Kategori
Uncategorized

DOSSIER NGA IMZOT ZEF SIMONI.

cache-210-166-strict-137186Persekutimi i Kishes katolike ne Sqiperi,nga 1944-1990/
Nga pushkatimi i meshtarit të parë në Shkodër, Dom Ndre Zadeja, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, tek pushkatimet, varjet, torturat çnjerëzore, shembja dhe dhunimi i objekteve te kultit e deri tek  burgimet e gjata dhe internimet…

Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar klerin katolik historikisht e sidomos në kohët e luftave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqiat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Këto fjalë i tha tre muej e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni e gati shtatë muej para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë.

Komunistët e morën vesh vonë, se Mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhetorit 1944 në Kishën Katedrale nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këte veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishtenë edhe ndonjë komunist i krishtenë, ndonëse vonë, rreth orës dy të mbasdrekes iu drejtuen Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se tashti asht tepër vonë me lajmue popullin, këta i premtuen se merrshin përsipër ta lajmojshin.

Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë.” Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit e do të kishte ndeshkime. Shej i sigurtë se nuk do të kishte dredhi u ba të ramët e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.
Por regjimi i ri nuk mundi të durojë gjatë, nuk mundi të qëndronte pa gënjeshtrat e veta e pa gënjeshtarë në gjithçka.

Filloi shpejt përsekutimi, një përsekutim i posaçëm në botë e në historinë e kombit tonë, një masakër fanatike dhe e vazhdueshme pesëdhjetëvjeçare, për të rrenue gjithshka me vlerë që ishte arrijtë sidomos mbas pavarësisë. Lufta kundër Kishës e besimit katolik në këtë kohë mund të ndahet në tri faza:

E para, fillon nga vjeti 1945 deri në 1950. Asht ajo e zhdukjes së klerit me burgime e pushkatime, mbas torturave fort çnjerëzore, të zhdukjes së vlerave shpirtnore e kulturore katolike në mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, drejtue prej Enver Hoxhës, mbështetë në politiken sllave direkt në Shqipni, drejtue prej Titos.

E dyta fazë, nisë nga vjeti 1951 deri në 1960 e asht ajo, që na po e quajmë një lloj pakësimi të ashpërsimit të luftës kundër fesë, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë.

E treta, mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik 1960, por tue mbajtë vijën staliniane, ajo e periudhës kineze, kur do të ngjajnë presione kineze, mbyllja e kishave dhe e të gjitha institucioneve fetare në Shqipni, me revolucionin kultural, deri në 1990.

Shqipnia, kishtarisht kishte pesë dioqeza dhe Abacinë Nullius të Mirditës.
Ishte arkidioqeza e Shkodrës, qendër metropolitane që drejtohej nga arqipeshkvi i saj Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkvia e Durrësit me arqipeshkvin Imzot Vinçenc Prennushin, që ishte edhe Administrator i Shqipnisë së Jugut, Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, Ipeshkvia e Lezhës me Imzot Luigj Bumçin, Ipeshkvia e Pultit me Imzot Bernardin Shllakun, Abacia Nullius e Mirditës, me qendër në Orosh me Ipeshkvin Imzot Frano Gjinin dhe Delegatin Apostolik, me qendër në Shkoder, Imzot Leone Nigris.

Gjindeshin në Shqipni disa urdhna rregulltarësh e rregulltaresh. Urdhni i Shën Françeskut me provinçialin në Shkodër, urdhën i hershëm qysh në shekullin XIII, që, simbas tradítës, me ardhjen e Shën Françeskut në Lezhë. Një urdhen që mbante misionin edhe në zonat ma të vështira të Dukagjinit. Lavroi gjuhën shqipe e hapi një farë shkolle të mesme në Pëdhanën e Zejmenit, në shekullin e shtatëmbëdhetë, edhe dy shkolla, ajo e Troshanit dhe e Blinishtit. Në qytetin e Shkodrës fretënt kambëzbathë, me sandale, hapshin të parën shkollë fillore publike në Shqipni, për të vorfënit, me 1861. Ma vonë të vorfnit e Asisit hapën edhe liceun “Illyricum” i një niveli të naltë, me nxanës nga mbarë Shqipnia e për të krishtenë e muslimanë.

Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, tue shtî kulturën pozitive të Europës e tue i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare. Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bante një mision të përmendun për të rranjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë përsekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime.

Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë europiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, tue pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj.

Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët simbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini tue shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve.

Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femnore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjindeshin në qytete për të mbajtë shkollat, licetë.

