Kategori
Uncategorized

Rama drejt fundit.

Red Varaku

George Orwell shpjegon se një udhëheqës me prirje totalitare fillimisht i manipulon njerëzit, jo nëpërmjet dhunës apo forcës, por nëpërmjet gjuhës. Nëpërmjet një komunikimi që i drejtohet shqisave dhe jo arsyes, nëpërmjet mashtrimeve, gënjeshtrave, teorive konspirative dhe lajmeve kontradiktore, ai e lodh dhe kësisoj e kalon çdo agjent kundërshtues në overdozë, si pasojë, fantazia ia zë vendin realitetit, ndërsa ata që e kontestojnë shndërrohen menjëherë në armiq, ndaj të cilëve fillon menjëherë një proces zoologjik “domestikimi”.

Në situata të tilla të pështjellimit kolektiv, njerëzit, të lodhur dhe të pashpresë, ia dorëzojnë me vetëdije vullnetin dhe të drejtat e tyre një njeriu. Është pikërisht momenti kur shoqëria e shikon udhëheqësin e saj si Mesia, “shpëtimtari”, dhe cilindo që shfaq një mosdakordësi ose pakënaqësi ndaj tij, e konsideron si “të keq” dhe të lig. Kështu lideri asociohet me dritën ndërsa kundërshtarët e tij me errësirën.

Edi Rama është produkt i një shoqërie të tillë, e cila tashmë, pasojë edhe e çorbës magjike që servir çdo minutë propaganda qeveritare, ka kaluar në anarki të plotë. Pasi nënshtroi edhe atë grup rebelësh, që kishte mbetur nga partia e Fatos Nanos, tani kërkon të nënshtrojë çdo faktor që ka potencialin të kërcënojë pushtetin e tij. Kështu, ka futur nën kontroll të gjitha institucionet, përfshi këtu gjykatat dhe median. Ndërkohë Partinë Socialiste e ka kthyer tërësisht në funksion të axhendës së tij personale, në një organizatë, e cila prej kohësh funksionon si një sekt okult, pa rregulla, ku të gjithë anëtarët kanë vetëm një sfidë, besnikërinë ndaj tij, sepse dihet se besnikëria ndaj tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Ndërsa vetë ai është kthyer në një oportunist mizor, i cili as që e ka fare problem të shkelë bukën dhe besën e atyre që dhanë “gjakun” për të, për pushtetin e tij. Pamjet e ish deputetit Arben Ndoka, aleatit të tij të afërt, të poshtëruar dhe me pranga në duar tregon se ai është gati të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin. Ai është gati t’i shesë të gjithë sepse ai tashmë ka vetëm një axhendë, axhendën e tij personale dhe as që do t’ia dijë për hallet dhe dertet e askujt, aq më tepër për ligjet dhe kushtetutën, të cilën ‘e shkep dhe arnon’ sa herë t’i teket.

Rama, për nga natyra, është narcis. Ai kërkon bindje dhe nënshtrim total. Me skeptrin e pushtetit në dorë ai përkëdhel ose fshikullon cilindo. Duke qenë se është edhe paranojak, ai kërkon të kontrollojë gjithkënd dhe gjithçka. Ai nuk e honeps dot kritikën e askujt ndaj shpërthen me histeri ndaj çdokujt që thotë të vërtetën. Ai i ndëshkon rreptë cilindo që guxon të sfidojë qoftë edhe hijen e tij. Ai është gjithmonë dyshues, i frikësuar dhe i pasigurt. Por vuajtjen që i shkakton pasiguria dhe frika ai di ta fshehë mjaft mirë, nën petkun e ngjyrave dhe bojnave. Është abuziv. Njerëzit i konsideron si lodra dhe me ta sillet si një fëmijë kapriçioz, pra pasi i përdor, mund t’i flakë kur t’i teket si t’i teket.

Ai nuk bën asnjë përpjekje për t’i zgjatur dorën askujt, për shkak të delirit dhe përbuzjes. Ai është vazhdimisht në kërkim të pushtetit. Ai nuk ndalet edhe pasi i ka marrë të gjitha. Sigurisht, këtë  ia lehtësojnë edhe ithtarët e tij të verbër, të cilët sakrifikojnë gjithçka për të, sepse mendojnë se pushteti i tij është dhe garanci për ta, fëmijët dhe pasuritë e tyre.

Ai reagon vetëm ndaj një emocioni-frikës. Sepse ai është frikacak dhe reagon vetëm kur është në rrezik. Ai bën kompromis vetëm kur ka frikë dhe ndjehet i kërcënuar. Nëse ka frikë, ai kthehet në një krijesë të butë dhe të bindur, për mëshirë, ama në momentin kur nuk ka më frikë, arroganca dhe hakmarrja e tij nuk njeh kufij. Normat dhe rregullat e demokracisë kthehen në problemin kryesor të një deliranti si Rama, ndaj ai fillimisht asgjësoi arbitrin kryesor të një sistemi demokratik, Gjykatën Kushtetuese. Si piktor, ai pikturon me zgjuarsi në mendjet e njerëzve një kërcënim të vazhdueshëm, i cili vjen gjithmonë nga “ata të Saliut” të cilët i demonizon dhe i bën fajtorë për gjithçka.

Përpjekjet e opozitës për të diskredituar Ramën dhe sivëllezërit e tij po japin disa fryte, por gjithsesi janë të pamjaftueshme. Kryqëzata e nisur prej saj kundër figurave kryesore të Partisë Socialiste po përcillet si një telenovelë nga opinioni publik. Përpjekja për ta reduktuar krizën e thellë të shoqërisë tonë te një figurë qesharake si Rama do të sjellë largimin e Ramës, por jo zgjidhjen e krizës. Refuzimi për t’i shkuar deri në fund arsyeve që e shkaktuan këtë krizë perceptohet si mungesë serioziteti nga opinioni publik. Ideja e vetingut në politikë dhe ligjit antimafia, të cilat mund ta çlirojnë vërtet sistemin dhe ta çmontojnë makinerinë kriminale, me ç’duket nuk do të  pranohen kurrë nga Rama, kështu që Partia Demokratike duhet të heqë dorë përkohësisht nga programi i saj politik, për të hartuar dhe më pas shpallur planin e saj të emergjencës për të rrëzuar Ramën dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza morale, që me gjasa shumë shpejt mund të degradojë edhe në një krizë ekonomike me pasoja të paimagjinueshme.

Lini një koment