
Dita e mërkurë e 10 gushtit 1988 në qytetin e Kukësit ngjante me një shtet-rrethim: Postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë…
Në mëngjes herët, policia ndaloi veturën në rrugë e pas formaliteteve të rastit, drejtoi me gisht e mburrje mbi 300 metra më larg, për tek katër rrugët, te agjencia e udhëtarëve, vendi më i populluar i qytetit. Aty, pak orë më parë ishte kryer akti tragjik mesjetar i marrjes së frymës njerëzore nga terrori shtetëror komunist: Varja në trekëmbësh nazisto-komunist e poetit Havzi Nela, i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore.
Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane) armik (me të zeza) i Partisë e Popullit (me të kuqe)”. Poshtë saj, si në gjallje, tundej e tundej me litar në qafë e trup në ajër poeti atdhetar. I kishte dy sytë të dalë e dukej sikur vështronte. Nga buzët kishte rrjedha gjaku të pandalur e dukej sikur fliste. Kishte një palë pantallona të përdorur me dok të hollë kinez. Këmisha e tij e hollë, e zbërthyer keqas, i valëvitej e valëvitej dhe gjoksi i dalë i jepte atë pamjen e martirit. Mbante, në atë çast, një opingë prej llastiku në këmbën e djathtë…
Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll…(!). Edhe të vdekur nuk e linte të qetë hakmarrja komuniste, urrejtja biologjike e patologjike e diktaturës enveriane kundër kundërshtarëve politikë…
Poeti, i mbetur jetim që fëmijë, i rritur, burrëruar e sfilitur për 20 vjet burgjeve e internimeve, me gruan e dënuar 10

vjet në burg e 5 vjet në internime, pa fëmijë, me pasuri të sekuestruar, kishte lënë amanet, kohë pas kohe, fletoret e çmuara me krijimtarinë e tij disidente, dhe, para dënimit çnjerëzor, edhe disa porosi, ku veçojë njërën prej tyre: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”… Në orën 11.00 të asaj dite ia kishin prerë litarin në trekëmbësh e trupin e pajetë ia kanë hedhë në një makinë të pambulueme duke e shëtitur në mënyrë demonstrative nëpër qytet…
Ende litari i trekëndëshit skelik të terrorit komunist të 10 gushtit 1988 qëndron në tre këmbë të trekëndëshit të keqformësuar politik e diplomatik kundër ligjit të lustracionit.
Koka e daulles është madje edhe vet Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste dhe ish Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe Kryeminister aktual, djali i anëtarit të KQ të PPSH e nipi i Spiro Kolekës, anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, të dy të akuzuar për firmëtarë të dënimeve të ashpra të luftës së klasave në Shqipëri.
I ati, Kristaq Rama, i zgjedhur edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, më 2 gusht të vitit 1988, firmosi së bashku me të tjerë dhe Fehmi Abdiun i cili për shumë vite ka qënë kryetar i Gjykatës Kushtetuese pas viteve 1990, për varjen në litar të poetit disident Havzi Nela.

E jashtëzakonshmja për shqiptarët e ndërkombëtarët qëndron tek faktet: Një artist, “Skulptor i Popullit” firmos për marrjen e frymës në mënyrën më barbare një poeti (!). Artisti që gdhendte me daltë kryevepra monumentale si Monumenti “Nënë Shqipëri” firmos për një kryekrim duke e lënë një nënë kuksiane të moshuar pa djalin e saj të rritur jetim, të kallur në burgje e internime, që para varjes la një amanet: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”. E la vejushë gruan e poetit: pa fëmijë, pa shtëpi, pa katandi, e cila, deri më sot, apelon për ndëshkimin e kriminelëve vrastarë të burrit të saj. Ky artist i la dy vepra në Kukës, pranë e larg njëra tjetrës: Monumentin “Shote Galica” me vështrimin nga Kosova dhe “Trekëmbëshin Havzi Nela”, që u var që fliste për Lirinë, që hyjnizonte në vargje Kosovën Sovrane…
Edi Rama, merr shtysë e revansh kundër ligjit të lustracionit, duke ecur në të njëjtën linjë me të atin. Në vitin 1988 i ati firmosi nisur nga gërmat e Kushtetutës ideologjike të kohës për t’ia marrë frymën poetit Havzi Nela, ndërsa i biri i keqpërdorë germat e Kushtetutës së bashku me Fehmi Abdiun, kundër lustracionit për t’ia marrë frymën shqiptarëve dhe mbrojtur të kaluarën e tyre.

Thupra e daulles është vetë Ramiz Alia, trashëgimtari politik i Enver Hoxhës, Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, udhëheqësi shpirtëror i të majtës komuniste, që më 2 gusht 1988, dekretoi varjen në litar të poetit disident Havzi Nela, pavarësisht faktit se nga 15 antarë të presidiumit ishin vetëm 7 prej tyre, duke e llogaritur edhe një grua, Emine Gurin, që e dha “votën për varje” me telefon(!). Ky si ky, me të tillë terror komunist të vazhdimësisë enveriane donte të mbante karrigen e tij, rimori edhe një mandatim tjetër si kryetar i Këshillit Presidencial (22 shkurt-30 prill 1991) dhe postin si President i Republikës së Shqipërisë (1991-prill-1992).

Ish-Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, në vitin 1988, ka dënuar me varje në litar poetin disident Havzi Nela. Në vitet pas 1990, u zgjodh në dy mandate Kryetar i Gjykatës Kushtetuese e tani është anëtar i saj.
Çështja shtrohet hapur: A ka forcë morali e arsyetim juridik Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjin e lustracionit, nisur edhe nga ky precedentë apo të tjerë që ka në radhët e saj. A mundet që përsëri, edhe pas 27 vjetësh, anëtari i Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, prapë “ta mbajnë të varur” Havzi Nelën!?
Ish presidenti Topi, në korrik 2008, dekoron me Urdhrin ”Naim Frashëri të Artë”, ish-gjykatësen Fatmira Laskaj, një nga tre firmëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kjo dekoratë i jepet në 20 vjetorin e hedhjes së firmës së saj për dënimin me varje në litar të martirit Havzi Nela. Komunistët e sotëm dekorojnë komunistët e kaluar..

Poeti disident Havzi Nela arrestohet më 15 qershor 1988, në ora 5.30 të mëngjesit, ndërsa në mesditën e kësaj dite nisë hetuesia ndaj tij dhe për 7 ditë Dosja e tij me “Çështjen Penale Nr.60” shkon në Gjykatën e Rrethit të Kukësit. Dy ditë para gjykimit, kryetari Agim Hoxha, për këtë çështje, në Dosjen 13532/A, në faqen 2, paragjykon dënimin: “Duke parë çështjen në kompleks, interesin e partisë në rreth, si dhe përhapjen e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit duhet t’i jepet dënim kapital. Që t’i shërbehet më mirë parandalimit të veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit, duhet të jepet si mënyrë ekzekutimi: vendim me vdekje e varje, ku mund të ekspozohet i dënuari”. Mbi këtë dosje të Havzi Nelës, të montuar, paragjykuar e përshpejtuar, kanë hedhë firmat e tyre Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj,…Kristaq Rama, Vili Robo e deri tek Ramiz Alia, ku Abdiu thekson se “s’kam asgjë që të më brejnë ndërgjegjen” Maj 2002).
Shkrimtari Ismail Kadare, në 20 vjetorin e varjes tragjike të poetit disident Havzi Nela, jep mesazhin, se kjo është “…një kambanë që ënde bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë Lirinë e Shqipërisë”.