Ndër dhunat e para të qeverisë komuniste ndaj Kishës kje mospranimi i Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris 1945, kur po kthente mbas vizitës te Papa, prej Rome në Shqipni. Tue zbritë në Durrës, i kje ndalue të hymit. Në vendin e tij emnohej si Zavendës- delegat Apostolik, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini. Imzot Gaspër Thaçi, së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin u thirrën prej Enver Hoxhës që u kërkonte bashkëpunim, me konditë që këta të shkëputeshin nga Selia Shejte. Të dy refuzuan me guxim këto propozime.

Mbas vdekjes së Imzot Gasper Thaçit, Enver Hoxha provoi përsëri një tentativë tjetër, tue thirrë Imzot Frano Gjinin. Refuzimi i Imzot Gjinit ishte i premë: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shejte”. Asnjë nga kleri katolik nuk pranoi skizëm gjatë historisë së përsekutimit.

I pari meshtar i pushkatuem në Shqipni ka qenë Dom Lazer Shantoja në vjetin 1945. Iu banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, tue e copëtue kambësh e duersh. Kur e pau e ama e vet në atë gjendje, i u lut qeverisë tue i thanë se “e paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”!

Shpejt u arrestuen meshtarë françeskanë, si: i pari, Atë Gegë Luma, famullitar në Berishë e me radhë Atë Dioniz Makaj, në Nikaj e Mertur, Atë Alfons Çuni, Atë Gaspër Suma e Atë Sebastian Dedaj në Theth e Gomsiqe, meshtari misionar gjerman Dom Zef Maksen e sa e sa të tjerë.

U burgosën Atë Gjergj Vata, i cili nuk ishte konsakrue ende meshtar e Atë Jak Gardin-i i Shoqnisë “Jezus”, italian me origjinë, por me vepra, shqiptar i fortë.
Në liceun e Françeskanëve edhe atë të Jezuitëve, në vjetin shkolluer 1945, imponohej nga regjimi formimi i një celule të rinisë. Vinte një propagandist që fliste. Prezent ishte edhe një profesor, simbas radhe. Në radhën që kishte pasë Atë Jak Gardin-i, i kishte paraqitë mbledhjes së të rijve disa objeksione.

Ditën e Shën Luigj Gonzagës, me 21 qershuer, Atë Gardini mbajti predkun në kishë tue naltue figurën e shejtit. Në kishë ishin edhe disa “agjentë civila”, që shënojshin fjalët e tij mbi Zotin e Shejtin. Në këtë ditë të 21 qershorit, ora 9 të mbramjes u arrestue. Ky ishte shkaku i arrestimit dhe i dënimit me dhjetë vjet burgim, që do t’i kalonte nepër burgjet e kampet e punës të Maliqit të Korçes e të Bedenit të Kavajës, pasqyrue ne librin e tij “Dhetë vjet burg në Shqipni”, i përkthyem në disa gjuhë të Europës dhe në gjuhën shqipe prej Mons. Simon Filipaj. Me datën 21 të qershorit u arrestue për të parën herë dhe Atë Gjergj Vataj.

Me 31 të dhetorit 1945 u zbulue organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar” me të krishtenë, myslimanë e rrajën e kishte në Seminarin Papnuer në Shkodër. Prej një zelli atdhetar, disa seminaristë vepruen pa dijeninë e të parëve me disa aksione shtypi, me trakte që shkaktuen edhe arrestimin e pushkatimin e Atë Giovanni Fausti-t, italian, nënprovinçial i Shoqnisë “Jezus” dhe të Atë Daniel Dajanit, shqiptar, Rektor i Kolegjës e i Seminarit. Në një grup me këta bashkuen edhe intelektualin aq të shquem shqiptar, Atë Gjon Shllakun, nxanës i neotomistit të shekullit, Jean Jacques Maritain, të akuzuem padrejtësisht se kishte formue demokristianen. Me këtë grup u pushkatue dhe organizatori kryesor, seminaristi Mark Çuni. Gjithësej shtatë vetë, në një ditë të mbylltë me shi e me vaj të datës 4 mars 1946.

Në dosjet e tyne, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, në momentet para pushkatimit, u gjetën fjalët: “Rrnoftë Krishti Mbret” dhe “Falim anmiqtë tanë”.
Lëvizja e Postribës, me 9 shtatuer 1946, arrestoi dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë ata në ketë levizje. Arrestohen Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Laca. Të tre këta prelatë u pushkatuen.

