Dokumenti që rrëfen frikën e studiuesit, pas kritikave që ka marrë nga Instituti i Historisë, për artikujt e botuar në revistën ‘Ylli’, mes të cilave një letër e Skënderbeut..
DOSSIER NGA ADMIRINA PEÇI.
Kjo letër e 2 prillit 1967, që pellazgologu dhe studiuesi i njohur i antikitetit Dhimitër Pilika i dërgon Enver Hoxhës, tregon pozitën tepër të vështirë të një studiuesi, i cili duhej të shkruante historinë nën censurë dhe sipas rregullave të rrepta të regjimit.
Letra e mbushur me përulje, ankth dhe frikë, shtjellon rastin kur Dhimitër Pilika ishte gjendur nën kritikat e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, pas botimit të një varg artikujsh shkencorë në revistën “Ylli”. Pilika i shpjegon Hoxhës se kritikët i kishin vënë në dukje një frazë të cilën ai e kishte huazuar nga një fjalim i Hoxhës. “…Ndër të tjera, u qëllua dy herë pohimi “si të thuash, edhe një frymë të theksuar internacionaliste” që theksonja në “Letrën e Skënderbeut” (faqja e parë) lidhurazi me karakterin e ndihmave q’u pat dhënë Gjergj Kastrioti miqve dhe aleatëve.Këtë ide dhe citatin përkatës e pata huajtur në Institutin e historisë së Partisë pranë K.Q. të P.P.Sh. nga fjala juaj e 27 prillit 1965 (f. 4), por, duke respektuar dëshirën tuaj që ajo ligjëratë të shërbente veç në përdorim të brendshëm, nuk jua pata përmëndur emrin në shtyp”, shkruan Pilika në letrën e tij për Enver Hoxhën, duke i kërkuar pak më tej që nëse do të gjejë pak kohë ta gjykojë e ta dënojë vetë ai.
Letra për Skendërbeun që Pilika përmend, ishte botuar prej tij në revistën “Ylli” e shoqëruar me një shkrim dhe shënime plotësuese prej tij. Sipas Pilikës me atë letër Skënderbeu i drejtohej kardinalit të Fermos Dominik Kapranikës, duke e lajmëruar se kishte pikasur që ishte nisur nga Stambolli një ekspeditë ushtarake drejt Shqipërisë. Letra sipas Pilikës botohej për herë të parë në revistën “Ylli”. [Artikullin, letrën dhe shënimet plotësuese do ti sjellim të plota në ditët në vijim.]
Duke u ndalur sot në letrën që Dhimitër Pilika i nis Enver Hoxhës, duhet theksuar sërish pozita e tij e vështirë që me shumë gjasa e ka shtyrë ti shkruajë numrit nji të regjimit.
Pilika e mbyll letrën e tij me frazën plot ankth “…ju lutem të kujdesi që të rishikohet një interpretim i tillë i fakteve, i cili më ka kthyer në gjysmë njeriu dhe gati sa s’po më bën të loz mëndsh me gjithë familje…”
Letra e plotë e Dhimitër Pilikës për Enver Hoxhën
I nderuari dhe i dashuri shoku Enver,
Ju kërkoj të falur që po ju shqetësoj me këtë letër.
Interesimi atëror që kini treguar personalisht vjete me radhë për shëndetin tim, punën, të ardhmen dhe brengat e mia, në Çekosllovaki dhe këtu, më ka bërë borxhli për gjithëmonë. Jam përpjekur me tërë mundësitë e mia ta meritoj këtë nder të veçantë dhe ju zotohem se paskëtaj do të shkrij çdo thrimezë energjie në vetvete që edhe tek ne të realizohet sa më parë ideali i Marksit, që të ketë “për të gjithë bukë dhe trëndafilë”. I nisur nga qëllimi që të evidencohet gjithçka pozitive ruhet në traditat tona patriotike mijravjeçare, që të luftohen pikpamjet antishqiptare të historianëve të huaj reakcionarë, dhe që kështu e kaluara t’i shërbejë së sotmes, rraha të botoj ndonjë punim në revistën “Ylli”.
Disa javë më parë, këto shkrime u kritikuan në Institutin e historisë dhe të gjuhësisë, edhe, ndër të tjera, u qëllua dy herë pohimi “si të thuash, edhe një frymë të theksuar internacionaliste” që theksonja në “Letrën e Skënderbeut” (faqja e parë) lidhurazi me karakterin e ndihmave q’u pat dhënë Gjergj Kastrioti miqve dhe aleatëve. Këtë ide dhe citatin përkatës e pata huajtur në Institutin e historisë së Partisë pranë K.Q. të P.P.Sh. nga fjala juaj e 27 prillit 1965 (f. 4), por, duke respektuar dëshirën tuaj që ajo ligjëratë të shërbente veç në përdorim të brendshëm, nuk jua pata përmëndur emrin në shtyp.
Për sqarim, duke ju lypur ndjesë, po lejohem t’jua bashkëngjit këtu të gjithë artikujt e mij të botuar te “Ylli”, me lutjen tepër të guximshme që, në gjetshi diku ndonjë copë kohe të lirë, t’i gjykoni e të më dënoni: do ta prisnja ndëshkimin tuaj përzemërsisht si ilaçin më shpëtimtar, aq më shumë kur edhe unë vetë, sipas porosisë së Partisë dhe tuajës, po çrrënjos me vetëdijë dhe pa mëshirë çdo çfaqje të unit në jetën time, prej të cilit burojnë gjithë të këqiat.
Në vijim të kësaj situate, pasi qeshë shprehur kundër të metave të ndonjë punonjësi të Institutit të historisë dhe gjuhësisë, u kritikova sidomos sikur paskam synuar të denigrohej Instituti vetë, gjë që nuk e kam shkuar ndonjëherë ndër mënd as edhe në ëndërr.
Me që e ndjej ndërgjegjen të larë fund e majë nga xanxa të tilla, dhe këtë jam gati ta provoj duke dhënë sakaq edhe jetën time në shërbim të idealeve të Partisë sonë, marr guximin t’ju lutem të kujdesi që të rishikohet një interpretim i tillë i fakteve, i cili më ka kthyer në gjysmë njeriu dhe gati sa s’po më bën të loz mëndsh me gjithë familje. I bindur në drejtësinë e Partisë dhe tuajën, mbetem gjithënjë nxënësi juaj besnik me respekt dhe mirënjohje për jetë.