
Pëllumb Seitlliun e kishte plagosur rëndë një vagon i shkëputur pabesisht.
E kishin marrëlart. E kishin nxjerrë nga errësira e nëntokës me shpresë se duke parë diellin do shpëtonte.
“E shtrimë në një tavolinë druri.Kockat i ishin dërrmuar.
Aty mësova se në plagosje të tilla viktima shtrihej në një vend të sheshtë…
Ai përpëliste sytë. Mëshikonte mua sikur do ta shpëtoja. Ishim të gjithë rreth tij, të trembur nga ajo që kishte ndodhur, të frikur nga fati i tij…
Ai, akoma ishte me shpirt.
Nuk qeshte më. Ishte në dhimbje.
Njëçast, si nëpër filma kërkoi një krëhër të krihej për të ikur i bukur.
Duart nuk i kontrollonte dot. Me sy mbytur në lot, me krëhërin pranë tha:
“Amanet fëmijët.I kam të vegjël…Shumë të vegjël”.
TESTI I NËNTOKËS
-Prozë për minatorët, njerëzit që më bënë ta dua jetën ndryshe-
Ditë më parë pata një bisedë telefonike me Ladin e Blacës, siç e kemi njohur Ladi Miminllarin, djalin e qeshur, normistin e dikurshëm të minierës së qymyrgurit në Pretushë.
Në pak minuta kujtuam vite të shekullit që shkoi:punën në minierë.Ladi ka një rrëfim shpërthyes për vitet kur “puna normohej” dhe vakti “ahej me rracion”.
Ai shpesh nuk të le të flasësh, të tregon gjëra të habitshme, kapërcen temat, kthehet prap tek rrëfimi i parë dhe përsëri “ngjesh” kujtime, mbresa, çaste…Më mbeti në mendje rrëfimi i tij kur kujtonte një vdekje në minierën e qymyrgurit që lëvrinte nën fshatin tim, mbase nën themelet e shtëpisë sime të ato kohëve.
Një njeri i mrekullyeshëm, që kur isha pionier, kishim punuar bashkë në parcelat e kooperativës, Pëllumb Seitlliu,kishte fituar shansin të punonte në minierë. Ishte njeriu symbol i urtësisë dhe punës. I pafjalë.I papërtuar.
Me një vështrim ëndërrimtar dhe durimmadh. Për bashkëfshatarin që njihja, Ladi i Blacës, më rrëfente çastin dramatik:
E kishte plagosur rëndë një vagon i shkëputur pabesisht. E kishin marrë lart.
E kishin nxjerrë nga errësira e nëntokës me shpresë se duke parë diellin do shpëtonte. “E shtrimë në një tavolinë druri.
Kockat i ishin dërrmuar. Aty mësova se në plagosje të tilla viktima shtrihej në një vend të sheshtë…
Ai përpëliste sytë. Më shikonte mua sikur do ta shpëtoja. Ishim të gjithë rreth tij, të trembur nga ajo që kishte ndodhur, të frikur nga fati i tij…
Ai, akoma ishte me shpirt.
Nuk qeshte më. Ishte në dhimbje.Një çast, si nëpër filma kërkoi një krëhër të krihej për të ikur i bukur.Duart nuk i kontrollonte dot.
Me sy mbytur në lot, me krëhërin pranë tha: “Amanet fëmijët.I kam të vegjël…Shumë të vegjël”.
Pëllumb Seitlliu ishte një nga viktimat që solli në bisedë Ladi i Blacës.Ai një njeri i urtë, që pushteti popullor nuk e donte. Unë e desha Pëllumbin.Ishte njeri që të bënte ta deshte.
Miniera e qymyrgurit në Pretushë, ishte edhe një “shans për të vdekur”, por që për të shkuar dhe punuar atje, bëhej luftë e madhe. Unë jam një nga ata që ëndërroja të kisha shans të punoja në minierë për “të bërë para”.
Fill pas vitit të parë në fakultet, mu dha shansi. Vetëm dy muaj.
Dy muaj punë nëntokë, për të blerë një kostum që e ëndërroja.Pas vititi të parë në shkollë ku hanim dy veta një rracion, puna në minierë më bëri me më shumë para.
Ishte “shkolla” që nuk më dha asnjë diplomë, por më testoi karakterin, më bëri ta shihja ndryshe jetën mbi tokë.Isha vetëm 20 vjeç.
Kujtoj peshën e kapeles plastike në kokë, ecjen drejt errësirës, dritën mbi ballë që na bënte të dukeshim si qikllopë, zbritjen në dishezë duke u mbajtur anash në trarët e drunjtë, zbritjen në nivel, dhe lluca nën çizmet e llastikut.
Diku thellë, fillonim e shtynim vagonat bosh drejt destinacionit nga ku ktheheshim me vagona plot.
Tmerri ishte kur zvarriteshim nëpër oxhaqe ku gjuanim shtresën e zezë, si amerikanët floririn në lumenjtë e Kalifornisë.
Kurrë nuk e kuptova se sa shpejt ikte koha përballë errësirës dhe frikës nga vdekja që heshtëte mbi kokat tona.
Unë nuk isha “fronti i parë”, unë isha një ndihmësminator, një djalosh që shtyja vagonat, mblidhja qymyrn përtokë dhe mbaja paisjet e miantorëve.
Ishte natë e frikshme puna në minierë, por ishte jetë dhe britma të bukura. “U bë norma…
E tejkaluam sot”…Dhe mendja shkonte tek “dita e pagave”…
8 orë punë në minierë qymyrguri, pushimi nuk ka kuptim.