Në vjetin 1946 zbuluen në malësi të Dukagjinit Atë Anton Harapin, anëtarin e Regjencës, që mbas torturave të randa, u pushkatue së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin.
Provinçialin e françeskanëve, Atë Mati Prennushin, dhe gardianin e fretenve në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, të akuzuem me shpifje se kishin futë armët te lteri i kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit, të cilët, mbas një qëndrimi trimash në gjyq, u pushkatuen e vdiqën martirë.

U dënuen e vuejtën randë nder burgje Atë Pal Dodaj, Atë Donat Kurti, Atë Aleks Baqli, Dom Tomë Laca, Atë Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra Zef Pllumi. Kuvendi i françeskanëve të Gjuhadolit u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme që na e përshkruen saktë Atë Zef Pllumi në librin e vet “Rrno per me tregue” dhe në një burg, ku marrin frymë afër 700 të burgosunish. Edhe frateli i përvuejtë i françeskanëve, fra Ndue Vilaj, që pësoi vetëm tortura, kurse frateli i shquem nga Kosova, i Jezuitëve, Gjon Pantalija, vdiq mbrendë nder tortura. Atë Pal Dodës iu gjet nder mundime si një motër e mirë, Drita Kosturi e si një vëlla i vërtetë nder çastet e vështira, në burgun e Durrësit, Imzot Vinçenc Prennushit, Arshi Pipa.

Shumë meshtarë e rregulltarë u arrestuen, u torturuan dhe u dënuen me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Herë mbas here, në orët e para të agimit, mbas vorrezave të Rëmajit në Shkoder, dëgjoheshin krismat e pushkëve që shtrijshin përdhé meshtarë, rregulltarë e sa civilë katolikë e muslimanë. Llojet e torturave ishin nga ma të ndryshmet, si: korrenti elektrik, mbushja e gojës me krypë, kamxhiku e druni, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë të akullt për disa ditë, me ecë kambë zbathë mbi pllaka të kuquna metalike, me të shtie vezë të zieme nën stjetull, pakësimi i ushqimit për të shkaktue vdekjen, ilaçe për të shkatërrue sistemin nervuer e për të ba të flasësh çka nuk di as ai vetë e lloje të tjera të shpikuna nga njerëz të Sigurimit të pashpirt.

Vinë me radhë, Dom Anton Muzaj, i torturuem për vdekje, të cilin e liruen gjallë e për gazep, që mbas pak muejsh, vdiq në arqipeshkvi në moshën 29-vjeçare. Dom Dedë Maçaj, porsa meshtar i ri, u pushkatue para regjimentit ushtarak në Përmet. Do të vdisshin, pa gjyqe, ndër tortura, Atë Bernardin Palaj, të cilit, i lidhën trupin me një tel të ndryshkun, vdiq nga sëmundja e tetanozit. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni arrestohen e do të vdesin ndër tortura me krena teposhtë në gropat e zeza. Dom Dedë Plani, Dom Luigj Bushati e Dom Luigj Prendushi u pushkatuen. Atë Bernardin Llupi u pushkatue në Pejë.

Dom Alfons Tracki e Dom Zef Maksen, i pari me origjinë polake dhe i dyti gjerman, u pushkatuen. Atë Serafin Kodës i duel shpirti me gabzherrin e nxjerrun nga fyti. Papa Pandit, prift i ritit oriental në Korçë, i prenë kokën, tue ia vendosë mbi trupin e tij të vdekun e Papa Josifin, prift i ritit oriental në Elbasan, e mbytën në kampin e punës së mundimeve në kënetën e Maliqit. Këta janë shembuj të naltë të jetës para vdekjes në jug, të cilët i përshkoi në shekullin e parë Apostulli Pal e Apostulli Andrea. Krishtënimi nuk ka hy në Shqipni nga pushtuesi. Roma e kishte pushtue Ilirinë, por ajo ka persekutue idhtas të krishtenët e krejt Perandorisë.

Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kerkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: “Rrnoftë Krishti Mbret!” Vdiq i varun nder shpatulla, tue ia hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue. Tamam ashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit e me prelatin e lavdishëm, Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tue nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedës, Mons. Gaspër Thaçit, Mons. Ernest Cozzi-t, Mons. Bernardin Shllakut, Atë Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba një monument.

