Kategori
Uncategorized

Bosët, shpërthimi i Mirelës së ndershme dhe prostitucioni.

Bosët, shpërthimi i Mirelës së ndershme dhe prostitucioni

Ministrja Lindita Nikolla, është nga ministret e arsyeshme dhe punëtore të qeverisë Rama. Askush nuk e beson se Reforma e ashtuquajtur e Arsimit të Lartë është krijesë e saj. Por ajo që u godit nga Studentja e varfër Mirela, ishte Lindita.

 

Kryeministri i koncesioneve, shpiku një Reformë, që fillimisht dha rezultate të mira. U mbyllën mjaft nga fabrikat e fëlliqura që shtypnin diploma dhe kjo u dha zemër të gjithëve dhe shumica prej nesh tha: “Shumë mirë zoti kryeministër! Këto palo universitete që vetëm emrin e kishin të tilla, duheshin mbyllur një orë e më parë!”

 

Mirëpo dardha e kishte bishtin mbrapa. Mbylljet vazhduan e Univerisiteteve private dhe jo vetëm, vazhduan, kësaj radhe, me pikësynim të qartë përzgjedhës, politik në radhë të parë!

 

Sepse çdo qeveri, që ka synimin ambicioz të shndrrohet në një qeveri autoritare dhe paradiktatoriale, duhet të shkelë dhe të ketë nën kontroll Univeristetet, sepse aty banon pjesa më romantike dhe më reformatore e shoqërisë: Studentët!

 

Dhe pra, me pretekstin se Univeristetet duhen futur në konkurim, Privatet dhe Shtetëroret, u rrit kuota financiare që universitetet shtetërorë, kanë si parakusht për regjistrimin e sudentëve, duke u shndrruar në një barrierë të pakapërcyeshme, për studentët si Mirela!

 

Nëse ka gjëra për të reformuar në arsimin e lartë shtetëror, është abuzimi me paratë e shtetit, abuzimi me notën dhe niveli shpesh herë mjeran i mësimdhënies. Dhe ky reformim bëhet duke shtuar kontrollet, konkurset e ndershme që nuk u bënë asnjëherë të ndershme, metodë kjo e vjetër, por e drejtepërdrejtë, ku shteti dhe qeveria merr përgjegjësi morale dhe administrative.

 

Mirëpo qeveria Rama zgjodhi një rrugë tjetër, më të shkurtër dhe më dinake. U përpoq t’ja “shkarkojë përgjegjëesitë Tregut të arsimit të lartë”, pikërisht atij tregu që e degjeneroi arsimin e lartë, deri në shitblerje diplomash.

 

Për të favorizuar këtë treg, të cilën e ndau në miq dhe armiq, rriti kutotat financiare të pranimit, të Universiteteve Shtetërore, që tani janë thjesht pak më të lira se sa Universitetet private, por sigurisht të menaxhuara dhe të vjedhura shumë më keq.

 

Qeveria e majtë, e Mjekësisë falas dhe e arsimit të reformuar rilindas, duket sot si një qeveri e Bosëve që kanë zaptuar sot në Shqipëri, çdo burim ku bëhet Paraja.

 

Një qeveri, që u pengon të varfërve të drejtën e barabartë për të konkuruar për të ardhmen e tyre normale. Një qeveri e majtë pra, që favorizon njerëzit me lekë dhe fëmijët e tyre, në çdo pore dhe në çdo qelizë të shoqërisë, duke mbyllur Rrugën e të Varfërve, pikërisht të atyre, në emër të të cilëve erdhi në pushtet!

 

Kjo është një Tradhëti e madhe Morale dhe një shëmti e mirëfilltë qeverisëse, që studentë e studente si Mirela, të ngelen jashtë portave të Dijes, sepse duhet që shumë para të shkojnë në xhepat e bosëve të arsimit të lartë privat, që po fillojnë e shtohen si kërpudha të reja pas shiut të ri rilindas.

 

Pavarësisht xhestit të saj të diskutueshëm, Mirela dhe mijëra si ajo, nuk kanë të drejtën të ndëshkohen për të mos u arsimuar, sepse prindërit e saj nuk kanë një parcelë hashashi, apo nuk punojnë në ndonjë komitet partie.

 

Në një kohë kaq të shthurur dhe kaq në dekadencë morale, të Bosëve të hashashit, të Bosëve të Mjekësisë, të Bosëve të arsimit, të bosëve të krimeve shtetërore apo thjesht grabitqare, cili do të jetë Fati i Mirelës?

 

Është kjo një qeveri me bojatisje të majtë dhe krejt e pandjeshme? Sigurisht që po!

 

A e di qeveria rilindase se ka një rrjet të mirëfilltë prostitucioni studentor vajzash që vetë financohen, për të studiuar, për të blerë makina dhe rroba me vlera të larta, si rrugë alternative të jetës së tyre?

 

Dhe prostitucioni është Treg, sigurisht ende jo legal në Shqipëri, mos është ky lloj tregu rekomandim i pashkruar i qeverisë për të vetëfinancuar arsimin e lartë në Shqipëri? Sepse Bosët e Tregut, sigurisht që nuk do të kishin gjë në kundërshtim.

 

Prisni pra nga studentët reagime edhe më të ashpra! Sepse ata asnjëherë nuk dorëzohen lehtë!

Lini një koment