Pushimi ose pak çaste “për të marrë frymë”, ishin një hiç. Miniera është punë dhe zhurmë e nëndheshme. Hedhje minash, dhe zhurmë organellosh, lopata që lëvizin në errësirë dhe pika uji që të bjenë në fytyrë si për të ta larguar gjumin.
Miniera ishte dashuria ime e trishtë për para.Kur dilnim prej andej, ne të gjithë ishim të nxirë në fytyrë. Ne nuk njihnim njëri tjetrin. Vetëm zëri, ai na dallonte, me atë orjentoheshim. Në dalje kur shihnim dritën, diellin që lindte, ajrin e patër, freskinë e mangjezit, ndriçimin e jetës dhe gotën e ngrohtë të qumështit që servirej, thoshim “Shpëtuam edhe sot…”.
Sa më shijonte ajo gotë qumështi pluhur që na ofronte çdo mëngjez një grua zonjë, me pak flokë të thinjura dhe me rrudha të lodhura në fytyrë.
Ajo grua e mirë, vinte përditë pa zbardhur dita nga Pogradeci, dhe ngrohte qumështin për ne,punëtorët e turnit të tretë që vinim si natë nga nënëdheri, kur nata kishte ikur.
Në vinim nga nata dhe puthnim ditën,Ajo, gruaja e mirë,me ato duar që zgjateshin tërë mirësi e dashuri, me gotë qumështi, një ditë mësova se ishte mamaja e gazetares së bukur që kisha njohur në Shkodë, Zhani Shqepa…
Dy muajt e punës në minierë më bënë tjetër njeri. Në dy dekadat e para të jetës sime, unë nuk do të kisha mundur të perceptoja “peshën specifike” të jetës mbi tokë, pa ato 60 ditë pune në minierë, pa atë përballje me errësirën, lagështirën, erën e qibritit dhe “zhurmën e minjve” si vigjilencë e nëndheshme.
Puna në minierë ishte një syhapje e madhe ku të duken se geni jot pëson “mutacionin e dashurisë” për dritën dhe jetën mbi tokë, sado e vështirë qoftë…
Rrrëfimi i Ladit të Blacës, filloi më një kujtim të hidhur.
Më herët unë kisha dëshmuar se si kishte humbur jetën në po ato galeri, Zenel Jaçelli, vëllai i Baki Jaçellit, cili do na rëfente se kur i thanë se i vëllai kishte vdekur nën një bllok të zi qymyrguri, ai sikur kishte kapërcyer kodrën me një hap të madh e trishtues duke çuar lajmin e hidhur në familje.
Larg asaj miniere që tashmë është bërë strehë egërsirash të nëntokës, kujtoj ato jetë që i dhanë dimension një projekti që fillonte me shpimet gjeologjike dhe projektet inxhinjerike
Ajo minierë e la fshatin tim pa ujë, por ndërkohë përmirësoi sa e sa jetë njerëzish që punuan aty.
Ata që punonin në minierë, ato kohë ne i quanim klasa punëtore.
Ishin vërtet njerëz të një klasi të veçantë.
Të dashur, bujarë, të qeshur dhe optimistë. Fshati im kishte edhe “klasë punëtore”, ndaj më frymëzonte.
Kujtoj njerëzit që i mbijetuan minierës si Ethem Jaçelli, Skënder Aliçkolli,Arefi Meko, Rexhep Aliçkolli, Bexhet Shyti,Gurali Jeçelli, Lako Aliçkolli, Zini Mu*elli etj.
Njerëzit e mirë të punës në nëntokë ishin mesazh i madh qëndrese. Miniera të bën tjetër njeri.
Ajo të “strugon” karakterin dhe të bën të çmosh çdo sekondë që jeton mbi tokë.
Njeriu i vetëm që mbeti “i sertë” gjatë punës në minierë ishte kushëriri im Kudret Meko.Kishte mbaruar shkollën gjeologji-miniera në Prrenjas dhe vitet e rinisë i la nëntokë.Kutka i Bedriut, ishte i vetmi me shkollë në familjen me shumë fëmijë, që ndërsa kthehej nga puna në thellësi të errëta, përballej në familje me dhimbjen që sjell “familja e madhe” përballë skamjes që ai nuk u kursye ta ndihmonte.
Por tekniku Kudret Meko sa i sertë dukej së largu, aq i dashur dhe i kujdeshësm ishte nëpër galeritë e errëta dhe me lagëshitrë duke kërkuar që të mos nënëvlerësohej asnjë rregull i sigurimit dhe parandalimit të askidenteve që “flinin”në errësirën e nëndheshme.
Miniera është një test jete. Ai që ka provuar punën në minierë, mbetet njeri ndryshe nga ata që nuk kanë hedhur asnjë hap drejt nëntokës.
Dy muajt e punës për “kostumin e studentit” më dhanë një tjetër shije për jetën, madje më bënë që edhe kaq larg atyre galerive të harruara dhe rrënuara, të gërmoj kujtimet e mia si himn dhe dashuri për të gjithë minatorët, jo thjesht tek ajo minierë lokale, por kudo.
Minatorët, janë pjesa më e veçantë e njerëzimit sepse ata përpiqen të sjellin dritë nga errësira e nëntokës, duke sfiduar rreziqet.
Më zhyti në kujtime një bisedë telefonike dhe më mori gjumin shtrëngata e kujtimeve qe edhe pse të hidhura, janë pjesë e jetës duke i dhënë asaj dimensionin real.
Kam dëgjuar prindër që me krenari thonë “Kush ka vajza, botën ka”.Unë, “nuk kam botën” por jam takuar me pavdekësinë duke punuar dy muaj në minierë.
Minatorët, burrat e nëntokës, janë pavdekësia e shpirit njerëzor.
Shefqet Meko
Minneapolis 29 korrik, 2024