Motër Maria Tuci, përsonë që i kushtohej Zotit, kje arrestue e provoi torturat e një lloji antinjerëzuer, por qëndroi heroike për të ruejtë fe e nder. Mbasi u lirue nga hetuesia, vdiq shpejt në spitalin e Shkodrës. Tortura të jashtëzakonshme provuen Atë Anton Luli, pater i “Shoqnisë Jezus”, që pat torturën e “Lojës me top”, korrentin e rrymës elektrike e torturën e mijëve e tjera të paraqituna në librin e tij: “Atë Anton Luli S.J. Ne e dijshim martir…” Atë Frano Kiri provoi në Sigurim tri ditë e tri net, i lidhun me trupin e një të vdekuni dhe e zgjidhën, “ndërsa kullojshin langjet e trupit të të vdekunit” fakt i shkruem nga Atë Konrad Gjolaj në librin e tij “Çinarët”. Kurse Atë Gjon Karmën, jezuit, e shtinë në një arkivol për së gjalli, të mbuluem me kapak, tue pasë ndonjë birë të çilun, por pa e dijtë i torturuemi.

Mons. Frano Gjini provoi torturën e urisë e të të ftohtit të madh, i varun jashtë nëpër pemët e oborrit të Sigurimit, veç sa goditjeve të randa të panumërueme edhe e lëshojshin në ujnat e zeza 10-15 cm. të EC-së. Dom Simon Jubani e filloi burgun e gjatë, kur po delte i vëllai Dom Lazër Jubani. Nuk e panë njeni-tjetrin me sy. Dom Lazri u detyrue të hynte në punë në Shkodër e në punë e helmuen me domate. Në spital e mbajtën ndonjë ditë, por e lëshuen pa e kurue. Dom Simoni do të bante shumë vjete burg e aty do të dënohej edhe herë të tjera me dhetëshe mbas dhetëshesh në burgun e Burrelit. Gjithsejt 26 vjet.

Dom Nikollë Mazrreku e Atë Zef Pllumi do të arrestoheshin e do të dënoheshin mbas një gjyqi publik në Kishën e motrave Stigmatine. Kjo do të ishte për ta e dyta herë e dënimit. Dom Nikolla do të bante gjithsejt 25-vjet burg e 12 vjet internim. Atë Zef Pllumi, 25 vjet.

Dom Mikel Gjergji (Beltoja) mbas torturave të forta të bame në Sigurim e në sallën e gjyqit, për fjalët e forta që tha, ku e torturoi policia, të zdeshun tue ia ba trupin e tij krejt gjak me biza, e në fund u pushkatue në janar të vjetit 1975.

Mbas pushkatimit të Atë Giovanni Fausti-t e Atë Daniel Dajanit, u mbyll shtëpia e Jezuitëve dhe misionarët e huej italianë gjithsejt 200 vetë, prej të cilëve 25 meshtarë, nisen në Itali. Para nisjes u ba një kontroll në shtëpinë e Jezuitëve, tue qenë prezent një ushtri prej 800 përsonash. Në vjetin 1946 u mbyllën të gjitha shkollat private në Shqipni, me ato të klerit e të motrave, që kishin mbajtë jetën shpirtnore, shoqnore dhe intelektuale me një nivel të naltë kombëtar dhe të barazvlershëm me ato të Europës Përendimore. Shtypshkronjat e klerit, si ajo e Jezuitëve dhe e Françeskanëve kaluen dhunshëm në duart e shtetit e nuk lejohej botimi i asnjë libri dhe i asnjë reviste, si: “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Kumbona e së Diellës”, “Zani i Shna Ndout”, “Hylli i Dritës”, “Leka”.

Njerëzit që kishin nga këta periodikë në shtëpitë e veta pranë bibliotekave përsonale, shumë ishin të detyruem me i fshehë ose me i djegë, pse kishin frikën e kontrolleve të befasishme e të furishme të organeve të Sigurimit. U morën dhe muzeumet e Jezuitëve e të Fretenve me koleksione e materialet etnografike, arkeologjike dhe numizmatike, me të gjitha bibliotekat e pasuna të tyne, si ajo e Jezuitëve me rreth 40.000 vëllime.

Shoqnitë fetare, kurrë me qëllim politik, siç akuzonte me shpifje regjimi i terbuem, por themelue për ta edukue fetarisht e intelektualisht rininë e për ta mbajtë pranë vetës atë e popullin me zakone të mira e moral, të gjitha u mbyllën, me të preme. Kështu “Veprimi Katolik” pranë Katedrales, me Dom Mikel Koliqin drejtues, në fshate e malësi me famullitarët e tyne, “Rrethi Dom Bosko” pranë Etenve Jezuitë me Atë Jak Gardin-in e në Tiranë “Rrethi i Shën Prosprit”, që drejtonte Atë Pjetër Meshkalla, “Shoqnia Antoniane”, pranë Etenve Françeskanë në qytet, fshate e malësi ku shërbejshin famullitarët françeskanë, tue pasë për drejtues të ndryshem Atë Lekë Lulin, të cilit iu ba atentat prej komunistave në rrugën Shkodër-Kukës në vjetin 1944, Atë Agustin Ashikun, Atë Gjon Shllakun, Atë Mëhill Mirajn; “Shoqnia e Bijave të Zojës”, pranë motrave Stigmatine në Shkodër, e sa vende të tjera ku ishin motrat e në Shkodër me drejtues Etent Françeskanë, si: Atë Vinçenc Prennushin, Atë Marian Prelën, Atë Frano Kirin, Atë Donat Kurtin.

