti ushtarak serb koinçidoi me masakrat më çnjerëzore. Njerëzit humbnin natën pa marrë vesh kush, vriteshin në masë dhe i masakronin me sëpata në mënyrë që popullsia e vendit t’i shihte viktimat pa hundë, pa veshë, me sy të nxjerrë e të lidhur me tela nga 6 – 7 e më tepër sish, duke bërë kështu një terror mbi ta, për të vetmin faj që ishin shqiptarë. Ishin komandat e vendit të porsaformuara ato të cilat thirrnin njerëzit kinse për bisedime dhe menjëherë ata futeshin në burgje që ishin adaptuar për atë qëllim. Në fakt ato nuk ishin burgje, por kasaphane.
Situata e tillë e krijuar në Drenicë shkaktoi një indinjatë të thellë si tek popullsia ashtu edhe te krerët e prijësit e asaj ane si: Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Rexhep Xheli, Miftar Bajraktari, etj. Për t’i bërë ballë situatës së rëndë të krijuar në vend, me qëllim të ruajtjes së jetës, nderit, pasurisë së popullit, për mbrojtjen e sigurimin e rendit publik, në dhjetor të vitit 1944 u formua Brigada e Drenicës me komandant Shaban Palluzhën. Shtabin e Brigadës e përbënin: Azem Aruqi, Feriz Boja, Hamëz Istogu, Hazir Xhaka, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Mulla Ilias Broja, Regjep Gjeli, Rifat Maloku, Sadik Lutani dhe Ukë Sadiku. Brigadën e përbënin gjashtë batalione (çdo batalion përbehej nga tri kompani). Komandant i Batalionit I, ishte Ramë Sejdia; i Batalionit II, Ymer Fazlija; i Batalionit III, Isë Zymeri; i Batalionit IV, Bajram Bajraktari; i Batalionit V, Zeqir Lutani dhe i Batalionit VI, Hazir Gjaka.