Alfred Lela
Dy deputetë të opozitës, Nada Meçorapaj dhe Agron Shehaj, që u janë gjendur si mburojë në një ditë të keqe banorëve të Jalës, janë përballur jo vetëm me furinë policore ndaj nënshtetasve të pambrojtur, që nga fëmijët e deri te të moshuarit, por edhe me kërcënimet e drejtorëve civilë të administratës.
Deputeti Shehaj është kërcënuar nga Fatmir Meta, kryeinspektori i IKMT, pas një konflikti verbal cytur nga gjaku i nxehtë lab dhe adrenalina e keqe që prodhon dhunimi i të pambrojturve. Inspektori i është ofruar deputetit dhe i kanë thënë me zë të ulur ‘mbaje mend këtë fytyrë. Jam Fatmir Meta nga Vlora’.
Fytyra e Fatmir Metës, ndoshta nuk është një portret i njohur për shqiptarët, por emri i tij, po. Skeda e tij e kronikës së zezë është e pasur. Ai u bë emër i njohur kombëtarisht, kur u publikua lajmi se makina e tij ishte përdorur në atentatin që i mori jetën liderit demokrat, Azem Hajdari, shtatorin e 20 viteve më parë.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e ka skeduar kryeinspektorin Meta edhe në dy ngjarje të tjera: vjedhjen e Bankës së Kursimeve të Tropjës në vitin 1998, kur ai ishte funksionar i lartë policie. Sipas kreut demokrat Meta u shpërblye me detyrën e lartë në polici për pjesëmarrje në bandën e Zani Çaushit në Vlorë në vitin e trazuar 1997.
Kërcënimi i hapur i një deputeti nga një punonjës i adminstratës është gjë e rëndë, por më shumë peshon në këtë rast emri i kryeinspektorit dhe ‘kreditet’ e tij publike. Fakti që Fatmir Meta është i përfshirë, qoftë edhe indirekt, në vrasjen e një deputeti demokrat, dhe në kërcënimin e një tjetri 20 vjet më pas flet shumë për një Shqipëri të paplotësuar.
E cila duket se ka bërë përpara, është sofistikuar, por mjaftojnë incidente të tilla për të kuptuar se ’97-a me personazhet e veta, shfaqet sapo e gërvisht pak varakun e sipërfaqes. Kjo, jo sa për të bërë një vëzhgim sociologjik, por për të thënë se si pushteti e degjeron shtetin, si ai e përdor atë, si punësohen ‘të fortët’ dhe si shpërblehen ata për ‘punët e rënda’ që kërkojnë ruspa, fadroma, përplasje, shantazhe, kërcënime e deri te vrasja.
Nga shteti i Fatos Nanos në 1997 te ai i Edi Ramës së 20 viteve më vonë, duket se në thelb nuk ka funksionuar ndryshimi, reforma, progresi, pavarësisht se kryeministri aktual i trumbeton çdo ditë në përpjekje për të thënë se qeveria e tij është viti zero i Shqipërisë. Ai përpiqet me forcën e propagandës ta ndajë kohën në para dhe pas Ramës. Një ndër gjërat që dëfton se ai nuk është më shumë se një pasardhës 2.0 i Shehut, Çarçanit, Meksit, Nanos, Metës, Berishës është edhe incidenti i sotëm.
Fatmir Meta del nga thellësitë e errëta të kronikës së Shqipërisë në të cilën u vra Azem Hajdari dhe futet në autostradën e ‘drejtimit të duhur’ të Ramës, mbushur anash me drita të kuqe si rruga Tiranë-Rinas. Për të thënë se, pavarësisht ‘dritave të kuqe’ Shqipëria është ajo bordelloja e vjetër e kronikës së zezë me të njëjtat huqe, të njëjtët personazhe, të njëjtat kërcënime dhe babëzi.
Nukështë vetëm Fatmir Meta i zgjedhur kryeinspektor, janë edhe ministrat, zëvendësat e tyre, drejtorët e lartë etj që janë rikthyer në pushtet. Por edhe gazetat afër Ramës që promovojne si ‘heronj’ personazhe të erret nga ‘97-’98.
Kush ka interes në riciklimin e vrasësve të demokratëve?