I Treti Urdhën i Shën Françeskut, për burra e gra, me themelues e drejtues Atë Marjan Prelën, shoqnia per burra e gra të Zojës Rruzare dhe të Kongregacionit të Zojës Lurdë, për burra dhe gra, pranë Etenve Jezuitë, me drejtues Atë Zef Saraçin, shoqninë e fëmijëve “Kryqzaten”, pranë Etenve Jezuitë me drejtues Atë Jak Gardin-in, Dom Ernest Çobën, e ndihmësin e tyne, jezuitin Fra Çesk Ljarjen; Uratorium që kishte grumbullue rininë punëtore pranë Etenve Jezuitë dhe Orfanotrofin e Zemrës së Krishtit pranë Etenve Jezuitë. Të gjitha u shpërndanë në qytet e kudo ra një mjerim. Një lodhje shpirtnore mundonte zemrat e mbarë popullit e të rijve në përsekutimin e vjetëve të para. Të rij dhe të reja, të guximshëm për “Fé e Atdhé” u arrestuen e u burgosën.

Nuk u lejue asnjë veprimtari prej këtyne shoqnive, as shoqnore, as shfaqje filmash, as teatrale, as aktivitete sportive, ndonëse nder këto shoqni kishte xanë fill sporti, teatri, muzika e shqueme kishtare dhe klasike e sa veprimtari të tjera. Fillonte tashti një humbje, një regres dhe një shkatërrim shekulluer.

Institutet e të gjitha motrave, si: Stigmatine, Servite, Saleziane e Viçenciane kudo që ishin në Shqipni, veç motrave Servite të Vlonës, kjenë mbyllë e motrat kjenë detyrue të shkojshin ndër familjet e veta, pa mujtë të delshin rrugës me petkun e tyne rregulltar. Shumë kjenë futë ndër punë, sidomos ndër spitale tue u ba me dashuni shërbime shejte të sëmurëve, tue lanë një shembull të mirë për t’u respektue prej të gjithëve, prej mbarë opinionit.
Kishat ishin të paprishuna e të mbushuna me besimtarë, ndoshta edhe ma tepër se përpara, por mungojshin në Shkodër e ndër dioqezet Arqipeshkvijtë, ipeshkvijtë e meshtarët.
Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, vdiq mbas një sëmundjeje të randë e mbas një survejimi të rreptë, me 26 maj të vjetit 1946. U ba një funeral nëpër qytet e kur po kthente procesioni pranë Katedrales, ngjau një incident. Një kamion kishte xanë udhën në mes, i vumë me qëllim.

Atëherë të rij e burra të fortë e shmangen kamionin për t’i lirue vend funeralit. Në liceun e shtetit, drejtoria ndalonte studentët të merrshin pjesë në funeral, por ishte i pamundun ndalimi. Të rijtë katolikë ngitshin me dhimbje të madhe kah Katedralja. Për të fundin herë kënduen së bashku dy koret: i Katedrales dhe i Françeskanëve Meshen funebër dhe “Libera me, Domine” të Lorenzo Perosi-t me organist Atë Filip Mazrekun e dirigjent Prenkë Jakovën.

Mesha kje celebrue prej zevendës Delegatit Apostolik, Imzot Frano Gjinit dhe predku i rastit u zhvillue nga oratori në za, Imzot Gjergj Volaj, predk që do t’i shpejtonte arrestimin oratorit.
Shpejt nder kisha, në famulli mungojshin meshtarët. “Njerëzit shifshin meshën e hyjshin e delshin në një heshti. Ishte frikë. Ishte e frikshme gjendja, rruga, shikimi, muzgu, orët e natës, zgjimi: terr i zi”.
Pallati i arqipeshkvisë u muer nga shteti, për t’u ba banesë e familjeve të oficerave.

Vetëm pak dhoma të katit të ulët iu lanë Kishës. Sherbejshin në Kishën Katedrale vetëm Dom Ernest Çoba, Atë Florian Berisha e frateli jezuit Çesk Ljarja, kurse në Kishën Françeskane të Gjuhadolit e të Zojës Rruzare Atë Marjan Prela e Atë Ferdinand Pali, tue pësue edhe këto mundime, i pari ndonjë vjet burg e të dy edhe internimin. Gjindeshin pranë Kishës Françeskane dhe fratelat: fra Ndou, fra Salvatori e fra Nikolla, porsi hije të lehta, të pervuejta pranë atyne kishave dhe lterëve të bekuem.

Te kisha e Etenve Jezuitë, e titullueme ajo e Shën Jozefit, ishte Atë Zef Saraçi e frateli Jezuit Karlo Markoviçi. Qyteti i Shkodrës që pat afër pesëdhetë meshtarë, një privilegj ky i madh, mbet mbas termetit të fortë me këto meshtarë: Atë Justin Rrota i paralizuem në shtrat, Atë Marin Sirdani, që provoi burgun.

Atë Zef Saraçi, i verbër dy sysh e Atë Pjetër Tuci i sëmurë në kambë. Një salvim ky me krime. Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vijshin ma vonë që do të zgjatëshin afer pesëdhetë vjetësh, një pamje dhe qenie reale gjakësore e çdo moment vdekjepruese.

E dyta fazë ishte ajo e uljes së ashpërsimit kundër klerit e Kishës, pa hjekë kurrë dorë nga lufta kunder fesë: asht një fazë me dredhi të mëdha, që nisë nga vjeti 1950, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë e Titos deri në vjetin 1960, kur u prishën marrëdhaniet me Bashkimin Sovjetik.

Shteti kërkoi të rregullohen disi marrëdhaniet me të gjitha institucionet fetare e kryesisht me Kishën Katolike, përmes një statuti. Për këtë nisën disa kontakte nga ana e qeverisë, përmes përfaqësuesit të saj Tuk Jakovës e françeskanit Atë Marin Sirdanit. Në mbledhjen e klerit që e drejtonte Imzot Bernardin Shllaku, ipeshkvi plak, i vetmi që kishte mbetë gjallë, paraqiti Statutin e rregullt në bazë të Kodit Kishtar, por qeveria komuniste nuk e pranoi. Në një mbledhje të dytë të klerit që zhvillohej në disa ditë në Pallatin Arqipeshkvnuer të Shkodrës, u përpilue e u paraqit një Statut me një farë ndryshimi me të parin.

Por qeveria u egërsue dhe si e terbueme që ishte, nuk e pranoi kurrsesi. Atëherë shteti paraqiti një statut të vetin. Por kleri nuk mund ta pranonte e Imzot Bernardin Shllaku, në takimin që pat në Kryeministri me Mehmet Shehun, i tha: “Na këtë Statut nuk mund ta pranojmë”. Në një bisedë mes Kryeministrit dhe Imzotit, Mehmeti kërkoi të dijë ku ishte vështirësia e madhe. Përgjigjja e Imzotit ishte: “Le të më vehen prangat nder duer qysh tashti, në qoftë se nuk më garantohet së paku emnimi i ipeshkvijve nga ana e Selisë Shejtë.” Mehmeti pranoi, tue thanë fjalën se emnimet do të bahen nga Selia e Shejtë, por tue u dergue materialet përmes Qeverisë, pa qenë e shkrueme në Statut.

Kështu që Statuti paraqitej i tillë, por në realitet nuk kishte skizëm. Mbledhja e klerit pranoi variantin e fundit në besë të Ipeshkvit Bernardin Shllaku. Atë Zef Saraçi, profesor i shquem i teologjisë dhe i kodit, tha këto fjalë: “Po futemi nën mbrelën e Imzotit”. Mehmeti i tha Imzotit të paraqitej në Kryeministri një propozim për emnimin e katër ipeshkvijve të ri. Por Selia e Shejtë nuk e emnoi asnjënin prej tyne, tue zgjedhë ajo vetë dy të tjerë që ishin Imzot Ernest M. Çoba, për arqipeshkvinë e Shkodres dhe Imzot Pjetër Dema, për arqipeshkvinë e Durrësit.

Ma vonë, gjatë kohës së diktaturës u emnuen nga Selia e Shejtë, me propozimin e Imzot Çobës, dhe dy ipeshkvij të tjerë, Imzot Antonin Fishta, shugurue më 1957 si Ipeshkëv i dioqezës së Pultit, në vendin e Imzot Bernardin Shllakut, vdekë në nanduer të vjetit 1956 dhe Imzot Nikollë Troshanin, shugurue në prill të vjetit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Lezhës dhe i Durrësit, në vend të Imzot Pjetër Demës që vdiq. Por dioqeza e Durrësit iu mbajt e fshehun Imzot Nikollës, me presion të qeverisë.

Lidhjet e tjera me Selinë Shejte, veç emnimit të ipeshkvijve, kanë qenë shumë të pakta. Vetëm tri e që edhe këto kryheshin rreptësisht përmes Kryministrisë. Ato lidhje ishin: dërgimi i telegramit të ngushëllimit për dekën e Papës Piu XII dhe ai i urimit për emnimin e Papës Gjonit XXIII e ma vonë marrja e disa breviarëve.

Mbas vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut, simbas Statutit, quejtë Kryetar i Kishës Katolike në Shqipni, emnohej Imzot Ernest Çoba.
Shteti kishte formue një zyrë të veçantë me një nëpunës të vetin për t’u marrë me përfaqësuesit e klerikëve të të gjitha besimeve.

Imzot Ernest Çoba do të fillonte marrëdhaniet fetare të fshehta me Selinë e Shejtë përmes Legatës Italiane në Tiranë, me anë të së motrës. Problemet ishin fetare. Herë mbas here shkonte e motra në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, me banim në Itali. Të shkruem në disa letra cigaresh, materialet e Imzotit, i jepeshin nëpunësit prej së motrës. Kjo punë vazhdoi disa vjetë. Ky do të ishte shkaku kryesuer i arrestimit dhe i dënimit të Imzot Çobës.

Gjatë kësaj faze u liruen nga burgu një numër klerikësh, të cilët u emnuen nëpër famulli të ndryshme, gjithmonë me miratimin e shtetit. Me miratim të shtetit u aprovuen disa që do të merrshin meshtarinë si: Dom Ernest Troshani, Dom Tish Lisna, Dom Simon Jubani, Dom Ndue Soku, Dom Ndoc Volaj, Dom Martin Trushi, Dom Injac Dema, Dom Mikel Beltoja e Dom Marin Shkurti. Gjithsejt nandë vetë. Gjashtë të tjerë u shuguruen fshehtas, pa leje të qeverisë prej Ernest Çobës e janë: Atë Gjergj Vata e Dom Ndoc Noga, me 19 mars 1954, Atë Zef Pllumi shugurue me 1 maj 1956; Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni me 9 fruer 1961 dhe Dom Luigj Kçira me 24 mars 1963.

Gjatë diktaturës nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari fetar në Tiranë, në shtypshkronjën shtetnore “Mihal Duri”. Seminari lejohej me Statut, por në të vertetë nuk ekzistonte fare. Të qenit e tij do të ishte i rrezikshëm, pse sigurimi i shtetit do të fuste hundët aty.

Kur u liruen disa meshtarë-profesorë nga burgu, si: Atë Pjetër Meshkalla, Atë Mark Harapi dhe ndonjë tjetër, disa stundentë do të merrshin fshehtas studimet në Pallatin e Arqipeshkvisë. Kisha ishte ndër provë e në pranga. Shteti, me Statut i jepte një ndihmë Kishës, një subvencion. Arqipeshkvia, pothuej as nuk kishte një tavolinë e karrigë, pse të gjitha ishin të sekuestrueme nga Shteti. Mbasi u lirue Pallati i Arqipeshkvisë, i banuem prej familjeve të oficerave, u formuen zyre të ndryshme, me zyrtarë që paguheshin nga subvencioni. Subvencion të vogël merrshin në fillim të gjithë meshtarët, por ma vonë u hoq, gati krejt, pse subvencioni nga viti në vit vinte tue u zvoglue.

Në këtë fazë, gjithmonë me frikë, u pa një farë gjallnie fetare, me rastin kur u ndertue lteri i ri, zbukurimi i Kishës me piktura murale e shugurimi i kishës Katedrale me datën 19 prill 1958, ditë e dielle, me rastin e 100-vjetorit të fillimit të punimeve. Por nuk vonoi shumë e në mojin nanduer të këtij vjeti filloi një gjyq i tejtmerrshëm në salonin e kinemasë “Republika”, kundër meshtarit të mirë e të pafaj Dom Ejell Kovaçit, i akuzuem randë. Dom Ejell Kovaçi u pushkatue. Në mojin e prillit të vjetit 1959 pushkatohet famullitari i Bregut të Bunës, i zjarrti Dom Dedë Malaj e Atë Konrad Gjolaj dënohej me 25-vjet burgim. “Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenit”.

Pranë Kryeministrisë zyrtarët që kishin të bajshin me komunitete fetare, ishin me grada ushtarake. Ishin njerëz të matun e flitshin lehtë e pak fort jepshin përgjigje të qarta për nevojat e kishës.
Me rastin e festave, si: të 1 Majit e të 28-29 Nandorit, shteti u bante thirrje komuniteteve fetare për t’u gjetë në tribunën e Tiranës. Edhe zyrtarët vijshin për të ba urime për festën e Pashkëve. Ma vonë filluen ta rrallojshin ardhjen. Dergojshin telegrame të shkurta: “Për shumë vite Pashkët!” Ma vonë, vetem: “Urime!”

Kur vijshin personalitete të shteteve mike të Shqipnisë, sidomos nga Bashkimi Sovjetik, demokracitë motra dhe Kina popullore, i thirrshin në mbramje për banket në Pallatin e Brigadave edhe komunitetet fetare.
Një kujtim: në vjetin 1959 erdhi në Shqipni Nikita Hrushovi. Në Pallatin e Brigadave, në atë mbramje, ishin ftue edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, që i kishin vendosë në një tavolinë në një kand pak të fshehtë. Para se të mbaronte mbramja, Hrushovit i shkuen sytë te përfaqësuesit fetarë e me kërkesën e tij, së bashku me Enverin e zyrtarë të tjerë u drejtuen për t’u dhanë një përshëndetje atyne. Një nëpunës shqiptar, me mburrje, e njoftoi zyrtarin e naltë se marrëdhaniet i kemi të mira me komunitetet e për ma tepër e lajmoi se kemi edhe Statut. Hrushovi u çudit shumë e me një shprehje të veçantë të fytyrës, foli: “Statut!” Dha të kuptojë qartë se nuk e pelqente.

Rreth vjetit 1960 Shqipnia prishi marrëdhaniet me Bashkimin e Madh Sovjetik e nisën marrëdhaniet me Kinën e Mao Ce Dunit. Në fillim dukej si një periudhë e qetë, por ishte situatë me tinëzi të hollë. Mbas do kohe, sidomos në fshate, kryetarët e këshillave u imponojshin meshtarëve me urdhna të randë orarët e meshës. Meshët mos të celebroheshin në orët e punës, e cila vazhdonte nga ora 6 e mengjesit deri në orët e vona të ditës. Me shumë vështirësi pergatiteshin fëmijët me katekizëm për Kungimin e parë dhe Krezmim ndër male e fshate. Këte e ankojshin meshtarët e famullive pranë ipeshkvit dhe ipeshkvijve të të tanë dioqezave.

Frynte një erë përgjithësisht e keqe, vinte një egërsi që shtohej dita me ditë, paraqitej një qëndrim i ri ndaj Kishës, një luftë e re me përmbajtje tjetër të rrezikshme kundër religjionit. Partia e Shteti, me anë të organizatave të rinisë, të gruas dhe atë të pionierit, me forcë të Sigurimit, nisi të survejonte fort njerëzit që shkojshin në Kishë. Kjo kishte fillue pak në vjetin 1959, kur sidomos arsimtarëve u ndalohej shkuemja në kishë, e mbas vjetit 1964 nisi ky ndalim gradualisht me nëpunësit dhe të rijtë e fëmijët e shkollave. Sidomos në shkolla bahej punë e rreptë ateiste. Mësuesit, veçanërisht, ata që ishin anëtarë partie përmes landëve të ndryshme, demaskojshin klerin dhe rolin reaksionar të fesë. Ishin të afishueme në korridoret e shkollave parulla e mbi të gjitha ajo e Marksit: “Feja asht opium për popullin”.

Filluen të baheshin disa shërbime të fshehta në qytet e ishte rasti kur ndonjë arsimtar e nëpunës thirrte meshtarin që e njifte në orët e vona të mbramjes për t’iu gjetë të sëmurit që kishte në shtëpi e me atë rast rrëfeheshin e kungoheshin edhe ata.

Përshperitej se mbrenda pak vjetëve do të mbylleshin kishët e të gjithë insitucionet fetare të të gjitha besimeve. Delshin shkrime nëpër gazeta e libra të urrejtshëm, fanatikë, aq të deformuem, me shamje, fyemje, pa mujtë kush t’i jepte përgjigje, se nuk kishte liri as fjale, as shtypi. Liri kishte vetëm me folë e me shkrue keq. Takimet e Imzot Ernest Çobës në Kryeministri ishin ma të rralla. Ia paraqiste nëpunësit këto shqetësime që kishte Kisha, por ai rrinte pa za. Aprovime për shugurim meshtarësh të ri nuk vijshin në këtë fazë të tretë.

Lini një koment